Rikthimi i gjeopolitikës

January 17, 2010

 

 

Rikthimi i gjeopolitikës

Nga Dr. Islam Lauka

 

Revanshi i gjeneralit Ivashov 

Para 10 vjetësh, në prag të shpërthimit të konfliktit në Kosovë, gjenerali rus, Leonid Ivashov, ishte drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Ushtarak Ndërkombëtar në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë. Më 14 tetor të vitit 1998, ai paralajmëroi se, nëqoftëse NATO vendos të përdorë forcën kundër Jugosllavisë sovrane, Moska menjëherë do të dalë nga regjimi i sanksioneve të OKB ndaj Jugosllavisë, miratuar më 31.03.1998 dhe do t’i lëvrojë asaj armë moderne, do të përgatisë për të kuadro ushtarakë, si dhe do të shikojë mundësinë e dërgimit në Ballkan të vullnetarëve rusë. Midis kërcënimeve të tjera, ai radhiti edhe prishjen e marrëdhënieve të vendit të tij me NATO-n dhe heqjen dorë nga ratifikimi i Traktatit për Shkurtimin e Armëve Strategjike (START 2). Sipas Ivashov, të gjitha këto masa do të ishin të justifikueshme, sepse “forcat ushtarake të NATO-s kishin projektuar të njëjtin skenar edhe për Rusinë”.

 Kërcënimet e gjeneralit u pasuan me të tjera, më të egra, të ardhura nga të gjitha drejtimet e politikës zyrtare ruse, nga Ministria e Mbrojtjes, parlamenti, Kryeministria e Presidenca, megjithatë, siç erdhën, ashtu edhe ikën, pa lënë asnjë gjurmë. Historia e dha verdiktin e saj: NATO ndërhyri ushtarakisht në Jugosllavi dhe Kosova e pa veten të çliruar nga thundra serbe.

 Tani, pas 10 vjetësh, gjenerali Ivashov gjendet në krye të Akademisë Gjeopolitike në Moskë. Më 05.02.2008, në shkrimin e tij “ Problemi i Kosovës: që Evropa të mbahet lidhur”, Ivashov dëshmon se për të koha ka ngrirë, se ai ka mbetur në vend, i pandryshuar, një gjeneral sovjetik, rob i mentalitetit të Luftës së Ftohtë.

 Në këtë shkrim, ashtu si edhe në shkrime të tjera të mëparshme, sidomos gjatë vitit 2007, ai përpiqet të argumentojë se Kosova nuk është gjë tjetër, veç një skenar gjeopolitik i SHBA, për të mbajtur Evropën të lidhur pas vetes. “Tani që “gogoli” BS nuk ekziston më, – shkruan Ivashov, – Evropa rrezikon t’i ikë kontrollit amerikan, ndaj, sipas tij, për të parandaluar largimin e saj, është hartuar dhe po vihet në zbatim plani strategjik i koduar “Kosovë”. Qëllimi i këtij plani, sipas gjeneralit rus, është dobësimi i Evropës dhe kthimi i saj nën kontrollin e SHBA. Ky skenar do të realizohet duke forcuar faktorin radikal islam në Evropë. Nëpërmjet tij, vazhdon më tej Ivashov, amerikanët do të bëjnë të mundur që të pengojnë bashkëpunimin e ngushtë të Rusisë me Evropën Perëndimore dhe të mos lejojnë krijimin e sistemit të sigurisë kolektive evropiane-ruse: do të ‘mbysin’ tregun evropian me narkotikë, trafik armësh dhe struktura ekstremiste. Pavarësimi i Kosovës, sipas tij, do të çojë në shfaqen e “euro-talebanit” dhe të bërthamës së tij radikale, “euro-al Qaeda-s’, si dhe të prirjes për mbledhjen e tokave “islame” në Ballkan dhe formimin e hapësirës ideologjike dhe shpirtërore, myslimane në territorin e Evropës, (Shqipëri, Bosnjë&Hercegovinë, komunitetet myslimane në Serbi, Maqedoni, Greqi, Bullgari, gjithashtu Gjermani, Francë, Britani dhe Belgjikë). Nëpërmjet portës shqiptare në Ballkan, thekson Ivashov, Turqia do të gjejë rrugën për në Evropë dhe po nëpërmjet kësaj porte në Evropë do të vërshojnë dhjetëra tonë “narkoflori”. Dhe për ta mbyllur ciklin e apokalipsit të Evropës, gjenerali rus llogarit që, pas 40-50 vjetësh, për shkak, siç thotë ai, të lindshmërisë së lartë dhe imigracionit islam, raporti i evropianëve dhe myslimanëve do të ndryshojë në mënyrë radikale në favor të këtyre të fundit. Kosova, shkruan gjenerali rus, është varri që Evropa po i hap vetes. Të vetmen forcë të aftë për të mbyllur portën shqiptare drejt Evropës e përbëjnë serbët, thekson Ivashov. Ai i bën thirrje Evropës katolike-protestante që të mos gabojë si në shekullin e XII-XIII, kur, duke fituar mbi Bizantin ortodoks dhe qendrën e tij historike dhe shpirtërore, Kostandinopojën, iu hapi rrugën drejt perëndimit “myslimanëve të eksituar “ të Perandorisë Osmane. Sepse, vazhdon me logjikën e tij Ivashov, me pavarësinë e Kosovës, serbëve iu hiqet qendra shpirtërore e ortodoksisë dhe e sllavizmit, duke shkatërruar pengesën e vetme që qëndron në itineraret e ekstremizimit. Dhe pason konkluzioni i tij bombë: pas konfliktit lokal serbo-shqiptar fshihet një konfliktk i rëndë midis civilizimeve. Për zgjidhjen e këtij konflikti, gjenerali Ivashov propozon të vetmin mjet që ai njeh – luftën. Luftë të gjatë e të vendosur, siç bëri Millosheviçi me bashkëpunëtorët e tij; siç po bëjnë Vojsllav Sheshel, Tomisllav Nikoliç dhe të gjithë serbët e ndershëm dhe krenarë. Ivashov shpreh bindje se fitorja në këtë luftë do të jetë në anën e serbëve. Së pari, shkruan ai, në përleshjet e civilizimeve fitojnë ata që kanë rrënjë më të thella historike, kulturë më të lartë dhe bazament shpirtëror më të qëndrueshëm. Amerikanët dhe satelitët e tyre nuk kanë asnjë prej këtyre elementeve. Civilizimi i tyre është i kalbur, pa perspektivë. Së dyti, epokës së domonimit politik dhe ekonomik të Perëndimit po i vjen fundi. Iniciativën e zhvillimit historik po e marrin në dorë shtetet e fuqishme të Lindjes, drejt të cilave është kthyer edhe Rusia. Së treti, pushteti i parave dhe forcës së verbër do t’i lërë vendin pushtetit të moralit, të ideve, të shpirtit. Sot, këtë frymë, më mirë se kushdo e mishërojnë serbët, të cilët, ashtu si rusët, nuk duan të jenë biorobotë që ëndërrojnë vetëm për ushqim dhe kënaqësi, por duan të jenë njerëz, të ruajnë kujtesën historike dhe shpirtin e tyre, si dhe të qëndrojnë me Zotin, e mbyll revanshin e tij me një “happy end” gjenerali sovjetik rus, Leonid Ivashov.

 Kamikazët sllavofilë

 Revanshin e gjeneralit Ivashov e vazhdon Drejtuesja e Qendrës së Studimit të Krizës Aktuale Ballkanike pranë Institutit të Sllavistikës të Akademisë Ruse të Shkencës, Elena Guskova, në shkrimin e saj “Karta e Kosovës u luajt, çfarë do të ketë më tej?”, botuar më 06.02.2008.

 Ashtu si gjenerali rus, edhe Guskova e trajton çështjen e Kosovës si një përplasje midis civilizimeve. Ajo vë në dukje se shqiptarët luftojnë për realizimin e qëndrimit të tyre, të përcaktuar që në shekullin e XIX – bashkimi i të gjitha tokave të banuara me shqiptarë. Civilizimi i tyre, thekson Guskova, është krejt tjetër, është ai lloj civilizimi, me të cilin amerikanët ballafaqohen në Irak dhe Afganistan. Nuk është thjesht fjala për shqiptarët dhe serbët, shton ajo, por për dobësimin e formacionit të madh sllavo-ortodoks në këtë territor. Ajo kritikon politikën evropiane dhe atë amerikane për faktin se, sipas saj, kanë qenë dhe janë antiserbe dhe antiruse. Guskova shpreh keqardhjen që amerikanët, sado të përpiqen, nuk mund ta kuptojnë se populli serb është edukuar me tradita historike, të cilat kanë marrë trajtën e dominantes mitologjike në ndërgjegjen e shumë brezave. Midis këtyre traditave, ajo rendit krenarinë, heroizmin, patriotizimin, ndjenjën e vëllazërisë sllave dhe ortodokse, vetëdijen për sakrificë të popullit serb, për hir të popujve të tjerë sllavo-jugorë. Në qendër të gjithë këtyre ndjenjave sublime, thekson “shkencëtarja” sllavofile, është Fusha e Kosovës. Ky moskuptim dhe kjo politikë, sipas “shkencëtares” Guskova, do të çojë në krijimin, mundet, të 5 shteteve shqiptare, nëpërmjet valës së konflikteve të armatosura. Duke iu drejtuar evropianëve dhe amerikanëve, sllavofilja Guskova pyet: Edhe sa shtete shqiptare mund të përballoni? Si e vlerësoni rolin e Prishtinës në itinerarin ballkanik të heroinës, 80% e së cilës kalon nga Kosova drejt Evropës? Më tej, ajo deklaron se pranimi i pavarësisë së Kosovës do të thotë inkurajim i metodave terroriste, të cilat i përdorin shqiptarët për arritjen e qëllimeve të tyre: vrasje dhe dëbim me forcë i popullsisë joshqiptare, djegie e shtëpive, hedhje në erë e monumenteve të kulturës së krishterë. Dhe si një kamikaze sllavofile e lindur, që e di se ç’duhet bërë, shtron pyetjen retorike: Kur sot gjithë bota lufton kundër terrorizmit, atëherë përse ai nuk luftohet në tokën e Kosovës? E ndërgjegjshme për misionin e vet në këtë luftë, Gruskova beson se, në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vullnetarë dhe partizanë serbë do të ndërmarrin veprime të caktuara në këtë territor.

 Në të njëjtën valë është edhe kolegu i saj, Peter Iskenderov, bashkëpunëtor i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës, në Moskë. Në shkrimin e tij, “Evropa nën protektoratin e SHBA”, botuar më 04.02.2008, si dhe në një varg shkrimesh të tjera të mëparshme, Iskenderov e konsideron konfliktin e Kosovës si të nxitur nga amerikanët, me qëllim që të mos e lejojë Evropën të kthehet në një qendër fuqie dhe faktor gjeopolitik. Nga ana tjetër, pas dështimeve në Irak dhe Afganistan, shkruan ai, presidenti Bush është i interesuar t`iu ofrojë zgjedhësve arritjen e vet të madhe – shtetin e pavaruar më të ri në botë.

 Në vazhdën e gjeneralit revanshist Ivashov dhe të kamikazes sllavofile Guskova, Iskenderov shkruan se, me pavarësimin e Kosovës “i hapet rruga për të hyrë në Evropë jo një kombi a një populli, por një grupi etnik të paformuar ende”. Sipas tij, konsolidimi i brendshëm i shqiptarëve të Kosovës është bërë jo në formën e “rilindjes kombëtare”, por në bazë të mohimit total të të gjitha normave dhe parimeve civilizuese. Organizimi fisnor, gjakmarrja, synimi për t’u mbyllur maksimalisht, për të ruajtur “pastërtinë e gjakut”, të gjitha këto dukuri, bën zbulimin e rrallë “shkencëtari” racist rus, evropianët i kanë lënë pas, që në Mesjetë. Dhe si racist i kompletuar arrin në përfundimin se evropianët e shekullit të 21 nuk kanë ilaç efektiv kundër bacilit të egërsisë së errët dhe të përgjakshme që po hidhet në zemër të civilizimit. Në këtë mënyrë, profetizon Iskenderov, shqiptarët e shpërndarë në të gjithë Evropën, si dhe aleatët e tyre nga radhët e islamistëve dhe strukturave kriminale nuk mund t`i ndalë kush, kur t`i kallin rrethinat e Romës, Athinës, Parisit ose Brukselit, duke kërkuar “po aq liri, sa ç’kanë vëllezërit kosovarë”.

 Iskenderov pohon më tej se ideja e “Shqipërisë së Madhe” është devizë e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, duke bërë kështu një tjetër zbulim të madh, të denjë për formatin e tij. “Shqipëria e Madhe”, thekson ai, është një ide kundër krishtërimit.

 Ashtu si bashkëmendimtarët e tij, Ivashov dhe Guskova, Iskenderov i përmbahet tezës se në Kosovë po zhvillohet beteja jo midis shqiptarëve dhe serbëve, por midis Perëndimit dhe Rusisë. Ai vë në dukje se duke filluar nga vitet ’90, Rusia është tërhequr nga rajoni i Ballkanit, por veçoritë e lojërave gjeopolitike, arsyeton ai, qëndrojnë në atë që ndeshja nuk quhet e përfunduar, pa u bërë edhe lëvizja e fundit. Në Kosovë, djepin e shtetësisë serbe dhe ortodoksisë ballkanike, parashikon Iskenderov, mund të fillojë rilindja e Serbisë dhe e shtetit rus në Ballkan. Dhe për ta mbyllur edhe ai tjerrjen e tij me një “happy end”, shkruan se presidenti i Rusisë ka shansin të hyjë në histori si arkitekt i Ballkanit të ri, siç hyri presidenti Uillson 90 vjet më parë, kur hapi një periudhë të re në historinë e Evropës. Kësaj i thonë, luaji macë kryet e kaut.

 Gjeopolitika si ngushëllim 

Një ndër tiparet e politikës së jashtme ruse historikisht ka qenë ekspansionizmi. Për ta bërë këtë dukuri sa më të pranueshme, Shën Petërburgu apo Moska janë përpjekur që t`i japin asaj një bazë shkencore. Në këtë kontekst, duke filluar nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, është thirrur në ndihmë gjeopolitika.

 Teoria e zemrës së tokës, “heartland” e Mackinder, u përvetësua nga një pjesë e elitës politike dhe ushtarake ruse, me mendimin se ajo argumentonte shkencërisht rolin e veçantë gjeopolitik të vendit të tyre. Thelbin e teorisë së gjeopolitikës tradicionale e përbën kundërvënia midis “shteteve kontinentale” dhe atyre “detare”, domethëne ballafaqimi i shteteve që mbështeten në forcat tokësore me ato që mbështeten në flotën detare. Gjatë Luftës së Ftohtë kundërvënia ishte e qartë: forcat kontinentale përfaqësoheshin nga BS, ndërsa ato detare, nga SHBA. Çështja kyçe për të dy palët është kontrolli mbi “heartland”, zemrën e tokës, që, sipas Mackinder, ndodhet pikërisht në territorin rus. Mbi bazën e teorisë së “Heartland”-it u krijua stereotipi për Rusinë si çelësi i stabilitetit global dhe si fokus gjeografik i politikës botërore, jo përkohësisht, por përjetësisht.

 Një tjetër kategori e gjeopolitikës tradicionale është “rimland”, që përfaqëson brezin kufitar midis zonës së ndikimit të detit dhe të tokës. Bazën e “rimland” e përbëjnë vendet e Evropës dhe të Mesdheut. Në këtë kuadër, Ballkani është pjesë përbërëse e “rimland”-it evropian. Duke u shprehur në mënyrë të figurshme, Mackinder shkruante se, kush zotëron “rimland”-in ,ka në dorë çelësat e “heartland”-it. Pararendëse e doktrinës gjeopolitike ruse ka qenë teza “Moska -Romë e tretë”, që zuri fill në shekujt e XV-XVI dhe u formulua nga murgu Fillothe, sipas të cilit “dy Roma ranë në herezi, e treta qëndron, të katërt nuk do të ketë”.

 Zbigniev Bzhezhinski vë në dukje se, “Moska- Romë e tretë” nuk ka qenë slogan bosh: ajo ka qenë shprehje e një kuptimi të ngulitur thellë për një mision të posaçëm. Ishte pikërisht ai që për njëfare kohe e bëri kaq ngashënjyes selitjen e universalizmit komunist në truallin rus: ai i dha popullit ndjesinë e një pasioni edhe më universal, ndjesi që u zgjerua deri përtej kufijve të perandorisë së vjetër ruse. Ex oriente lux (drita vjen nga lindja) – kjo frazë ka qenë kuptimplotë, sidomos për intelektualët rusë…Rusia, sipas tyre, ishte e paracaktuar për t`u bërë bartësja e asaj “drite”, duke shpëtuar Perëndimin e korruptuar nga shthurja e tij e gjithëpërhapur.

 Si teza e “heartland”-it, ashtu edhe ajo e “Moskës -Romë e tretë”, raportet Rusi-Perëndim i paraqesin si raporte kundërthënëse, që burojnë nga interesa të papajtueshme dhe si të tilla janë në përplasje e ballafaqim të pandërprerë, por që në fund të fundit, sipas tezave të mësipërme, forcat e arsyes, të dritës, të moralit, të përfaqësuara nga Rusia fitojnë mbi ato të herezisë, të errësirës dhe të shthurjes shpirtërore, të përfaqësuara nga Perëndimi, me SHBA në krye.

 Vlen për t`u theksuar se gjallërimi i debatit për gjeopolitikën si rregull shoqëron periudhat e krizave të shtetit dhe shoqërisë ruse ose dështimet në politikën e jashtme të Rusisë. Një dukuri e tillë u vu re në fillim të viteve ’90, kur shpërbërja e BS pasoi me humbjen e statusit të superfuqisë, nga ana e Moskës, thellimin e krizës ekonomiko-shoqërore, përfshirë krizën e identitetit. Pikërisht në këtë kohë lulëzuan shumë shkolla dhe rryma, të lidhura me këtë apo atë formë të gjeopolitikës. Shumë intelektualë rusë që mendonin se fitorja e vendit të tyre mbi botën do të ishte e paevitueshme si rezultat i historisë së interpretuar në bazë të materializmit dialektik, për kalimin nga e vjetra tek e reja, nga një fazë më e ulët në një faze më të lartë, nga rendi i kalbur kapitalist në rendin e ri komunist, interpretim që nxirrte fitues atdheun e revolucionit proletar, Rusinë, pas dështimit të saj, filluan që këtë fitore ta kërkojnë “më shumë në gjeografi sesa në histori, më shumë në hapësirë sesa në kohë”. Ky ishte një lloj kompensimi psikologjik për shpërbërjen e perandorisë komuniste dhe humbjen e statusit gjeopolitik të vendit që kishte pasur gjatë “Luftës së Ftohtë”. Rikthimi te gjeopolitika dhe teza e Mackinder për “heartland”-in iu mundësonte rusëve të parashikojnë një rikthim te statusi i fuqisë së madhe, thjesht për shkak të vendosjes së tyre gjeografike, pa pasur nevojë për ndonjë përpjekje të madhe nga ana e tyre.

 Aktualisht, në gjeopolitikën ruse më me ndikim paraqitet rryma e euroaziatikëve, e ndërtuar mbi idenë e determinizmit gjeografik: territori rus përcakton karakterin dhe fatin e njerëzve që banojnë aty, duke ofruar një kundërbalancë ndaj civilizimit perëndimor. Sipas tyre, procesi politik botëror nuk është gjë tjetër veç një përleshje midis përkrahësve të “atlantizmit” (fuqitë detare, kryesisht SHBA) dhe kontinentalizmit (fuqitë tokësore, kryesisht Rusia). Ultra të majtët dhe ultra të djathtët janë bashkuar në këtë rrymë, e cila, sipas studiuesit Charles Clover, nuk është pa ndikim as në institucionet e larta shtetërore ruse.

 Një fazë tjetër e gjallërimit të debatit gjeopolitik në Rusi është ajo që pasoi dështimin e Moskës për të parandaluar ndërhyrjen e armatosur të komunitetit ndërkombëtar në ish- Jugosllavi, në vitin 1999, gjë që u pasqyrua edhe në botimin e një literature të bollshme në fushën e gjeopolitikës, me autorë të tillë si E. Primakov, G. Zuganov, V. Zhirinovski, A. Dugin etj.

 Tani, pas dështimit të radhës së Moskës për bllokimin e pavarësisë së Kosovës, jemi dëshmimtarë të një bumi tjetër të debatit gjeopolitik në Rusi, me sa duket, për të gjetur njëfarë ngushëllimi te determinizmi gjeografik (heartland) dhe te teza e moçme “Moska – Rusi e tretë”, teza që në instancë të fundit e nxjerrin Kremlinin fitimtar. Duke qenë konstruksione shoqërore, të bazuara në teza spekuluese, ngrehinat gjeopolitike ruse nuk e përballojnë ballafaqimin minimal me realitetin. Megjithatë, rikthimi i gjeopolitikës pikërisht tani në Rusi është shenja më e qartë e “kapitullimit” të Moskës para faktit që Kosova e pavarur përbën një realitet, një histori tashmë të mbyllur.

One Response to “Rikthimi i gjeopolitikës”

  1. There is visibly a bundle to realize about this. I think you made various good points in features also.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: