NSSM-200 Raporti Kissinger

May 10, 2010

NSSM-200 Raporti Kissinger

Nga: Albert Hitoaliaj


Rritja e popullsisë globale dhe ndikimet te siguria kombëtare e SHBA-së

Siguria Kombëtare, një çështje hormonale?!

• Hyrje• NSSM-200– Listë e personave dhe organizatave kryesore që qëndrojnë pas NSSM 200- Elementët strategjikë të NSSM 200• Analizë parë në këndvështrimin e gjeopolitikës• Përfundime• Literatura e shfrytëzuar

Hyrje

Në këtë punim do të paraqitet shkurtimisht ideja se si zhvillimet demografike ndikojnë në marrjen e vendimeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të shteteve të caktuar (konkretisht SHBA). A duhet të ketë limite për të mbajtur të pacënuar interesat dhe sigurinë kombëtare? Po të drejtat e individit, a janë pengesë për ruajtjen e inetersave kombëtare apo këto të fundit janë mbi gjithçka? Këto pyetje dhe të tjera do të jenë në thelb të shikimit dhe analizimit të shkurtër që i bëhet një Memorandumi për Sigurinë Kombëtare në SHBA, i cili deri në vitin 1990 ishte një dokument sekret i shtetit amerikan.

Bëhet fjalë për NSSM-200 “National Security Study Memorandum” [Memorandum Studimi i Sigurisë Kombëtare], që është realizuar i bazuar në kërkesën origjinale për pasqyrimin e politikave të popullimit botëror, bërë në 27 prill 1974 nga Sekretari i Shtetit Henry Kissinger i cili drejtoi edhe zhvillimet e punimeve në 10 dhjetor 1974.

NSSM-200, u adoptua si politikë zyrtare e SHBA-së nga presidenti Gerald Ford në nëntor 1975. Fillimisht ishte një dokument i klasifikuar e më pas, falë kërkesës së një gazetari u bë publik aty nga vitet ‘90.

Teza bazë e këtij memorandumi është se rritja e popullsisë në vendet pak të zhvilluara është një kërcënim për sigurinë e SHBA-së. Në këtë dokument përmenden vendet të cilët do të jenë në fokus të politikës së kontrollit të rritjes së popullsisë. Janë vendet të cilët kanë numrin më të madh të rritjes së popullsisë në botë. Natyrisht që materialet e këtij dokumenti kanë ngjallur debate, qoftë për mënyrën edhe për qëllimet që ka një shtet si SHBA. Po pse duhet parë kjo çështje si e lidhur me gjeopolitikën? Për shkak se popullsia dhe burimet njerëzore janë pjesë e asaj hapësire jetësore mbi të cilën do që të sundojë gjeopolitika. Parë në një shikim retrospektiv, NSSM-200 hedh dritë më tepër në lidhje me ato veprime shoqërore që shpesh duken të thjeshta, por që realisht kanë në vetvete veprime të mirëllogaritura. Aq të imta janë lëvizjet për ndërtimin e strategjive të fitoreve, sa që t’i thuash dikujt se: “Siguria Amerikane cenohet edhe nga mospërdorimi i kondomëve”, ky i fundit do të fillojë të qeshë pa fund. Por do të gabojë; sepse programe për përdorimin e kontraceptivëve janë diskutuar pikërisht nga figurat më të larta të Sigurisë Kombëtare Amerikane. Por, a është vetëm çështje hormonale?

NSSM 200

Çfarë është NSSM-200 ?

Në dhjetor 1974, pak pas konferencës së parë më të madhe për popullimin, organizuar nga KB në Bukuresht, Rumani, disa prej agjencive shtetërore më të mëdha amerikane, të përfshira në punët e jashtme, krijuan një raport të detajuar në lidhje me kontrollin e popullimit në vendet në zhvillim. Kontributet për këtë raport erdhën nga CIA, Departamentet e Shtetit, Mbrojtja, Agrikultura dhe Agjencia e për Zhvillim Ndërkombëtar. Të dhënat e tyre u gërshetuan brenda një raporti të vetëm me titullin “Ndërlikime të rritjes së popullsisë botërore, për sigurinë e SHBA-së dhe interesave të jashtme”. Studimi final, i cili është më shumë se 200  faqe i gjatë, mbulon shumë çështje, nga pikëshikimi i secilës agjenci që merrte pjesë. Shkurtimisht më poshtë jepen çështjet kryesore të këtij dokumenti me rëndësi historike.

Çfarë kuptimi ka termi “NSSM-200” ?

NSSM është shkurtimi i “National Security Study Memorandum” [Memorandum Studimi i Sigurisë Kombëtare] dhe numri 200 identifikon radhën në të cilën u përgatit. Kërkesa origjinale për pasqyrimin e politikave të popullimit botëror u bë në 27 prill 1974 nga Henry Kissinger. Studimi aktual, i cili mbulon 229 faqe tekst, prezanton një fazë të serisë koresponduese të NSSM-200 dhe u paraqit në 10 dhjetor të vitit 1974. Ai u bë udhërrëfyesi zyrtar i politikës së jashtme në 26 nëntor 1975, kur një Memorandum Vendimmarrje i Sigurisë Kombëtare (NSDM-314) u firmos duke nënshkruar e vërtetuar përfundimet e studimit.

Kush aktualisht ishte përgjegjës për këtë studim?

NSSM-200 u përgatit nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë (National Security Council, NSC), i cili është niveli më i lartë i komandimit në qeverinë e SHBA-së. NSC drejtohet nga presidenti i SHBA-së e Këshilltari i tij për Sigurinë dhe qëllimi i tij është që të koordinojë veprimet e jashtme të së gjitha degëve ekzekutive të qeverisë amerikane.

A është NSSM-200 akoma në fuqi?

Teknikisht vazhdon të jetë. NSSM -200 mbetet strategjia zyrtare për popullimin, derisa të zëvendësohet me një tjetër të së njëjtës rëndësi. Gjithsesi, implementimi i saj dallon nga një administratë në tjetrën. Jimmy Carter p.sh. Tregoi në mënyrë të dukshme më pak interes në grafikët e rritjes së popullsisë se sa paraardhësit e tij, Nixon dhe Ford. Ndërsa administrata e Reganit mbajti një qëndrim të ndryshëm. Fakti se fondet për kontrollimin e rritjes së popullsisë u shtuan shpejt dhe në mënyrë dramatike gjatë viteve të Bushit e të Reganit, nuk tregon detyrimisht një direktivë të re të NSC.

Pse NSSM-200 u zbulua vetëm në vitin 1990?

NSSM 2000 ishte klasifikuar fillimisht si një dokument sekret, gjë që do të thotë që as publiku amerikan e askush nga popullsitë e vendeve të cilët trajtoheshin në raport nuk duhet të kishin dijeni për këtë dokument. Një skedë de-klasifikimi, që duket edhe në kapakun e autorizuar, u lëshua aty nga mesi i vitit 1989. E megjithatë dokumenti nuk u bë publik deri një vit më pas, kur i’u dha Arkivave Kombëtare të SHBA-së si përgjigje e një kërkese që kishte bërë një gazetar, që po punonte për një projekt që kishte lidhje me Afrikën.
Pse u mbajt studimi, për kaq kohë si konfidencial?

Është e vështirë që të përkrahësh kontrollin e lindjeve në një sferë kaq gjigante derisa pjesmarrësit të jenë të bindur se kjo që po bëhet, është për të mirën e tyre. NSSM-200, në anën tjetër, bën të ditur se qëllimi i kontrollit të rritjes së popullsisë ishte që t’i shërbehej interesave strategjike, ekonomike dhe ushtarake amerikane ndaj shpenzimeve të vendeve në zhvillim. Ky rrëfim, në mënyrë të veçantë nëse do të ishte nxjerrë në një moment të parakohshëm, do të shndërronte qëllimet e programit në bardhë e zi. Në fakt, data e de-klasifikimit në memorandum nuk do të ishte nevojshmërisht detyrim për deklasifikim dhe NSC mund të kishte vazhduar ta mbante këtë studim larg syve të publikut. Por në vitin 1990, të paktën dy ndryshime të rëndësishme kishin ndodhur. Së pari rekomandimet e studimeve që përkrahnin politikat e reduktimit të popullsisë në shtetet që merrnin ndihmë, ishin kryer. Dhe së dyti, SHBA kishte zgjedhur Xhorxh Bushin, një ish-drejtor i  CIA-s, në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1998, gjë që mund të tregojë se publiku amerikan ishte bërë më tolerant ndaj aktiviteteve që duhet të mbulonin politikat e jashtme.

Cilën popullsi donin të kontrollonin këshilluesit për Sigurinë?

Rekomandimi për të reduktuar lindshmërinë duhet të aplikohej vetëm në botën në zhvillim (bëhet fjalë për shtetet e pazhvilluar kryesisht ose ata që janë në zhvillim e sipër). Gjithsesi, NSSM-200 konstaton gjithashtu se 13 shtete të “interesave strategjike dhe ekonomike, speciale të SHBA-së” do të ishin shënjestrat kryesore. Ata janë:  India, Brazili, Egjipti, Nigeria, Indonezia, Filipinet, Bangladeshi, Pakistani, Meksika, Tailanda, Turqia, Etiopia dhe Kolumbia (faqe 15-NSSM-200).
Cilat ishin çështjet kryesore mbi popullimin, të studimit NSSM 200 ?

NSSM-200 konstaton se rritja  e popullsisë në vendet në zhvillim kërcënon sigurinë e SHBA-së në katër drejtime kryesore:

I- Sigurisht, shtetet me popullsi të shumtë fitojnë pushtet të konsiderueshëm politik e influencë, falë popullsisë së tyre dhe rritjes së saj.

II- SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë kanë një interes jetësor mbi materialet strategjike të cilat importohen prej shteteve të pazhvilluara.

III- Shoqëritë më lindshmëri të lartë kanë një numër të madh të rinjsh, të cilët janë më sfidues ndaj strukturave globale të pushtetit seç janë ata më të vjetrit.

IV- Rritja e popullsisë në ato vende relativisht të pafavorshëm, do të përbënte një rrezikim të investimeve amerikane.

Cilat vende do të përfitonin politikisht nga rritja e popullsisë?

Memorandumi citon Brazilin si një shembull. Brazili “qartësisht dominon demografikisht kontinentin”, thotë raporti, duke theksuar se Brazili mund të kapërcejë numrin e qytetarëve amerikanë aty nga fundi i shekullit. Kështu, ai parashikon një “pushtet në rritje për Brazilin në Amerikën Latine dhe në skenën botërore gjatë 25 viteve në vijim”, nëse programet e kontrollit të lindshmërisë nuk do të kishin sukses (faqe 22). Nigeria po ashtu, jepet si shembulli i një vendi i cili mund të përfitojë nga rritja e popullsisë. “Duke qenë vendi me rritje popullsie me të shpejtë në botë, me një vlerësim prej 55 milionë banorësh në 1970, popullsia e Nigerisë projektohet të arrijë në 135 milionë”, thotë ky raport. “Kjo sugjeron një rritje të politikës dhe rolit strategjik të Nigerisë, të paktën në Afrikën jugore dhe Sahara” (faqe 21).

Si mund ta ndihmojë Perëndimin, kontrolli i rritjes së popullsisë, në drejtim të sigurimit të mineraleve?

Studimi shpjegon pikësëpari se lokalitetet e njohura të rezervave më të mëdha të mineraleve, shtojnë varësinë e vendeve më të industrializuara ndaj vendeve më pak të zhvilluara, për shkak të importit të mineraleve nga këto të fundit. Problemi i vërtetë i mineraleve nuk qëndron në mungesën fizike të këtyre të fundit, por në çështjet politiko-ekonomike të aksesit, kushtet e përdorimit e të eksplorimit dhe ndarjes së fitimeve ndërmjet prodhuesve, konsumatorëve dhe qeverive të shteteve që i kanë mineralet (faqe 37). Atëherë raporti këshillon, “…ekonomia e SHBA-ve do të kërkojë sasi të mëdha mineralesh që janë nëpër botë, veçanërisht prej vendeve më pak të zhvilluara. Ky fakt i shton interesimin amerikan ndaj politikës, ekonomisë dhe stabiliteti shoqëror të këtyre vendeve. Në momentin ku, një kontroll i rritjes së popullsisë nëpërmjet uljes së numrit të lindjeve, mund të sjellë shpresën e një stabiliteti të tillë, atëherë politika e popullimit bëhet e përshtatshme për burimet e rezervave të ndryshme dhe për interesat ekonomike të SHBA-së” (faqe 43).

Ç’lidhje ka popullsia me moshë të re më të?

Të rinjtë, historikisht kanë qenë avokatët e ndryshimeve dhe janë më të prirë për t’u përballur me imperializmin. NSSM-200 citon një mesazh nga Banglandeshi për të dhënë këtë ide: “Bangladeshi është tashmë një mbështetës i pozitave të botës së tretë, duke përkrahur koncesionet dhe tregtinë e gjerë të vendeve të varfra. Nëse problemi i tij rritet dhe mundësia për të fituar asistencë dështon, për të mbajtur paqen, pozicioni i Bangladeshit në çështjet ndërkombëtare do të radikalizohet pashmangshëm në të kundër të interesave të SHBA-së, në pjesën më të madhe çështjeve…”(faqe 80)

Si preken interesat e investimet tregtare amerikane nga lindjet në vende të ndryshme?

Dokumenti nxjerr si çështje, se rritja e popullsisë sjell edhe rritjen e nevojave të tyre. Kështu, ai paralajmëron se në këtë mënyrë do të rritet edhe kërkesa ndaj investitorëve të huaj. Nën situata të tilla, korporatat perëndimore “…ka shumë mundësi që të shpronësohen ose të jenë subjekt i ndërhyrjeve arbitrare”. Raporti shton se kjo mund të jetë një rrjedhojë e “një veprimi shtetëror, konflikti për punë, sabotimi ose turbullirash civile”, dhe arrin në përfundimin se: “Ndonëse presioni i shtimit të popullsisë është qartësisht jo i vetmi faktor i përfshirë, këto tip dështimesh janë shumë më pak të ngjashme nën kushtet e rritjes së ulët apo zero të popullsisë”. (faqe 37-38)

A mendojnë realisht amerikanët, se mund t’i shpëtojnë atij?

NSSM-200 në mënyrë të përsëritur bën me dije për dyshimet rreth motiveve të SHBA-së që mund të kenë vendet në zhvillim (LDC: less-developed country) e drejtuesit e tyre dhe rekomandon një strategji për trajtimin e këyre reaksioneve. “Është jetësore përpjekja e zhvillimit dhe e fuqizimit të një angazhimi prej drejtuesve të vendeve në zhvillim, të mos shihet nga ata si politika e një vendi të industrializuar që përpiqet të ulë ose të përdorë burimet në dobi të përdorimit nga vendet e “pasura”” thotë studimi. “Zhvillimi i një perceptimi të tillë mund të krijojë një reagim seriozisht të ashpër e të kundërt me çështjen e stabilizimit të popullimit…”(faqe 114). Në faqen tjetër shtohet: “SHBA mund të ndihmojë në minimizimin e përgjegjësive të një motivimi imperialist pas mbështetjes së aktivitetit të popullimit, duke pohuar në mënyrë të shpeshtë se një mbështetje e tillë rrjedh nga një shqetësim  për : (a) e drejta e individëve për të përcaktuar lirisht dhe në mënyrë të përgjegjshme numrin dhe hapësirën e fëmijëve të tyre… dhe (b) zhvillimi themelor ekonomik dhe shoqëror i vendeve të varfra…”(faqe 115).

Si do të ndiqen qëllimet e NSSM-200?

Si shtesë për synimin e pafavorshëm e indinjues ku duhet “siguruar në mënyrë të përsëritur”  se kontrolli mbi lindjet bëhet për qëllime zhvillimi, shkruesit kërkojnë që Kombet e Bashkuara (KB) dhe institucione të tjera ndërkombëtare të përdoren si fasadë për të fshehur përfshirjen e SHBA-së. Ata sjellin prova se SHBA duhet të “përgatisë programet e familjarizimit në zyrat e KB në New York për ministrat e qeverive, politikanët e lartë dhe liderët influentë”(faqe 20-21). Në disa vende, raportohet se “Asistenca e SHBA-së është e limituar për shkak të natyrës së marrëdhënieve diplomatike e politike…ose për pamjaftueshmëri të një intersi të fortë qeveritar mbi programin e reduktimit të rritjes së popullsisë (p.sh Nigeria, Etiopia, Meksika, Brazili).” Në këto raste do të ishte mirë që të kanalizohej asistenca nëpërmjet “donatorëve të tjerë dhe nga organizata ndërkombëtare private [shumë prej të cilave marrin kontribute nga AID (Agjencia Amerikane për Zhvillim)]” (faqe 127-128).

A përmend NSSM-200 politika të detyrueshme për popullimin?

E bën këtë gjë në mënyrë të qartë fare. Ai rekomandon p.sh, që Banka Botërore të marrë drejtimin. “Përfshirja e Bankës në këtë zonë do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim”(faqe 48. Studimi gjithashtu këshillon se qeveria e SHBA-së ka luajtur “një rol të rëndësishëm në krijimin e fondeve të Kombeve të Bashkuara për Aktivitetet e Popullimit (UNFPA), që të jetë një pararendëse për përpjekjet e popullimit, si një veprim bilateral i AID dhe vendeve të tjera donatore” (faqe 121). Dhe ai thotë se “më një angazhim më të madh të rezervave të Bankës dhe këshillimin e dhënë nga AID dhe UNFPA, do të bëhet një shtypje më e fortë në problemin e përgjithshëm”(faqe 149.)

Veç kësaj raporti shpall se “programe të detyrueshme mund të jenë të nevojshëm dhe se ne duhet t’i marrim në konsideratë këto mundësi tani”(faqe 118). Gjithashtu ai pohon se  tashmë ka “disa precedentë të stabilizuar për të marrë parasysh planifikimin familjar në vlerësimin e asistencës së nevojshme” dhe arrin në konkluzion se “duhet llogaritur se çfarë hapash një shtet duhet të marrë në kontrollin  e popullimit po ashtu si dhe në prodhimin e ushqimit. Në këtë marrëdhënie të ndjeshme, gjithsesi, është e rëndësishme si mënyra edhe substanca e shmangies së shfaqjes së shtrëngimit ”(faqe 106-107).

Në lidhje me propogandën?

NSSM-200 përqendrohet kryesisht në përpjekjen për të drejtuar qeverinë drejt adoptimit të politikës së popullimit kundër njerëzve të vet. Në këtë kontekst, ai thotë se zyrtarët diplomatikë dhe të ambasadave të SHBA-së duhet “të jenë të kujdesshëm ndaj mundësisë së shpërndarjes së asistencës tonë dhe të demonstrojnë ndaj liderëve të tyre pasojat e rritjes së shpejtë të popullsisë dhe të mirat e veprimeve të uljes së  lindshmërisë”(faqe 128). Ai gjithashtu vë në pah: “Pati një shtangie të përgjithshme (në 1974 në Konferencën e Bukureshtit për Popullimin) dhe Plani u bë subjekt i një ndeshje të ashpër, një sulmi të drejtuar nga Algjeria me mbështetjen e disa vendeve afrikane; Argjentina, mbështetur nga Uruguai, Brazili, Peruja dhe disa vende të tjera të Amerikës Latine; vendet e Europës Lindore (pa Rumaninë); Republika Popullore e Kinës…”(faqe 86-87). Kështu, studimi thekson domosdoshmërinë për të bindur udhëheqësit e huaj që të hedhin poshtë kundërshtimet e tyre: “Besimet, ideologjitë dhe idetë e gabuara të shfaqura nga shumë vende në Bukuresht, tregojnë me shumë forcë se kurrë për nevojën për edukim të drejtuesve të shumë qeverive, veçanërisht në Afrikë dhe në disa vende të Amerikës Latine. Afrimi ndaj liderëve të këtyre vendeve duhet dizajnuar bazuar në besimet e tyre dhe në shqetësimet e tyre”(faqe 96).

Po në lidhje me mas-median?

Në kohën që NSSM-200 u shkrua, politikanët amerikanë dhanë vetëm ide kalimtare për operacionet propogandistike, duke arritur në konkluzione se ky kurs veprimi do të ishte shumë i vështirë dhe shumë i diskutueshëm. “Përtej përpjekjes për të ndikuar liderët kombëtarë e të përmirësimit të mbështetjes nga bota e tërë për çështjen që ka lidhje me popullimin, duhet të shtojmë theksimin në mas-media dhe në programe të tjera edukimi e trajnimi nga UN, USIA dhe USAID”, thotë memorandumi ish-sekret. “Ne duhet t’i japim një prioritet më të madh programeve tanë mbarëbotërorë të informimit për këto zona dhe të marrim në konsiderim ekspansionin e masave bashkëpunuese me institucionet multilaterale, për programet edukuese të popullimit” (faqe 117).

Por ai gjithashtu vë në dukje edhe rrezikun: “ Së pari ka një lloj ndjeshmërie të shpërndarë në të gjitha LDC-të, për sa i përket emisioneve satelitore, shprehur më fuqishëm në Komitetin Hapësinor në UN. Shumë vende nuk duan lidhje ose emisione satelitore të fqinjëve të tyre, pasi i tremben një propogande të keqe dhe armiqësore. Eksperienca e NASA-s sugjeron që SHBA duhet ta trajtojë me shumë butësi diskutimin e asistencës për përmbajtjen e programit” (faqe 191).

A është NSSM-200 i vetmi dokument i rëndësishëm politik në lidhje me prirjet e popullimit?

Sigurisht që jo. CIA ka pasur një nën-komitet për çështjet e popullimit të paktën që në vitin 1950. Në 40 vitet e shkuara, qindra raporte janë përgatitur nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit, CIA dhe të tjerë, në lidhje me kontrollin e popullimit dhe Sigurinë Kombëtare të SHBA-së. Shumë prej tyre, mbeten pjesërisht ose plotësisht të klasifikuar. Për të dhënë vetëm një shembull, mjafton të përmendim një raport të shkurtit 1984 të CIA-s të quajtur “Lindje e Mesme-Azia Jugore: problemet e popullimit dhe stabiliteti politik”, që paralajmëron se: “1/4 deri në 1/3 e popullsisë të gjithë Lindjes së Mesme dhe vendeve të Azisë Jugore është në politikisht shpërthyese ”e grupeve 15-24 vjeçare, si një pasojë e rritjes së lartë të popullsisë në vitet 1950 dhe 1960. Këta të rinj do të jenë gati për t’u bërë rekrutë për kauza të kundërta si p.sh fondamentalizmi islamik, i cili aktualisht ofron parajsën ideologjike për rininë myslimane.” Një studim i ngjashëm i bërë në vitin 1988 për Pentagonin njofton për planifikim në nivele të larta sigurie, për garantimin se planifikimit të popullimit i është dhënë statusi i zhvillimit si armë (“Global Demographic Trends to the Year 2010: Implications for U.S. Security”). Gjithashtu një raport i vitit 1991 në një konferencë të U.S.ARMY paralajmëron se prirja aktuale e uljes së lindshmërisë në vendet e zhvilluara dhe rritja e shpejtë e popullsisë në vendet në zhvillim në hemisferën jugore, nxjerr në pah kërcënime serioze në lidhje me “rendin politik ndërkombëtar dhe në ekuilibrin e pushtetit botëror”. Dokumenti i ribotuar nga Punët e Jashtme, në 1991 nën titullin “Ndryshimi i popullsisë dhe siguria kombëtare”, thotë se: “këto ndryshime mund të krijojnë një mjedis ndërkombëtar edhe më kërcënues për aleancën Perëndimore, edhe se ç’ishte Lufta e Ftohtë për brezat e shkuar.”

Llogaritje dhe diskutimet e tilla të shërbimeve të inteligjencës dhe ushtarakëve, nuk e ndryshojnë rëndësinë e NSSM 200, por gjithsesi ato thjesht rifreskojnë mesazhin e tij me kërcënimet e reja që lindin.

Listë e personave dhe organizatave kryesore që qëndrojnë pas NSSM-200

Më poshtë jepet një listë e personave dhe organizatave që kanë rol kryesor në formulimin dhe aplikimin e NSSM-200

Personat

Henry Kissinger, ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe Sekretari i Shtetit i SHBA. Ai ishte nismëtari i NSSM 200. Personi që ka luajtur rolin më të madh ne politikën e jashtme amerikane, përfshirë edhe atë të kontrollit të popullimit.

Richard Nixon (1913-1994), Presidenti i 37-të i SHBA (1969-1974), nën autoritetin e të cilit u krijua e aprovua NSSM-200.

Thomas Maltus, autori i vitit 1798 i një punimi të njohur “Ese në lidhje me parimin e popullimit ”, i cili ngre si shqetësim mbipopullimin e botës. “Ndërsa popullsia rritet gjeometrikisht, ushqimi rritet vetëm në mënyrë aritmetikore”, sipas Maltusit. Gjithsesi teoria e tij deri tani është hedhur poshtë.

Margaret Sanger, themeluesja e Shoqatës Amerikane për Kontrollin e Lindjeve [American Birth Control League (ABCL)] që më vonë do të jetë IPPF (Planned Parenthood Federation), ose promotori më i fuqishëm dhe më influent i aborteve. Shikohet si një ikonë nga aktivistët e të drejtës së abortit.

Paul Ehrlich, themeluesi i teorisë “Rritja Zero e Popullsisë” dhe një prej më influencuesit përsa i përket kontrollit të rritjes së popullsisë. Ka predikuar (gabim) se në 1985 SHBA do të përfshihet nga një krizë për ushqim. Ka akoma shumë ndjekës të tij.

Werner Fornos, presidenti i “Instituti i Popullimit”. Një njeri që ka dhënë alarmin për rritjen e popullsisë në botë. Është akuzuar edhe për dhënie statistikash të rreme.

Timothy Wirth, ish-Nënsekretari i Departamentit të Shtetit, një prej ithtarëve në përpjekjet e fushatave për përdorimin e kondomëve si masë parandaluese për shtimin e popullsisë dhe të AIDS.

Organizatat

UNFPA, (Fondet e KB për Popullimin), një prej organizatave kryesore që drejton kontrollin e shtimit të popullsisë. Roli i saj, komentohet shumë prej rrymës së kundërt, e cila sjell si fakte ndër të tjera edhe implikimin e UNFPA –së në programin kinez për abortin e detyruar dhe në strerilizimin e detyruar në Peru.

USAID, Agjencia e SHB për Zhvillim Ndërkombëtar, ishte një prej bashkëpunëtorëve kryesorë në shkrimin e NSSM-200. Sot është shumë aktive në promovimin e kontrollit të shtimit të popullsisë në vende të tilla si Peru dhe Uganda.

PPFA, Federata e Planifikimit Familjar të Amerikës, është mbështetësja më e madhe amerikane e të drejtës për të abortuar, me rreth çerek milion procedura të kryera çdo vit. E krijuar nga shteti, ajo mund të quhet fare mirë avokati i kësaj të drejte në SHBA.

IPPF, Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Familjar, e cila është përkrahësja më e madhe botërore e abortit.

Klubi i Romës, që në vitin 1972 kreu një studim “Kufizimi i shtimit” i cili përkrahte pikëshikimin e Maltusit dhe konkludonte se shek. 21 do të ishte një  katastrofë urie dhe një pakësim energjie, për shkak të rritjes së popullsisë. Por, sipas llogarive popullsia pritet të ketë ulje ndërsa ushqimi mendohet të ketë shtim prodhimi ose së paku qëndrim në nivelet aktuale.

UNICEF-i, (Organizata e Kombeve të Bashkuar e Financimit për Fëmijët) dhe WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë) janë përmendur shpesh herë në NSSM 200, si agjenci bashkëpunimi për planifikimin familjar në vendet në zhvillim. ËHO dhe UNICEF do të jenë lider në Planin e Veprimit për Popullimin Botëror, sipas NSSM 200. UNICEF ndihmoi drejtpërdrejt UNFPA në përfshirjen e saj në programin e abortit të detyrueshëm në Kinë dhe i dha edhe çmim Kinës si vendi më “bebi-dashës” në botë.

Banka Botërore e UN, e cila përmendet nga NSSM-200 për stabilizimin e shërbimeve të planifikimit familjar.

Elementët strategjikë të NSSM-200

Më poshtë tregohen shkurtimisht  elementët e planit NSSM-200 dhe strategjia e tij

(1) SHBA ka nevojë për akse te rezervat minerare botërore të vendeve në zhvillim

(2) SHBA rrezikon thithjen normale të rezervave nëse qeveritë e vendeve në zhvillim kanë konflikte pune, sabotime, turbullime shoqërore etj të cilat shumëfishohen po të rritet popullsia

(3) Popullsia e re është më sfiduese ndaj strukturave të pushtetit botëror

(4) SHBA duhet të angazhohet në kontrollin e shtimit të popullsisë, nëpërmjet drejtuesve të vendeve në zhvillim, duke anashkaluar vullnetin e lirë të popullsive në përzgjedhjen e programeve.

(5) Elementët kritikë të implementimit përmblidhen në :

– Identifikimin e shënjestrave kryesore, që janë 13 shtete të cilët paraqesin rreth gjysmën e shtimit të popullsisë globale.

– Abortimi

– Programimi i rritjes së sterilizimit, kontrollit të lindjeve, aborteve

– Përpunimi i ideve nëpërmjet shpërndarjes së propogandës anti-lindshmëri

– Edukimi seksual që i shtyn çiftet të kenë familje të vogla e mirëplanifikuara

– Gërshetimi i shpërndarjes së ndihmave ushqimore me programet e uljes së shtimit të popullsisë.

(6) Në të gjithë implementimin e këtij programi, SHBA duhet të fshehë gjurmët dhe të shfaqë këtë program si altruizëm. Në të kundërt do të kishte përplasje të ashpra. Duhen bindur liderët e këtyre vendeve në zhvillim se qëllimi është në të mirë të tyre, jo në të kundërt.

~~~~()~()~()~()~()~()~()~~~~~

Analizë parë në këndvështrimin e gjeopolitikës

Politika, mund të shihet në dy këndvështrime:

a) ajo që duhet bërë

b) ajo që është (relativisht) e drejtë të bëhet

Kjo është edhe mënyra në të cilën mund të shihet NSSM-200. Mund ta shikojmë atë si një politikë të suksesshme për të mbrojtur interesat kombëtare amerikane, por mund t’a shikojmë edhe si një hipokrizi totale, ku shteti në emër të ndihmës shfrytëzon besimin e individëve dhe shkel të drejtat e njeriut. Duke cituar disa fragmente nga libri “Gjeopolitika” i Carlo Jean, do të shohim nëse kjo politikë përshtatet disi me mendimet e këtij të fundit për gjeopolitikën dhe zhvillimin e saj.

“Paqja dhe lufta nuk janë dy realitete të kundërta, por të afërta. Ato dallojnë nga njëra tjetra, vetëm nga mjetet me të cilat shtetet arrijnë objektivat e tyre.” [“Gjeopolitika”, faqe 86]

Nga sa del në këtë citim, duket qartë se çdo shtet është në një luftë të vazhdueshme, edhe pse mënyrat me të cilat lufton duhet te kenë gjithmonë një maskë në të cilën të pasqyrohen të drejtat e njeriut, respektim i pakteve etj. Por pavarësisht se ndryshojnë mënyrat, në luftë synimi kryesor është mbijetesa, fitorja. Nëse do të jepnim një përgjigje për NSSM-200, ajo do të ishte: “Politikë e suksesshme, në mbrojtje të interesave kombëtare”. Në këtë logjikë amerikanët kanë bërë atë që ndoshta do të bënin edhe të tjerët.

“Sipas Kjellenit, në gjeopolitikë integrohen për të bërë një unitet organik të vetëm popullsia, terreni, shoqëria dhe rregullsia institucionale.” [“Gjeopolitika”, faqe 45]

Kontrolli mbi popullsinë gërshetuar me platformën institucionale që ka në themel interesin kombëtar, është ajo që shikohet edhe në NSSM-200. Kjellen nuk mund të dinte se çfarë do të kishte ndër mend të bënte Kissingeri në 1974, por përfundimi i të dyve duket disi i ngjashëm. Njëri teorizoi për gjeopolitikën, ndërsa tjetri e zbatoi.

“Friedrich Ratzel, themeluesi i gjeografisë politike e koncepton njeriun e natyrën si përbërës të një procesi unik teknologjik, proces në të cilin si njeriu si natyra luajnë një rol thelbësor.” [“Gjeopolitika”, faqe 42]

Po ashtu edhe Ratzel, në konceptimin e tij për njeriun dhe natyrën, le të themi se bie dakord me parimin e zbatuar në përpilimin e strategjisë NSSM-200. Interesat amerikane për burimet minerare dhe për burimet njerëzore, pasqyrohen pikërisht te procesi teknologjik që përmend Ratzel.

“Çdo popull ka nevojë për hapsirë. Pikërisht nga kjo rrjedhin konfliktet midis popujve të ndryshëm dhe prirjet për ekspansion territorial, i cili paraprihet gjithmonë paraprakisht nga ekspansioni tregtar.” [“Gjeopolitika”, faqe 43]

Me këtë përfundim, Carlo Jean, është drejtpërdrejt dakord me kërcënimin që ndienin amerikanët ndaj sigurisë së tyre kur parashikonin në vitin 1974 se rritja e popullsisë globale do të ishte në dëm të interesave kombëtare dhe të sigurisë kombëtare.

“Gjeopolitika përbën skeletin ose “trupin” e shtetit që jeton në sajë të së pasurit të një shpirti e të një mendjeje. Këtyre u korrespondojnë edhe disa kategori analitike, të cilat ndahen në nënkategori:“demopolitika” (që përfshin etnopolitikën që ka të bëjë me kombësinë dhe madhësinë e popullsisë) dhe “psikopolitika” (që merret me karakterin dhe vlerat e popullit); “ekopolitika”; “autarkipolitika”; “ekonomopolitikën” etj.” [“Gjeopolitika”, faqe 45]

I tillë është edhe kategorizimi i mësipërm që ka lidhje me gjeopolitikën, ku demopolitika është pikërisht ai sektor në të cilin është përqendruar edhe NSSM-200; pavarësisht se intersi i kësaj politike është dobësimi i fuqive të tjetrit për të mos cenuar veten.

“Në të vërtetë, sa më i madh të jetë largimi nga debati publik i interesave kombëtare, aq më shumë interesat do të përcaktohen në mënyrë të detyrueshme dhe antidemokratike. Nga ana tjetër, kërkimi i unanimitetit me çdo kusht do të çonte në mosveprim.”[“Gjeopolitika”, faqe 82]

Ky paragraf shërben më së miri, për të bërë të qartë se përse u mbajt larg publikut kjo politikë. Megjithatë ky është vetëm një prej shkaqeve se shkaku kryesor është, që politika  e jashtme e ndikuar nga NSSM-200 nuk do të kishte sukses nëse do të ishte e hapur.

“Interesat janë të ndryshme në kohë të ndryshme. P.sh. në periudhën e Luftës së Ftohtë, Bota e Tretë, kishte një rëndësi të madhe strategjike dhe politike. Tani ajo po shihet me sy negativ për shkak të “shpërthimit” të saj demografik, problem ky që mbart me vete rrezikun e emigracionit masiv.” [“Gjeopolitika”, faqe 84]

“Për shkak të çrregullimit demografik që është krijuar prej kohësh e që nuk mund të rregullohet më një rritje të thjeshtë të treguesve të lindjeve, për mbijetesën e kombit italian është më se e domosdoshme të planifikohet rindërtimi i bazës demografike dhe të bëhet kujdes edhe për dhënien e të drejtës së qytetarisë të emigrantëve, duke përzgjedhur prej tyre më të mirët…” [“Gjeopolitika”, faqe 137]

Në këtë fragment Carlo Jean duket se bie dakord me politikën e NSSM-200, pasi nxjerr si parësore popullsinë dhe planifikimin e saj, pavarësisht se qëllimet e tij nuk janë burimet minerare apo stabiliteti i shteteve të ndryshëm që mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të Italisë, ai përsëri nxjerr si emergjente nevojat e planifikimeve demografike në ndihmë të vendit të tij.

Le të themi që deri këtu pamë atë pjesë të politikës, e cila duhet bërë. Ajo që nuk merr parasysh asgjë, përveç interesave kombëtare dhe luftës për të qenë i pari, pavarësisht kostove dhe hapave që duhet të hedhësh. Por kjo nuk është e vetmja logjikë veprimi. Madje mund të themi se kjo fshihet e kamuflohet nën mënyrën që do të përmendim më poshtë, nën mënyrën se si është e drejtë të bëhet politikë. Në këtë drejtim kundërshtarët kryesorë të politikës janë mediat, organizatat e ndryshme, persona që kërkojnë ndryshimin e realitetit etj.

“Për rreth një shekull SHBA ka shpërndarë ndihma në vendet që janë në zhvillim, në ato vende që vuajnë urinë, luftën apo katastrofat natyrore. Pavarësisht nga zemërgjerësia e SHBA-së, imazhi i saj në botën në zhvillim ka vuajtur shumë 30 vitet e fundit. Disa analistë e shpjegojnë këtë me e njëanshmërinë amerikane, ndërsa të tjerë e shpjegojnë me faktin se SHBA është 1/16 e popullsisë botërore dhe konsumon 1/3 e rezervave botërore. Duhet të pyesim veten si ndikon SHBA në jetën e këtyre miliona njerëzve në vendet në zhvillim?”

Kjo analizë është pjesë e mendimeve të asaj rryme e cila kërkon një politikë  të bërë në mënyrën e drejtë, bazuar te drejtësia dhe respekti i lirive e të drejtave njerëzore.

“NSSM-200 jo vetëm që përkrah një dhunim jo-amerikan të së drejtave të milionave njerëzve, por është bërë edhe një simbol i mendimit imperialist si “një kolonizim i ri”.

Në këtë analizë të organizatës “Human Life International” jepen shembuj e fakte të cilat tregojnë qartë se si NSSM-200 është në kundërshtim me ato parime në të cilat beson një shoqëri e lirë e demokratike.

“Deri tashmë, që nga viti 1965 janë shpenzuar 20 bilionë dollarë për të kontrolluar numrin e fëmijëve që lindin në vendet në zhvillim duke financuar abortet, sterilizimet dhe kontrollin e lindjeve nën ombrellën e “shërbimeve të planifikimit familjar” dhe “riprodhimit të shëndetshëm”. Shumë organizata të themeluara nga SHBA kanë bërë edhe abuzime mbi të drejtat e njeriut, bazuar në atë që sapo përmendëm më sipër, programet për “planifikimin familjar”.

Popullsia e botës nuk po rritet aq katastrofikisht sa duket. Madje Europa ka një plakje të dukshme të popullsisë. Vendet europiane kanë nevojë për popullsi të re. Për të dhënë një shembull, mjafton të përmendim fushatën në Francë “La France a besoin des enfants” [Franca ka nevojë për fëmijë] në vitin 1986. Fushata dështoi sepse niveli i lindshmërisë nuk u rrit. Nga 1.8 fëmijë për grua në vitin 1986, ai është 1.7 fëmijë për grua në vitin 1987. Pra është ulur edhe pse Franca ka nevojë për popullsi të re.

Po ashtu edhe Gjermania, në vitin 1994, në shtetin e Brandenburgut, u ofrua shuma prej 650 dollarësh për të gjithë ata banorë që do të kishin fëmijë, por kjo nuk solli as ndryshimin më të vogël në përqindjen e lindshëmrisë së popullsisë. Kjo nuk është për tu habitur pasi njerëzve ka dekada të tëra që u është thënë se të rritësh një fëmijë duhen me qindra e mijëra dollarë. Wolfgang Jahmer, drejtori i programit në Schwerin, Gjermani u shpreh në atë kohë: “Kemi frikë se pema e jetës mund të bjerë”.

Por edhe pse jetojmë në të njëjtën botë, realitet nga një shtet në tjetrin janë tërësisht të ndryshme. Pamë se vendet europiane kërkonin të kishin rritje të lindjeve ndërsa më poshtë po përmendim shembuj të rasteve të kundërta.

Në Peru gjatë viteve 1995-1997, thuajse një çerek milion gra u sterilizuan, si pjesë e një programi që e vuri në zbatim presidenti i atëhershëm Alberto Fujimori, me qëllim planifikimin familjar.

Edhe pse fushata u quajt “Fushatë vullnetare contraceptivësh kirurgjikalë”, shumë prej atyre grave u sterilizuan jashtë vullnetit të tyre. U raportuan abuzime mbi të drejtat e njeriut:

Disa grave të varfëra i’u dha ushqim falas në shkëmbim të sterilizimit.

Disa gra të tjera që kishin fëmijë nën peshë e që ishin në programet e asistencës me ushqim nga qeveria, u kërcënuan se do t’u pritej ushqimi për fëmijët nëse nuk sterilizoheshin.

Kryesisht kërkoheshin gratë më të varfëra e sidomos ato që nuk flisnin fare spanjisht, pasi në disa zona të Perusë flasin vetë gjuhën vendase Keçua. U kërkohej që të vinin gishtin mbi një letër pasi ato nuk dinin as të shkruanin e as të lexonin.

Disa prej tyre u sterilizuan pa e ditur fare se çfarë po u bënin, madje u arrit deri në sterilizime me dhunë e grabitje të grave për t’i sterilizuar.

U plagosën me qindra prej tyre dhe të paktën gjashtë vdiqën, për të mos përmendur mënyrën se si trajtoheshin. Megjithatë USAID ka zhvilluar programe pa fund në Peru e madje ka hedhur para më shumë se në çdo vend tjetër të Amerikës Latine. Programi i “planifikimit familjar” në Peru duket se rezultoi “i suksesshëm”. USAID dhe UNFPA u akuzuan për politikë shumë të gabuar dhe si financuese për fushatën e Fujimorit. Raste të tilla mund të përmendim edhe për në Kinë, Uganda etj.

Statistikat e provat që hedhin poshtë mënyrën dhe domosdoshmërinë e përdorimit të strategjisë së NSSM-200 janë të shumta dhe në këtë punim të shkurtër nuk mund të sillen të gjitha. Megjithatë, sipas kësaj mënyre mendimi, nuk ka marrëdhënie dhe lidhje njerëzore më intime e më të afërta se ato që ndodhin brenda në një familje. Pikërisht ky është kufiri ekstrem që është shkelur e përdhosur.

U munduam për të dhënë dy pika shikimi të ndryshme. Nga njëra anë një politikë e cila merr për bazë vetëm mbijetesën, pa vënë asgjë sipër interesave (pavarësisht se e kamuflon luftën e saj) dhe nga ana tjetër dëshira për të zhvilluar një politikë realisht afër vlerave të vërteta njerëzore, ku si qëllim kryesor duhet të jetë e drejta dhe liria e individit.

~~~~()~()~()~()~()~()~()~~~~~

Përfundim

Ndoshta mënyra se si është organizuar e tërë ekzistenca e shoqërisë njerëzore është e gabuar dhe duhet një evolucion shpirtëror i njeriut, por deri në atë pikë përfundimi i Carlo Jean: “Për të përcaktuar interesat e përgjithshme kombëtare nuk është i nevojshëm unanimiteti” [“Gjeopolitika”, faqe 81], duket se do gjejë zbatim akoma.

Nga ky punim mund të nxirret përfundimi se një prej dëmtimeve më të rënda që i bëhet një kombi është ai te burimet njerëzore. Duke qenë se Shqipëria është një vend i cili është prekur nga “hemoragjia” e emigracionit, tani pasi kemi disa të dhëna plus në lidhje me politikat e strategjitë ndaj popullsive të ndryshme, mund të kuptohet disi më qartë edhe dobësimi ynë në drejtim të burimeve njerëzore. Nëse kjo është një plagë e shkaktuar nga një luftë për interesa kombëtare (joshqiptare), atëherë deri tani shqiptarët kanë humbur shumë “gjak”, i cili është shtuar te vendet ku emigracioni i shqiptarëve është më i madh.

Pra, a ishte NSSM-200 thjesht një çështje “hormonale”?

Mund ta quajmë fare mirë “Raison d’etat”, duke cituar Armand Jean du Plessis de Richelieu, kardinalin që ndërtoi doktrinën franceze, kur bën vlerësimin e moralit personal e njerëzor, karshi rëndësisë së shtetit:

“Njeriu është i pavdekshëm, shpëtimi i tij vjen më pas.

Shteti jo. Shpëtimi i shtetit duhet bërë o sot o kurrë”…

~~~~()~()~()~()~()~()~()~~~~~

Literatura e shfrytëzuar

• NSSM-200 “National Security Study Memorandum” [Memorandum Studimi i Sigurisë       Kombëtare],

• “Gjeopolitika”, Carlo Jean

• “A Retrospective on NSSM-200”, Brian Clowes Ph.D.

• Human Life International

• “Raison d’etat”, Armand Jean du Plessis de Richelieu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: