­Syriza dhe gjeopolitika ruse e Duginit

February 28, 2015

Ministri Jashtem grek, Nikos Kotzias, (i pari majtas) dhe Aleksander Dugin ne mes, Universiteti i Pireut, 2013

Ministri Jashtem grek, Nikos Kotzias, (i pari majtas) dhe Aleksander Dugin ne mes, Universiteti i Pireut, 2013

­Syriza dhe gjeopolitika ruse e Duginit

Nga: ALBERT HITOALIAJ

Gazeta Shqiptare, 28/02/2015
Fitorja e Syriza-s dhe koalicioni me ANEL-in, ka shumë gjasa që të jetë një skenar i rëndësishëm gjeopolitik. Sot, shfaqet hapur shqetësimi që sjell kjo lëvizje gjeopolitike antiperëndimore. Këtë e forcon qëndrimi dhe shkalla e takimeve që politikanët grekë të Syriza-s dhe të ANEL-it kanë kryer me funksionarë rusë. Ndërkohë, fakti më shqetësues është se një prej strategëve gjeopolitikanë më të njohur rus, Aleksandër Dugin, ka lidhje të ngushta me politikanë grekë. Dugin i përket shkollës gjeopolitike të mendimit eurazist, mbështetës e krijues i një ideologjie radikale nacionaliste ruse. Ai është i cilësuar edhe si personazh me ide neo-fashiste, por pavarësisht se si e konsiderojnë kundërshtarët, qëndrimin e tij ai e përligj me gjeopolitikën. Këtë qëndrim ai e shfaq me strategjinë e tij euraziste për një Rusi dominuese “nga Dublini në Vladisvostok”. Ideologjia e tij disavjeçare, ka bërë për vete mendime të personazheve të ndryshëm rusë e jo vetëm. Strategjia e Putinit është e bazuar tek ideologjia gjeopolitike e Duginit, dikur edhe këshilltar për ndërtimin e dokumentit të koncepteve të interesave kombëtare. Nip e bir ushtaraku (i ati gjeneral i KGB-së), ai është një personazh jo pak i çuditshëm. Edhe pse adoleshent, i bashkohet një grupi intelektualësh rusë të interesuar ndaj paganizmit, mistikës dhe fashizmit, por Institutin e Aviacionit në Moskë e lë pa përfunduar për shkak se e përjashtojnë, për përdorim literature të ndaluar. Zotëron mjeshtërisht së paku nëntë gjuhë. Në kohën e Gorbaçovit bëhet lider i organizatës famëkeqe anti-semite “Pamyat”. Udhëton në vendet e Perëndimit qysh në 1989 dhe krijon lidhje të forta me udhëheqës të djathtë europianë si francezi Alain de Benoist dhe belgu Jean-Francois Thiriart. Në vitet ‘90 bashkëpunon me Genadii Zyuganov, liderin e Partisë Komuniste të Federatës Ruse dhe formulon edhe bazamentin ideologjik nacionalist të asaj partie. Kjo s’e pengon që të bashkëpunojë me shkrimtarin neo-fashist rus, Aleksandr Prokhanov, që kishte lidhje me segmente ushtarake ruse dhe të jetë ideologu kryesor i gazetës së tyre, “Den”. Më pas ai krijon revistën e tij gjeopolitike ku bën analiza të shumta në këtë fushë. Hap një shtëpi botuese me emrin “Arkotgeia”, emër i huazuar prej shtëpisë botuese të shkrimtarit gjerman racist (okultist dhe ezoterist), Guido von List. Gjeneron në vitin ‘93 strukturën ideologjike të Partisë Nacional-Bolshevike, drejtuar nga Eduard Limonov. Po në fillim të viteve ‘90, bashkë me Porkhanovin synon të krijojë një aleancë mes të djathtës së re në Europë dhe disa departamenteve të Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm të FA ruse. Në tryezën e rrumbullakët të këtij takimi, morën pjesë gjeneralë të ndryshëm nga departamentet e akademisë si dhe lideri i së djathtës se re franceze, Alain de Benoist dhe zëdhënësi Jean Lalou. Komandanti i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Igor Rodionov, thuhet se ishte shumë i afërt ndaj ideve të Duginit. Këtë mbështetje të pakursimtë ai ia dha Duginit edhe kur u bë vetë ministër Mbrojtje, në ‘96-’97, koha kur Dugin shkroi veprën e tij kryesore, “Themelet e gjeopolitikës”, në të cilën shfaq platformën për Euroazinë. Ky punim është një nga më influencuesit në post-komunizmin rus. Për këtë punim Dugin pati si konsulent gjeneralin Nikolai Klokotov, të Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm dhe gjeneral-kolonel Leonid Ivashov, kreu i departamentit ndërkombëtar në Ministrinë e Mbrojtjes ruse të asaj kohe (qëndrimi i këtij të fundit dhe të tjerëve, për shqiptarët, është nga më të urryerit – për ta, ne nuk duhet të ekzistojmë mbi faqe të dheut). Në vitin 1998, Dugin ngrihet në pozita duke u bërë këshilltari për gjeopolitikën i kryetarit të Dumës ruse, Gennadii Seleznev, i cili njihet si një prej politikanëve më ndikues rusë në 2001. Më pas formon “Qendrën për Ekspertizë Gjeopolitike” dhe ndërkohë libri i tij bëhet tekst shkollor. Ai sheh një shekull dhe një milenium rus dhe për këtë gjë trumbeton idenë e Rusisë së tij – Platforma Euroazia. Pas vitit 2000 ai është ideologu kryesor i Kremlinit të Putinit. Pas tij, militojnë gjeneralë, politikanë, pjesëtarë të shërbimeve sekrete, filozofë, biznesmenë etj. Klubi i krijuar, tashmë sheh të përfshirë edhe europianë perëndimorë e lindorë, të cilët ai i josh me idenë e krijimit të një Euroazie panruse. Ky ishte profili i shkurtër i një prej ekspertëve më të njohur të momentit në gjeopolitikë. Ai është pjesë e frymës gjeopolitike shtetërore ruse, e ndoshta më i afti nga kjo kategori gjeopolitikanësh.
DO TË IKE PUTIN, POR JO RUSIA

Bëjnë gabim ata që e shohin politikën e Jashtme të Rusisë si një tekë të Putinit. Sepse edhe kur të ikë Putin, përsëri do ndiqet po e njëjta frymë. Kjo, pasi rusët kanë dekada që po aplikojnë parimet gjeopolitike të formulës së “Heartland”-it dhe të Eurazisë, për dominim global(se sa e arrijnë, është tjetër gjë). Euroazia u përshkrua nga gjeopolitikani britanik Halford Mackinder, si i një rëndësie të pakrasueshme, si rajoni më i rëndësishëm i planetit, më i pasuri, më i sigurti dhe si seli natyrale perandorish. Nëse një shtet ose aleancë shtetesh, dominues të “Heartland”-it, do të mund të kishin akses në ujërat e ngrohta, atëherë aty do të vendosej qendra e perandorisë më të pushtetshme të njerëzimit, e cila do të kontrollonte burimet, rrugëkalimet strategjike dhe politikën globale. Sipas britanikut të famshëm, “zemra e tokës” (“Heartland”) korrespondon në pjesën më të madhe me hapësirën gjeografike të Rusisë, e cila përbën edhe pjesën më strategjike të “Ishullit të Botës” (Afro-Euro-Azia). Ai rekomandonte që nëpërmjet kontrollit të Europës Lindore e Qendrore të frenohej bashkëpunimi strategjik gjermano-rus, një aleancë euraziste që do të merrte në dorë botën. Gjeopolitikani tjetër me famë, gjenerali gjerman Houshofer, punoi me respekt mbi formulën e kundërshtarit Mackinder dhe formuloi teoritë e ndarjes së botës në pan-zona. Por emri që la trashëgiminë strategjike të sotme, është padyshim gjeostrategu amerikan, Spykman. Ai rishikoi teorinë e Mackinder-it dhe ofroi formulën bazë të politikës së jashtme amerikane. Sipas tij, kontrolli i Eurazisë mund të bëhej nga një kordon shtetesh euroaziatike që përbënin zonën anësore të “Heartland”-it e që ai i quajti “Rimland”. Këto janë vende që lagen nga detet e oqeanet, por që izolojnë Rusinë ndërkohë. Thelbi strategjik i kësaj përplasjeje, është ndeshja mes fuqive me karakter kontinental dhe atyre detare. Dugin, ndjek parimet e gjeopolitikanëve që u përmendën dhe mbështet teoritë e tyre në mënyrë të anasjelltë. Perëndimorët e zbatojnë gjeopolitikën për ekuilibër dhe kontroll në Eurazi; rusët synojnë që ta rrëzojnë këtë ekuilibër e të zgjerojnë influencën me qëllim dominimin e Eurazisë. E vetmja fuqi që e pengon këtë gjë është SHBA. Përkrah saj, një sërë fuqish me interesa të përbashkëta. Strategjia ruse synon që të prishë aleancat që shihen të reflektuara së pari te NATO e mandej te BE dhe të rikrijojë dy modele të reja: a) një arkitekturë të re sigurie europiane e globale (SHBA jashtë Europës), dhe b) një aleancë ekonomike të Euroazisë. Me këtë objektiv, lufta përshkallëzohet te gjeoekonomia, përplasja e identiteteve, ngacmimi i nacionalizmit europian etj, pjesë të strategjisë së madhe ruse (por jo vetëm). Kështu, lidhjet e Duginit qysh në vitin 1989 me ekstremin e djathtë nëpër Europë, kanë në themel pikërisht këtë strategji për Euroazinë. Nacionalizmi ekstrem i djathtë europian, “i çon ujë në mulli” kësaj ideje.
OREKSI GREKORUS, NIS NË QIPRO

Nëse Ballkani Jugor apo vende të Mesdheut bien nën influencën ruse, atëherë mund të thuhet se bota hyn në një etapë të pahasur më parë – fuqia kryesore kontinentale, Rusia, do të arrijë një pozicionim strategjik shumë të favorshëm. Pjesë e kësaj përpjekjeje është edhe marrëveshja e sapo firmosur me Qipron për lejimin e përdorimit të porteve qipriotë prej anijeve ruse. Presidenti qipriot Anastasiades ka deklaruar se po negociohet edhe për përdorimin prej rusëve të një baze ajrore. Linja strategjike e Greqisë vetëm zyrtarisht, ka qenë linja e interesave euroatlantike, linja e NATO-s. Por, me afrimin e Syriza-s dhe ANEL-it ndaj Rusisë, krijohet shqetësim real. Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, kryetari i ANEL-it, Panos Kammenos, është një radikal i djathtë, një anti-perëndimor i deklaruar. Takimet e tij qysh para zgjedhjeve me figura të njohura që janë pranë Putinit dhe premtimi ndaj ambasadorit rus në Greqi, në datën 3 shkurt se “Do të forcohet një aleancë strategjike me Rusinë”, bien ndesh me politikat e NATO-s. Synimi për lidhje strategjike me Rusinë është mbjellë qysh para ardhjes në pushtet, nëpërmjet bashkëpunimit ruso-grek të ithtarëve të Duginit me përfaqësues të ANEL-it dhe të Syriza-s. Dugin ka gjithashtu lidhje edhe me ministrin e Jashtëm aktual grek Nikos Kotzias. Në prill të vitit 2013, Kotzias, asokohe profesor i Universitetit të Pireut, ftoi Duginin që të jepte një leksion në lidhje me politikën ndërkombëtare dhe vizionin e tij euroaziatik, pra, reklamoi idenë e tij. Një nga orientimet e Duginit në këtë lekturë ishte se Greqia duhet të krijonte një pol lindor të identitetit europian, të veçantë, brenda BE-së, bashkë me Serbinë e të tjerë (aksi ortodoks), si rikrijim i arkitekturës europiane. Panos Kamenos, në 15 janar 2015, gjatë vizitës së tij në Moskë para zgjedhjeve greke, u takua me Frants Klintsevich, zv/kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes së Parlamentit rus dhe me Aleksey Pushkov, kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Parlamentit rus, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Kanadaja. Gjatë takimit Kamenos do të deklaronte: “ANEL është gati për krijimin e një grupi të gjerë europian, prej forcave politike nga Europa Jugore, ekonomia e të cilave ishte dëmtuar si rezultat i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Qëllimi i këtij grupi do të jetë një pezullim i këtij procesi që dëmton më shumë vendet e BE-së e më pak Rusinë”. Duket qartë përputhja mes qëndrimit të Kamenos dhe këshillës së Duginit në Pire. Duhet nënvizuar fakti se Instituti i Gjeopolitikës, krijuar nga ANEL, ka një memorandum bashkëpunimi strategjik me Institutin e Studimeve Strategjike ruse, dikur pjesë e pandarë e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ruse (Zbulimi ose SVR); aktualisht drejtohet nga gjeneral-lejtnanti (r) i SVR-së, Leonid Reshetnikov. Shkalla e bashkëpunimit ruso-grek, në fushën strategjike, ka edhe detaje të tjera. Dugin synon prej vitesh krijimin e një klubi elitash europiane të ekstremit të djathtë (e jo vetëm) të cilat të kenë simpati për gjeopolitikën ruse. Për këtë, së fundi janë bërë edhe disa mbledhje. Tsipras, Kammenos, Kotzias dhe të tjerë grekë, i përkasin këtyre elitave. Imagjinoni se kujt i shërben fryma e analistëve shqiptarë, kur me simpati thonë se “do të votonin për Syrizën”, ose kur thonë se shohin po lind edhe ndonjë “Tsipras” shqiptar – që me demek do të na “shpëtonte”. Këta “analistë” apo politikanë, falë mosinformimit apo keqinformimit të publikut, luajnë në interes të boshtit strategjik rus. Dëshiroj të besoj se kjo ndodh nga padija. Por anash dëshirave, realiteti i ri strategjik në jug është më alarmues sesa përrallat me të cilat na përshkruhet në Shqipëri. Shtojmë edhe faktin se ndjekësit grekë të Duginit, duke mbështetur vizionin e tij, mbështesin edhe qëndrimin e tij të palëkundur se Kosova është Serbi. Për herë të parë një vend i NATO-s, Greqia, shfaq hapur një politikë pro-ruse, e cila shkon në kundërshtim me orientimin strategjik të Aleancës. Koha do të tregojë se marrëdhëniet shqiptaro-greke do të vështirësohen, për shkak të kësaj gjeopolitike ruso-greke. Por, siç thoshte Dugin në Pire, “asgjë personale, veç gjeopolitikë”…

http://www.balkanweb.com/site/syriza-dhe-gjeopolitika-ruse-e-duginit/

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: