Dhurata që Pâpa nuk sjell dhe nuk merr dot…

October 8, 2014

papa ne pullen postare shqiptare 

 

Dhurata që Pâpa nuk sjell dhe nuk merr dot…

 

Albert HITOALIAJ
Gazeta “Dita”, 21 Shtator, 2014

Në datë 17 shkurt të vitit 1600, në Romë, u dogj në turrën e druve filozofi, shkrimtari, studiuesi i kozomologjisë dhe murgu, Xhordano Bruno. E dogji Kisha Katolike, Inkuizicioni, për shkak të rrymës së re të mendimit filozofik që ai mbronte. Dogji atë dhe librat e tij. Konsiderohet si “Prometeu” i shkencës, si i pari që solli dritë shkencore. Ishte thellësisht besimtar. Por, jo besimtar si ai lloj që kërkonte Kisha. Bruno mbronte idenë e Universit të pafundmë, të dashurisë së pafundme, të krijuar nga një Zot i pafundmë. Zoti i Xhordanos ishte një me natyrën – rregullator i saj, i shkrirë më të, në një pafundësi botësh në një Univers të pafundmë, në një lidhje unike të gjithësisë, që nga njeriu deri te çdo element natyror e qiellor, ishte fryma krijuese që shihet te yjet dhe është frymëzimi që bashkon njeriun e natyrën bashkë. Inkuizicioni i Kishës Katolike e quajti heretik dhe si përfundim e dënoi më djegie pas shtatë vitesh burgosje. Vdiq një njeri i madh – nga më të mëdhenjtë ndoshta. Por vdekja e tij, i dha atij si një feniks, lindjen e re. E bëri njësh me Universin e pafundmë, me Zotin e tij që merrte frymë te Natyra, te yjet. Filozofia e tij që nuk u shua, por i dha jetë shkencës e studimit të Universit që ne njohim sot. Vdekja e tij, në mënyrë magjike, u bë datëlindja e shkencës, pasi nëpërmjet vrasjes së tij filozofia e Brunos u bë e pavdekshme.

Shekuj më pas, po në datën 17 shkurt, në vitin 2008, Kosova shpallet shtet i pavarur. Një popull i vogël e i vuajtur, një copë e shkëputur nga komb-trualli mëmë, përballë me Romën e fuqishme të Kishës Katolike, mundi të dalë nga pusi i errët i torturave serbe që bëheshin edhe në emër të dallimit “fetar” – këta ishin shqiptarët. Këta ishin e janë Albanët e dikurshëm, ata që i dhanë emrin Kodrave Albane aty rreth Romës apo edhe vetë Alba Longës. Janë, pararendës të Romës, e cila pa si themelueses së madhështisë të qytetërimit të saj, kastën mbretërore Dardane, skalitur aq mjeshtërisht në mënyrë poetike te Eneida e Virgjilit. Enea Dardani me të tijtë, u nisën nga Butrinti dhe themeluan Romën. Që të zbulohej rremba hyjnore e gjakut dardan të Romës, duhej zbuluar Butrinti – kjo ishte arsyeja e misionit arkeologjik të Ugolinit, i cili me zbulimin e Butrintit, vërtetoi më tej madhështinë e përshkruar nga Virgjili. Por, nga këto brigje albane u nis edhe Shën Pali që “nga Jeruzalemi der në Iliri plotësoi predikimin e Ungjillit të Krishtit”. Nuk është vendi të përmendim as shekujt e perandorëve ilirë që themeluan fuqinë e Romës e as Shën Jeronimin që përktheu Biblën në latinisht, apo të tjerë. Kontributet e popullit shqiptar e paraardhësve të tij ilirë, janë të mëdha si për Romën perandori edhe për Romën Kishë. Si duket kjo lashtësi, kontribut e bashkëjetesë e jona, perëndimore dhe europiane nuk mjafton që Vatikani të njohë shtetin e Kosovës. Ânipse… ne, nuk mërzitemi.

Nuk mërzitemi pasi ne shqiptarët jemi si Xhordano Bruno. Po, po, jemi! Bruno, në librin e tij “De umbris idearum” (“Hijet e Ideve” 1582), dedikuar mbretit të Francës, Enrikut të III-të, shtjellon artin e kujtesës, të perceptimi të realitetit, të “hijeve” platonike të së vërtetës, shpreh parimet themelore të filozofisë së tij. “Një i vetëm është trupi i Entitetit universal, një rend i vetëm, një fuqi e vetme, një parim i vetëm dhe një fund i vetëm, një i vetëm është i pari e një i vetëm është i fundit” – thotë Bruno, duke u bërë profet i atij uniteti universal që shkenca aktuale po zbërthen – koncepti kuantum. Ne të njëjtën mënyrë edhe shqiptarët e parë, besonin Diellin, Tokën, Qiellin. Janë të shumta dëshmitë e huaja e vendase që rrëfejnë se si shqiptarët, qofshin të krishterë apo qofshin myslimanë betoheshin mbi Gurin, mbi Dheun, për Diellin e për Qiellin: “Për atë Qiell”, “Për atë Diell”, “Për të rënd të këtij guri”, “Për kët’ Dhê” etj. Këto besime homerike pellazgjike, po qe se i quajmë si Pashko Vasa, jetuan e jetojnë akoma edhe sot mes shqiptarësh. Ky besim te natyra, siç besonin ilirët e moçëm në Diell, është një panteizëm i qëndrueshëm te shqiptarët. Fundja, Dielli dhe shtresa e ozonit edhe nëse nuk janë “Zot”, janë padyshim shpjegimi shkencor se përse ne mund të kemi një botë të gjallë në planetin tonë. Në këtë mënyrë, Xhordanoja dhe shqiptarët kanë parë atë që Doktrina e Krishterë e Kishës nuk e sheh dot. Si shqiptarët, si Xhordano Bruno, panë ekzistencën e vërtetë të fuqisë hyjnore. Ata panë Zotin te Natyra dhe jo Zotin te Fjala.

Në këtë mënyrë, shqiptarët besojnë akoma sot mrekullinë e gurit, të gurit të Kishës së Laçit (ndërtuar mbi gurë paganë), të majës së Tomorrit (përfaqësuar nga një teqe), të fuqisë reale të Perëndisë edhe pa vajtur në kishë apo xhami etj. Kjo fuqi shqiptare e të parit përtej doktrinës është edhe shpjegimi i “bashkëjetesës fetare”. Këtë trashëgimi që na vjen nëpërmjet gjenit dhe trashëgimisë kulturore, ne mund ta sjellim si shembull perfekt për botën e qytetëruar. Kjo bashkëjetesë e jona është njohja reale që ne kemi ndaj fuqisë së atij Zoti që besonte Xhordano Brunoja. Veçse, ai Zot nuk është feja! Këtë gjë, shqiptarët e dinë fare mirë. Kjo është arsyeja se përse gratë katolike të Malësisë mbanin luleboje/tatuazhe pagane me svastikë apo simbole të tjera ilire pagane në duart e tyre deri tani vonë; këto simbole të Diellit i mbanin më herët edhe simotrat e tyre epirote. Këto simbole pagane, të cilat i quanin të shenjta, edhe pse ishin katolike apo myslimane hera-herës, përfaqësonin atë që ato e quanin shenjë e dritës, e Zotit. Ndonëse të pashkolluara, ato shprehin çuditshëm atë që Xhordano Bruno e konsideronte simbiozë universale të një alfabeti simbolesh që shprehin instrumentin e mrekullueshëm të kujtesës e të njohjes së realitetit, i cili buron nga Drita. “Një e vetme është drita që u dhuron shkëlqim të gjithave, një e vetme është drita që ndriçon të gjitha speciet” – thoshte Bruno. Për këtë arsye nuk mund të ketë shumë religjione. Për këtë arsye të gjitha religjionet janë një dhe për këtë arsye shqiptarët kanë bashkëjetesë fetare – pasi ata shohin përtej fesë. Për këtë arsye Pashko Vasa konsideronte si fé të shqiptarit “shqiptarinë”.

Papa Françesku është konsideruar një Papë i çuditshëm. Zgjodhi si vizitë të parë në Europë, një vend të çuditshëm. Të dy palët jemi njëlloj. Besoj se Ai është i çuditshëm pasi është një Xhordano Bruno në llojin e vet, ashtu siç janë edhe shqiptarët. Dhurata që ai nuk mund të na sillte ishte njohja e shtetit të Kosovës. Mënyra jonë e besimit, që rëndom quhet bashkëjetesë “fetare”, është dhurata që ne nuk ia japim dot me vete, për Vatikanin, pasi ky i fundit nuk mund ta pranojë. Edhe pse në vitin 2000 Papa Xhovani Paolo II-të shprehu nëpërmjet një letre, keqardhjen e thellë për djegien e Xhordano Brunos, ai nuk e pranoi filozofinë e këtij të fundit. Kjo është pika jonë e ndarjes – mënyra e besimit – , kjo është pika ku ne arrijmë t’i japim leksion edhe atyre që e kanë punë të përditshme besimin te Zoti…

http://gazetadita.al/dhurata-qe-papa-nuk-sjell-dhe-nuk-merr-dot/

univers

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: