Libia, perlë e zezë apo perlë blu?

May 8, 2011

Rezervat natyrore

Libia, perlë e zezë apo perlë blu?

Albert Hitoaliaj

Pavarësisht naftës, kësaj pasurie të padiskutueshme të Libisë, ka edhe një element tjetër po aq të rëndësishëm, jo aq të përmendur së fundi, që e bën Libinë një vend me një pasuri të rrallë. Bëhet fjalë për elementin e jetës, për ujin. Në kontinentin e rërës e të thatësirës, ky element ka një vlerë të rrallë e ndoshta po aq të shtrenjtë sa edhe ari i zi, nafta. Libia është shumë e pasur me rezerva ujore. Edhe këtë herë si çdo herë tjetër gjeografia dhe burimet bëjnë diferencën dhe tregojnë peshën e politikës. Nën truallin libian ka një pasuri të tërë uji, një hapësirë si det me ujë të ëmbël. Ajo që është edhe më e rëndësishme është se kjo rezervë ujore e nëndheshme është në një thellësi të arritshme lehtë e cila varion nga disa dhjetëra metra deri në 500-600 metra distancë nga sipërfaqja.

Kjo rezervë ujore e pamasë, është zbuluar aty nga vitet ‘50. Nuk ishin bërë as kërkime e as studime terreni, për rezerva të tilla ujore dhe çdo gjë ndodhi krejt rastësisht. Kërkohej për “arin e zi” dhe u gjet “ari blu”. Kjo rezervë ujore ka një vëllim prej më shumë se 30 000 kilometrash kub. Gedafi nuk e humbi këtë mundësi të rrallë që iu ofrua nga rastësia. Ai nisi pa humbur kohë projektin largpamës “Projekti i Libisë për lumin e madh të krijuar nga njeriu”. Ky projekt kishte synim që të krijonte lumin më të madh nëntokësor në glob. Në vitet që u bë zbulimi, Libia konsumonte sasi uji të cilat përfitoheshin nga shkripëzimi i ujit të detit. Mund të imagjinohet fare lehtë se si është pritur ky zbulim ujor, si për politikën edhe për popullsinë. Afrika veriore dikur, në lashtësi, ka qenë pjellore dhe e kultivueshme, e madje mendohet të ketë pasur edhe periudha të cilat kanë qenë të bollshme me reshje.

Ishte viti 1983 kur Gedafi krijoi një strukturë me misionin e realizimit të lumit më të madh të nëndheshëm, që do të sillte ujin e rezervës së nëndheshme të zemrës së shkretëtirës, drejt brigjeve libiane. Vite më pas, uji arriti në Bengazi dhe Tripoli. Ky projekt madhor për Libinë, u krye edhe me ndihmën e japonezëve dhe të koreanëve. Libia fitoi një eksperiencë të rëndësishme dhe u rendit ndër vendet e para të inxhinierisë hidraulike. Nëse kjo zonë shfrytëzohet me metoda izraelite si ato të Negev, mund të bëjë të mundur krijimin e një sipërfaqeje pjellore prej 130 000 hektarësh, duke e transformuar këtë të fundit në një fushë të mbjellë që do të jepte prodhime për eksport në Afrikë e në Europë. Ndër të tjera, Libia mund të shesë edhe ujë.

Po qe se do të shihnim statistikat se me ç’shpejtësi marramendëse përparon shkretëtira e Saharasë, atëhere do të kuptohej menjëherë rëndësia jetike e përdorimit të kësaj rezerve të pamasë për krijimin e sipërfaqeve të gjelbra si mjet frenimi ndaj Saharasë. Algjeria e ka ndërtuar ‘digën” e saj bimore prej 300 000 hektarësh, me qëllim frenimin e pushtimit të shkretëtirës, por a mjafton vetëm ajo? Vitet e fundit janë shndërruar në shkretëtirë mijëra hektarë terren dhe janë në rrezik miliona të tjerë.

“Ujërat fosile” të Libisë

Imazhet e sjella këtu, janë marrë përmjet radiometrit të avancuar ASTER – “The Advanced Spaceborne Thermal Emission and Reflection Radiometer (ASTER)” – në satelitin Terra të NASA-s, 10 prill 2006. Fotot tregojnë projektin libian “Grand Omar Mukhtar”, pranë qytetit Suluq. Planet ishin që ky projekt të krijonte rezervuarin më të madh të krijuar ndonjëherë nga njeriu. Uji i rezervuarit duket në imazh dhe ka ngjyrën blu të errët ndërsa bimësia paraqitet me ngjyrë të kuqe (theksim me qëllim). Zonat e kuqe të bimësisë tregojnë shpërndarjen e një sistemi agrikulturor të krijuar në forma gjeometrike nga libianët. Strukturat e qyteteve paraqiten me ngjyrë gri. Uji i nëndheshëm i rezervës së gjetur në Libi, mund të jetë edhe më i pastër se ai në rezervuarët e sipërfaqes, pasi pastrohet në shkëmbinjtë e nëndheshëm dhe shtresat e ndryshme të terrenit. Në këto basene natyralë nëntokësorë, uji mund të qëndrojë deri për miliona vjet. Kur ndodhin ndryshime gjeologjike të cilat e bllokojnë daljen apo furnizimin e mëtejshëm nëntokësor apo mbitokësor të këtyre rezervuarëve të nëndheshëm, atëherë ka raste që i quajnë edhe “ujëra fosile”. Një rast i tillë është edhe ai i depozitës së Libisë. Testimet e kryera me radio-karbon kanë treguar se një pjesë e rezervave ujore të nëndheshme të Libisë, datojnë deri në 40 000 vjet, që do të thotë se janë më të hershme se epoka e fundit e akullit.

Libia është një vend i thatë, thuajse i gjithi shkretëtirë dhe uji i freskët është diçka e rrallë. Shirat lagin vetëm 5% të sipërfaqes në masën mbi 100 mm. “Uji fosil” i Libisë, është një pasuri fosile ashtu si nafta. Projekti libian për të sjellë në sipërfaqe e për të përdorur këtë pasuri ujore, konsiston në krijimin e një rrjeti tubacionesh dhe rezervuarësh që e sjellin ujin nga nën-dheu i shkretëtirës drejt zonave më të populluara që ndodhen kryesisht në brigjet e Libisë. Ky projekt është vlerësuar përafërsisht me vlerën e 20 miliard dollarë USA. Zanafilla e projektit është nga viti 1984 dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme duke synuar lëvizjen e pompimin e 6.5 milionë metra kub uji çdo ditë.

Kohëzgjatja e projektit mendohej të ishte 50 vjet por ai ka varësi nga sasia e ujit që do të pompojë. Rrjeti i nëndheshëm i tubacioneve ka si qëllim që të shmangë avullimin që sjellin temperaturat e larta. Tubacionet kanë një diametër rreth 4 metra dhe shtrirja e tyre shkon deri në rreth 4 000 kilometra. Uji i nëndheshëm nxirret nga thellësia 270 m dhe pompohet në rezervuare të mëdhenj të cilët më pas ushqejnë tubacionet e rrjetit. Kostoja e një metri kub ujë, shkonte deri në 35 centë ndërsa një metër kub ujë i shkripëzuar kushton 3.75 dollarë USA. Diferenca është pak të thuash, që është e dukshme. Sipas llogarive shkencore, depozita e ujit përllogaritet të jetë sa prurjet e lumit Nil për 200 vjet.

Pajisjet dhe logjistika e përdorur për këtë projekt kanë qenë përdorur në shkallë të gjerë. Projekti ka parë të përfshirë në punime rreth 10 000 persona dhe janë vendosur 4 500 pajisje në punë. Sasia e çimentos së hedhur në ditë, ka shkuar deri në 2 500 tonë, e furnizuar nga Libyan Cement Company dhe e shpërndarë me rreth 127 kamionë-cisterna për në sistemin e Bregas dhe Sarir. Këto ishin vetëm pak nga statistikat e shumta që kanë lidhje me këtë projekt shumë-vjeçar.

Qëllimi afatgjatë i libianëve, ishte që Libia të shndërrohej në një burim të rëndësishëm prodhimesh bujqësore të cilat të mbulonin nevojat kombëtare të ushqimit e të ujit të pijshëm dhe të kishin edhe shpërndarje në rajon e më gjerë.

Natyrisht që tashmë nuk dihet më se si do të shkojë fati i këtij projekti gjigant që ishte duke u realizuar. Problemet e brendshme, etja e Gedafit për pushtet, abuzimi prej tij me pasuritë kombëtare, shkelja e të drejtave të njeriut e shumë arsye të tjera të rëndësishme, e kanë sjellë Libinë në qendër të vëmendjes botërore. “Ari i zi” i Libisë ka tërhequr vëmendjen kryesore, por për shumë analistë, “ari blu” i saj mund të ketë në të ardhmen një vlerë po aq të madhe. Kjo vlerë rritet edhe më shumë nëse projekti i lartpërmendur, imagjinohet i përfunduar pasi burimet ujore dhe ato ushqimore janë nga sfidat kryesore të dekadave në vijim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: