“Greqizimi” i Korçës, varianti athinas i Davutoglu

November 8, 2010

Greqizimi” i Korçës, varianti athinas i Davutoglu

Ahmet Davutoglu, në librin “Thellësi strategjike – Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë”:
-“Vetëm shtetet që ushtrojnë ndikim përtej kufijve të tyre duke përdorur “fuqinë e butë” mund të mbrojnë veten e tyre vërtetë.”

Nga Albert Hitoaliaj   / “Gazeta Shqiptare” 07-11-2010

 

Këto muaj, “Thellësi strategjike – Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë” (Stratejik derinlik: Türkiye’nin uluslararası konumu) 2001, një libër i ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu është përkthyer në greqisht. Shtëpia botuese greke “Piotita” ka shtypur dhe shpërndarë 7000 kopje të këtij libri me 845 faqe, i cili është përkthyer nga Nikolaos Raptopulos. “Piotita” ka nisur aktivitetet promovuese për librin këtë vjeshtë.
Kristos Gianaras, një profesor i filozofisë nga Universiteti “Pandio” në Athinë, ia rekomandon për të lexuar këtë libër gjithë popullit grek, nëse ata janë të interesuar seriozisht për vazhdimësinë historike të Greqisë dhe nevojën për forcë krijuese dhe aftësinë e të menduarit strategjik për t`u përballur me problemin e vazhdimësisë së një shteti.
“Të gjithë grekët duhet ta lexojnë këtë libër. Ai është një libër i shkruar nga  kundërshtari ynë. Ahmet Davutoglu kërkon një pjesë të madhe të vendit tonë, të Egjeut dhe të Qipros për vendin e tij. Megjithatë, unë kurrë nuk kam lexuar një libër të tillë më përpara, që të analizojë në një mënyrë më mbresëlënëse dhe më bindëse rëndësinë gjeostrategjike të Egjeut dhe të Qipros. Davutoglu di shumë mirë se çfarë është duke kërkuar.”-thotë Gianaras (i cituar nga një artikull i Turkishëeekly). Kurse Hysejin Bagçi studiues turk, thotë: “Ky është libri i ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili përbën edhe bazën e mendimit e të strategjisë së politikës së jashtme turke dhe për këtë arsye merr një vlerë të veçantë leximi i tij. Një ministër i Jashtëm i mëparshëm turk, Ilter Turkmen, tha dikur se politika e jashtme e Turqisë ka qenë gjithmonë reaktive: në pritje deri sa të ndodhte diçka, e pastaj thjesht të mbronte pozicionin e vet.
Qysh pas Luftës së Ftohtë, procesi i ri-mendimit të një strategjie të re turke kishte marrë udhë. Studiuesit e shkencave politike, të tillë si Duygu Sezer dhe Ali Karaosmanoglu nga universiteti shumë i vlerësuar “Bilkent University”, kishin propozuar konceptin e një “strategjie të madhe” për politikën e Jashtme turke, në vend të qasjeve reaktive të atëhershme.
“Në vend të humbë kohën duke u larguar nga veprimi, Turqia duhet të bëhet agresive – në sensin pozitiv. Ajo duhet ta bëjë praninë e saj, të ndjeshme kudo dhe të kontribuojë në zhvillimet rajonale e globale”.- do të thoshte studiuesi i shkencave politike Husejin Bagçi në Stamboll. Deri kohët e fundit nocione të tilla nuk ishin bërë pjesë e diskutimeve mbi politikën e jashtme të Turqisë. Por, pasi partia AKP e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002, politika e jashtme turke është zhvilluar pikërisht përgjatë këtyre linjave.
Dhe në këtë moment del në dritë më e theksuar se më parë, figura e atij që e kanë quajtur aktualisht “Kisingeri turk” – Ahmet Davutoglu, një profesor i shkencave politike dhe për një kohë të gjatë këshilltari kryesor i Erdoganit në lidhje me politikën e jashtme. Në ndryshim nga ministrat e tjerë ai nuk vjen nga shtresat elitare dhe është parë shpesh herë më tepër si islamik e si konservator. Sidoqoftë, strategjia e Davutoglu për një diplomaci aktive dhe shumë dimensionale me qëllim forcimin e influencës turke në rajon – përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët – është quajtur nga kritikët me termin “neo-otomanizëm” duke vënë në dukje idenë se Turqia ka prirje të jetë perandoria e dikurshme, për sa i përket fuqisë e influencës rajonale. Turqia shihet e përfshirë në role mediatori nga Ballkani, në Lindje të Mesme e deri në Kaukaz. 
“Turqia si një lojtar ndërkombëtar, është parë më parë si të kishte muskuj të fortë, një stomak të dobët, probleme të zemrës dhe fuqi mesatare mendore. Me fjalë të tjera ajo kishte një ushtri të fuqishme, por një ekonomi të dobët, nuk kishte besim në vetvete dhe nuk ishte e mirë në të menduarit strategjik” – thotë Davutoglu, i cili drejtonte Institutin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Beykent para se të merrej me punët e politikës.
Cüneyt Zapsu, një këshilltar i afërt i kryeministrit Erdogan do të thoshte para një viti se: “Një rol i ri pozitiv i Turqisë në botë, kërkon një pajtim me të kaluarën e vet, tejkalimin e tabuve shoqërore dhe një konceptim të ri pozitiv të identitetit turk. Ne jemi pasardhësit e Otomanëve dhe nuk duhet të kemi turp për këtë”. Kjo prirje për një ridimensionim të influencës së dikurshme, duket se vjen natyrshëm në politikën turke dhe kjo po ndihet në mjedisin ndërkombëtar prej kohe.
Pas rënies së BRSS lindi nevoja e rishikimit të rolit gjeopolitik të Turqisë dhe sot, Turqia është në transformim strategjik, nevojën për të cilin, Davutoglu në librin e tij e shpjegon në këtë mënyrë: “Të dalë nga strategjia e Status Quo […] Nën këtë qasje, Turqia duhet të ripërcaktojë pozicionin e saj […] dhe të fitojë një kuptimësi tjetër në kuadrin ndërkombëtar. Pozicioni i ri gjeopolitik i Turqisë, duhet parë si një mjet i hapjes graduale ndaj botës dhe si një transformim i influencës rajonale në një influencë globale.[…] Në fakt Turqia është një vend sa europian aq edhe aziatik, i Ballkanit dhe i Kaukazit, i Lindjes së Mesme dhe i Medheut.”
Interesant është një pikëshikmi i Davutoglut në vitin 1998, para se të botonte librin e tij “Thellësi strategjike”, e cila është pasqyruar në shkrimin e tij “Përplasje interesash: një shpjegim në lidhje me (ç)rregullin e ri botëror”. Që në titull ai ironizon-sqaron në lidhje me teorinë e shumëpërfolur të studiuesit amerikan Huntigton, e cila mori shtysë nga një artikull i këtij të fundit e u pasqyrua më pas gjerësisht në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rregullit-rendit të ri botëror”.  Ndër të tjera, në artikullin e tij të vitit 1998 Davutoglu shkruan:
“Analistët strategjikë janë ende të duke u përpjekur që të provojnë se zona e vendeve muslimane që shtrihen nga Turqia, Irani, Afganistani dhe Pakistani nëpër pesë ish-republikat sovjetike mund të kthehet në fondamentalizëm. Është interesante se i njëjti “rrip” islamik, ishte i inkurajuar nga SHBA-të gjatë kohës së Luftës së Ftohtë si një garanci për interesat strategjike të SHBA-ve kundër zgjerimit të Bashkimit Sovjetik. Paralelisht me këtë fenomen, Serbia është duke kërkuar bashkëpunim të gjerë nga Greqia në Ballkan, ndërsa Armenia është duke u përpjekur për të provokuar ndjenjat fetare të Fuqive të Mëdha të krishtera, në mënyrë që të fitojë mbështetje për ekspansionizmin e saj ushtarak kundër Azerbajxhanit. Në të njëjtën kohë Izraeli është duke i dhënë mbështetje Indisë kundër lëvizjeve masive në Kashmir dhe në Punxhab. Kohët e fundit, Vladimir Zhirinovski deklaroi për një “Kryqëzatë të Shenjtë” pan-sllave, kundër vendeve myslimane në rripin jugor të Rusisë, në të gjithë Ballkanin, Kaukazin dhe Azinë Qendrore. Kështu paragjykimi i plotë kundër botës myslimane, i cili është mbështetur nga një koncept i mbi-thjeshtuar mbi fondamentalizmin, mbulon një fondamentalizëm anti-Islam që provokon vendet fqinje të botës myslimane nga Maroku në Indonezi, nga Bosnja në Azinë Qendrore. Ky fondamentalizëm anti-Islam është arsyeja themelore se përse Komunitetit Europian nuk arriti të jetë pluralist dhe tolerant sa duhet, për të përmbushur premtimin e tij 35-vjeçar për të pranuar Turqinë (një vend i ndarë në analizën e Handington-it), si një shtet anëtar.”

“Shkarkojmë” në Shqipëri…

Këto zhvillime e transformime nuk prekin vetëm Turqinë. Greqia natyrisht që i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime, duke qenë se bëhet fjalë për kundërshtarin e saj historik. Shqetësimi dhe pse jo edhe frika e Greqisë ndaj fuqizimit të Turqisë, detyrimisht do të pasqyrohet edhe në marrëdhëniet që Greqia ka me Shqipërinë. Duke qenë se marrëdhëniet ndërkombëtare janë kryesisht marrëdhënie të fuqisë e të interesave – duke e zhveshur interpretimin nga emocionet – mund të themi se lëvizjet diplomatike e strategjike greke ndaj Shqipërisë janë skenarë të mirë-përgatitur të cilët synojnë arritje të objektivave të caktuara, ku fuqizimi i Greqisë dhe mbajtja e shtimi i influencës te fqinjët si Shqipëria e Maqedonia do t’i mundësonte asaj (Greqisë) që të përqëndronte energjitë në probleme më shqetësuese si p.sh. ai i kërcënimit të Egjeut.
Si masë mbrojtëse ndaj strategjisë turke, Greqia bllokon kërcënimet e mundshme që ajo mendon se “mund t’i vijnë nga veriu i saj” e konkretisht nga Shqipëria, duke e zhvendosur problematikën e marrëdhënieve në thellësi të territorit tonë, me qëllim frenimin e interesave shqiptare ndaj saj. “Fuqia e butë” greke e ushtruar nëpërmjet diplomacisë së saj dhe mekanizmave të tjerë, duhet thënë se është efikase ndaj Shqipërisë. Deklarimi i fundit i konsullit grek Teodoris Ikonomus për një popullsi “helene” korçare që na qenkësh çliruar nga grekët, është pjesë e strategjisë greke për shtimin e influencës greke në Shqipëri: “Dua të përshëndes gjithë popullin helen në qytetin e Korçës me rastin e 70- vjetorit të çlirimit nga fashizmi dhe me rastin e përvjetorit të krijimit të organizatës OMONIA. … Dua të uroj veç festës së krijimit të OMONIAS dhe çlirimit të Greqisë edhe çlirimin e Korçës në vitin 1940 nga pushtuesit fashistë.”
Në këtë mënyrë strategjia greke ngjan si një ripërsëritje e strategjisë që sugjeron Ahmet Davutoglu, në librin “Thellësi strategjike – Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë”: -“Vetëm shtetet që ushtrojnë ndikim përtej kufijve të tyre duke përdorur “fuqinë e butë” mund të mbrojnë veten e tyre vërtetë.” Greqia ndihet e kërcënuar nga shtimi i influencës rajonale dhe ekspansionit turk dhe ushtron mjetet e saj të “fuqisë së butë” me qëllim shtimin e influencës greke në Ballkan, sidomos në Shqipëri.
Deklaratat e bëra nga diplomatë grekë apo pjesëtarë të OMONIA-s e PBDNJ-së , varrezat greke në jug të Shqipërisë, çështja e ujërave dhe delimitimi i kufijve, çështja e regjistrimit të popullsisë, këngët plot urrejtje antishqiptare të ushtarëve grekë teksa parakalojnë para presidentit të tyre etj, janë të gjitha pjesë e një strategjie të menduar mirë e të peshuar saktë. Kjo strategji krahas shtimit të influencës greke, ka gjasa të ketë si objektiv edhe frenimin e fuqizimit të Shqipërisë duke bërë një politikë e cila ka synim kontrollin dhe dobësimin. Opinioni publik shqiptar këto zhvillime nuk i ka pritur kurrë pa indinjatë e pa një lloj mllefi – si puna e atij që i “hanë hakun” – por ky reagim emocional nuk është i mjaftueshëm për tu përballur me strategjinë greke. Një pjesë e mirë e politikanëve grekë kanë qenë pinjollë familjesh arvanitase(si edhe Ignati), por kjo gjë nuk i ka penguar që të bëjnë një politikë që ka shkuar shpeshherë ndesh me interesat shqiptare. Ata zbatojnë një strategji për hesap të shtetit të tyre. Po ne shqiptarët? Pavarësisht se nuk është aspak e lehtë, sot koha nxjerr si domosdoshmëri zbatimin e një strategjie mbarë-kombëtare shqiptare e cila të synojë fuqizimin e elementit shqiptar në Ballkan. Kjo strategji do të ishte krejt e natyrshme që të kishte të ndërthurura interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, shqiptarëve të Kosovës  dhe të shtonte në agjendën diplomatike çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të Greqisë: pronat dhe pasurinë e shqiptarëve të bllokuara nga Greqia dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të gjenocidit ndaj çamëve. Një strategji e tillë, që mund të quhej “strategjia e madhe”, nuk mendohet se mund të shkojë kundër interesave strategjike rajonale të partnerit strategjik kryesor për Shqipërinë, siç është SHBA. Sot është një kohë kur ndryshimet që po ndodhin duhen përshpejtuar nga vullneti i shqiptarëve. Pavarësimi e Kosovës është një ngjarje me një rëndësi të veçantë për tërë hapësirën shqiptare dhe nuk duhet humbur kohë për të ndërtuar politikën e duhur që të na shpjerë drejt një bashkimi kombëtar dhe një fuqizimi rajonal. Në fund të fundit shqiptarët nuk synojnë asgjë që të jetë moralisht apo ligjërisht e pamundur apo e gabuar. Synimi ynë është legjitim dhe aspak ekspansionist. Vonesat dhe mos organizimi ynë strategjik do u japin kohë e shanse më të mëdha atyre që historikisht – e pse mos të thuhet me sukses – kanë bërë një diplomaci agresive e ekspansioniste ndaj Shqipërisë: sllavëve dhe grekëve. Në këtë përplasje interesash, shqiptarët merren me emocione, ndërsa fqinjët (pa u merakosur fare nëse korçarët apo himarjotët janë helenë-qofshin dhe kinezë- për ta nuk do të kishte frenim strategjik) zbatojnë strategjitë e tyre me gjakftohtësi. E drejta është në anën tonë, por a kemi ne një strategji të zbatuar, apo thjesht sa mbushim gazetat me nota të irrituarish duke mos parë të vërtetën në sy: po tregohemi të paaftë për të menaxhuar pozitën gjeografike dhe momentin historik.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: