Afganistan, farat e terrorit – terrorizmi dhe heroina

August 30, 2012

Image

Afganistan, farat e terrorit – terrorizmi dhe heroina

 

Albert Hitoaliaj

Natyra e kërcënimeve ndaj sigurisë ka ndryshuar ashtu si ka ndryshuar edhe koncepti për luftimin e tyre. Kërcënimet e reja të botës aktuale kanë si “majë” piramide terrorizmin, por ky i fundit e ka shtrirë hapësirën e tij edhe në drejtim të botës së errët të krimit të organizuar dhe të trafiqeve të lëndëve narkotike e të armëve. Pra, natyra e kërcënimit nuk shtrihet vetëm në sferën ideologjike, fetare apo politike, por  është komplikuar më tepër duke u gërshetuar edhe me aktorë të tjerë të botës së krimit. Tashmë ka filluar të zhduket gjithmonë e më shumë vija ndarëse ndërmjet trafiqeve dhe terrorizmit. Nëse baza e aksioneve terroriste është ideologjia, manipulimi psikologjik dhe përdorimi i fesë për të shtyrë drejt sulmeve vetëvrasëse- financimi i organizatave është një degëzim tjetër, po aq i rrezikshëm e kërcënues. Nuk është më diçka e re nëse jepen raporte për përzierje të drejtuesve talebanë ekstremistë në trafikun e heroinës. Nëse deri dje, droga të sillte ndërmend familjet mafioze apo filmin “Kumbari”, sot ajo ka filluar të ketë “kumbarë” të rinj që e drejtojnë biznesin nga bazat e tyre të fshehta nëpër malet e Afganistanit apo Pakistanit. Materialet e këtij shkrimi bazohen në një punë kërkimore që ka kryer një gazetare e guximshme amerikane, Gretçen Peters, e cila ka punuar për vite të tëra për të dhënë një pamje të perandorisë së heroinës. Gretçen Peters është një amerikane, e cila ka lindur në Boston, me profesion gazetare. Ajo ka realizuar reportazhe që prej Pakistanit e Afganistanit për më tepër se një dhjetëvjeçar, për agjencitë e lajmeve AP dhe ABC News. Greçen ka shpenzuar pesë vjet kërkime dhe shkrime për të realizuar librin e saj “Farat e terrorit”. Materialet që ka grumbulluar në terren janë realizuar edhe falë ndihmës së guximshme të disa gazetarëve vendas që e shoqëruan në punën e saj kërkimore. “Kur mendoj për talebanët, më vjen ndër mend Toni Soprano (shënim: personazhi i një filmi serial amerikan për familjet mafioze) dhe banda e tij. Ata (talebanët) janë më mafiozë se muxhahidinët…”, do të thoshte ajo në një reportazh për talebanët.

 

Farat e Terrorit

E parë nga brenda, perandoria e tyre ishte ndërtuar mbi ideologji, por mbahej në këmbë nga trafiku dhe terrori. Ajo argumenton me punën e saj se, mënyra kryesore për të luftuar talibanin dhe Al-Kaidën atje është nëpërmjet ndërprerjes së parave të drogës. Sipas një raporti të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA, agjencitë e zbulimit amerikan vijojnë të besojnë se, dhurimet nga simpatizuesit e pasur të Gjirit përbëjnë pjesën më të madhe të fondeve për talibanin, Al-Kaidën dhe grupet e tjera ekstremiste që veprojnë përgjatë kufirit Af/Pak (Afganistan/Pakistan). Mirëpo, një shqyrtim i thellë i veprimtarive të tyre të përditshme të nxit të mendosh ndryshe. Pavarësisht nëse merren me mbikëqyrje të tregtisë së opiumit, me rrëmbime personash, vjedhje bankash, kontrabandë armësh, grabitje ose trafik njerëzor, grupet nga të dy krahët po veprojnë aktualisht më tepër si mafiozë se si muxhahedinë. Është e vështirë të bëhen përgjithësime rreth përhapjes së gjerë të kryengritjes në Af/Pak, sepse ka shumë grupe të ndryshme kundërshtetërore që veprojnë në të dy anët e vijës Durant dhe ata nuk veprojnë përherë në të njëjtën mënyrë. Ende vijon të ketë raporte për udhëheqës ekstremistë që kërkojnë dhe marrin dhurime në të holla nga anëtarët simpatizues të bashkësisë. Por, përherë e më tepër, grupet kundërshtetërore në Af/Pak duket se po shpenzojnë një sasi të ndjeshme të energjisë së tyre të përditshme, duke u marrë me metoda kriminale fond-mbledhëse dhe kjo përfshirje në krim po ndryshon njëherësh strategjinë e tyre të luftimit dhe natyrën themelore të zgjerimit të kryengritjes. Ndryshueshmëria e kryengritësve në Af/Pak nuk është as e re, as e veçantë. Gjatë gjithë historisë dhe kudo nëpër botë, kryengritësit dhe grupet terroriste i janë rikthyer në mënyrë të përsëritur krimit për të mbështetur veprimtaritë e tyre. Dhe me kalimin e kohës, fitim-sjelljet kriminale i kanë zvetënuar vetitë e përkushtimit ndaj ideologjisë fillestare. FARK-u, IRA dhe Hezbollahu kanë kaluar metamorfoza të ngjashme, dhe ndoshta, rasti më i njohur në histori është mafia siçiliane, e cila e ka pasur fillesën ashtu sikurse talibani për mbrojtjen e një bashkësie etnike nga veprimet e skajshme të sundimtarëve vendas.

Në Afganistanin Jugor dhe Jugperëndimor, ku talibani mbron dhe takson tregun shumë-miliardë dollarësh të opiumit, qysh prej vitit 2001, kryengritësit e kanë zgjeruar përfshirjen e tyre në tregti. Fillimisht, komandantët talebanë u kufizuan përgjithësisht në taksimin e dërgesave të drogës që lëviznin nëpër zonat e tyre të kontrollit dhe më vonë, filluan të sigurojnë mbikëqyrjen për dërgesat e opiumit dhe për rafineritë e heroinës. Tashmë është diçka e zakonshmë të dëgjosh që komandantët talibanë administrojnë rafineritë e tyre, të cilat janë përhapur gjerësisht brenda territorit të mbajtur nga kryengritësit. Gjithashtu, ka prova të shumta se, disa komandantë të talibanit afgan vijojnë të kontrollojnë dërgesat e drogës, ndërkohë që largohen nga territori afgan, ç’ka tregon që lëvizja po e zgjeron sferën e vet të ndikimit kriminal. Megjithëse komandantët talibanë i kanë bashkëlidhur veprimtaritë e tyre në të gjithë tregtinë e opiumit, ende nuk do të ishte e saktë të parakuptohet që talebanët kontrollojnë tregtinë e drogës. Kartelet e drogës, të cilat janë të bazuara kryesisht në Pakistan dhe janë të ndërvarura njëherësh nga lidhjet me aktorë kundërshtetërorë dhe shtetërorë, mbeten vendimmarrësit kryesorë dhe sigurojnë përfitimet më të mëdha. Dhe ndërkohë që është e qartë se, numri në rritje i komandantëve talibanë atje është kryesisht për shkak të parave, po ashtu, do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se, lëvizja në tërësi e ka braktisur qëllimin e saj për dëbimin e forcave perëndimore nga Afganistani. Në njëfarë mënyre, do të ishte më e saktë të thuhej se, një bërthamë e vogël besimtarësh të njëmendtë komandojnë ende talebanin afgan dhe nuk ka dëshmi të mjaftueshme që këta udhëheqës jetojnë jashtë përfitimeve të majme nga mbikëqyrja dhe taksimi i tregtisë së drogës.

Një pyetje kryesore që duhet të parashtrojnë forcat e zbulimit perëndimor është se çfarë synon të bëjë udhëheqja e talebanit me përfitimet e pakufishme që siguron nga tregtia e drogës dhe krimet e tjera,  të cilat unë i vlerësoj në shuma të përvitshme deri në gjysmë milioni dollarë.

Këto përfitime të pakufishme kriminale nuk burojnë vetëm nga drogat. Që prej vitit 2001, grupet kryengritëse, në të dy krahët e Vijës Durant, e kanë zgjeruar përfshirjen e tyre në një varg veprimtarish kriminale. Rrëmbimi i personit është shndërruar në një industri në rritje, në të cilën, bandat kriminale dhe grupet kryengritëse bashkëpunojnë për të rrëmbyer afaristët e pasur dhe mandej për t’i shitur ata tek familjet e tyre. Në të kaluarën, viktimave të rrëmbimit shpesh u pritej koka para kamerave për qëllime deklaratash politike, siç ishte rasti mjaft i njohur i lajmdhënësit të gazetës “Wall Street”, Deniëll Përl (Daniel Pearl). Rrëmbimi i kohëve të fundit i korrespondentit të gazetës “New York Times”, Dejvid Rohd (David Rohde), është tregues i faktit që përfitimi është tani motivi kryesor. Sipas burimeve fisnore në FATA (Zonat Fisnore të Administruara Federativisht në Pakistan), kryengritësit që e mbajtën z. Rohd kërkuan fillimisht 28 milionë dollarë për lirimin e tij. Në pjesë të tjera të teatrit të luftimeve, kryengritësit janë marrë me kontrabandë lëndësh drusore, me trafik njerëzor dhe me shitje smeraldesh në tregun e zi. Në disa raste, kryengritësit kanë përdorur vjedhjen e bankave: për shembull, kohët më parë, luftëtarë besnikë ndaj udhëheqësit të mëparshëm të talebanit Pakistanez, Beitullah Mehsud, vodhën një këmbyes parash në pjesën jugore të kryeqytetit-port, Karaçi dhe mandej i kaluan kontrabandisht të gjitha paratë te FATA. Mënyra si ndërveprojnë grupet e ndryshme është e ngjashme me atë të lidhjeve mes tyre të familjeve të krimit në Mafia. Herë-herë ato bashkëpunojnë dhe të tjera herë luftojnë kundër njëri-tjetrit, përfshirë përleshjen për pushtet në Vaziristanin Jugor, që u pasua me vrasjen e z. Mehsud. Në shumë raste, ku kryengritësit dhe fraksionet takfiri luftojnë ndërmjet tyre ose kur ka beteja mes tyre, në qendër të përleshjeve është paraja. Për të shmangur këtë problem, zhvillohen mbledhje të rregullta të nivelit të lartë ndërmjet grupeve të ndryshme për të vendosur të drejtat e përfitimit sipas ndarjes përkatëse të territoreve.

Kur grupet e ndryshme bashkëpunojnë, qëllimi është zakonisht përfitimi i parave. Ka raporte që shtyrja e Talebanit Pakistanez në pjesët veriperëndimore të atij vendi të jetë financuar pjesërisht nga degë të tjera të kryengritjes në një kuadër më të gjerë. Kohët e fundit, një nga hulumtuesit e mi intervistoi operativë të nivelit të ulët në Baxhaur, të cilët i thanë atij se luftëtarët afganë dhe uzbekë po vijnë me valixhe të mbushura plot me para, me sa duket për të ndihmuar në pagesat për operacionet në Svat dhe Buner. Gjatë muajve të fundit ka pasur raporte të ngjashme nga provinca Kunduz në Afganistanin Verior, ku është vërejtur një shpërthim në veprimtaritë e Talebanit. Një nga hulumtuesit e mi ishte vënë në dijeni nga autoritetet vendore se luftëtarët uzbekë po këshillonin Talebanin Afgan, ndërkohë që u rifutën në provincë. Zyrtarë të SHBA-ve që janë në ndjekje të grupit HIG (Hezb-e-Islami Gulbuddin) në Afganistanin Lindor, kanë hasur në prova se luftëtarët e huaj që veprojnë në atë rajon po u kalojnë fonde kryengritësve në Çeçeni dhe në Azinë Qendrore. Dhe ndoshta më shqetësuese është që ende ka tregues gjithnjë në rritje se disa luftëtarë në Afganistan kanë lidhje me bandat kriminale në Perëndim. Raporti i paradokohshëm për Senatin e SHBA-ve tregon gjithashtu se zyrtarët e zbulimit amerikan vijojnë të besojnë që Al-Kaida nuk luan ndonjë rol dhe nuk siguron përfitime nga tregtia e drogës afgane dhe veprimtari të tjera kriminale. Unë kam bindjen që kjo është e pasaktë. Gjatë gjithë kohës së studimit tim për “bërthamat e terrorit”, unë gjeta dëshmi që udhëheqës të Al-Kaidës dhe luftëtarë të huaj të lidhur ngushtësisht me ta, në veçanti Lëvizja Islamike e Uzbekistanit, luajtën një rol bashkërendues. Asnjëherë nuk gjeta dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Al-Kaidës në anën operative të tregtisë së drogës – të tilla si bashkëveprim për dërgesa të drogës ose administrim të laboratorëve të heroinës. Megjithatë, ishte e qartë se zyrtarë të lartë të Al-Kaidës bënë takime dhe ndihmuan në përmirësimin e lidhjeve që bënë të mundur ndër-shkëmbime të mëdha të drogës përmes linjave fisnore, kufijve krahinorë dhe shtetërorë. Më shumë sesa të diskutojë nëse grupet terroriste përfitojnë nga veprimtaria kriminale ose të përpiqet të përcaktojë përqindjen e fondeve që vijnë nga krimi, bashkësia e zbulimit do të tregohej më mendjemprehtë po të përqendronte përpjekjet e veta në përcaktimin dhe ndërprerjen e rrjedhës së parave në drejtim të grupeve terroriste, ekstremiste dhe kryengritëse (ashtu si edhe, pa dyshim, ndaj aktorëve shtetërorë të korruptuar). Shkatërrimi i burimeve të fondeve të armikut, i ndërthurur me përmirësimin e njëkohshëm të qeverisjes, janë shtylla themelore për çdo fushatë kundër-kryengritëse dhe Afganistani e Pakistani nuk do të jenë përjashtim. (kjo ishte një pjesë prej rrëfimeve unike të gazetares G. Peteres)

 

Kush është Gretchen Peters

Gretchen Peters është autorja e librit të famshëm “Seeds of Terror”, një libër i cili theu shumë i mprehtë që gjurmon rolin që ka luajtur tregtia e opiumit në konfliktin e tre dekadave në Afganistan. Me anët të ndihmës së gazetarëve lokalë, ajo shpenzoi pesë vjet duke bërë kërkime dhe mbledhje materialesh në terrenin e Afganistanit, shpesh herë në zona shumë të rrezikshme, duke kombinuar arkivat dhe duke vëzhguar dhe intervistuar luftëtarët talebanë, kontrabandistët, zyrtarët ligjvënës, diplomatët dhe oficerët e inteligjencës. Ajo është një gazetare që ka fituar çmim për punën e saj në këtë terren lufte. Peteres ka mbuluar me lajme Pakistanin dhe Afganistanin për më tepër se një dekadë, së pari për Associated Press dhe më pas për ABC Neës. Ajo ka punuar edhe për media të tjera shumë të njohura si “National Geographic Society”, “Christian Science Monitor”, “The New Republic” dhe mbetet një komentatore e rregullt në NPR, CNN, BBC etj si dhe shumë programe televizive. Peters ka bërë një raport politik mbi tregtinë e opiumit për “U.S. Institute of Peace” së bashku me “Qendrën për luftën kundër terrorizmit” të West Point  dhe e publikoi raportin duke e titulluar “Crime and Insurgency in Afghanistan and Pakistan” (Krimi dhe kryengritja në Afganistan dhe Pakistan). Peters ka bërë prezantime të punës së saj në Pentagon, Departamentin e Shtetit, DEA (Drug Enforcement Administration), DIA (Defense Intelligence Agency), Komandën e Operacioneve Speciale (Special Operations Command), Navy Seals, në më shumë se 12 universitete dhe organizata kërkimore shkencore si dhe para mijëra grave të cilat shërbëjnë për SHBA në Afganistan. Editorialet e saja janë publikuar shpesh në Neë York Times dhe Foreign Policy. Jeton në Denver dhe jep leksione si pedagoge e nivelit të lartë për studentët e Sigurisë Ndërkombëtare në “Korbel School of International Studies”.

 

 

Vlerësime

“Është e rrallë që një gazetare të shkruajë për disa aspekte të politikës së jashtme amerikane, të bëjë një kërkesë për ndryshim dhe t’i shohë këshillat e saja të pranuara”

– The Economist –

 

“Farat e terrorit (Seeds of Terror), ofron faqe pas faqeje një informacion magjeps mbi pasojat e dekadave të tëra vendimesh politike shkatërruese. Ky libër është i mirë-dokumentuar, i mirë-shkruar dhe është një punë shembullore gazetarie.”

– Leëis Perdue, Barron’s –

 

“Tronditës… Nuk duhet lënë pa lexuar nga asnjë prej politikë-bërësve perëndimorë dhe Presidenti Obama”

 – Ahmed Rashid,autoi i librit shumë të shitur, botuar nga New York Times, “Taliban and Descent into Chaos” (Talibanët dhe rënia në kaos) – 



 

“Peters ka bërë një punë superiore me ‘Seeds of Terror’”

– Jack Lawn, shefi i DEA- në periudhën e Ronald Reagan dhe George H. W. Bush – 



 

“I detajuar dhe shumë i lexueshëm… gjurmon në mënyrë mjeshtërore suksesin e pamasë të të tregtisë ilegae të heroinës në Afganistan.”

– Frederick P. Hitz, ish inspektor i përgjithshëm CIA-s dhe autor i “Why Spy”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: