Siguria në dekadën e ardhshme, ku ishim…ku po shkojmë?!

June 23, 2011

Dekada e ardhshme filloi – zhvillimet globale, 2011

Siguria në dekadën e ardhshme, ku ishim…ku po shkojmë?!

Albert Hitoaliaj

Tashmë, është bërë një “best-seller” libri i fundit e Xhorxh Fridman (George Friedman) “Dekada e ardhshme (The next decade)”. Ky libër bën lidhjen mes, republikës, perandorisë dhe ushtrimit të pushtetit në dhjetë vitet e ardhshme. Ai është një libër shumë më personal se sa “100 vitet e ardhshme”, sepse Fridman ka trajtuar shqetësimin e tij më të madh, i cili është se fuqia e Shteteve të Bashkuara në botë do të minojë republikën. Fridman shprehet: “nuk jam një person të cilit i pëlqen shmangia nga fuqia; e kuptoj se pa fuqi nuk mund të ketë republikë. Por pyetja që kam ngritur është se si duhet të sillen Shtetet e Bashkuara në botë teksa ushtrojnë fuqinë e tyre të ruajnë edhe republikën në të njëjtën kohë?”

Ai i fton lexuesit që të marrin në konsideratë dy tema. E para është koncepti i perandorisë së padëshiruar. Fridman argumenton se Shtetet e Bashkuara janë bërë një perandori jo për shkak ata e kishin për qëllim këtë, por sepse historia ka punuar në këtë mënyrë. Çështja nëse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë një perandori është e pakuptimtë. Ato janë një perandori.

Tema e dytë, pra, ka të bëjë me menaxhimin e perandorisë dhe për Fridmanin pyetja më e rëndësishme pas kësaj, është nëse republika mund të mbijetojë. Shtetet e Bashkuara u themeluan si kundërshtim i imperializmit britanik. Është ironike dhe në shumë mënyra e tmerrshme, se ajo që themeluesit krijuan, të përballet tani me këtë dilemë. Mund të ketë pasur dalje nga ky fat, por këto dalje nuk ishin të përshtatshme. Kombet bëhen ata që janë nëpërmjet kufizimeve historike dhe historia ka shumë pak sentimentalizëm kur është fjala për ideologji apo preferenca. SHBA janë ata që janë.

Nuk është e qartë nëse republika do të mund të përballojë presionin e perandorisë, apo nëse Amerika do të mund të mbijetojë ndaj një mos-menaxhimi të perandorisë. E thënë ndryshe, a mundet që menaxhimi i një perandorie të bëhet në përputhje me kërkesat e një republike? “Kjo është vërtet e paqartë për mua. Shtetet e Bashkuara do të jenë një forcë e fuqishme në botë gjatë kësaj dekade të ardhshme dhe për shekullin e ardhshëm po ashtu, por unë nuk e di se çfarë lloj regjimit do të ketë,” – thotë Fridman.

Ai është në mënyrë të fuqishme në favor të republikës. Ka kaluar një pjesë të madhe të kohës duke menduar për marrëdhëniet mes perandorisë e republikës dhe përfundimi i vetëm që ka arritur është se në qoftë se republika duhet të mbijetojë, institucioni i vetëm që mund ta ruajë atë është presidenca. Kjo është pak e çuditshme për tu thënë, duke ditur se presidenca është në shumë mënyra më perandorakja e institucioneve amerikane (ai është institucioni i vetëm mishëruar në një person të vetëm). Megjithatë, në njëjtën kohë ajo është më demokratikja, duke qenë se presidenca është organi i vetëm për të cilin njerëzit, si një e tërë zgjedhin një udhëheqës të vetëm të fuqishëm.

Në mënyrë që të kuptohet qartë kjo zyrë, ai sheh tre presidentët që përcaktojnë madhështinë amerikanë. I pari është Abraham Linkolni, i cili e shpëtoi republikën. I dyti është Frenklin Ruzevelt, i cili i dha Shteteve të Bashkuara oqeanet e botës. I treti është Ronald Regan, i cili minoi Bashkimin Sovjetik dhe përgatiti terrenin për perandorinë. Secili prej tyre ka qenë një njeri thellësisht moral … i cili ishte përgatitur për të gënjyer, për të shkelur ligjin dhe të tradhtonte parimet në mënyrë që të arrinte këto qëllime. Ata mishëronin paradoksin e asaj që Fridman e quan presidenca Makiaveliane, një institucion që, në të mirë të vet, koordinon hipokrizinë dhe drejtësinë, në mënyrë që të shpengojë premtimin ndaj Amerikës. Fridman nuk mendon se të jesh i tillë, është një gjë e thjeshtë, e as që fuqia është thjesht mishërim i qëllimit të mirë. Tema e këtij libri, e shpërndarë në rajone të botës, është se drejtësia vjen nga fuqia dhe se fuqia është e mundur vetëm nga një shkallë dhembshurie që shumica prej nesh nuk mund të pranojnë. Tragjedia e jetës politike është konflikti mes limitit të qëllimeve të mira dhe nevojës për pushtet. Ndonjëherë herë kjo prodhon të mira. Kështu bëri në rastin e Linkolnit, Ruzeveltit dhe Reaganit, por për këtë nuk ka siguri në të ardhmen. Kjo kërkon madhështi.

Gjeopolitika përshkruan se çfarë ndodh me kombet, por thotë pak për llojet e regjimeve që vendet do të kenë. Fridman është i bindur se derisa ne të mos kuptojmë natyrën e pushtetit dhe të zotërojmë artin e sundimit, ne nuk mund të jemi në gjendje që të zgjedhim drejtimin e regjimit tonë. Prandaj, nuk ka asgjë kontradiktore nëse thuhet se Shtetet e Bashkuara do të dominojnë shekullin e ardhshëm dhe ndërkohë mund të humbasin shpirtin e tyre të republikës. “Nuk jam i bindur nëse perandoria vlen sa çmimi i republikës. Nuk jam gjithashtu i bindur nëse historisë i bëhet vonë për atë që më bëhet mua, apo që mendojnë të tjerët,”-thotë Fridman. Libri tij, shikoni çështjet, mundësitë dhe sfidat e dhjetë viteve të ardhshme. Do të formohen aleanca surprizë, do të zhvillohen tensione të papritura dhe rrymat ekonomike do të rriten e do të bien. Një dekadë interesante shtrihet përpara. Më poshtë do të shohim disa parashikime për ngjarjet fillestare të dekadës. Parashikimi vjen nga Fridman dhe kompania e tij STRATFOR. Bashkëngjitur do të jenë edhe disa mendime nga analistë të NATO-s.

STRATFOR, një kompani inteligjence amerikane e themeluar në vitin 1996 nga George Fridman, duke ndjekur zhvillimet globale në një mënyrë të gjithanshme, e duke i analizuar ato në mënyrë objektive i lejon vetes që të bëjë prognozën e zhvillimeve ndërkombëtare për vitin 2011. Që në fillim të këtyre parashikimeve të tërheq vëmendjen fakti se përgatitjet që Uashingtoni, Moska, Pekini bëjnë për të ndryshuar lidershipin e tyre në mes shumë kryeqyteteve të tjera në botë, në vitin 2012, padyshim që shoqërohet me pasiguri që do të ndikojë në zhvillimet e këtij viti që sapo kemi hyrë.

Një nga çështjet kryesore gjatë vitit 2011 do të jetë Iraku. Shtetet e Bashkuara zyrtarisht do të tërheqin trupat e tyre nga Iraku në fund të këtij viti duke nxjerrë në pah një tablo tjetër të balancës së fuqisë rajonale. Tërheqja e SHBA nga Iraku do të thotë se Irani mbetet një fuqi e vetme në rajon, duke e lënë Irakun të ekspozuar përballë dominimit iranian. Ky ndikim do të fillojë të ndjehet edhe tek sauditët si dhe tek qeveritë e tjera arabe, të cilat do të jenë të detyruara të akomodohen me një Iran të fuqishëm. Në fund të fundit kjo do të çojë në dhënien fund të balancës së fuqisë në rajonin e Gjirit, diçka që SHBA vështirë se mund ta pranojnë.

Por për SHBA ka një rrugë, atë të një qetësimi të situatës me Iranin mbi bazën e interesave të përbashkëta, rrugë e cila nuk mund të jetë shumë publike. Sidoqoftë pritet të ketë një rritje të diskutimeve SHBA-Iran këtë vit drejt këtij qëllimi. Ndërsa tërheqja e SHBA nga Iraku e lënë rajonin në një disbalance fuqie, Kina po lufton me pabarazitë e saj ekonomike. STRATFOR, ka kohe në fakt që ka parashikuar dobësitë e ekonomisë kineze. Realiteti është se  një mrekulli ekonomike  që vazhdon të jetë e mrekullueshme, ka shumë të ngjarë se është në fund të garës së saj. Kriza globale ekonomike ka zbuluar dobësitë e modelit kinez me bazë eksportin. Ndërkohë që investimet e qeverisë tani përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë kineze, Pekini është duke ecur në një rrugë shumë të vështirë midis inflacionit të shfrenuar dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike. Udhëheqësit kineze janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje që të shmangë pasojat sociale, njëkohësisht ata janë fokusuar gjithashtu në tranzicionin tjetër të madh të gjeneratave të udhëheqjes, planifikuar të fillojnë në 2012. Kjo gjë dekurajon çdo politikë radikale apo të guximshme ekonomike dhe stabiliteti do të mbetet kali i betejës për politikanët. Por duke pasur parasysh gjendjen e ekonomisë kineze dhe efektet e vazhdueshme ndërkombëtare të ngadalësimit global, politikat e guximshme dhe idetë janë ndoshta ajo që Kina ka nevojë. Ndërsa Pekini ka të ngjarë të shtyj për më vonë bërjen e ndonjë ndryshimi rrënjësor në politikat ekonomike, duke shmangur kështu kaosin e mundshëm afat-shkurtër që kjo mund të sjellë si dhe vonesat në veprimet e lidershipit.

Ndërkohë, Rusia do të vazhdojë të përpiqet për të rrokullisur ndikimin e SHBA-ve në Euroazi dhe të ngrejë rolin  e saj. Rusia ka përfunduar afrimin e  saj në kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të dukshëm të shteteve baltike dhe në një masë më të vogël në Kaukaz. Moska tani është mjaft e sigurt për të hedhur hapat që duken më pajtues. Kjo strategji e re do të ndikojë në  të gjitha marrëdhëniet e saj nëpër botë, por do të jetë efektive edhe përtej sferës ish sovjetike të saj dhe në Evropë – ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë dominuese që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Fokusi i Rusisë, këtë vit është të influencojë  mbi shtete si vendet baltike dhe të krijojë marrëdhëniet e saj të forta me Gjermaninë. Moska e di se koha e saj për të vepruar lirisht po kalon pasi SHBA po përfundojnë disa prej angazhimeve të tyre në Lindjen e Mesme, por Moska do të jetë në kërkim të pozicionit të saj elitë, ndërkombëtarisht, përpara zgjedhjeve të vitit 2012.

Lindja e Mesme/ Azia Jugore

Çështja më e rëndësishme në Gjirin Persik është shkalla në të cilën Shtetet e Bashkuara do të tërheqin forcat e tyre  nga rajoni. Kjo çështje përcakton realitetin gjeopolitik të rajonit. Përveç SHBA, fuqia më e madhe ushtarake në rajonin e Gjirit Persik është Irani. Pavarësisht nëse  Irani kërkon ose nuk kërkon armë bërthamore, ajo është fuqia kryesore konvencionale.  Pyetja shtrohet nëse duhet që SHBA të heqë të gjitha forcat efektive ushtarake nga Iraku dhe të kufizojë forcat e saj në Kuvajt? Nëse ndodh kjo dy gjëra mund të parashikohen: së pari, Iraku do të bjerë nën dominimin iranian; së dyti, shtetet në Gadishullin Arabik do të duhet të akomodohen me  ekuilibrin e ri të forcës, duke  bërë lëshime në interes të Iranit.

A duhet që SHBA të mos tërheqë forcat e saj nga rajoni? Në këtë rast Irani do të fillojë operacionet guerile kundër forcave amerikane, duke përdorur surrogatet e tij në Irak. Kjo do të shkallëzojë numrin e të vrarëve  në Irak në një kohë kur fushata presidenciale në SHBA do të ketë filluar. Parashikimi bazë i STRATFOR  për rajonin, pra, është se nëse Shtetet e Bashkuara do të tërheqin forcat e tyre, nuk besohet se një tërheqje është e mundshme në vitin 2011. Ndërsa një kryengritje e re, e sponsorizuar nga Irani është e mundshme. Presioni mbi Shtetet e Bashkuara nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj për të mos u tërhequr nga Iraku do të jetë gjithnjë në rritje, kështu që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë forca të mjaftueshme në Irak për të bllokuar Iranin. STRATFOR pret që kjo do të çojë në paqëndrueshmëri të madhe në Irak, por Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta paguajnë këtë çmim.

Duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen plotësisht megjithatë ato nuk do të nisin një goditje të madhe ushtarake nëse nuk shtyhen nga rrethana të paparashikuara. Më shumë ka të ngjare që SHBA të arrijnë deri në Iran qoftë në qeveri apo fraksione të rëndësishme brenda saj për të arritur disa lloj  garancish për interesat e SHBA në Gjirin Persik dhe interesat e Iranit në Irak. Këto bisedime ka të ngjarë të jenë një vazhdim i bisedimeve sekrete të mbajtura në të kaluarën dhe në qoftë se do të arrihet një marrëveshje, ajo mund të jetë informale, në mënyrë që të minimizojë pasojat politike në të dy vendet.

Në Turqi, viti 2011 është një vit zgjedhor, me zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në qershor. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka gjasa të humbasë zgjedhjet e përgjithshme, por votimi do të nxjerrë në pah ndarjen bazë laike-fetare brenda Turqisë. AKP-ja në 2011 do të punojnë drejt një politikë të jashtme më koherente duke u përpjekur për të mësuar nga përpjekjet e fundit që dhanë rezultate të papritura.

Egjipti e fillon vitin me liderin e sëmurë 82-vjeçar, me presidentin egjiptian Hosni Mubarak, që ka një mosmarrëveshje rreth transferimit të pushtetit. Fraksione të ndryshme – si Partia Demokratike Kombëtare e tij dhe ushtria – nuk bien dakord se kush do të mundet të sigurojë më mirë vazhdimësinë e pushtetit të Mubarakut, i cili nuk mundet që të vazhdojë më tej. Një tjetër komplikacion është se zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për në shtator, dhe kjo nuk është e qartë nëse Mubarak do të kandidojë për një mandat tjetër. Ndërsa elemente të ndryshëm që përbëjnë qeverinë janë duke u përpjekur për të arritur një konsensus sa më të gjerë për të arritur në postin e pasuesit. Disa forca politike dhe militantë aktiv në Egjipt do të përpiqen për të përfituar nga rasti historik që paraqet tranzicioni. Ndërsa kundërshtarët e regjimit që kërkojnë të ndryshojë nëpërmjet mjeteve kushtetuese dhe ata që preferojnë metodat ekstra-kushtetuese, nuk janë të organizuar, përçarjet brenda qeverisë krijojnë dobësimin e Egjiptit, ku ndryshimi i regjimit në këtë të fundit, do të ketë implikime të thella për rajonin dhe më gjerë.

Në Izrael, shqetësimet kryesore mbeten ato rreth Hezbollahut, kërcënimi më serioz me të cilin përballet Izraeli. Por Hezbollahu është i fokusuar në çështjet e Libanit dhe Siria ka interesat e veta në rrezik, kështu që në vitin 2011, nuk ka gjasa për tjetër luftë Izrael-Hezbollah. Në Gaza,  krahun jugor të Izraelit, gjërat nuk janë mjaft të qëndrueshme. Hamasi ka një interes në mbajtjen e një armëpushimi afat-shkurtër me Izraelin, por presioni nga konkurrenca e lëvizjeve islamike dhe përpjekjet e vazhdueshme të Izraelit për të parandaluar  forcimin e Hamasit ka të ngjarë që brenda vitit të çojnë në një përplasje, edhe pse jo si ajo në vitet 2008-2009.

Në Afganistan, (ISAF), pati disa suksese në vitin 2010, por mund të pritet më shumë në vitin e ardhshëm. Megjithatë, ISAF nuk ka as trupat dhe as forcën për të mundur talebanët përmes mjeteve ushtarake. Suksesi apo dështimi i strategjisë kundër kryengritësve nuk qëndron vetëm në faktin e shkatërrimit ushtarak të talebanëve, por edhe në aftësinë për të detyruar talebanët që tq negociojnë në një shkallë të pranueshme politike. Disa lëvizje drejt një zgjidhje, të negociuara këtë vit, janë të mundshme dhe Pakistani do të përpiqet që të shtyjë Uashingtonin drejt bisedimeve (me shpresë se Islamabadi do të jetë në gjendje për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve), por një zgjidhje e plotë gjatë vitit 2011, duket e pamundur në këtë pikë.

Ish-Bashkimi Sovjetik

Konsolidimi i ndikimit të Rusisë në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik është pothuajse në përfundim të plotë dhe në vitin 2011, Moska do të ndihet më e sigurt në pozicionin e saj për të kaluar nga një politikë e konfrontimit me Perëndimin në një përpjekje për angazhim e bashkëpunim qoftë edhe pjesërisht. Rusia do të luajë një lojë të dyfishtë, për të përfituar nga marrëdhëniet e ngrohta me disa vende për shkak të lidhjeve ekonomike si dhe duke i mbajtur nën presion për arsye politike.

Marrëdhëniet më komplekse do të jenë me Shtetet e Bashkuara, për shumë çështje të mbetura të pazgjidhura mes dy fuqive. Megjithatë, Rusia e di se Shtetet e Bashkuara janë ende në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, kështu që nuk ka nevojë për një shtytje në mënyrë të njëanshme agresive mbi Uashingtonin.

Marrëdhëniet më produktive do të jenë me Gjermaninë. Moska dhe Berlini do të forcojnë lidhjet e tyre politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht në vitin 2011. Por, ashtu si gjatë gjithë historisë, mes tyre ekziston mosbesimi reciprok, çka do t’i bëjë të përgatiten për t’i bërë presion njeri-tjetrit, përtej vitit 2011.

Strategjia e Moskës për të ndikuar në ish-republikat e BS do të jetë e qartë. Në vitin 2010, Rusia ka konsoliduar kontrollin e vet mbi Bjellorusinë, Ukrainën, Kazakistanin dhe Kirgistanin, duke rritur ndikimin e saj mbi Armeninë dhe Taxhikistanin. Rusia e di se ajo i dominon gjerësisht këto vende dhe tani mund të lëvize më lirisht brenda dhe jashtë tyre e do t’u lejojë kështu, më shumë liri veprimi këtyre shteteve, me gjithë kufizimet që ajo u vendos.

Ka ende tre rajone në të cilat Rusia nuk e ka vendosur ndikimin e saj që ajo të jetë më e sigurt: Moldavia, me mendim të pavarur shtetet e Kaukazit; Gjeorgjia dhe Azerbajxhani dhe vendet baltike. Për këtë arsye, Rusia është duke shikuar marrëdhëniet me Moldavinë e duke lënë për më tej ato me Gjeorgjinë. Strategjia e Rusisë ndaj Baltikut po ndryshon dhe Moska është duke u përpjekur për të shikuar rrugën e saj me secilën prej shteteve baltike në nivele të shumëfishta politike, ekonomike, financiare dhe shoqërore. Rusia e di se ajo nuk do të jetë në gjendje për të tërhequr këto vende larg pre aleancës së tyre në NATO apo Bashkimin Evropian, por ajo do të ketë ndikim në politikën e tyre të jashtme. Rusia do të jetë më e suksesshme në këtë strategji të re në shtetin Baltik të Letonisë dhe në një shkallë më të vogël në Estoni, ndërsa Lituania do të jetë më e vështirë.

Brenda vendit, Rusia është duke u përgatitur për zgjedhjet parlamentare në fund të vitit 2011 dhe zgjedhjet presidenciale të parashikuara në 2012. Këtë herë, Putin ka treguar se pushteti tij mbi Kremlin është mjaft i fortë dhe se ai nuk do të ketë shumë nevojë, për të ndërruar figura kyçe në politikën ruse. Nga ana tjetër mbetet për t’u parë nëse mbështetësit e Presidentit Medvedev do të kërkojnë t’u shpëtojnë “kthetrave” të Putinit. Një gjë është e sigurt, se pavarësisht nëse Putin do të garojë për president apo do të mbetet kryeministër, kontrolli i tij mbi Rusinë mbetet i sigurt.

Në katër shtetet e Azisë Qendrore, do të intensifikohen tendencat për një mungesë stabiliteti dhe mundësie të përfshirjes në një ose më shumë kriza. Në Kazakistan e Uzbekistan, liderët e tyre përpiqen që të mbajnë apo të fitojnë pushtetin. Në Kirgistan dhe Taxhikistan, problemet etnike e fetare janë tensionuar dhe ato mund të kthehen në të dhunshme. Kjo situatë është përkeqësuar nga kthimi i militantëve të cilët e kanë luftuar në Afganistan për tetë vitet e fundit. Të dy vendet i kanë bërë thirrje Rusisë që të stabilizojnë situatën e tyre të sigurisë. Moska do të përdorë këto kërkesa për të rritur praninë e saj ushtarake në rajon, por do të qëndrojë larg nga përfshirja e drejtpërdrejte në luftime. Në këto katër shtete, për menaxhimin e situatës Rusia mbetet një faktor shumë i rëndësishëm. Në vitin 2011, Moska do të sigurojë një influencë politike apo prani ushtarake në mënyrë që të ruajë dominimin në rajon.

Ekonomia globale

Në mbyllje të parashikimeve për mjedisin e ardhshëm të sigurisë, bazuar në interpretimet e George Friedman, do të mbyllim këtë cikël të shkurtër shkrimesh me disa parashikime mbi ndikimin e ekonomisë në çështjet e sigurisë.

Ekonomia Globale – Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një moment ndryshimi nga një rritje e moderuar drejt nje rritje të fortë. Ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha, fusha e konsumit përbëhet nga pjesa më e madhe e sistemit amerikan – rreth 10 trilon $ të totalit 14 trilon $. Pjesa prej 10 trilon $ është afërsisht sa gjysma e konsumit të tregut global. Shtetet si Brazili, Rusia, India dhe Kina së bashku, llogariten në më pak se një të tretën e kësaj shume. Si të shkojë konsumi amerikan, kështu shkon edhe bota.

Për të matur çfarë konsumi do të ketë SHBA, STRATFOR bazohet në tre grupe të dhënash: papunësia (tendencën aktuale të punësimit), shitjet me pakicë dhe ndërtimin. Në fillim të 2011 dy shifrat e para duken të favorshme për rritjen ekonomike, ndërsa e fundit tregon se punësimi mund të shërohet ngadalë.

Ndërsa SHBA janë duke ecur drejt një rritje, kjo nuk ndodh në ekonomitë e vendeve të tjera të botës. Evropa përballet me një problem strukturor. Euro është projektuar nga gjermanët, të cilët duan një monedhë të fortë dhe me norma të larta interesi për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të tërhequr kapitalin e kërkuar. Në të kundërt, europiano-jugorët, kanë ekonomi që nuk shtojnë vlerën. Ata duhet të mbajnë çmime konkurruese për të gjeneruar rritje. Megjithatë, këto ekonomi (dhe të tjerat) janë të ngatërruara në zonën euro. Kriza financiare është dëshpëruese për euron, e cila normalisht do të ndihmojë shtetet europiano-jugore. Prania e Gjermanisë në eurozonë është duke vepruar si një lloj jeleku shpëtimi, duke mbajtur monedhën e përbashkët larg zhytjes. Rezultati do të jetë një rritje, e ekonomisë gjermane dhe një përpjekje e ekonomive të Europës jugore për të dalë nga recensioni. Si pasojë, kriza financiare, që filloi në Evropë në 2010 është larg përfundimit dhe parashikimi që STRATFOR bën, është se do të ketë edhe më shumë shtete që do të bashkohen me Greqinë dhe Irlandën në vitin 2011. Ndërsa ka pak lajme të mira për europianët, STRATFOR parashikon që sistemet që evropianët ngritën në vitin 2010 për të trajtuar krizën financiare do të provojnë sukses të mjaftueshëm për të menaxhuar krizat në Portugali, Belgjikë, Spanjë dhe Austri.

Në Azi panorama është më e qartë. Japonia e ka hequr veten nga skena. Popullsia e Japonisë ka kohë që ka ulur shkallën e konsumit dhe pritet të ketë një tkurrje në vitet në vazhdim. Ekziston rreziku që Japonia të mbetet në izolim, për shkak se ekonomia e saj është më pak e ekspozuar në sistemin ndërkombëtar. Për fat të mirë për pjesën tjetër të botës, borxhi i Japonisë është mbajtur pothuajse tërësisht në vend.

Në Kinë, gati çdo qeveri në tërë historinë e saj ka rënë nga trazira sociale të disa llojeve. Kohët e fundit, Pekini ishte i shqetësuar se mos përsëriten përsëri politikat stimuluese miratuar në fund të vitit 2008 që do të vinin në rrezik rritjen ekonomike dhe atë të punësimit. STRATFOR ka mësuar se, duke marrë parasysh këto rrethana, Pekini ka vendosur të mbajë të paprekur atë stimul. Kjo do të zgjidhë problemin e punësimit, por ajo vjen me çmim të caktuar të inflacionit të lartë. Sfida e Kinës në 2011 do të jetë ruajtja e shërbimeve të mjaftueshme dhe subvencioneve për të mbajtur forcat shoqërore në kontroll, në një kohë kur modeli ekonomik i vendit do të përkeqësoje problemet inflacioniste.

Vitet 1990 ishin koha e fantazisë dhe një nga fantazitë ishte se Rusia ishte kishte përfunduar, se ajo kurrë nuk do të rishfaqej përsëri. Një fantazi më e re është se Rusia ka një popullsi në rënie dhe për këtë arsye ajo nuk mund të jetë një fuqi e madhe. Rusia ka qenë gjithmonë një rast shporte-ekonomike, për të paktën 200 vitet e fundit, por fuqia e saj ushtarake dhe politike e ka tejkaluar shumë atë ç’ka mund të bëjnë vendet e tjera. Dhe Rusia, sigurisht që është rishfaqur.

Në këtë kohë, Gjermania është duke rishqyrtuar marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian ka qenë një institucion tej mase i përshtatshëm për prosperitet. Ai, për fat të keq, nuk ishte i projektuar mirë për kriza. Dhe në rrënjët e tij ishte një kontradiktë. Vendet në zhvillim duhet të drejtojnë bilance pozitive të tregtisë. Ata duhet të përfitojnë nga rrogat e tyre të ulëta, në mënyrë që të ndërtojnë ekonomitë e tyre duke eksportuar. Bashkimi Evropian është ndërtuar rreth një Gjermanie e cila është vendi eksportues i dytë më i madh në botë. Dhe në këto marrëdhënie, gjermanët thjesht trullosin aftësitë e zhvillimit të këtyre vendeve të tjera që shtyhen para me bilanc negativ të pagesave me ta.

Shtetet e Bashkuara, në vitet 1950, forcuan Gjermaninë dhe Japoninë duke i lejuar ata që të mbrojnë tregjet e tyre, duke u dhënë atyre qasje të lirë në tregun amerikan. Kishte arsye politike për këtë, dhe kjo funksionoi, por në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin bërë atë që bënë në vitin 1950 – atë që Gjermania ka bërë për pjesën tjetër të Europës tani – as Gjermani e as Japonia nuk do të ishin ringritur.

Kundërshtia e ndërtuar brenda BE-së u shfaq gjatë krizës ekonomike. Ndodhën dy gjëra. Gjëja e parë që ndodhi ishte se vendet si Irlanda dhe Greqia e kuptuan se sovraniteti i tyre kombëtar, që ata e kishin fituar me gjak, ishte shumë në rrezik, dhe gjermanët kuptuan se në të vërtetë, ata nuk donin të paguanin për grekët. Ata me siguri që dëshironin të përmbysnin tregun grek me mallra gjermane, por nuk donin të jetonin me pasojat.

Pra gjermanët janë duke parë përtej Europës dhe ata kanë një marrëdhënie me Rusinë. Në radhë të parë, ata janë të varur nga Rusia për importet e energjisë – që është absolutisht vendimtare për gjermanët. Së dyti, gjermanët duke pasur një mungesë popullsise, nuk duan të marrin më shumë punëtorë turq, për arsye të dukshme, dhe kur ju nuk mund të sillni më shumë punëtorë, atëherë ju i çoni fabrikat tuaja aty ku punëtorët janë.

Rusia, me gjithë popullsinë e saj në rënie, ka ende me tepricë krah pune, për shkak të mënyrës se si është e strukturuar ekonomia e tyre. Fabrikat gjermane janë duke u zhvendosur në Rusi, rusët kanë shumë nevojë për teknologji – kështu që ja tek është një marrëdhënie përfitimi të përbashkët mes tyre, shtuar faktin se asnjëra prej tyre nuk e pëlqen botën që po drejtojnë Shtetet e Bashkuara, dhe do të donin të formonin një koalicion për të bllokuar Shtetet e Bashkuara. Pra, ju jeni duke parë lindjen e një marrëdhënie gjermano-ruse të bazuar në interesa të përbashkëta në të gjitha nivelet. Sipas George Friedman kjo do të jetë një element i rëndësishëm kyç i dekadës së ardhshme, natyrisht e zënë në mes të dy poleve, në vendin më të keq të mundshëm.


 

 

 *  *  *

Çfarë do të jetë e rëndësishme për sigurinë më 2011?

Tri pyetje në lidhje me ato që do të jenë çështjet kryesore të sigurisë në vitin e ardhshëm. Flasin ekspertë dhe komentues të çështjeve të sigurisë.

Leo Cendrovic shkruan për revistën TIME

Cila zonë (qoftë gjeografike ose tematike) mendoni se do të përbëjë kërcënimin më të madh ndaj sigurisë më 2011?

Kërcënimi më i madh për sigurinë më 2011 do të jetë përhapja e armëve bërthamore. Ky ka qenë një shqetësim prej shumë vitesh dhe – shpresohet – kërcënimi nuk do të mundësohet më 2011 ose më tej. Një strategji e gjerë shumëpalëshe për t’u lejuar vendeve të drejtë përdorimi të qetë dhe të sigurt të energjisë bërthamore për qëllime civile është e domosdoshme. Marrëveshja e vitit të kaluar, e arritur pas muajsh bisedimesh, midis SHBA-ve dhe Rusisë për shkurtimin e armëve bërthamore, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjatë disa dhjetëvjeçarëve, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë shpërndarë rreth 20,000 kg uranium shumë të pasuruar – i mjaftueshëm për 800 armë bërthamore – në rreth 50 vende të ndryshme, si Australia, Xhamajka dhe Vietnami. Por frika e vërtetë është se materiali bërthamor mund të bjerë në duar të gabuara. Ndërkohë që ka andrralla të tjera të sigurisë në të gjithë rruzullin, ato rriten në një nivel të frikshëm kur ndërthuren me armë bërthamore, qofshin ato fondamentalizëm fetar (Iran, Irak, Afganistan), autoritarizëm shtetëror (Kore e Veriut), militantë (Hamas, Hezbollah) ose edhe pirateri (Somali). Veprimtaritë e A. Q. Khan-it të Pakistanit tregojnë se disa mashtrues – ose shkencëtarë gjysmëzyrtar sipas një përcaktimi – nuk kanë skrupuj për sa i përket përhapjes së armëve bërthamore.

 

Kush mendoni se do të luajë një rol kryesor në marrëdhëniet e jashtme më 2011?

Barak Obama. Mund të duket e afërmendshme përmendja e emrit të një presidenti amerikan, dhe kjo nuk është njëlloj sikur ai tanimë të mos ketë lënë ndonjë gjurmë në skenën botërore. Por pas periudhës afatmaesme, ai do të gjejë më shumë kohë për ta shpenzuar jashtë vendit. Edhe në qoftë se flaka e pishtarit të tij duket më e ulur nga dy vite më parë, ai mundet të jetë ende shumë i frytshëm. Dhe pavarësisht nga zërat e shumtë për fuqizimin e kundërshtarëve – si Kina dhe India – askush nuk e tërheq vëmendjen e botës si Obama.

 

A do të jenë më mirë apo më keq siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare deri nga fundi i 2011-s – dhe pse?

Disa rrjedha dhe dukuri do ta bëjnë botën më të sigurt, të tjera më pak. Rinormalizimi me Rusinë duket t’i ketë qetësuar paraprakisht marrëdhëniet me këtë vend tepër sedërmadh. Por zgjidhje për vatra të nxehta, si Irani dhe Koreja e Veriut, duken të pamundshme si kurrë më parë. Pirateria rreth Bririt të Afrikës ka qenë në rënie, por sulmet kompjuterike janë në rritje. Duket sikur në fund të 2010-s, Al Kaida është në pritmëri, por nëse ndodh një tjetër mizori – le të themi në përvjetorin e dhjetë të 11 shtatorit – atëherë, pa dyshim, do të kthehet në krye të rendit të ditës së politikës. Barometër kyç do të jetë ndoshta Afganistani: Obama ka premtuar të fillojë tërheqjen nga korriku i vitit 2011, por po sikur siguria në terren të mos jetë më mirë se më 2009, para se ai të shpallte ngadhnjimin e tij? A do t’i qëndrojë ai zotimit të tij dhe të pranojnë në mënyrë thelbësore se misioni ka dështuar, apo do të thellohet më tej në ndjekjen e rrjedhës?

Lorenc S. Kaplan

Lorenc S. Kaplan, Universiteti i Xhorxhtaunit dhe Drejtor Nderi, Qendra “Lyman L. Lemnitzer” e Studimeve për NATO-n dhe Bashkimin Europian, Universiteti Shtetëror i Kentit

 

Cila zonë (qoftë gjeografike ose tematike) mendoni se do të përbëjë kërcënimin më të madh ndaj sigurisë më 2011?

Irani dhe Korea janë kandidatë për kërcënimin më të madh ndaj sigurisë më 2011. Vijimi i rrugës së mëparshme drejt aftësive bërthamore mund të shkaktojë një kundërpërgjigje ushtarake nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara. Provokimet e Koresë së Veriut në gadishullin Korean mund të nxisin një luftë me Korenë e Jugut, që do të përfshinte Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Por kërcënimi me gjasë më të madhe ndaj sigurisë është në Afganistan dhe në Pakistan. Të dyja këto shtete janë të dobëta, të gërryera nga korrupsioni dhe të kërcënuara nga talebanët. Rrëzimi i qeverisë së Karzait në Afganistan do të kishte një pasojë shkatërrimtare për praninë e NATO-s në atë vend, duke përshpejtuar mosangazhimin e aleatëve të NATO-s dhe duke rrezikuar planet e Aleancës për zgjidhjen e luftës. Pakistani mund të jetë një rrezik edhe më i madh, jo vetëm nga talebanët, por në rast të një skenari me një qeveri të dobët, të nënshtruar para një opozite islamiste në zotërim të armëve bërthamore. Ndikimi i këtij skenari të ankthshëm do të ishte me përmasa botërore. India, fuqia tjetër bërthamore në Azinë Jugore, mund të fillojë një luftë bërthamore; Kina, me rolin e saj gjithnjë e më të sigurt në Azi, ka të ngjarë të përfshihet vetë në ndonjë luftë indiano-pakistaneze, dhe Shtetet e Bashkuara, me aksionet e veta në një Pakistan të qetë me orientim perëndimor, do të përfshiheshin në këtë konflikt.

 

Kush mendoni se do të luajë një rol kryesor në marrëdhëniet e jashtme më 2011?

Kandidati i arsyeshëm për të luajtur një rol kryesor në marrëdhëniet e jashtme më 2011 i takon Shteteve të Bashkuara. Ato mbeten superfuqia e vetme në botë. Megjithatë, lind një pyetje nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë aktori qendror në vitin e ardhshëm. Ato kanë shpenzuar gjatë viteve përtej mundësive të tyre. Dollari si standard në botë mund të zëvendësohet me një monedhë kundërshtare. Ndërsa krahu ushtarak mbetet i fuqishëm, shkurtimet e planifikuara në buxhetin e Pentagonit do të kufizojnë mundësitë. Pengesa më e madhe mund të jetë një politikë e jashtme e dobësuar e administratës së Obamës. Kina mund të marrë përsipër atë rol kryesor. Si vendi më i populluar në botë, ajo ka përgatitur ekonominë e vet të dytën më të madhe, me perspektiva të përshpejtimit të rritjes së saj më 2011. Synimet e saj në kërkimin e lëndëve të para shtrihen përtej Azisë – në Amerikën Latine dhe në Afrikë, ku ajo ka pasur ndikim të thellë në shoqëritë e këtyre kontinenteve. Në pikëpamje të mundësisë, Kina mund të jetë një faktor ndërmjetësues në konfliktet rajonale, veçanërisht me ndikimin e saj në Korenë e Veriut. Por ajo mund të jetë edhe një forcë destabilizuese në sfidat e saj ndaj Japonisë e Tajvanit, si dhe në përdorimin e monedhës së saj për të përmbytur tregjet e huaja nëpërmjet mallrave me çmime të vëna artificialisht. Pavarësisht nëse roli i saj do të jetë pozitiv ose negativ më 2011, ai do të jetë vendimtar.

 

A do të jenë më mirë apo më keq siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare deri nga fundi i 2011-s – dhe pse?

Gjendja e botës më 2011 mund të mos ketë shumë ndryshim nga ajo e vitit 2001. Nëse do të ketë një ndryshim, ai ndoshta do të jetë për më keq, varësisht nga përfundimet e krizave aktuale në Bashkimin Europian, në Pakistan dhe në Kore. Irani mund të jetë në qendër të vëmendjes sepse po zhvillon programin e tij bërthamor. Megjithatë ka elemente lehtësuese që mund të shpalosen më 2011. Më premtuese mund të jenë marrëveshjet ruso-amerikane mbi kërcënimin terrorist në përgjithësi dhe mbi Iranin në veçanti.

 

A do të jenë më mirë apo më keq siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare deri nga fundi i 2011-s – dhe pse?

Gjendja e botës më 2011 mund të mos ketë shumë ndryshim nga ajo e vitit 2001. Nëse do të ketë një ndryshim, ai ndoshta do të jetë për më keq, varësisht nga përfundimet e krizave aktuale në Bashkimin Europian, në Pakistan dhe në Kore. Irani mund të jetë në qendër të vëmendjes sepse po zhvillon programin e tij bërthamor. Megjithatë ka elemente lehtësuese që mund të shpalosen më 2011. Më premtuese mund të jenë marrëveshjet ruso-amerikane mbi kërcënimin terrorist në përgjithësi dhe mbi Iranin në veçanti.

Dr. Bejts Gill

Dr. Bejts (Bates) Gill është drejtor dhe administrator i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime Paqësore (SIPRI) dhe bashkëredaktor i një vëllimi të kohëve të fundit me titull “Administrimi i bombës bërthamore: Kontrolli civil dhe përgjegjshmëria demokratike e armëve bërthamore”.

Cila zonë (qoftë gjeografike ose tematike) mendoni se do të përbëjë kërcënimin më të madh ndaj sigurisë më 2011?

Gjeografikisht, shqetësimet më të mëdha për sigurinë ka të ngjarë të shfaqen nga një brez vendesh ngjitur me Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit (duke përfshirë Sudanin, Somalinë, Jemenin) dhe me harkim nga verilindja duke rrethuar Irakun, Iranin, Afganistanin, Pakistanin dhe drejt Kaukazit dhe Azisë Qendrore. Përveç kësaj, shoqëritë dhe individët do të vazhdojnë të përballen me dhunën destabilizuese në rritje dhe me kërcënimet nga aktorë jo shtetërorë – organizata terroriste, formacione rezerviste, kriminelë. Kur këto dy shqetësime të mbipalosen, ne do të shohim sfidat më të rëndësishme të sigurisë më 2011. Për konflikte të mëdha ndërmjet shteteve duket të mos ketë gjasa, megjithëqë në mungesë të një përgjigjeje të frytshme ndërkombëtare, një luftë ndërmjet Sudanit dhe një shteti të sapoformuar në jug të Sudanit mund ta provojë si tragjikisht të gabuar atë parashikim. Por, në përgjithësi, dhuna dhe kërcënimet e dhunshme, në radhë të parë, do të ushtrohen kundër civilëve të pafajshëm, kryesisht nga aktorë jo shtetërorë, por edhe nga shtete e ndërmjetësuesit e tyre dhe sidomos brenda shteteve në kontekstin e trazirave të brendshme dhe të rivaliteteve.

Kush mendoni se do të luajë një rol kryesor në marrëdhëniet e jashtme më 2011?

Shumë njerëz – zyrtarë të lartë dhe persona ende të panjohur njëherit – do të kenë një ndikim në sigurinë globale dhe do të jenë në krye të titujve të lajmeve ndërkombëtare më 2011. Por një rol kryesor në një varg çështjesh të mprehta të sigurisë do të luhet domosdo nga Hu Jintao dhe udhëheqja e lartë e përbashkët e Partisë Komuniste Kineze (PKK); ndonëse ata vetë do të parapëlqenin që ne të mos i shohim gjërat në atë mënyrë. Pekini mund të dëshirojë që të “mbajë një shmangie të qëllimshme nga vëmendja publike” në kërkim të një “bote harmonike”. Por interesat gjithnjë e më të ndërlikuara dhe përherë në rritje në fushën diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë, nënkuptojnë që kërkesat si brenda, ashtu dhe jashtë vendit, shtrojnë si domosdoshmëri veprimin kinez. Vendimet e marra nga Hu dhe kolegët e tij do të jenë me rëndësi vendimtare afatshkurtër dhe afatgjatë, për mirë apo për keq, për përfundimet në Sudan, Iran, Kore të Veriut dhe në Pakistan, krahas pikave të tjera të nxehta. Për më tepër, grupi i vogël i zotërinjve që kryesojnë PKK-në do të marrë vendime njëherësh për sfidat e politikës së brendshme dhe të jashtme, të cilat do të formësojnë shfaqjen e Kinës si një fuqi e madhe – e përgjegjshme? dobiprurëse? e vetsigurt? – ndërlikimit e të cilave do të ndikojnë thellësisht (megjithëqë ndoshta qetë fillimisht) në sigurinë globale dhe më gjerë më 2011.

A do të jenë më mirë apo më keq siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare deri nga fundi i 2011-s – dhe pse?

Gjendja e sigurisë globale do të ashpërsohet më shumë dhe do të jetë më problematike gjatë vitit 2011. Me situatën e sigurisë globale të karakterizuar nga rritja e “shpërhapjes” – shpërhapja e fuqisë materiale dhe programore ndër gjithë shtetet e mëdha në sistemin ndërkombëtar, përhapja e armëve dhe e teknologjive të ndjeshme dhe kalimi i qëndrueshëm i mjeteve të dhunshme në duart e aktorëve jo shtetërorë – institucionet tashmë të brishta dhe të shpërbëra, të paracaktuara për të shqyrtuar sfida të tilla rajonale dhe ndërkombëtare, do të jenë gjithnjë e më të pafuqishme për ta bërë këtë. Këto prirje tashmë kanë qenë në lëvizje prej vitesh dhe janë acaruar më tej nga kriza globale financiare, nga amullia politike dhe nga shtrëngesa e mëvonshme që pati ndikim në pjesën më të madhe të globit, duke e dobësuar aftësinë dhe vullnetin e aktorëve të mëdhenj – veçanërisht të atyre në Perëndim, si në Europë dhe në Amerikën e Veriut – për të luajtur një rol më të madh dhe më të frytshëm si ruajtës të sigurisë globale dhe rajonale. Për vitin 2011 dhe më tej, ka të ngjarë që bashkësia ndërkombëtare të përballet me pasojat e vështira të dobësimit të qeverisjes globale të sigurisë në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Thomas Renard

Thomas Renard është punonjës shkencor, Europa në Programin Botëror, Instituti Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare – Egmont dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, Qendra për Bashkëpunim Botëror Kundër Terrerrorizmit.

 

Cila zonë (qoftë gjeografike ose tematike) mendoni se do të përbëjë kërcënimin më të madh ndaj sigurisë më 2011?

Në rendin e ditës së sigurisë më 2011 do të vazhdojnë të rriten përmasat e dy çështjeve të mëdha, të cilat paraqesin lloje krejt të ndryshme kërcënimesh (njëri është një “kërcënim tradicional” dhe tjetri një “kërcënim i ri”) dhe që duhet të shqyrtohen në mënyra të ndryshme. Një çështje mund të përkojë me kategorinë e “shteteve bërthamore të papërgjegjshme”, me një përqendrim vëmendjeje të veçantë në zhvillimin e situatave të brendshme e rajonale në Iran dhe në Korenë e Veriut, por duke ndjekur nga afër edhe çfarë po ndodh në Pakistan lidhur me vendndodhjet e tyre bërthamore. Çështja tjetër madhore është siguria kompjuterike, siç u përmendëm kohët e fundit nga “Wikileaks”. Ne sapo kemi filluar të mendojmë dhe të kuptojmë se sa të cenueshëm jemi nga sulmet kompjuterike, prej nga vijnë ato sulme (shtete apo grupe të vogla) dhe cilat mund të jenë objektivat e tyre të mundshme. Nga njëra anë, kërcënimi bërthamor duket më i dukshëm: ai mund të shkaktojë garë armatimesh, të lehtësojë përhapjen e armëve bërthamore, të destabilizojë rajone të brishta, ose madje, në një rast edhe më të keq, të çojë në përshkallëzim bërthamor. Nga ana tjetër, është një fat që situata mbetet, pak a shumë, e qëndrueshme në atë front, ndërkohë që ne duhet të jemi të bindur se sulmet kompjuterike nuk do të ndalen dhe se shkalla e dendurive të tyre madje mund të rritet, me pasoja që nevojitet të vlerësohen.

Kush mendoni se do të luajë një rol kryesor në marrëdhëniet e jashtme më 2011?

Në një mjedis global të karakterizuar gjithnjë e më tepër nga ndërlidhuria dhe shumëpolarësia, pothuajse asnjë çështje nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të njëanshme. Në këtë aspekt, SHBA-të do të duhet të ndajnë barrën e stabilitetit global me një numër në rritje aktorësh, përfshirë fuqitë e reja (p.sh. Kina) për çështjet më të shumta, por edhe me fuqitë kryesore (p.sh. Brazili apo Turqia) në lidhje me disa çështje të veçanta dhe madje, kohë pas kohe, me organizata rajonale (p.sh me BE-në).

Që të dyja, Kina dhe Rusia, do të luajnë një rol vendimtar në lidhje me dy rreziqet e përmendura më lart (bërthamor dhe kompjuterik). Ky rol mund të jetë pozitiv (për shembull në qoftë se Kina dhe Rusia angazhohen në mënyrë dobiprurëse me gadishullin Korean dhe Iranin përkatësisht) apo më shumë negativ (për shembull në rastin e më shumë sulmeve kompjuterike me pikënisje nga Kina dhe Rusia – por duhet mbajtur parasysh se është një çështja tjetër nëse këto sulme janë të urdhëruara nga qeveria).

A do të jenë më mirë apo më keq siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare deri nga fundi i 2011-s – dhe pse?

Rënia e vazhdueshme e hegjemonisë amerikane (në drejtim të fuqisë relative dhe në aspektin e legjitimitetit absolut) është sigurisht një prirje shqetësuese për sigurinë ndërkombëtare. Me të vërtetë, SHBA-të nuk janë më superfuqi e vetme, por gjithnjë e më shumë e ndajnë pushtetin global me aktorë të rinj (megjithëse ende zotërojnë dukshëm në çështjet ndërkombëtare). Kjo ka, të paktën, dy pasoja të parashikueshme në sigurinë ndërkombëtare: së pari, Shtetet e Bashkuara do të veprojnë si superfuqi botërore mirëbërëse jo aq shpesh si më parë (sepse thjesht nuk e kanë më luksin për ta bërë këtë, me politikën e vet ndërkombëtare të zhvendosur tanimë drejt një orientimi të ri, më konkurrues dhe më pak vetëmohues), i cili do të bëjë pashmangësisht më të ndërlikuar zgjidhjen e çështjeve globale dhe, së dyti, duke pasur parasysh se SHBA-të nuk munden (ose nuk dëshirojnë më) të veprojnë si “xhandar ndërkombëtar”, cili do ta bëjë atë? Kur nuk ka asnjë që të pengojë regjimet apo grupet nga ndjekja e planeve të tyre të mbrapshta, ose që të rivendosë rendin në periudha krize, atëherë çrregullimi është i pafre dhe mund të përhapet shpejt në nivele lokale, ose më keq, duke përfshirë rajone të tëra.

One Response to “Siguria në dekadën e ardhshme, ku ishim…ku po shkojmë?!”

  1. Goxha skanim i librit Berti…Sapo me kurseve 20 USD me pelqeu. Ka nevoje per disa perditesime pasi libri eshte pergatit para Pranveres Arabe dhe disa zhvillimeve te fundit. Duke iniciaur bashkebizedim mendoj se Friedman ben hamendesime jo rastesisht te pasakta rreth Kines. Por kjo eshte çeshtje e porositesit te librit dhe politikave te STRATFOR kompani.

    Vleresimi ekonomik per Kinen me duket jo i sakte. Kur flitet per Kinen duhet te kihet parasysh se po flitet per nje superfuqi ekonomike qe po merr rolin dominus ne bote si fuqi ekonomike. Ajo qe shikoj une nuk mund ta ndale asgje dhe cdokush kerkon te marre nje pjese nga potenciali i saj, aq me shume Amerika. Per te qene i sinqerte, mendoj se Friedman kur vjen puna tek Kina ben gjithmone hamendesime jo te sakta

    Kur flitet per ekonomine globale dhe cdo gje varet nga konsumi Amerikan eshte pjeserisht e vertete. Gjate dy viteve te fundit Kina po vet-financon shumicen e projekteve te saj. Cfare do te thote kjo? Qe ne Kine po rritet konsumi i brendshem dhe po krijohet nje shtrese e mesme Kineze qe kerkon konsum, makina, mireqenie. Sa eshte kjo shtrese. Rreth 700 milione banore. Jo pak.

    Per me teper nese shikon nivelin e borxhit publik qe kane vendet, te jep nje tablo te qarte sesa e shndritshme eshte e ardmja. Konkretisht SHBA e ka borxhin publik 59% te GDP ndersa Kina 17% te GDP.

    Keshtu, mendoj se Kina neser ose ne dekaden e fundit do te jet superfuqia e radhes ekonomike qe do te pasohet nga ajo ushtrake, ne fakt ka filluar per kete te fundit *. Cfare mund te beje Amerika ta ndali kete? – NADA!
    Askuj,t as Amerikes as, Perendimit nuk i leverdis nje lufte me Kinen, pasi thjesht nuk mund te fitohet nje lufte e tille. Nese do te kete nje lufte te tille ajo do te jete Berthamore, dhe jam I bindur asnje nuk do e pelqeje dick ate tille;)

    E.Qendro

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: