Albanët dhe simbolika gjeopolitike e hartës së kryeministrisë

October 4, 2013

big_1235878_10151678817701523_2104890289_n
Simbolika e hartës në tryezën e Ramës

Nga: ALBERT HITOALIAJ
Gazeta Shqiptare, 04.10.2013
Me ndryshimin e qeverisë në Shqipëri, pati edhe disa ndryshime që herë u komentuan, e herë jo. Një ndryshim që ra në sy qysh në fi llim, ishte tryeza e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Një dekoracion i ri ishte vendosur në pjesën e hapur të tryezës. Një riprodhim i një harte të vjetër antropomorfe të Europës. Nuk dihet pse, por mungoi interpretimi i mesazhit të saj. A ka një mesazh në vetvete vendosja e asaj harte?
Para disa shekujsh, hartat edhe pse me mangësi të ndryshme, thelbësore apo jo, kishin vetinë që t’i jepnin njeriut idenë e hapësirës. Ndërsa sot edhe pse shumë të sakta, hartat ngatërrohen rëndom me territorin. Një hartë e vjetër vlen sa shumë fjalë të thëna njëherësh.
Në diplomaci asgjë nuk kalon pa pasur një mesazh. Natyrisht që Kryeministria nuk është Ministri e Jashtme, por imazhi i saj është një mesazh që vlen jo vetëm për shqiptarët. Gjeopolitikani i njohur, George Friedman, teksa bënte një analizë për situatën në Siri, e fillonte kështu: “Thuhet se kur diplomati i famshëm austriak, Klemens von Metternich, dëgjoi për vdekjen e ambasadorit turk, ai tha: ‘Pyes veten se çfarë donte të thoshte me këtë’ (pra, me vdekjen e tij)? E vërtetë apo jo, serioze apo shaka, ajo vë në pah një problem të diplomacisë. Në kërkim të kuptimit që qëndron pas çdo gjesti, diplomatët filluan ta konsiderojnë çdo veprim të thjeshtë si një gjest…”
Mbështetur te ky citim mund të nisë edhe përpjekja për të kuptuar gjestin e vendosjes së asaj harte në tryezën e Këshillit të Ministrave. Harta është e titulluar “Europa Prima Pars Terrae In Forma Virginis…”, krijuar në 1548 nga Heinrich Bünting. Këto harta antropomorfe (me formë njeriu) u botuan kryesisht në tokat e Gjermanisë së asaj kohe. Të ngjashme me to janë edhe hartat zoomorfe që janë në formë kafshësh. Harta e parë e Europës në formë mbretëreshe, ka si autor gjermanin Johannes Putsch, i cili lindi në 28 mars 1516 në Innsbruck. Origjinali i kësaj harte, e botuar në vitin 1537, gjendet në muzeun e Innsbruck-ut, “Innsbruck Tiroler Landesmuseum Ferdinandeum, Innsbruck”. Kjo hartë shfaq ndër të tjera, emërtimet: Illiria, Albania Mons dhe Albania. Kjo treshe emërtimesh shfaq pamjen e gadishullit Ilirik dhe vargmalet Albane apo shqiptare (ilire), të cilat shtrihen nga Austria (aty ku fillon emërtimi Iliria) deri në Kostandinopojë. Serbia dhe Bullgaria gjithashtu, ndodhen përtej këtyre maleve. Harta ka edhe detaje të tjera të shumta, por po ndalem veç te këto që sapo përmenda, dhe arsyeja do shihet në vijim. Harta e dytë që është botuar po me këtë formë, Europa si mbretëreshë, i përket Heinrich Bünting, një prift protestant gjerman. Punimi i tij më i njohur është: “Ein Reisebuch über die gantze heilige Schrift” (botuar së pari në Helmstedt; Jacobus Lucius, 1581), një shpjegim gjeografik për Biblën. Ky libër ka pasur më shumë se 60 ribotime deri në shekullin e 18-të dhe është i ilustruar nga një grup hartash. Një prej tyre, Europa në formë mbretëreshe, është edhe harta e cila ndodhet në tryezën e punës së qeverisë “Rama”. Këto harta u publikuan së bashku në 1587, por harta që flasim është krijuar në vitin 1548, pak vite pas hartës së Putsch.
PASKEMI QENË NË EUROPË…
Shqipëria shfaqet në dy harta të botuara nga Heinrich Bünting: në hartën e Europës si grua dhe në hartën e Azisë si kali mitik Pegasus, ku në kufij të saj ndodhet Europa, prezantuar nga Albania (Shqipëria). Pra, pjesa skajore kufizuese e Europës mban emrin e Shqipërisë. Harta e Europës si mbretëreshë u transformua në një hartë kujtese, që kujtonte linjat kufizuese gjeografike të Europës. Në këtë mënyrë, në hartën tjetër zoomorfe të Azisë (“Asia Secunda Pars Terrae in Forma Pegasi”, Azia në formën e Pegasus), Albania (Shqipëria) pasqyronte gadishullin e Ballkanit apo gadishullin Alban, Ilirik, që kufizohet me Azinë. Kjo tregon qartë rrënjën evropiane të shqiptarëve. Ne nuk do shkojmë në Europë, por kemi qenë këtu në të, që në zanafillën e saj, që kur ajo nuk kishte emër. Kjo është histori disi e gjatë, por me pak fjalë, historia antike rrëfen se Zeusi pellazgjik rrëmbeu Europën, bijën e bukur të Agnorit fenikas dhe në kërkim të saj u vu vëllai i saj, Kadmi. Kjo Europë i dha emrin kontinentit tonë. Kadmi, burri i mëvonshëm i Harmonisë, mbreti i mëpasshëm i Enkelejve ilirë, babi i pastajmë i Hyllit/Ilirit, dhuruesi i shkronjave dhe shkrimit në botën antike të ashtuquajtur greke, sipas gojëdhënave besnike të traditës shqiptare, e ka varrin bashkë me Harmoninë diku andej nga jugu i Shqipërisë, nën shtratin e një lumi. Por le të kthehemi te harta jonë, harta e europianëve.
Kreu i hartës së vendosur në tryezën e qeverisë paraqet Spanjën dhe Portugalinë e në majë qëndron një kryq, i cili jep natyrën e krishterë të Europës së shek 16-të. Në dorën e djathtë të Europës, rruzulli me kryq, Sicilia, tregon kufirin e Europës së krishterë, skajin. Gjermania është zemra e mbretëreshës Europë, Franca është gjoksi, Alpet janë zinxhiri i varur në qafë, Italia është krahu i djathtë i mbretëreshës Europë, krahu i majtë është Danimarka. Skeptri mbahet nga krahu i majtë dhe Anglia është pranë majës së skeptrit në formën e një flamuri, në fundin e veshjes, në të djathtë qëndron Greqia me Peloponezin aty afër dhe në të majtë qëndron Moska. Kostandinopoja dhe Prusia paraqiten si dy këmbët e mbretëreshës. Ndërkohë ka dy linja që janë të dukshme dhe të gjata. Linja e lumit Danub dhe vargmalet Albane, si dy zinxhirë të çmuar që varen nga brezi i mbretëreshës. Paralel me malet Albane, në krye pranë Austrisë, filloni shkrimi i emrit të Ilirisë, ndërsa në fund të këtij vargmali qëndron Kostandinopoja. Heinrich Bünting nuk kishte ndonjë interes në glorifikimin e Habsburgëve, por sidoqoftë mënyra e pasqyrimit të Europës në këtë mënyrë ishte një vazhdim i asaj harte që bëri Putsch, i cili e shikonte Karlin e V-të të Spanjës si kurorë katolike, ndërsa Ferdinandi i Austrisë qëndronte si medalje e artë në gjoksin e mbretëreshës. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se Europa po jetonte kohën kur konfliktet ndërmjet protestantëve dhe katolikëve të Perandorisë së Shenjtë Romake do të jepnin atë që ne sot e quajmë shtet-komb dhe sistemin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërkombëtare. Heinrich Bünting nuk ishte i fundit që prodhoi një hartë të tillë, sepse disa vjet më pas do të ishte hartografi gjerman me origjinë hebraike, Sebastian Münster (1488-1552) që do të krijonte një tjetër hartë antropomorfe të ngjashme të pasqyruar në veprën e tij “Kozmografia” të botuar në Basel të Zvicrës. Kjo vepër është ribotuar rreth 40 herë në periudhën 1544-1628 dhe Münster ushtroi influencë për thuajse 200 vjet, ashtu si dhe Bünting. Në hartën e Münster mungojnë shpjegimet dhe natyrisht që edhe ajo ka mangësitë e veta në pasqyrimin gjeografik.
POZICIONI ALBAN NË TRUPIN E EUROPËS
Na duhet të theksojmë këtu, elementin për të cilin po bëjmë krahasimin e këtyre hartave: pozicionin e Shqipërisë (Albanisë dhe Ilirisë). Në hartën e Sebastian Münster mungon Albania dhe Iliria. Jepet Maqedonia, Sklavonia (një unifikim e njehsim i sllavëve me Ilirinë) ndërkohë që ka edhe ndryshime të tjera, pavarësisht se Gjermania konsiderohet sërish zemra e Europës. Më pas Matthias Quad (1557–1613) dhe Johann Bussemacher në vitin 1587 do të bënin një hartë tjetër të ngjashme të Europës mbretëreshë. Albania shfaqet përsëri në këtë hartë, ashtu si dhe Iliria dhe vargmalet e saj si simbol i Ballkanit Ilir. Në basenin pas këtyre maleve gjendet tashmë Serbia. Gjermania qëndron përsëri në zemër, Britania në skeptrin e pushtetit, Spanja në krye si kryqi i Europës etj. Këto janë disa përshkrime të hartës, ndërsa kjo e fundit përmban edhe shpjegime të vendosura anash.
Këta hartografë shfrytëzuan burime të vjetra e të reja për të ndërtuar perceptimin mbi Europën dhe ndikimi i punës së tyre ishte jo i pakët. Simbolika e gjeografisë europiane prekej nga gjeografia politike e asaj kohe. Nëse shikojmë hartat e sotme dhe përpiqemi të përfytyrojmë një hartë antropomorfe të Europës, do të shihnim se disa pika kyç në këtë hartë nuk kanë ndryshuar shumë. Europa ka mbetur kryesisht e krishterë, edhe pse religjioni tashmë nuk është kriter i rëndësishëm që përcakton konfliktet. Britania nuk është më mbretëresha e dikurshme e deteve, por është akoma një shtet me rendësi të madhe në diplomacinë botërore dhe padyshim atë evropiane. Gjermania është zemra e Europës, por këtë herë në versionin e fuqisë ekonomike. Pra këta janë disa elementë të qëndrueshëm në kohë, faktorë e aktorë, të cilët i kanë dhënë formë gjeopolitikës evropiane, botërore dhe rendit të marrëdhënieve ndërkombëtare që ka udhëhequr mbretëresha Europë. Ajo që është korrigjuar në Ballkan këto dekada ngjan me ato qëndrimet e hartografëve të shek. 16-të, ku dikush e hiqte Albaninë e dikush e shfaqte. Flas për elementin shqiptar, i cili është rishfaqur përsëri në skenë me pavarësinë e Kosovës. Kjo pavarësi duket se rikthen edhe një herë termin Albania ashtu si në hartën e Heinrich Bünting, ku gadishulli Ilirik, malet Albane dhe Albania (Shqipëria) zënë pozicionin kryesor në Ballkan dhe janë një nga zinxhirët e çmuar të mbretëreshës. Vlera e sotme e hapësirës shqiptare mund të jetë padyshim vlera gjeografike, gjeopolitike dhe vlera e asaj hapësire që për shekuj ka shërbyer si portë që lidhte Perëndimin me Lindjen. Në këtë mënyrë, theksimi i identitetit tonë perëndimor nuk është vetëm një çështje kulturore, por edhe strategjike, sa historike, aq edhe gjeografike e po aq sa jetike. Mund të shtjellohet gjerësisht pozicioni Alban në hartën e Europës mbretëreshë, si sot, edhe në të shkuarën dhe në të gjitha rastet do të vëmë re se ne kemi qenë gjithnjë një zinxhir i çmuar gjeografik. Duke e parë në këtë mënyrë hartën e Heinrich Bünting, të vendosur në mes të tryezës së punës së qeverisë, nuk ka se si të mos lindin pyetje në lidhje me simbolikën dhe mesazhin që synon kjo pamje, kjo hartë e vjetër, e cila shfaq një hapësirë shqiptare e cila ishte bërë e njohur ato shekuj nga legjendari Skënderbe. Rivlerësimi i kësaj hapësire, duke rishfaqur këtë hartë të Heinrich Bünting, që ndryshon nga ajo e Sebastian Münster, i cili gadishullin e Ilirisë e quan gadishull të Sklavonisë, është një paralelizëm historik që duket sikur jep në mënyrë metaforike shkatërrimin e Jugosllavisë dhe fuqizimin e hapësirës së shqiptarëve në Ballkan. Ky ndryshim gjeopolitik në Ballkan, i varur sigurisht nga ndryshimi i rendit gjeopolitik global, është edhe kyçi i zhvillimeve që ndodhin në vendin tonë. Të rikthehemi te pikëpyetja fillestare: a ka ndonjë mesazh harta e Heinrich Bünting, e vendosur në mes të tryezës së punës së qeverisë “Rama”? Edhe nëse nuk ka, askush nuk mendon kështu në diplomaci. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ka, por mbetet në fuqi pyetja bazë e Klemens von Metternich: “Pyes veten çfarë donte të thoshte me vdekjen e tij?”. Këtë dyshim e forcon edhe partneriteti strategjik i Shqipërisë, ku nuk duhet shumë për t’u kuptuar se pavarësisht vështirësive, pozicioni i shqiptarëve falë këtyre partnerëve është në ngritje, një ngritje e paraqitur shumë bukur nga ana vizuale edhe në hartën e Heinrich Bünting, që mund të përmblidhet me këto fjalë: ripozicionim shqiptar në yjësinë e Mbretëreshës Europë. Shqiptarët po dalin nga mjegulla e harresës…

21632

One Response to “Albanët dhe simbolika gjeopolitike e hartës së kryeministrisë”

  1. Musliu said

    Tung ekam ne hart tè Europa die balkan e vizatuat ne lekur e vitit 1518 original nqofse dikush ja internes ne te Parasiten tung

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: