Azia dhe NATO

May 12, 2012

Image

 

Azia dhe NATO

 

Partneritet i domosdoshëm apo i tepërt?

 

Më pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut e ka shikuar Azinë në rastin më të mirë, si një mendim të cilin do e trajtonte dikur më vonë në politikat ose veprimet e saj. E formuar në vitin 1949 si një aleancë që do t’i lejonte Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut që të formonin një front të përbashkët mbrojtës, NATO i’u përkushtua kryesisht mbrojtjes kundër Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij. Gjatë kësaj periudhe, NATO kishte një marrëdhënie të një profili shumë të ulët me Azinë. Në të vërtetë, do të kishte qenë shumë e vështirë që të gjendej dikush në NATO që të kishte sugjeruar se marrëdhëniet do të përmirësoheshin dukshëm apo do të formalizoheshin.

Megjithatë, në vitet e fundit, NATO ka qenë duke zgjeruar gradualisht rolin e saj ndërkombëtar jashtë Evropës. Në këtë aspekt, Azia është bërë një dimension i rëndësishëm i një rrjeti zhvillimi global. Në të vërtetë, pa ndonjë zhurmë të dukshme, NATO dhe pjesë të rajonit të Azisë kanë zhvilluar një marrëdhënie sistematike dhe në rritje. Këto marrëdhënie të reja kanë qenë të nxitura nga disa faktorë: së pari, rezultatet operative të ngutshme NATO-s prej përfshirjes së saj intensive dhe të qëndrueshme në Afganistan; së dyti, objektivi i NATO-s për krijimin e aftësive që mund të jenë të dobishme për të papriturat e ardhshme ushtarake; dhe së treti, interesi për zhvillimin e një NATO-je të zgjeruar në një rrjet global politik-ushtarak. Duke pasur parasysh natyrën e kërcënimeve të sigurisë të shekullit 21, një rrjet i zgjeruar i marrëdhënieve midis NATO-s dhe vendeve të ndryshme aziatike duket bindës.

Pas një shqyrtimi të gjerë, vendet anëtare të NATO-s zgjodhën për të mbajtur një aleancë të fuqishme të përbërë prej vendeve me vlera të përbashkëta të cilat synojnë mbrojtjen e sigurisë së tyre, por në të njëjtën kohë të përshtaten me një mjedis të ri ndërkombëtar. Si një aspekt me rëndësi, NATO vendosi që të angazhohet jashtë kufijve të saj tradicionalë me vendet e ish-Paktit të Varshavës dhe me ish republikat e Bashkimit Sovjetik. NATO kërkoi, minimalisht, të zhvillojë marrëdhënie formale për të nxitur stabilitetin e brendshëm dhe rajonal dhe maksimalisht, kërkoi konsolidimin e përhershëm të praktikave dhe institucioneve demokratike.

Për këto qëllime, NATO themeloi Partneritetin për Paqe (PfP), i cilat vazhdon të funksionojë edhe tani, duke kryer një sërë aktivitetesh ushtarake dhe politike midis NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse. Një evolucion tjetër i rëndësishëm, i zhvilluar më vete, ishte edhe evoluimi gjeografik i NATO-s që doli gradualisht pas fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve 1990. NATO ndërhyri dy herë ushtarakisht në Ballkan, kryesisht për arsye humanitare, por edhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit. Përveç kësaj, NATO themeloi Dialogun Mesdhetar (i cili përfshin shtatë vende të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme) dhe Nismën e Bashkëpunimit të Stambollit (e cila përfshin katër vendet e Gjirit Persik si anëtarë), si dhe forume për diskutime politike-ushtarake dhe për zhvillimin e projekteve që janë të lidhura me ushtrinë.

Kjo ishte një panoramë e shkurtër për të parë se si është zgjeruar interesi dhe veprimi i Aleancës me qëllim mbrojtjen e sigurisë dhe të vlerave demokratike. Pikërisht, parë në aspektin e zgjerimit të ndikimit të saj në rajone të ndryshme, jashtë kufijve tradicionalë, dhe në parashikimin dhe përpjekjen për parandalim të krizave të mundshme në glob, mund të shihet edhe forcimi i marrëdhënieve NATO-Azi.

Shumë nga partnerët e rinj të NATO-s vijnë nga brenda ose rreth Azisë. Si e vështron secila nga palët njëra-tjetrën dhe në çfarë mënyre mund të sigurohet që të përfitojnë të dyja nga puna e përbashkët? Në analizën e mëposhtme, Mishito Curuoka e shqyrton këtë nga një këndvështrim aziatik. Mishito Curuoka është Punonjës Shkencor në Institutin Kombëtar për Studimet e Mbrojtjes (NIDS), Ministria e Mbrojtjes, Japoni. Në kohën e këtij shkrimi, ai ishte Bashkëpunëtor Shkencor në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara (GMF). Gjatë viteve 2005-2008, Curuoka ka shërbyer gjithashtu si Këshilltar i Posaçëm për NATO-n në Ambasadën e Japonisë në Belgjikë (pikëpamjet e shprehura në artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të qeverisë japoneze ose të GMF-së)

 

NATO-s si një partner politik

Bashkëpunimi në Afganistan ka nxitur zhvillimin. Vende si Australia, Zelanda e Re dhe Singapori janë tani ndihmë-dhënëse me trupa për Forcën Ndihmëse të Sigurisë Ndërkombëtare (ISAF) në Afganistan. Vende të tjera, si Japonia dhe Korea e Jugut, po japin ndihmesë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës atje. Këto vende quhen tani “partnerë të tjerë përreth rruzullit”.

Ndërsa vende si Australia dhe Japonia janë parë shpesh si objekt i politikës së partneritetit të Aleancës, sipas këndvështrimit të këtyre vendeve shihet NATO si partnere. Ky artikull do të shqyrtojë se si perceptohet NATO si partnere nga “partnerët përreth rruzullit” e rinj të Aleancës. Pse i kanë forcuar këto vende marrëdhëniet me NATO-n? Çfarë lloj partneri është NATO në sytë e këtyre vendeve? Dhe çfarë presin ato nga NATO?

Pikësëpari, çdo vend ka një një grup shtysash të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet e veta me Aleancën. Më 2006 dhe 2007, kur Japonia bëri një pëçapje të afrohej me NATO-n, ajo ishte kryesisht një lëvizje diplomatike. Është e vërtetë se që të dy, Ministri i Jashtëm Taro Aso dhe Kryeministri Shinzo Abe, gjatë fjalimeve të tyre përkatëse në NAC (Këshilli i Atlantikut të Veriut), përmendën mundësinë e bashkëpunimit operativ mes NATO-s dhe Japonisë. Duhet mbajtur parasysh, sidoqoftë, se të dy ata shpenzuan shumë kohë për të shpjeguar gjendjen e sigurisë aziatike, duke përfshirë Kinën dhe Korenë e Veriut. Madje Abe “u kërkoi” drejtpërdrejt aleatëve “për të nxitur Korenë e Veriut që të ndërmerrte hapa të vërtetë drejt zgjidhjes” së çështjes së rrëmbimit të qytetarëve japonezë nga autoritetet e Koresë së Veriut.

Është pikësynimi i Japonisë për ta përdorur NATO-n si një vendndodhje plotësuese për rritjen e vetëdijësimit ndërkombëtar, veçanërisht europian, për gjendjen e sigurisë aziatike. Kjo është arsyeja pse Tokio vlerësoi deklaratat e NAC-ut që dënonin lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut në korrik 2006 dhe provën bërthamore në tetor të të njëjtit vit. Pavarësisht nga gjuha tepër armiqësore e Phenianit, mënyra e bashkëpunimit me këtë vend mbetet një lojë diplomatike, ku solidarësia ndërkombëtare ka shumë rëndësi.

NATO mund të mos jetë një aktor politik në vetvete. Por si aleanca politiko-ushtarake më e madhe dhe më e aftë e botës, ajo mbart një peshë të veçantë – të paparamenduar dhe të paqëllimshme njëherësh – në çështjet e sigurisë ndërkombëtare. Kjo shpjegon gjithashtu pse ata që janë dyshimtarë rreth NATO-s, jo vetëm ata që nuk kanë vlera të përbashkëta me NATO-n, frikësohen nga zgjerimi i zonës së veprimtarive dhe të ndikimit të Aleancës. Imazhi i NATO-s në botën e jashtme si një aktore me ndikim në sigurinë, siç mund të argumentohet, është më i fuqishëm nga sa mund ta mendojë vetë NATO. Pra pikërisht për këtë shkak, Japonia e vështron NATO-n si një partnere të re të rëndësishme politike. Partnerë të tjerë mund të ndjekin këtë shembull.

 

NATO në bashkëpunim operativ

 

Marrëdhëniet e Australisë dhe të Zelandës së Re me NATO-n janë zhvilluar duke u bazuar kryesisht në ndihmën e dhënë me trupa për ISAF-in. Për rrjedhojë, bashkëpunimi operativ është shtylla kryesore në marrëdhëniet Australi-NATO dhe Zelandë e Re-NATO, ndryshe nga Japoni-NATO. Këto vende e përdorin NATO-n si një organizëm ndërkombëtar. Pa NATO-n, Australia dhe Zelanda e Re nuk do të kishin qenë në gjendje të merrnin pjesë në përpjekjet ushtarake ndërkombëtare në Afganistan. NATO ka mundësuar ndihmesën e këtyre vendeve në përpjekjet ndërkombëtare atje. Qëkurse ndodhen në ISAF, është e përligjur që Australia dhe vende të tjera ndimëdhënësë të kërkojnë më shumë shkëmbim informacioni dhe më shumë përfshirje në formulimin e politikave dhe vijimisht në vendimmarrje. Australia, një vend që ka më shumë se 1000 trupa në jug të Afganistanit, të përfshirë në misione luftarake, ka qenë partnerja më e përmendur për raste të tilla, që NATO e ka pasur të vështirë për t’u dhënë rrugëzgjidhje.

Si në rrafshin politik e strategjik dhe në atë të teatrit të veprimeve luftarake, niveli i shkëmbimit të informacionit dhe i përfshirjes duket se është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Mbledhjet ministrore (kryesisht të Ministrave të Mbrojtjes) në formatin e ISAF-it, janë bërë një veprimtari e rregullt dhe mbledhjet e punës në nivelin e vendeve ndihmë-dhënëse me trupa, të tilla si në kuadrin e PCG (Grupi i Bashkërendimit të Politikës), shërbejnë si një vendtakim për më shumë këshillime thelbësore.

Megjithatë, çështja se deri në çfarë mase është e përgatitur NATO të përfshijë vendet ndihmë-dhënëse jashtë saj në proceset e brendshme të Aleancës, nuk do të zgjidhet në një mënyrë të qartë për një të ardhme të afërt. Për NATO-n, që t’i japë rrugëzgjidhje dhe të plotësojë kërkesat e partnerëve, është e nevojshme të sigurojë vijimësinë e ndihmesës së tyre. Parimi “jo taksim pa përfaqësim” qëndron vërtet këtu.

 

NATO-s si një mjet bashkëpunimi me SHBA-të

 

Kur vende të tilla si Australia dhe Zelanda e Re vendosën të dërgojnë trupa në Afganistan, partneri që zgjodhën nuk duhej të ishte detyrimisht NATO. Në fakt, kur Zelanda e Re (ZR) përqendroi për herë të parë trupat në Afganistan, ajo e bëri atë në kuadrin e Operacionit Liria e Qëndrueshme (OEF), në bashkëpunim të ngushtë dypalësh me SHBA-të. Nuk kishte asgjë të fshehtë që ai ishte një vendim për të mbështetur posaçërisht SHBA-të dhe për të treguar përkrahje ndaj vendit menjëherë pas 11 shtatorit, çka nuk kishte të bënte fare me bashkëpunimin ZR-NATO atëkohë. Si rrjedhojë e shtrirjes gjeografike të ISAF-it nga fundi i vitit 2006, trupat e ZR-së të grupuara në krahinën e Bamianit duhej të kalonin nga komanda OEF-it në atë të ISAF-it. Sipas pikëpamjes së ZR-së, bashkëpunimi pasues me NATO-n ishte kryesisht një rrjedhojë e paparamenduar e veprimtarisë së vet pavarësisht nga ISAF-i.

Kjo tregon qartë një vlerë tjetër tepër të rëndësishme që i shërben NATO-s si një platformë për të bashkëpunuar në operacione paqe-mbështetëse ndërkombëtare dhe në fusha të tjera. Ka të bëjë me faktin që NATO shpërfaq një rrugë plotësuese për të bashkëpunuar me SHBA-të. Bashkëpunimi me NATO-n, përfshirë ndihmën e dhënë me trupa në misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, mund të kryhet në kuadrin e bashkëpunimit me SHBA-të. Ky nuk duhet të jetë një element befasues, po të merret parasysh se edhe në mesin e aleatëve, ndihmesa ndaj ISAF-it dhe veprimtarive të tjera të drejtuara nga NATO, shpesh kundrohet si një mënyrë për të siguruar marrëdhënie pozitive me SHBA-të. “Partnerë përreth rruzullit” nuk janë një përjashtim këtu.

Kjo sigurisht nuk është rastësi që deri më tani, shumica e partnerëve të rinj të Aleancës jashtë zonës Euro-Atlantike janë në fakt aleatë të SHBA-ve, të tillë si Australia dhe Japonia. Bashkëpunimi Australi-NATO dhe Japoni-NATO përbën tipare të reja të marrëdhënieve të sigurisë dypalëshe të këtyre vendeve me SHBA-të. Një deklaratë e përbashkët SHBA-Japoni në nivel ministrash 2+2 (Komiteti Këshillimor i Sigurisë: SCC) e majit 2007, e vendosi bashkëpunimin Japoni-NATO në kuadrin e “objektivave të përbashkëta strategjike” të të dy aleatëve.

 

 

NATO-s si një mjet bashkëpunimi me SHBA-të

Kur vende të tilla si Australia dhe Zelanda e Re vendosën të dërgojnë trupa në Afganistan, partneri që zgjodhën nuk duhej të ishte detyrimisht NATO. Në fakt, kur Zelanda e Re (ZR) përqendroi për herë të parë trupat në Afganistan, ajo e bëri atë në kuadrin e Operacionit Liria e Qëndrueshme (OEF), në bashkëpunim të ngushtë dypalësh me SHBA-të. Nuk kishte asgjë të fshehtë që ai ishte një vendim për të mbështetur posaçërisht SHBA-të dhe për të treguar përkrahje ndaj vendit menjëherë pas 11 shtatorit, çka nuk kishte të bënte fare me bashkëpunimin ZR-NATO atëkohë. Si rrjedhojë e shtrirjes gjeografike të ISAF-it nga fundi i vitit 2006, trupat e ZR-së të grupuara në krahinën e Bamianit duhej të kalonin nga komanda OEF-it në atë të ISAF-it. Sipas pikëpamjes së ZR-së, bashkëpunimi pasues me NATO-n ishte kryesisht një rrjedhojë e paparamenduar e veprimtarisë së vet pavarësisht nga ISAF-i.

Kjo tregon qartë një vlerë tjetër tepër të rëndësishme që i shërben NATO-s si një platformë për të bashkëpunuar në operacione paqe-mbështetëse ndërkombëtare dhe në fusha të tjera. Ka të bëjë me faktin që NATO shpërfaq një rrugë plotësuese për të bashkëpunuar me SHBA-të. Bashkëpunimi me NATO-n, përfshirë ndihmën e dhënë me trupa në misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, mund të kryhet në kuadrin e bashkëpunimit me SHBA-të. Ky nuk duhet të jetë një element befasues, po të merret parasysh se edhe në mesin e aleatëve, ndihmesa ndaj ISAF-it dhe veprimtarive të tjera të drejtuara nga NATO, shpesh kundrohet si një mënyrë për të siguruar marrëdhënie pozitive me SHBA-të. “Partnerë përreth rruzullit” nuk janë një përjashtim këtu.

Kjo sigurisht nuk është rastësi që deri më tani, shumica e partnerëve të rinj të Aleancës jashtë zonës Euro-Atlantike janë në fakt aleatë të SHBA-ve, të tillë si Australia dhe Japonia. Bashkëpunimi Australi-NATO dhe Japoni-NATO përbën tipare të reja të marrëdhënieve të sigurisë dypalëshe të këtyre vendeve me SHBA-të. Një deklaratë e përbashkët SHBA-Japoni në nivel ministrash 2+2 (Komiteti Këshillimor i Sigurisë: SCC) e majit 2007, e vendosi bashkëpunimin Japoni-NATO në kuadrin e “objektivave të përbashkëta strategjike” të të dy aleatëve.

 

NATO-s si një shkollë shumëpalëshe

 

Bashkëpunimi në Afganistan është një gjë, por është e nevojshme të mbahet parasysh se kjo nuk është e gjitha në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet NATO-s dhe partnerëve përreth rruzullit. Në radhë të parë, kryerja e operacioneve të ISAF-it është ende një detyrë e re për NATO-n dhe Aleanca ka shumë gjëra të tjera për të bërë. Në fusha të tilla, si ndërveprimi, standardizimi, blerja nën përkujdesje të përbashkët, kërkimi shkencor e zhvillimi, planifikimi shumëpalësh dhe planëzimi i mbrojtjes, NATO zotëron një përvojë dhe ekspertizë të pakrahasueshme. Në fakt, këto janë fushat ku partnerët të mund të përfitojnë më së shumti nga bashkëpunimi me NATO-n.

Thelbi është natyra shumëpalëshe e NATO-s. Vendeve jashtë zonës Euro-Atlantike, në përgjithësi, u mungon përvoja shumëpalëshe për sigurinë dhe mbrojtjen. Për shembull, në rajonin e Azi-Paqësorit, ku ndodhet pjesa më e madhe e partnerëve të rinj të NATO-s, bashkëpunimi shumëpalësh për sigurinë është ende i dobët, për të mos thënë se mungon plotësisht. Forumi Rajonal i ASEAN-it (ARF), vetëm në maj 2009, zhvilloi stërvitjen e parë të përbashkët për gjendje të jashtëzakonshme civile (ndihmë në raste fatkeqësish). Planëzimi dhe operacioni shumëpalësh është ende një ide e re në rajon dhe ushtritë në vendet e rajonit kanë përvoja të kufizuara shumëpalëshe.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi praktik me NATO-n – pjesëmarrja në stërvitje dhe seminare të NATO-s – krijon mundësi të mira për partnerët që të njihen me mënyrat shumëpalëshe të planëzimit dhe të operacioneve. Gjithashtu, në këtë botë të globalizuar dhe në një periudhë burimesh të kufizuara për ushtritë, është e nevojshme një qasje shumëpalëshe në bashkëpunimin me vende të tjera për kërkimin shkencor e zhvillimin dhe për blerjet e pajisjeve të mbrojtjes. Historia e NATO-s në këtë aspekt qëndron tejet larg përsosmërisë. Por ende, ajo siguron një platformë të dobishme për t’i dhënë shtysë qasjes shumëpalëshe ndaj sigurisë, në të cilën partnerët mund të marrin pjesë.

Sfidat përpara për NATO-n

Partnerët e rinj të NATO-s jashtë zonës Euro-Atlantike e vështrojnë NATO-n shumë ndryshe nga partnerët tradicionalë të Aleancës në PpP (Partneritetit për Paqe). Partnerët e rinj nuk kërkojnë anëtarësim. Ata as nuk janë vende në periudhën kalimtare nga komunizmi. Ata nuk kanë nevojë për këshillë të NATO-s mbi sigurimin e kontrollit demokratik të forcave të armatosura, etj. NATO ka qenë e suksesshme në dhënien e ndihmës ndaj partnerëve që synonin të bëheshin anëtarë të Aleancës. Megjithatë, bashkëpunimi me demokracitë e përparuara jo-europiane është ende një sipërmarrje e re për NATO-n.

Nga ana e NATO-s, nuk ka ende konsensus për rrugën që duhet të ndjekë ajo për sa i përket marrëdhënieve me partnerët e saj të rinj jashtë zonës Euro-Atlantike. Përfitimi i një ndihme më të madhe, si ushtarake dhe civile, prej këtyre vendeve për ISAF-in dhe misione e operacione të tjera të drejtuara nga NATO, është njëra nga këto rrugë. Duke pasur parasysh natyrën e ndryshme të forcave shtytëse të atyre vendeve për sa i përket përafrimit me Aleancën, sidoqoftë, tani është e dukshme se NATO ka nevojë për një ide më të qartë të asaj që dëshiron të arrijë nëpërmjet zhvillimit të partneriteteve të reja. Zhvillimi i Konceptit të ri Strategjik më 2010 paraqet një mundësi.

Deri në njëfarë mase, NATO duhet të shqyrtojë me kujdes se si mund t’i përgjigjet parashikimeve të partnerëve ndaj Aleancës. Tashmë për NATO-n është krijuar një mundësi e re për të marrë pjesë në formimin e një rrjeti të ri të sigurisë ndërkombëtare. Varet nga NATO nëse do ta shfrytëzojë atë.

Përgatiti Albert Hitoaliaj,

(artikull i vitit 2009)

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: