Ringritja jonë

January 4, 2013

Image

 

Ringritja jonë

Albert Hitoaliaj

Gazeta Shqiptare, 02.12.2012
Shqiponja është një nga llojet e shpendëve më jetëgjatë. Jeton shtatëdhjetë apo edhe njëqind vjet. Por ajo nuk është njësoj si shpendët e tjerë. Nuk bën jetë të njëjtë e të lehtë si ata, madje edhe këtë jetëgjatësi nuk e ka dhuratë, por e ka sfidë. E që të jetë mbretëresha e qiellit, kryeshpendi i ajrit, me jetë të gjatë, asaj i duhet të përballet me një zgjedhje tejet të vështirë. Aty nga mesi i jetës së saj, ajo fluturon drejt një vendi të lartë, drejt një vendi aq të lartë, sa veç një shqiponjë mund ta quajë të tillë, një shkrepi të rrahur gjithnjë nga dielli, me ujë bore të bardhë nëpër zgavra shkëmbinjsh të hirtë. Ja, aty, ajo vendos këmbët e qëndron. Majë atij shkëmbi ajo përballet me sfidën e jetës së saj. Këtë herë nuk i duhet të mposhtë një kundërshtar. I vetmi kundërshtar është vetvetja. E vetmja pengesë apo forcë në këtë moment vjen veç prej shpirtit të saj. Këtë moment do të ndodhë një ndryshim, një shndërrim, një rrugëtim. Ky rrugëtim shndërrues është sa shpirtëror, edhe fizik. Shpirtëror, për guximin që duhet. Fizik, për fuqinë që rifitohet. Prova më e sertë e durimit sapo ka filluar. Në këtë moshë, trupi i saj është i mbuluar tërësisht me pendë dhe krahët e saj, rënduar nga pendët e tejzgjatura, nuk e presin ajrin me mprehtësinë e dikurshme. I duhet të shkulë të gjithë pendët nga trupi e flatrat e saja. Pasi i ka shkulur, ajo drejtohet nga kthetrat. As ato nuk janë si dikur. Janë rritur, vjetërsuar bashkë me të, kthyer së brendshmi, thuajse të papërdorshme. Godet me sqep e shtyn me këmbë çaponjtë, duke i shqyer e shkulur. I mbetet të bëjë edhe një veprim të fundit. Të fundit, e po aq të dhimbshëm. Të fundit, e më lënduesin. Sqepi i saj është i zgjatur e i kthyer teposhtë nga vitet. I duhet t’a shkulë edhe atë. E përplas mbi shkëmb me tërë forcën e qafës. E thyen vetë mbi ata shkëmbinj, ku dikur e mprihte. E pambrojtur, rënë shtrirë mbi shkëmb, ia merr vajtimit e pret. Disa thonë se vaji i saj shkon si kushtrim për shqiponjat e tjera, të cilat fluturojnë rrotull shkëmbit për ta ruajtur e të tjerë thonë se ajo e vajton fatin e saj në vetmi. Vajton mes shkëmbinjsh spërkatur me gjakun e saj, aty ku gjenden pendët, çaponjtë, sqepi, ekzistenca e saj e deritanishme. Vajton mes jetës dhe vdekjes, pa e ditur se cila prej të dyjave do e përqafojë përfundimisht. Për dyzet ditë, a njëqind, a më shumë – askush s’e di saktë se sa, ajo pret rritjen e pendëve, sqepit dhe kthetrave. Diku, aty mbi zemër, i ka dalë e i është zhvilluar në lëkurë një qese mbushur me vaj. Kur sqepi dhe pendët i janë zgjatur aq sa duhet, ajo e shqyen këtë qese dhe e shpërndan vajin mbi pendë. Të shumta janë shqiponjat që nuk i mbijetojnë këtij procesi. Por ato shqipe që e kalojnë këtë sprovë, ringjallje, rilindje dhe mbijetojnë, arrijnë që të fluturojnë përsëri. Ato ringrihen. Ringritja e tyre është si e një shqiponje të re. Para tyre ndodhet një jetë tjetër, me kohëzgjatje sa e para. Kjo jetë e re nuk është e falur. Këtë jetë tash e tutje e sheh si vetëkrijim, si të korrat e fitores mbi vuajtjen, mbi frikën, mbi mëdyshjen. Kjo metamorfozë shpirtërore i jep edhe më shumë vlerë asaj fitoreje fizike mbi kohën. Ringritja është lufta e saj që kalon si shkreptimë përmes zemrës, “guaskës” së shpirtit. Drita e guximit i fal asaj jetën, ose vdekjen e dhimbshme, e cila në këtë mënyrë nuk gjykohet si humbje, por si luftë. Kjo ringritje përpos të tjerave, bart edhe fuqinë e simbolit. Ky është simboli i papërkulshmërisë, i mosdorëzimit, i luftës me vuajtjen për të fituar dritën e jetës. Simboli i besimit, i përqafimit të fatit edhe kur ai është i errët, i ngritjes pas rënies, i fitores së jetës mbi vdekjen sado e përkohshme qoftë kjo. Simboli i shpendit totem të shqiptarëve. Ky simbol i këtij procesi është simboli i fatit tragjik të shqiptarisë. Por është edhe simboli i habisë. Habia vjen nga fuqia që ka ky popull-Sizif, ky Sizif që po bën të pabesueshmen, që po arrin të ndalë gurin e vuajtjes mbi majën e triumfit të paqes–fitore, e cila vjen falë rezistencës së tij. Këtë 100- vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë ky simbol rrezatoi qartë. Kombi shqiptar tregoi se është i njëjti i shekujve të mëparshëm, ajo shqiponja që ka marrë përsipër përballjen me vuajtjen e përcaktimit që sjellin rrethanat, ajo shqiponja që po ringrihet. Ç’ka ndjehej në ajër e shihej në sytë dhe zemrat e gjithë shqiptarëve, ishte bashkimi i flatrave të shqipes, dashuria për fluturim të lirë, ndjenja e ringritjes. Nuk ishte festa, nuk ishin flamujt, nuk ishte organizimi, ishte gjaku, që u ndez nga dheu. Ky proces që po bashkon flatrat shqiptare në një, ky njehsim që sjell ringritjen e mbretëreshës, është procesi i ringritjes shpirtërore shqiptare. Në këtë 100-vjetor Pavarësie, të gjithë shqiptarët ishin nga Kosova e Presheva, nga Mali i Zi, Maqedonia e Çamëria, ishin një e të pandarë ashtu si në momentin i mëvetësimit që kryen krye-engjëjt e altarit kombëtar. A ishte amaneti i tyre, apo besë si ajo e Konstandinit ndezja e gjakut, thirrja e dheut a fuqia e shqiponjës, këtë nuk mund ta thuash. Por, mund të thuash se ringritja tashmë ka filluar. Festimi tregoi pikërisht këtë gjë. Tregoi se shqiptarët nuk e kanë harruar ringritjen, bashkimin që vjen përmes një fati historik, i cili na ka dhënë gjithherë vetëm dy mundësi: -ringrihu ose vdis! Fat i ashpër? Jo, është fati ynë, i cili përputhet me karakterin kombëtar. Ashtu si shqiponja kryen sprovën e besimit, ashtu edhe shqiptarët vendosen historikisht para sprovës së luftës, për t’u ngritur mbi vetveten dhe mbi pamundësinë që sjellin rrethanat historike. Ashtu siç dihet, simbolika e përdorur nga religjionet u mor kryesisht nga epokat paraardhëse pagane. Në psalmet e Davidit (Psalmi 103, The Holy Bible, New International Version, 1973) një prej bekimeve jepet për një rini të ripërtërirë si ajo e shqiponjës. E po ashtu edhe tek shënimet e shën Agustinit (Church Fathers: Exposition on Psalm 103, Augustine), gjendet bekimi “u ringjalltë rinia juaj si ajo e shqiponjës” e më pas rrëfehet legjenda e shqiponjës. Por shqiponja jonë, nuk ka lidhje me fenë. Nuk ka lidhje me fenë, pasi feja jonë-shqiptaria, është më e lashtë se vetë moti. Shqiponja e Zeusit pellazgjik, e Aleksandrit, Pirros, Konstandinit, Skënderbeut e Ismail bej Vlorës, është shpendi totem i kombit. Nuk është një ritual zyrtar, tregues apo përcaktues, formë heraldike e pajetë apo vulë, siç përdoret rëndom nga shtete të ndryshëm sot. Shqiponja është dekodifikimi i shprehjes “lirinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes jush”, është qenësia jonë kombëtare, është identiteti ynë i gjithë-kohë, “Zeitgeist”-i (fryma e kohës) që qëndron në steré, e jo në oqeanin e kohës apo një lloj “Volksgeist” (fryma e kombit) si i Herderit, është përballja jonë tragjike me historinë, është ringritja jonë e pandërprerë. Kjo frymë që vjen si gjëmim shekujsh, që e çel lisin veç brenda shpirtit kombëtar shqiptar, u kujton shqiptarëve se ka diçka më të madhe se individi, se ata vetë, më të madhe se sa kjo botë e përkohshme. Kjo kujtesë historike është ringritja kombëtare, thirrja e kohërave dhe bërthama e asaj që është vetë ekzistenca kombëtare. Kjo ringritje e vuajtur shpirtërore e këtij 100-vjetori, larë me gjak e lot, ishte premtimi i shqiptarëve ndaj përpjekjes së plakut të urtë të Vlorajve, ndaj amanetit të Pavarësisë së gjithë trojeve shqiptare, ishte falënderim e zotim i përjetshëm: Mos t’u plaktë e mos t’u thinjtë fjala, Shqipëria etnike më vehte dhe e mosvarme!…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: