Isaiah Bowman: E rëndësishme, kufijtë e Shqipërisë të bashkojnë gjithë shqiptarët me trungun kryesor

October 18, 2012

Image

Isaiah Bowman: E rëndësishme, kufijtë e Shqipërisë të bashkojnë gjithë shqiptarët me trungun kryesor 

Gjeografi i Wilson-it, formuluesi i qasjes së re gjeopolitike, në një analizë brilante për Shqipërinë

“Shqipëria, vendi i vogël, qendër cikloni e Ballkanit, prej nga mund të lindin probleme të rënda”

Shkruar nga: Pajtim Ribaj, Albert Hitoaliaj

Gazeta “Standard”, 08 Shtator 2012

Isaiah Bowman (1878–1950)

Bowman u bë i njohur gjatë LIB për rolin e tij në përgatitjet që bëri SHBA, për rindërtimin e për ri-vijëzimin e kufijve kombëtarë evropianë të pasluftës. Ai shërbeu si drejtori i “Shoqatës Amerikane të Gjeografisë” (American Geographical Society) dhe ishte përgjegjës për grumbullimin e të dhënave hartografike dhe gjeografike të përdorura nga Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Versajë.Bowman drejtoi punën e Komisionit Hetimor, u mbështet nga specialistët rajonale përgjegjës për kufirin Franko-Gjerman, Poloni – Rusi, Austro-Hungarinë, Ballkanin, dhe të tjera fusha të tilla si Lindja e Largët. Ato harta rezultuan të rëndësishme për përcaktimin e kufijve të rinj gjeopolitik të Evropës, pas humbjes së perandorisë Gjermane dhe rënies së Perandorive Austro-Hungareze dhe Otomane. Mbi 20 popuj evropianë janë identifikuar se kanë të drejtën e ekzistencës kombëtare dhe puna e Komisionit Hetimor ishte e dobishme në transferimin e territorit dhe kalimin e kufijve kombëtare si pasojë e Luftës së Parë Botërore. Bowman ka marrë edhe shumë nderime të tjera profesionale, përfshirë zgjedhjen e tij në vitin 1930 në Akademinë Kombëtare të Shkencave (National Academy of Sciences) dhe bërjen president në universitetin “Johns Hopkins University”, në vitin 1935. Ai këshillonte administratën Rosvelt, dhe ndihmoi që të skicoheshin shumë aspekte të politikës së Jashtme amerikane të pasluftës dhe të formulohej rindërtimi evropian territorial i pasluftës. Në vijim do të shohim shënimet e Isaiah Bowman në lidhje me shqiptarët dhe çështjen shqiptare, të pasqyruara në botimin e tij “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312). Këto mendime, parë rëndësinë e individit në fjalë dhe pozicionin e tij si kryekëshilltari për çështjet territoriale pranë presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës, mund të konsiderohen si mendimi zyrtar apo si këndvështrimi origjinal amerikan për Shqipërinë e kohës. Shumë nga këto zhvillime ballkanike, ashtu si dhe zhvillimet historike shekullore evropiane, ndikuan në krijimin e teorive të mëdha gjeopolitike klasike. Bowman, konsiderohet pjesë e mendimit të zanafillës gjeopolitike. Një paralelizëm që u komentua gjerësisht, është fakti se presidenti Bush e kreu vizitën e tij në një datë historike për shqiptarët, 10 qershor (dita e Lidhjes së Prizrenit); ky artikull vjen si qasje, për të hedhur dritë mbi përpjekjet strategjike të mëparshme amerikane dhe të ardhmen tonë kombëtare, duke shpresuar që të kuptohen më qartë arsyet dhe zhvillimet politike ndërkombëtar me ndikim në fatin kombëtar. Në vijim, le të shohim se ç’shkruan Bowman.

Malësorët shqiptarë

Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi. Siç shihet në hartë Shqipëria është pikërisht, në kahun e kundërt të thembrës së çizmes italiane. Nëse Adriatiku është vërtet një liqen italian, atëherë Italia do e ketë interes jetik Shqipërinë; në një rast të ngjashëm, SHBA, deklaroi në vitin 1898 – dhe iu përmbajt kësaj qysh atëherë – se çështjet e Kubës janë interes jetik për të, duke qenë se Kuba është një vend i vogël e relativisht i dobët, vetëm 100 milje larg nga Florida. Shqipëria ndodhet larg Italisë, sa gjysma e kësaj distance, ose 45 milje.

Karakteri i vendit

Shqipëria është një vend malor përshkruar nga lumenj të rrëmbyer, që derdhen në Adriatik. Ka popullsi e cila është e vendosur në lugina dhe rreth porteve. Rripat e ngushtë të fushave dhe deltave bregdetare, edhe pse pjellore, janë plot sëmundje e të populluara pak. Pjesa më e madhe e vendit banohet prej barinjsh të cilët janë në përgjithësi të pangulur në një vend, duke migruar nga një vend në tjetrin dhe duke ruajtur traditat e zakonet e shkuara. Shqipëria ka pak rrugë dhe thuajse asnjë hekurudhë. Popullsia e saj, për shkak të natyrës së saj të thyer jeton në grupe të izoluara dhe njësia e organizmit të jetës është fisi, i cili shfaq një shpirt pavarësie lokale. Ashtu si disa popullsi të tjera malore, shqiptarët kanë përjetësuar zakonet antike të grindjeve. Proceset ligjore janë shumë të ngadalta dhe të paqarta për natyrën e paduruar të mendimit dhe të shpirtit të lirë të njerëzve, të cilët gëzojnë jetën e shfrenuar e të pakufizuar të malit. Problemet me grindjet, këtu si dhe kudo tjetër, çojnë në një zinxhir të pafund vrasjesh, ndaj të cilit pjesëtarët e secilit fis kundërshtar binden nëpërmjet një sistemi që nuk le vend për punën e ngadaltë të një jurie. Çdokush, nuk mund veçse ta admirojë llojin e guximit të cilin shfaqin këta njerëz mali. Ata nuk e kanë ndërprerë kurrë monologun e tyre mbi nderin. Si kur bëhet ndonjë gjë e gabuar prej dikujt, nga ndonjë fis fqinj, ashtu edhe kur kërkohet ndonjë taksë nga taksambledhësi, ata rrezikojnë fizikisht deri në cakun më ekstrem për të mbrojtur të drejtat sipas mënyrës që ata i konsiderojnë ato të tilla. Për të nënshtruar njerëz të tillë, turku bëri një progres të pakët në thuajse pesëqind vitet e tij të kontrollit. Çështja e besnikërisë së tyre, ndaj besimit mysliman është vetëm sa për emër. Dhe shumë fise të fuqishme e drejtues aktualë ndikues, janë të krishterë dhe e kanë luftuar sundimin turk e kanë shfaqur interes për një program kombëtar shqiptar. Le të shohim se çfarë progresi është bërë në trajtimin e çështjes shqiptare prej fuqive të tjera, që prej vitit 1913.

Aspektet ndërkombëtare të çështjes shqiptare

Në fund të Luftës së Parë Ballkanike, zotërimet turke në Europë u ndanë e u morën nga shtetet ballkanike, përveç dy zonave (Traktati i Londrës, maj 1913): (1) Nga linja Enos-Midia deri te Ngushticat, Turqia vazhdonte të kishte të drejta sovrane; (2) Rajoni i keq-përcaktuar i njohur si Shqipëria, do të kishte kufijtë dhe statusin e tij të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha. I dyti prej këtyre vendimeve, u mor nga insistimi i Fuqive të Mëdha të cilat ishin të influencuara nga kërkesa e Austrisë e cila kërkonte të çlirohej nga kërcënimi i intrigës ruse për Adriatikun. Ajo i trembej kësaj, nëse Serbia (një shtet sllav i mbështetur nga Rusia) duke e bërë Shqipërinë të vetën, do të fitonte mundësi hyrje në Adriatik. Mundësia që t’i merrte Shqipërisë sikur qoftë edhe një pjesë, ishte saktësisht një prej konsideratave që e kishte shtyrë Serbinë për tu bashkuar më Bullgarinë e me Greqinë në Luftën e Parë Ballkanike, për hedhjen nga froni të fuqisë turke në Evropë. Ajo ishte e mbyllur territorialisht dhe kërkonte një dritare në Adriatik ose në Egje (Selanik). Ëndrra e një shteti jugosllav me Dalmacinë dhe Malin e Zi, që të furnizonin daljen e dëshiruar, deri atëherë nuk kishte marrë formën e vërtetësisë. Austro-Hungaria ishte më e shqetësuara për të mbajtur Serbinë të vogël e të dobët, sepse ajo kishte miliona jugosllavë brenda kufijve të saj, dhe nervozizmi i tyre që prej kohësh e sërish, i kishte shqetësuar sundimtarët austriakë. Nëse ata do të zhvillonin shpirtin luftarak të bashkë-vendësve të tyre në Serbi, ata mund të kërcënonin integritetin shumëgjuhësh të Perandorisë Austro-Hungareze. Fuqitë e tjera të Mëdha e miratuan qëndrimin e Austrisë dhe mbajtën Serbinë jashtë nga Shqipëria e nga rajoni Dalmat… Sa i përket Shqipërisë, kufijtë e saj të pasaktë, nuk u përcaktuan kurrë nga fuqitë e njëpasnjëshme që u morën me të (kufij të ndryshëm shfaqen në hartën shoqëruese). Kufiri i përcaktuar nga Konferenca e Londrës e vitit 1913 u pranua nga të gjithë – përveç se nga vetë shqiptarët – si shënjuese e kufijve të sovranitetit kombëtar. Kufijtë ishin tej mase artificialë, duke prerë jo vetëm linjat e komunikimit ekonomik, por gjithashtu edhe lidhjet fisnore, nyejt më të fort në shoqërinë fisnore shqiptare. William Wied, një princ gjerman, u vendos në fronin e sapokrijuar të Shqipërisë (1913). Në vitin 1914, kur filloi lufta, si froni edhe monarkia u tretën dhe Shqipëria u kthye në gjendjen e një qeverie lokale. Shqipëria e veriut dhe ajo qendrore, u pushtuan nga ushtria austriake, e cila për katër vjet ruajti një vijë ushtarake, pak më në veri të Vlorës. Në vitin 1918, ushtritë Aleate të Ballkanit avancuan dhe e rimorën Shqipërinë. Nëpërmjet një traktati të fshehtë të bërë ndërmjet Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, fiks para se Italia të hynte në Luftën Botërore, fuqitë e mëdha planifikuan ta ndanin Shqipërinë, duke i dhënë pjesën veriore Malit të Zi ose Jugosllavisë (Traktati i Londrës, 1915). Pjesa qendrore, do të bëhej një shtet vetëqeverisës mysliman. Pjesa jugore, me Vlorën, do të bëhej territor italian. Në qershor 1917, Italia deklaroi protektoratin mbi Shqipërinë dhe u mor si e vërtetë se aleatët ia lejonin asaj qëndrimin aty. Drejtuesit kombëtarë shqiptarë e akuzuan drejtpërsëdrejti, pas armëpushimit të vitit 1918, se Italia kërcënonte me kolonizim me forcë dhe futje të shkollave italiane për të italianizuar, Shqipërinë e jugut. Është e vështirë për Shqipërinë, që të kundërshtojë veprimet e fqinjëve, sepse ajo nuk është e bashkuar. Institucionet e saj politike janë fillestare dhe të dobëta; ajo nuk ka hekurudha që të lidhë vendin në një unitet; nuk ka një ndjenjë të mirëfilltë të fortë kombëtare, te pjesa më e madhe e njerëzve; pozita e saj tundon fqinjët më të fortë që të lakmojnë tokat e portet e saja. Për një kohë të gjatë Italia, ka insistuar me çdo kusht se ajo duhet të ketë një bazë detare në portin e Vlorës dhe një zonë mbrojtjeje mjaftueshëm të gjerë për operacionet tokësore në rast sulmi. Kjo do t’i sigurojë asaj supermaci detare, në Adriatik dhe do të ruajë tërë vijën e saj bregdetare lindore, një çështje shumë e rëndësishme kur sjellim ndër mend se ajo është e ekspozuar veçanërisht nga sulme detare dhe se ka popullsinë me dendësi më të lartë në Mesdhe. E përballur me një sulm të fuqishëm tokësor nga forcat shqiptare, Italia u tërhoq nga Vlora në verë të vitit 1920. Shqiptarët u hodhën në lëvizje, duke besuar se Italia kishte rënë dakord që t’i aprovonte Greqisë dhënien e Shqipërisë jugore dhe se ishte në prag të sigurimit të një mandati shqiptar, prej Fuqive të Mëdha.

Kufijtë, religjionet dhe etnografia shqiptare

Rajoni në veri të lumit Shkumbin është më tipik shqiptar. Ekzistojnë ndjenja greke në Gjirokastër dhe ndjenja shqiptare në Korçë e në Vlorë. Vini re se si të gjithë qytetet kryesorë, prej të cilëve Shkodra është më i madhi, shtrihen pranë kufirit të vendit dhe janë pushtuar njëri pas tjetrit nga fuqitë e huaja prej disa herësh qysh prej Luftës së Parë Ballkanike (1912), pavarësisht nga fakti se Shqipëria e fitoi pavarësinë e saj prej Turqisë në 1912. Efekti ishte ai i parandalimit të popullsisë, nga ndërmarrja e veprimeve të bashkuara në lidhje me çështjen kombëtare. Shqiptarët e veriut janë të grupuar përgjatë ultësirave të luginës që i jepet liqenit të Shkodrës dhe rreth kufijve të vetë liqenit. Jugu dhe Lindja e këtyre grupimeve janë malësorët e vërtetë, më të lashtët nga të gjithë, një popullsi baritore me zakone e jetë të ashpër. Duke vazhduar akoma më tej në jug, gjenden grupe popullsie përgjatë luginave, të ndarë nga njëri-tjetri prej vargmalesh të lartë, të thiktë e me pak shtigje. Në pjesën jugore fundore të vendit, gjenden krahina të mira agrikulture me qytete të mëdha si Korça. Përgjatë kufirit lindor të masivit kryesor malor shqiptar, gjenden lugina të gjera e të pasura, ku jeton në numër të madh popullsi shqiptare e veçuar, si për shembull Shkupi, Prizreni dhe Ohri. Popullsia e Shqipërisë jugore ka shumë ngjashmëri me grekët ( P.R dhe A.H: autori, me gjasa, i referohet religjionit të ritit ortodoks; aftësisë shqiptare për të njohur gjuhën greke; etnografisë, ku siç dihet fustanella shqiptare u bë kostum kombëtar i Greqisë, riteve të ndryshme të shqiptarëve të Epirit etj, dhe jo elementit etnik shqiptar, i cili shtrihej fuqishëm deri në thellësi të Greqisë së atëhershme). Në rrethina të Gjirokastrës ekziston një ndjeshmëri e fortë pro-greke, për arsye të shkollave greke, por në veri të kësaj zone, shpirti kombëtar shqiptar është i fuqishëm dhe me urrejtje ndaj qëllimeve greke. Qyteti i Korçës, është shqiptar dhe po ashtu edhe territori përqark tij. Në Shqipërinë veriore malësorët kishin varësi prej tregjeve të qyteteve për një sasi të madhe gjërash të nevojshme jetësore dhe këta qytete-tregje, me përjashtim të Shkodrës, gjenden në territor serb apo malazez. Rezultati është se në komunitetet malore, larg prej Shkodrës, ka një mungesë thuajse tërësore të prodhimeve të qytetit. Ngado, kufijtë janë thuajse të mbyllur e ka pothuaj një amulli tërësore të jetës ekonomike. Jeta e malësorëve shqiptarë ka qenë e turbulluar, për një kohë të gjatë prej mbizotërimit të pushtimit ushtarak… Askush nuk mund të udhëtojë në Shqipëri, pa një roje të armatosur dhe grupet malësorësh kanë kryer mizori në shumë vende. Shqetësimi i përgjithshëm vinte nga rekrutimi serb, në zona popullsie shqiptare, përfshirë këto edhe brenda kufijve sllavo-jugore.

Epiri i Veriut

Epiri i Veriut (Shqipëria jugore) ka një popullsi të llogaritur në një numër ndërmjet 250 000 dhe 300 000. Ajo është e ndarë në mënyrë të barabartë, ndërmjet pjesëtarëve të kishës greke ortodokse dhe myslimanëve, shqipfolës të mëparshëm, por që supozohet se kanë simpati për grekët. Për një moment, para luftës, popullsia shqiptare ortodokse e ritit grek, në Epir, e shpalli veten një shtet autonom dhe krijoi një qeveri të përkohshme në Gjirokastër. Në vitin 1914 “batalionet e shenjta” (andartët grekë), thënë se ishin të përbërë nga qytetarë grekë, kthyen në gërmadhe vendin e myslimanëve shqiptarë dhe masakruan apo dëbuan shumë njerëz, duke shkatërruar njëkohësisht edhe fshatrat e tyre. Njëzetmijë njerëz u zhdukën në rajonin e Vlorës… Shqiptarët i kundërshtuan ashpër pretendimet greke, për Epirin e veriut. Argumentet e tyre janë të ngjashëm me ato që sillen në shumë rajone të tjerë të diskutueshëm të Evropës. Popullsia e rajonit flet shqip dhe pothuajse gjysma e tyre janë të fesë myslimane. Korça, qyteti më i rëndësishëm në zonën e diskutuar, është një qendër e ndikimit nacionalist shqiptar. Shkollat janë pothuajse, vetëm në gjuhë greke e kultura greke dhe influenca ekonomike janë mbizotëruese. Këtu, ndjenjat e popullsisë shqiptare këtu, ashtu si kudo tjetër, vështirë të llogariten. Nuk ka pasur praktikë të votimit të lirë dhe është krijuar gjithnjë hutim prej agjentëve propagandues të fuqive fqinje. ( P.R dhe A.H: Bowman nuk zgjerohet në sqarime analitike, por në një përmbledhje voluminoze të Shtabit të Përgjithshëm të Departamentit të Luftës SHBA, në lidhje me inteligjencën ushtarake, [United States War Dept. General Staff, “United States military intelligence 1917-1927, Volume 10”, Garland Pub., 1978, faqe 2383] pretendimi grek për popullsi greke në territoret shqiptare jepet shkurt dhe qartë si falsitet: “Pretendimi grek për jugun e Shqipërisë qëndron plotësisht mbi supozimin se shumica e popullsisë është greke. Grekët, deklarohet se arrijnë numrin 120.000 dhe shqiptarët 80.000. Por, kush janë “grekët”? Së paku 5/6 prej tyre, e mos më shumë janë shqiptarë të krishterë të besimit ortodoks, shqiptarë në ndjenja dhe në gjuhë, të cilët për shkak se kanë pranuar Patriarkun e Kostandinopojës, shpallet të jenë grekë në pikën e “vetëdijes kombëtare”). Sistemimi i rajonit të Epirit verior ka pritur gjatë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Tani që Jugosllavia dhe Italia kanë arritur në një marrëveshje, që nuk e përfshin Greqinë, pretendimet greke mbi Shqipërinë e jugut kanë pak rëndësi. Kthimi i Konstandinit në fronin grek, ka zvogëluar gjithashtu edhe mbështetjen e Aleatëve ndaj Greqisë. Për më tepër, Shqipëria ka fituar njohjen si shtet i pavarur edhe nga Lidhja e Kombeve, dhe si e tillë, ndoshta tani ajo është e sigurt nga cenimet egoiste territoriale.

Ardhmëria për Shqipëri të Bashkuar

Ndërkohë, udhëheqësit shqiptarë janë duke punuar për bashkimin e popullsisë në një shtet dhe përpjekjet e tyre kanë rezultuar në pranimin ne Lidhjen e Kombeve dhe njohjen e Pavarësisë. Një qeveri e përkohshme ka bërë një marrëveshje fillestare me Italinë, e cila e lë këtë të fundit në zotërim të gadishullit, në të dy anët e Vlorës dhe të ishujve që ruajnë rrugët, por ajo lëshon qytetin e portin e Vlorës. Italia fiton gjithashtu njohjen e interesit të saj suprem politik në çështjen shqiptare, si pjesë e programit të saj të përgjithshëm për mbrojtjen e Adriatikut. Në 3 gusht 1920, Italia firmosi një marrëveshje me Shqipërinë, nëpërmjet së cilës ajo braktis Vlorën (shumë e mbivlerësuar, si kyçi detar i Adriatikut), por mban ishullin e Sazanit, i cili e komandon atë, dhe përdorimin e gjirit të Vlorës kur do jetë e nevojshme për strehim apo riparime. Italia kishte gjithashtu të drejtë që të pushtonte e të fortifikonte dy pikat tokësore që e mbyllnin Vlorën në veri e në jug e të kishte liri veprimi nëse integriteti i Vlorës dhe Shqipërisë do të kërcënohej. Ajo e njihte pavarësinë e bashkimin Shqipërisë dhe shpreson në këtë mënyrë që të neutralizojë ndikimin anti-italian si jug edhe në veri të Shqipërisë. Do të ishte e rëndësishme që kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë t’i kishim të skicuara në mënyrë të kujdesshme, që të bënim bashkimin, me aq sa është e mundur, e të gjithë shqiptarëve të lidhur drejtpërsëdrejti me trungun kryesor dhe të siguronim zhvillimin ekonomik, i cili formon një nga bazat e paqes së qëndrueshme. Prapë se prapë, procesi i bërjes së një shteti të bashkuar do të jetë dyfish i vështirë në një tokë me thuajse asnjë hekurudhë, pak gazeta dhe një shkallë të lartë analfabetizmi. Gjithashtu, në kundërshtim, me procesin e bashkimit janë shtetet rivale kufizuese, Greqia, Jugosllavia dhe Italia. Po qe se, për të çuar para, interesat e tyre tregtare, këta shtete ushtrojnë format tradicionale të propagandës politike atje mund të shkaktohet çrregullim, për të mos thënë shkatërrim

Disa përfundime të shkurtra

Një nga mësimet e çmuara që përcjell kjo trajtesë modeste e Bowman, është rëndësia që marrin hartat, përmes të cilave studiues të ndryshëm të MN shpjegojnë shkaqet kryesore të konflikteve kufitare në mbarë botën dhe propozojnë zgjidhje të ndryshme. Duke i u referuar historisë së kufijve në mes shteteve, shteteve të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, atyre që u shkëputën nga kolonializmi, si dhe atyre pas shpërbërjes së BS dhe ish- Jugosllavisë mënyra më e mirë për të gjetur ekuilibrin dhe mos pasur frikë nga ndryshimi i kufijve, është fokusimi në vijat që i kalojnë vijat e kufijve politikë, në vijat e infrastrukturës, rrugore, detare, hekurudhore, korridoret e kalimit të energjisë, të cilat harta i shpjegojnë shumë mirë. Dhe në fund të fundit “hartat tregojnë rrëfenjën e vërtetë” (F. Braudel). Sepse popujt apo shoqëritë që u prijnë nismave civilizuese, etj,fillimisht formojnë një perceptim global, që zhvillohet nga një perceptim njohës shumë kompleks, trajtën më konkrete e gjen te harta. Dhe megjithëse gjeografia është një e vërtetë objektive, hartat janë trajta subjektive e kësaj të vërtete objektive” të kaluar përmes një procesi njohje qytetërimi” (Davutoglu). Përvoja ka treguar se, në zonat dhe periudhat shfaqen kufij juridik në përputhje me paralinjat gjeopolitike dhe gjeokuturore, përgjithësisht, lindin marrëdhënie politike, të stabilizuara. përkundrazi, kufijtë pa themele gjeoplitike, gjeokulturore dhe gjeoekonomike, siç ka treguar Ballkani e gjetkë, janë dhe bëhen burime krize.Pa u ndalur gjatë, tashmë në mjedisin e ri strategjik, shqiptarët duhet të kenë perceptim real në vlerësimin e kufirit shtetëror me atë kombëtar duke u orientuar qartë ndaj këtij të fundit. Më tej,disa nga shtyllat e analizës gjeografike, apo gjeopolitike nëse duam të quajmë të tillë, që Bowman, nënvizon në kapitullin tij mbi shqiptarët janë këto: malësorët e pashtruar shqiptarë; dëshira e kahershme e Italisë për aneksimin e Shqipërisë; shpërndarja e popullsisë në Shqipëri; Shqipëria, e paorganizuar mirë për të kundërshtuar kontrollin e huaj; zakonet çifligare ndërmjet fiseve; rivaliteti serb e austriak në Shqipëri; frika austriake për një rritje të Serbisë në veri të Danubit; qendrat dhe kundërshtitë e interesit shqiptar; plani prezent për bashkimin e Shqipërisë. E përmbledhur në pak fjalë, ai trajton marrëdhëniet mes karakterit kombëtar/identitetit, kompozimit të gjeografisë (fizike e politike) dhe fuqisë kombëtare që ka e duhet të ketë një Shqipëri e bashkuar. Ky është edhe trekëndëshi, mbi të cilin duhet parë, pozicionimi gjeopolitik shqiptar. Sot, mbase kanë ndryshuar vlerat e secilit prej tre elementëve, por ato kurrsesi që nuk janë zhdukur e madje, mund të thuhet fort, se është pikërisht ky trekëndësh – gjeografia, karakteri kombëtar dhe fuqia kombëtare – ai që ndikon në mënyrë të vazhdueshme edhe proceset politike e integruese të Shqipërisë. Bowman, është një prej themeluesve të CFR (Council on Foreign Relations), një organizatë me ndikim shumë të fuqishëm në politikën e jashtme amerikane, krijuar nën mbështetjen e dinastisë Rockefeller, dhe projektuese e figurave kryesore, për ndërtimin e strategjive globale amerikane; mjafton të përmendim emra të saja si Henry Kissinger, apo Zbigniew Brzezinski dhe kuptohet se sa peshë ka në politikën e jashtme amerikane. Projektet e tyre janë përtej vendimeve momentale, pasi i nënshtrohen strategjisë së madhe, qëllimet gjeopolitike, që vënë në lëvizje atë i ka trajtuar bindshëm dhe G. Friedman, e cila shtrihet hap pas hapi në dekada e shekull. Arsyet amerikane për krijimin e një Shqipërie natyrale, etnike nuk janë “dashuri” hyjnore, por janë ftohtësi racionale e cila ushqen mendimin strategjik që synon ekuilibrin nëpërmjet fuqizimit të fuqive historike detare. Ligjet e këtij ekuilibri gjenden te gjeopolitika. Nuk është aspak rastësi, që këtë term të “damkosur” padrejtësisht nga nazizmi dhe LIIB, e rifuti në përdorim Kissinger . Teoritë e mëdha gjeopolitike, të cilat shohin si burim të ndërtimit të Rendit botëror përplasjen mes fuqive detare dhe atyre tokësore, janë shfaqur hapur në Ballkan. Si fuqia më e madhe globale, por edhe si udhëheqëse e fuqive detare, SHBA, po realizon hap pas hapi krijimin e Rendit të ri Botëror. Ky rend, edhe pse jo i thënë më zë të lartë, ka pamjen e një rendi gjeopolitik, ku gjeografia dhe burimet janë e do të jenë çelësi për paqe e zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Përballë saj, si fuqia me epërsi të padiskutueshme gjeografike, e asaj gjeografie që babai i gjeopolitikës britanike e quante “Zemër e Tokës”, qëndron Rusia. Kjo e fundit, është fuqia tokësore kryesore, një depozitë e pamasë burimesh, shtet që zotëron thelbin e Euroazisë, që kërkon ekspansion influence për arritjen e deteve të ngrohta, aleancë të ngushtë strategjike me Europën dhe shtyrje jashtë saj, të SHBA-së, bashkim të fuqive Euroaziatike dhe kësisoj një ekuilibër botëror, me qendër në masën kontinentale Euroazi. Nëse, plotësohet vetëm një pikë, atëherë arrihet dominimi kontinental mbi fuqitë detare: për këtë nevojitet një aleancë strategjike Rusi-Gjermani. Nga ana e saj Gjermania është një qendër gravitacionale që mban lidhur, në pamje të parë sigurinë ekonomike evropiane, por në rrënjë, ajo është qendra gjeografike kontinentale e Evropës. Aleanca e saj me fuqitë detare frenon ekspansionin strategjik rus mbi Evropë. Shtrati i shteteve, që ndajnë Gjermaninë me Rusinë janë ndoshta “leva” e sigurisë që frenon këtë qasje, një strategji kjo që u bë dhe baza e frenimit në Luftën e Ftohtë e që u bë edhe shtysa e zgjerimit të NATO-s e të BE-së. Por nuk mund të mos kihet parasysh thellimi vertikal global dhe gjeopolitika e pan-zonave e cila e vendos BE në një pozicion ekuilibrues ndërmjet fuqisë detare e asaj tokësore. Kaq sa u tha janë veç disa “ngacmime” të thjeshta, sa për të ngacmuar vëmendjen gjeopolitike ndaj zhvillimeve globale e jo analizë e thelluar. Ballkani është një prej pikave kryesore të strategjisë së madhe për kontroll mbi sistemin gjeopolitik global. Ky rajon ka peshë për faktin se sheh të ndërthurur faktorë historikë, fuqi të mëdha, religjione të kundërta, kombe shumë të moçëm dhe një gjeografi shumë të rëndësishme. Qasja e dukshme e Turqisë, prezenca e vazhdueshme italiane, vëmendja dhe pretendimet e pareshtura greke, arbitrazhi amerikan, dykuptimësia evropiane, armiqësia e dukshme serbe dhe kanosja e heshtur ruse, mund të përmblidhen në një emër të vetëm: gjeopolitikë. Shqipëria jonë, që na duket kaq e vogël, qëndron në “sy” të një rajoni i cili është në gjendje të ofrojë një gamë të gjerë problemesh të rënda, siç e ka provuar. Në vitin 1937, gjeografi gjerman Stadtmüller, thoshte se, roli gjeopolitik i Shqipërisë për 2000 vjet, kishte qenë ai i një porte hyrje, ndërmjet Adriatikut dhe Ballkanit. Sipas tij, cikli 2000- vjeçar i dominimit nga fuqi të Adriatikut apo të Ballkanit në Shqipëri, u thye me daljen e komunizmit, pas LIIB. Asokohe, roli gjeopolitik i kësaj porte ndryshoi… Por, sado që ndryshojnë sistemet e ideologjia, përgjigjja gjendet përsëri te gjeografia, apo thënë më saktë, gjeopolitika. Kjo është arsyeja e qasjes racionale, ndaj zhvillimeve që ndodhin në vendin tonë, pasi në bazë të lojës së madhe nuk janë emocionet (as rishkrimi i historisë, as pakicat, as religjionet etj-këta janë, veç elementë ‘shërbëtorë’), por është analiza e ftohtë e fuqisë, pesha gjeopolitike dhe të kuptuarit e saktë se në cilën pjesë të sistemit global ndodhemi saktësisht. Pyetja që vjen vetvetiu ndër mend është: a janë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, aq sa duhet shqiptarët, për përgjegjësinë e mbajtjes në dorë të çelësit të Adriatikut, një prej deteve më strategjikë të Evropës? Koha do tregojë aftësinë, apo paaftësinë tonë.

Burimi:

http://www.standard.al/index.php/s-speciale/6461-isaiah-bowman-e-rendesishme-kufijte-e-shqiperise-te-bashkojne-gjithe-shqiptaret-me-trungun-kryesor

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: