Rrjetet sociale, “Robespjeri” i ditëve tona

May 10, 2012

Image

 

Rrjetet sociale, “Robespjeri” i ditëve tona 

Albert Hitoaliaj

Rrjete sociale nuk janë një dukuri e re, por e re është mënyra e organizimit të tyre. Një ndryshim masiv siç thuhet se e sjellin ato, nuk vjen prej tyre më shumë, se sa ç’vjen prej njerëzve. Por mund të thuhet se ato janë mjete që të organizuara më fort e më shpejt nëpërmjet teknologjisë së informimit sjellin transformimi të shpejta, të paparashikuara e të pakontrolluara. Edhe pse u ngritën shumë lart së fundi, me “Pranverën arabe”, fillesat e tyre janë më të hershme dhe roli drejtues i informacionit mediatik ka rezultuar edhe rrënues për politikën në shumë raste, ashtu si ka rezultuar edhe çelës suksesi për ndonjë politikan. Mund të përmendim vitin 2008 dhe Barak Obamën në këtë kontekst, ku një prej çelësave të fitores ishte mirë-organizimi i informimit dhe të këtyre rrjeteve. Rrjetet sociale luajtën rol themelor në fitoren e tij. Organizimi i gjerë i Obamës u krye nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në fushatën e tij ishte i ngritur një rrjet i organizuar mbështetësish të cilët qëndronin gjithë kohës në lidhje me internetin. Ata kryen mobilizimin shoqëror për votimin dhe arritën të mbledhin shumën rekord të kontributit prej gjashtëqind milionë dollarë amerikan. Një punë e palodhur e tyre ishte krijim  një sërë videosh të cilat ngarkoheshin në internet dhe shikoheshin nga miliona njerëz.

Një vit më vonë një ngjarje e dhunshme do të tentohej të shpjegohej nëpërmjet ndikimit të një rrjeti social. Blogu “Twitter” arriti kulmin e tij në vitin 2009 dhe kryengritja e këtij viti që u bë në Iran, prej disa komentuesve u deklarua si e shtyrë nga ky rrjet. Natyrisht që ankesat e protestuesve kishin të bënin me zgjedhjet e manipuluara dhe jo me pjesëmarrjen ne Twitter por ky i fundit përshpejtoi e përforcoi idetë e protestuesve (sipas analizave). Duke qenë se vete deklarimi zyrtar nga Twitter pohoi se në periudhën kohore të kryengritjeve ata nuk bënë asnjë veprim për mirëmbajtjen e faqes, gjë që do të çonte në pezullim të përkohshëm të tij, me qëllim që të mos bllokonin komunikimin e protestuesve iranianë, u dha më shumë krahas analizave që kërkonin rolin e tij në këtë çështje. Sido që të komentohet, është e vërtetë se rrjetet sociale luajtën një rol të fortë në Iran. Mund të përmendet në këtë rast se si bëri xhiron e botës pamja e protestueses Neda, vajzës simpatike që gjendej e shtrirë në tokë e mbytur në gjakun e saj. Kanale TV me audiencë të lartë si p.sh CNN, do të hapnin transmetimin më këto pamje të rënda, nën siglën: kamera amatore. Këto filmime të bëra shpesh me aparat celular hidheshin në rrjetet sociale dhe si pasojë vinin reagimet. Protestuesit shpërthyen më shumë prej kësaj videoje. Në rrjetin social YouTube, ku mund të shpërndahen video personale prej gjithkujt, kjo video në një kohë shumë të shkurtër kapi shifrën e disa milionë shikimeve. Por nëse pyet ekspertë të ndryshëm që kanë lidhje me fushën e informacionit, sigurisë, studimeve shoqërore, psikologjisë, teknologjisë, marketingut, biznesit etj nuk und të arrish marrjen e një përgjigje të vetme për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën e përditshme dhe mënyrën se si ato veprojnë. Ka padyshim ndryshime por edhe debate me vendin e rolin e këtyre rrjeteve ne organizimin shoqëror. Prej disave thuhet se teprohet roli i tyre e prej te tjerëve thuhet se po vonojmë në analizat që duhen bërë mbi këtë fenomen shumë të rëndësishëm. A janë rrjetet sociale përgjegjëse apo jemi vetë ne?

Shumë analistë të medias e jo vetëm kanë ngritur pyetjen, a pati revolucion Facebook-u në botën arabe? Duket se është qartësisht e dallueshme se teknologjia e informimit dhe e komunikimit i ka dhënë një “boom” zhvillimeve globale. Ajo është një përshpejtues i proceseve shoqërore dhe ndërkohë mendohet prej shumë analistësh të çështjeve të sigurisë që ky përshpejtues do të ishte e udhës që të mbahej nën kontroll apo të frenohej kur kemi të bëjmë me raste në të cilat ndikimi i rrjeteve sociale do të ishte dëmtues. Por përsëri, nëse i referohemi historisë do të shohim se kryengritjet janë bërë edhe në atë kohë kur nuk kishte fare telefon e jo më Facebook, Twitter e YouTube, kështu që edhe fajësimi i këtyre rrjeteve nuk duket se mund të sjellë një “paqe” me ndërgjegjen pasi në fund të fundit revolucioni apo kryengritja bëhet prej shoqërisë e jo prej teknologjisë.

 

Qeverisja dhe njerëzit, më pranë se kurrë

Rrjetet sociale gjithnjë e më shpesh po i ofrojnë qeverisë një instrument të fuqishëm për të qenë të përfshirë me njerëzit në një komunikim të afërt e të drejtpërdrejtë. Kjo gjë ndodh si nivel kombëtar edhe në nivel ndërkombëtar. Nëse ndërmjet dy vendeve përdoret diplomacia për të ruajtur e vendosur marrëdhëniet shtetërore, sot vihet re se nuk janë më të nevojshëm zyrtarët dhe udhëtimet. Në shekullin e kaluar, politika e qeveritë arrinin të realizonin komunikimin me njerëzit nëpër botë, vetëm nëpërmjet transmetimeve ndërkombëtare të posaçme të radios a të TV. Në shekullin tonë, politika, qeveritë, deklaratat kombëtare apo ndërkombëtare të liderëve si dhe komentet e ndryshme në lidhje me to, shkojnë te të gjithë njerëzit anembanë globit, mjafton që ata të dëshirojnë të trokasin (klikojnë) mbi një adresë të caktuar. Sot komunikimi është global dhe diplomacia e politika është bërë e tillë: të gjithë njerëzit për të gjithë.

Në kohën që jetojmë, nëpërmjet teknologjisë dhe rrjeteve sociale njerëzit marrin pjesë në çështjet e ndryshme nga njëri vend në tjetrin duke dhënë opinione e mendime e deri te organizime konkrete fizike për të zgjidhur problematika të ndryshme që janë shqetësuese për popullatat e vendeve të ndryshme.

Tiparet e këtij komunikimi global mund të thuheshin shkurtimisht: njerëzit mund të ndërrojnë mendime për zgjidhje të problemeve të njëjta; të japin dhe të transformojnë ide të reja; të investojnë në ndërmarrje të përbashkëta biznesi apo sociale ndërkombëtare; të zbaviten me mënyra të ndryshme me njëri-tjetrin.

Ky komunikim e ky ndërveprim po i jep rezultatet e veta prej disa vitesh tashmë. Në bazë të atyre pikave që sapo përmendëm ne shohim p.sh se si ndërtohen organizata jo qeveritare ndërkombëtare të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre për të luftuar përhapjen e sëmundjeve të ndryshme të rënda e kërcënuese e vdekjeprurëse për njerëzimin. Në këtë plan mund të shihen lëvizjet e qindra organizatave të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e rrezikut duke shpërndarë informacion falas e me bollëk.

Kanë filluar të funksionojnë programe të cilat shfrytëzojnë pjesëmarrjen në vendimet e tyre prej njerëzish nga vende të ndryshme të botës. Në këtë mënyrë funksionojnë edhe shumë korporata të cilat kanë bërë edhe punësime nëpërmjet internetit në shumë vende në botë.

Ndër të tjera, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe internetit lëviz edhe diçka thuajse e padukshme, thuajse e parëndësishme por që ka një peshë e cila vështirë të llogaritet me saktësi: frymëzimi. Ky frymëzim është jo vetëm ai klasiku i artit, por në këtë rast është edhe ai i shkëmbimit të ideve, të botëve shpirtërore e të organizimit në nivele më të larta, ideologjike, fetare, teknike, artistike, etj, etj duke i transformuar rrjetet sociale në këtë mënyrë në rolin e një profeti modern i cili është udhërrëfyes për shumë të rinj. Shoqëritë e të ardhmes po frymëzohen drejt hapjes pikërisht nga ky “profet”.

Këto zhvillime janë edhe arseja që shumë politikanë i kanë gërshetuar rrjetet sociale brenda veprimtarive të tyre duke e shtuar në këtë mënyrë aftësinë e tyre. Në këtë mënyrë po përcillet çdo ide në rrjetet globale e kësisoj edhe politika është bërë e krahasueshme ashtu si dhe shoqëria e cilësia e jetës apo e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Teknologjia nuk jep zgjidhje për problemet por ndihmon që të kemi pyetjen e duhur dhe kjo vjen nga sasia e informacionit t pëmasë dhe shpejtësia e komunikimit global.

 

E panjohur apo e pathënë?

A mund të ndikojnë rrjetet sociale mënyrën e bërjes politikë dhe fatet e qeverisjeve? Rrjetet sociale ashtu si përdorin një tematikë të zgjeruar dhe shfrytëzojnë hapësirën elektronike për bashkëbisedime, mund të pasqyrojnë edhe mendimet e konturet kryesore të forcave politike e të votuesve të tyre. Se si do të jetë ndikimi i këtyre rrjeteve sociale mbi njerëzit më së shumti varet nga politikanët, por ama vetë rrjetet e shumëfishojnë fuqinë dhe e përshpejtojnë qarkullimin e ideve. Në një botë ku kemi më shumë se pesë miliardë telefona celularë dhe kemi thuajse gjysmën e kësaj shifre për lidhjet me internetin – duke vënë në dukje se rritja maksimale e këtyre lidhjeve e përdorimeve të aparateve vërehet në botën që është në zhvillim – vihet re një kërkesë në rritje, shumë e lartë dhe përshpejtuese e futjes së teknologjisë së re. Vihet re lehtësisht se ekonomia, shoqëria dhe siguria po ndikohen shumë nga kjo teknologji. Përdorimi i internetit si mjet komunikimi mbi kombëtar, në hapësirat përtej kufijve të shtetit e të kombit, nuk përbën thjesht një sfidë për tekonologjinë por përbën në radhë të parë një sfidë për organizimin shoqëror e për shtetin si aktor kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare e në organizimin e një hapësire të caktuar.

Interneti ka ardhur si nevojë e kohës, si nevojë e shoqërive për të kapërcyer caqet që ofronte teknologjia e informacionit. Një mjet informues si një gazetë, revistë, libër apo çdo lloj tjetër formë tipografike, ka një limit, ka një tirazh dhe një zonë në të cilën shpërndahet, por në internet nuk ka kufizime në tirazh apo zonë shpërndarje. Një informacion është më tirazh pa kufi, me shpërndarje globale dhe më shpejtësi digjitale e cila e lëviz informacionin në mënyrën më të shpejtë të mundshme nga një kontinent në tjetrin.

Nëse do të shihej historiku i komunikimit, atëherë pa dyshim që interneti përbën një risi në fushën e ndërlidhjes –dikur ekzistonte vetëm “mail” [posta] e sot jemi te “email”[posta elektronike]. Këto transformime pasohen edhe nga ato ekonomike te cilat ndikohen nga kjo teknologji. Nëse do të mundoheshim që të gjenim një tjetër transformim dhe një tjetër fenomen në rrjedhën e kohës, i cili të ketë pasur këto ndikime që ka interneti mbi shoqërinë, do të ishte e pamundur që të gjenim të dytë. Ai është i paparë ndonjëherë dhe i pakrahasueshëm. Ndikimi i tij ka shndërruar të gjithë sferat e shoqërisë. Ndikimi i tij te sfera me moshën më të re është krejtësisht i qartë. Por nëse mendojmë se në pjesën më të varfër të botës dhe në atë në zhvillim, popullsia dërrmuese është me moshë të re, atëherë kuptohet se shndërrimet në këtë pjesë të globit janë më shpejta e ndikojnë më tepër te ekonomia e te politika. Kushtet ekonomike dhe pozita sociale e këtyre të rinjve e bashkëlidhur me teknologjinë e komunikimit kanë ndërtuar një mënyrë të re rebelimi, pjesëmarrje në aktivitetin e përditshëm shoqëror e madje edhe në çështjet me rëndësi kombëtare.

Ky ndikim mund të vihet re lehtësisht, në të gjitha ato vende që po përballen me krizën ekonomike. Reagimet e popullatës janë bërë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme elektronike nëpër rrjetet sociale. Turma të tëra “user”-ash debatojnë, kundërshtojnë, komentojnë etj në lidhje me problematikën e vendeve të tyre. Me pas këto diskutime përbëjnë motivimin për protesta – nga virtualja në botën fizike.

Fuqia e lëvizjeve protestuese u pa më mirë se kudo tjetër e më fuqishëm se më pare, në Lindjen e Mesme. Por rrafshi i pjesëmarrjes në diskutime hera herës i kalon edhe caqet kombëtare dhe tërheq njerëz në diskutime globale si p.sh në ato që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike. Në këtë mënyrë shohim se si fuqia dhe influenca ka filluar të kalojë nga shteti te individi. Tashmë kjo fuqi e shpërndarë te individët mund të përkufizohet vërtet si fuqia shoqërore. Tashmë jemi në fazat e para të shfaqjes dhe perceptimit të këtyre ndryshimeve të pakthyeshme. Këto transformime teknologjike kërkojnë zgjidhje teknologjike dhe mbi të gjitha kërkojnë një orientim të politikës ndërkombëtare drejt këtyre çështjeve. Tashmë këto çështje nuk janë më të panjohura, por thjesht ekziston debati nëse duhen thënë dhe si duhet të trajtohen.

 

Protestat dhe rrjetet sociale

Duhet vënë në dukje një herë e mirë që rrjetet social e më saktë Facebook, nuk krijoi asnjë revolucion në Lindjen e Mesme. Faktorë të tillë si papunësia, pakënaqësia, shtypja, papërgjegjshmëria politike, varfëria, mungesa e ushqimit etj sollën protestat masive. Këto protestat u ndihmuan nga rrjetet sociale. Teknologjia luajti një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e të gjithë lëvizjeve shoqërore. Ndikimi i teknologjisë është i pamohueshëm por ajo nuk ishte fajtorja për atë që ndodhi. Sidoqoftë, teknologjia përshpejtoi procesin e ndryshimit të rrjedhës së ngjarjeve. Ajo mundësoi njerëzit që të lidhen e të organizohen duke u bërë në këtë mënyrë një organizatore e protestës. Këto protesta në kohë tjetër e në vende të tjera do të kryheshin në një hark kohor shumë herë më të gjatë se kohët tona.

Rrjetet sociale mundësuan që të afroheshin e të bashkoheshin njerëz të shtresave nga më të ndryshmet të cilët në jetën e përditshme nuk kishte gjasa që të lidheshin bashkë, për shkak të fushave të largëta të veprimit e punësimit. Nëse dikur ndjehej nevoja e një drejtuesi për të organizuar masat në një ‘tubim’ apo revolucion, sot ky drejtues është anonim por edhe i kudondodhur. Ai është anonim sepse nuk ka emrin enjë person, por ka emrin e rrjeteve sociale të cilët janë edhe udhëheqësit e rinj të revolucioneve, frymëzuesit e rinj dhe organizatorë perfekt. Këto rrjete kanë ndikuar edhe median globale. Pamjet e komentet e këtyre rrjeteve kanë depërtuar nëpër edicionet e lajmeve.

Këta rrjete kanë një fuqi e cila po t’i shtosh edhe mënyrën e lehtë të shpërndarjes së informimit si dhe koston zero të informacionit, kuptohet se sa e lehtë është që të shkojnë te çdokush. Ata janë një urë nëpërmjet të cilës secili hyn në botën që na rrethon dhe merr informacion pa kufi. Kjo teknologji shfrytëzohet si për qëllime pozitive edhe për ato negative por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se vëzhgimi dhe kontrolli mbi këtë po rritet si një domosdoshmëri për të pasur sukses në marrëdhënien individ-teknologji.

Teknologjia në vetvete është një e mirë, një njohje më e thellë, një dituri më e gjerë. Ajo përdoren ato lëvizje të cilat i ndërmerr shoqëria. Nëse kemi një grup shoqëror që dëshiron një organizim demokratik, atëherë teknologjia nuk përbën asnjë problem sepse e përshpejton dhe ndihmon këtë. Por në të kundërt, nëse një grup shoqëror kërkon kontroll apo ka synime për një organizim diktatorial etj atëherë kjo teknologji në mënyrë të pavetëdijshme e ndihmon përsëri këtë grup. Teknologjia është e pastër dhe nuk ka synime. Synimet vijnë nga dora që e përdor atë. Në këtë mënyrë kuptohet fare qartë se në të gjitha ato raste që njerëzit kanë nevojë që të bashkohen kundër një padrejtësie apo që të protestojnë, teknologjia e komunikimit, rrjetet sociale, do të përshpejtojnë procesin. Në këtë mënyrë këto rrjete shndërrohen në një organizues idealist revolucionesh, pasi ata vetë, teknologjia, nuk ka qëllime përfitimi. Nëse ndodhin protesta e revolucione atëherë mbase ka ardhur koha që ato të ndodhin, por sido që të ngjasë, rrjetet sociale nuk kanë bërë asnjëherë atë që nuk pëlqejnë individët. “Like” apo “unlike” në FB është thjesht një klikim, por që asnjëherë nuk kryhet pa një komandë që vjen prej kompjuterit më të vjetër në Tokë, trurit njerëzor.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: