Lufta, si ritual sakrifice…

September 18, 2009

Ritual sakrifikimi i Aztekeve

Lufta, si ritual sakrifice…

“Të parashikosh luftën është njëlloj si të kryesh vetëvrasje nga frika e vdekjes”
Otto von Bismarck

Përgatiti: Albert Hitoaliaj

Nëse shikon historinë e njerëzimit, ajo është e mbushur me luftëra, vdekje e sakrifica. Pas luftërave qëndrojnë arsye të ndryshme, traktate, nënshkrime paqeje etj, por më në thellësi akoma, çdo gjë është thjesht e motivuar nga elementi njerëzor i drejtuesve të shteteve që kanë filluar luftën. E thënë ndryshe arsyet janë psikologjike. Kjo është edhe shtresa kryesore, me të cilën merret studimi i psikohistorisë. Psikohistoria është studimi i motivimeve psikologjike të zhvillimeve historike. Ajo kombinon depërtimin e psikoterapisë me metodologjinë kërkuese të shkencave shoqërore, për të kuptuar origjinën emocionale të sjelljes politike e shoqërore të grupeve e kombeve, të shkuarës dhe të tashmes. Subjekti i saj kryesor është fëmijëria dhe familja (veçanërisht abuzimeve me fëmijët) dhe studimet psikologjike të antropologjisë dhe etnologjisë.
Lloid de Mos (lindur në 19 shtator 1931, Detroit, Miçigan, SHBA) është një mendimtar amerikan i njohur për punimet e tij në fushën e psikohistorisë. Ai është diplomuar në shkencat politike dhe më vonë është kualifikuar si psikoanalist. Ndër të tjera, është edhe themeluesi i “Gazetës së Psikohistorisë”. De Mos ka mbajtur leksione nëpër Europë e Amerikë në lidhje me zhvillimin e psikohistorisë dhe ka dhënë kontribut të konsiderueshëm në studimet që janë bërë në këtë fushë.
“Të kuptoni psikohistorinë, ju duhet të pajtoheni me disa supozime të drejta […], p.sh., që teknika e edukimit të fëmijëve në një shtet, ndikon politikën e tij të jashtme”-thotë Lloid de Mos. Shkrimi i mëposhtëm bazohet në punimet e tij dhe në disa përfundime mbi luftën dhe arsyet që na shpien drejt saj. Për të bërë hulumtimin e tij, ai merr si pasqyrë krahasimi sjelljen e teorisë politike të realistëve, të cilët kanë ndikuar mjaftueshëm në mendimin dhe zhvillimin global politik. Kjo shkollë e marrëdhënieve ndërkombëtare ka si prioritet interesat kombëtare dhe sigurinë, në vend të idealeve, etikës apo rindërtimit shoqëror. Ajo është politika e pushtetit dhe fuqisë. Por çfarë fshihet realisht pas kësaj sjellje? Këtë gjë përpiqet të shpjegojë De Mos dhe psikohistoria në tërësi.

Teoritë realiste për luftën
Historianët dhe shkencëtarët e politikës, bien dakord se, lufta është një zhvillim realist, racional dhe i domosdoshëm. Kjo gjë është e përcaktuar si “paradigma realiste, ku shtetet janë aktorë racionalë, që llogarisin me kujdes kostot e zhvillimeve të ndryshme dhe që kërkojnë të maksimizojnë dobinë e supozuar” [Stephen Van Evera, Causes of War: Power and the Roots of Conflict. Ithaca: Cornell University Press, 1999, p. 7]. Racionaliteti supozohet në mënyrë shumë të thjeshtë nga realistët: “Lufta është një proces racional” dhe “liderët janë maksimizues të dobive të pritshme, të cilët nuk zgjedhin kurrë veprime që mund të prodhojnë vlera dhe leverdi, më pak se politikat e tjera”. [Bruce Bueno de Mesquita, The War Trap. New Haven: Yale University Press, pp. 19, 20, 29]. Edhe atëhere kur ata pranojnë se “agresioni rrallë është i suksesshëm; shtetet agresorë zakonisht frenohen ose shkatërrohen”, kjo gjë bëhet sepse “moskuptimet janë të zakonshme” [Stephen Van Evera, Causes of War, p. 9].
Moskuptimet shikohen si fenomen që nuk ka shkak. Ato janë të pamotivuara. Irracionale, motivet vetëshkatërruese janë të pamendueshme. Kjo do të ishte “të bësh psikologji” – një aktivitet i ndaluar.
Realistët si pasojë, kanë prirje që të pranojnë formulimin e drejtuesve të luftës kur ata deklarojnë se do të fillojnë luftën për arsye racionale ekonomike. Kur Hitleri p.sh., tha se duhej të sulmonte BS dhe vendet e tjera të Europës Lindore, sepse Gjermania kishte nevojë për më tepër “hapësirë jetësore”, realistët tundën kokën dhe pranuan pretendimin e tij. Ata injorojnë arsyet më të çuditshme emocionale që kombet ngrenë, tek shkatërrojnë miliona fqinjë të tyre; të cilët duhet t’i vrasin pasi ata mund të shndërrohen në helm që do të helmojë gjakun e tyre (hebrejtë, polakët), ose sepse ata kanë hundë më të gjata se ç’duhet (Tucit), ose sepse ata pinë cigare të ndryshme (Bosnja), ose sepse ata varin një copë lëcke me ngjyra të tjera në shtëpitë e tyre (flamuri), ose sepse dikush nga religjioni i tyre i kishte ofenduar ata 13 shekuj më parë (sektet muslimane).
Kuptimi emocional i këtyre zhvillimeve nuk është investiguar kurrë nga realistët, e as nuk i ka tërhequr vëmendjen teorisë e tyre, se luftërat kryhen gjithmonë për të siguruar burime ekonomike. Në fund të fundit, thotë njëri prej tyre “nëse ne duhet ta shohim luftën si pathologji, atëherë të gjitha konfliktet duhet të shihen në të njëjtën mënyrë” [Michael Howard, The Causes of Wars and Other Essays. Second Edition. Cambridge: Harvard University Press, 1983, p. 11]. Realistët thjesht nuk njohin pjesët pathologjike të hemisferës së djathtë.
Veç kësaj, realistët nuk i marrin fare me sy të gjitha vetëvrasjet që bëjnë liderët, pasi kanë marrë vendimet për të shkuar në luftë. Në më tepër se një shekull, luftëra, mbi të cilat unë kam bërë kërkime në katër dekadat e fundit, asnjë prej tyre nuk filloi prej politikanëve apo liderëve, të cilët rrinin ulur duke bërë llogaritje kostosh ekonomike apo të përfitimesh prej luftës që ata do të fillonin. Më tepër, ata ngrinin zërin për vetëvrasje, motive sakrifice, si atëherë kur Tojo thërriti ministrat e tij para sulmit në Perl Harbor dhe i pyeti se çfarë do të ndodhte nëse Japonia sulmonte SHBA-në. Secili prej tyre parashikoi një disfatë të pashmangshme. Kështu, Tojo arriti në përfundimin se: “Ka kohë në të cilat në duhet të hyjmë në Tempullin Kiomizu” (tempulli ku japonezët kryejnë vetëvrasjen) [John Toland, The Rising Sun: The Decline and Fall of the Japanese Empire, 1936-1945. New York: Random House, 1970, p. 112].
Hitleri, i cili kishte tentuar vetëvrasjen disa herë, tha se, “nuk do të ndodhej në një pozicion hezitues, vetëm për shkak se po dërgonte 10 milionë të rinj drejt vdekjes së tyre”, [Hermann Rauschning, The Voice of Destruction. New York: Putnam’s, 1940, p. 80], duke e çuar Gjermaninë në luftë kundër vendeve disa herë më të mëdha dhe me potencial ushtarak më të lartë, madje duke urdhëruar që qytetet gjermane të shkatërroheshin plotësisht për të mos lejuar përfundimin e luftës. Në fakt, populli gjerman i’u bashkua motivimit të tij vetëvrasës – lufta përfundoi me vetëvrasjen e dhjetëra mijëra gjermanëve, të cilët bënë vetëvrasje të panevojshme në 1945, atë që Beisel e quan “vetëvrasja më e madhe masive në histori” [David R. Beisel, “The German Suicide, 1945.” The Journal of Psychohistory 34(2007): 303].
Beisel e quan LIIB “Rrethimi vetëvrasës” [David R. Beisel, The Suicidal Embrace: Hitler, the Allies, and the Origins of the Second World War. Nyack, N.Y.: Circumstantial Productions, 2004]. Në fakt, të gjitha luftërat janë rrethime vetëvrasëse. Asnjë përmendje e shkaqeve të luftës për vetëvrasje apo sakrificë, nuk mund të gjendet në teorinë realiste.

Motivim vetëshkatërrues për fillimin e luftërave
Kombet-shtet shkojnë në luftë pothuajse çdo 25 vjet, pasi në këtë mënyrë çdo gjeneratë duhet të hidhet në gojën gjakatare të mëmëdheut, për të pastruar mëkatet e grumbulluara të njerëzve [Lloyd deMause, The Emotional Life of Nations. London: Karnac Press, 2002, p. 158]. Sa më shumë progres ekonomik të ketë bërë një vend, aq më e madhe është mundësia që ai të bëjë një luftë për ta shkatërruar atë. Luftërat jo vetëm që kanë ndodhur më shpesh pas periudhave të begatisë, por kanë qenë 10 herë më të mëdha se ato gjatë periudhave të lulëzimit.
Studimet e Goldstein, kanë treguar se, luftërat shërbejnë me shumë dhe janë më të shpeshta kur ato ndodhin gjatë fazave ekonomike në rritje [Jack S. Levy, “The Causes of War: A Review of Theories and Evidence”. In Philip E. Tetlock, et al, Eds. Behavior, Society, and Nuclear War: Vol. One. New York: Oxford University Press, 1989, p. 124]. Në fakt, asnjë luftë mes Fuqive të Mëdha europiane nuk ka ndodhur gjatë një depresioni, për dy shekuj. Le Shan e përmbledh shkurtimisht këtë gjë në kërkimet e tij duke thënë: “Ne kemi arritur në konkluzionin se, lufta shkatërron më tepër pasuri e të mira sesa ajo prodhon” [Lawrence LeShan, The Psychology of War: Comprehending Its Mystique and Its Madness. New York: Helios Press, 2002, p. 33]. Luftërat janë në fakt, rituale sakrifikimi që pakësojnë mirëqenien. Sjelljet në grup që shkaktojnë hakmarrjen nuk janë agresive, janë vetëshkatërruese. Pjesa më e madhe e problemit të studimit të kostove të vërteta të luftës, madje edhe në një ngjarje të pazakontë ku iniciatori fiton, është se “dobia e supozuar” e realistëve, nuk i vë re të gjitha llojet e kostove të fshehura por afatgjata të luftës.
Kjo përfshin injorimin e kostove të hiperinflacionit e borxhit të prodhuar nga lufta, kostot e provokimit të aleatëve të armikut, kostot e supozuara të “gabimeve” të pamotivuara që i japin vendeve të tjera avantazhe ushtarake, kostot e mbajtjes së trupave në vendet e pushtuara (edhe nëse prodhojnë humbje neto për perandoritë), humbja e prodhimtarisë së luftëtarëve dhe civilëve të vrarë e të gjymtuar, që do të kryenin për tërë jetën, kostoja e interesit të parave të huazuara për luftën, kostoja e refugjatëve, rritja e prodhimit kombëtar dhe tregtisë shpesh humbasin për dekada të tëra, e kështu me radhë. [Joshua S. Goldstein, Long Cycles: Prosperity and War in the Modern Age. New Haven: Yale University Press, 1988; John Mueller, The Remnants of War. Ithaca: Cornell University Press, 2004, p. 42; Joshua S. Goldstein, The Real Price of War: How You Pay for the War on Terror. New York: New York University Press, 2004; Peter Liberman, Does Conquest Pay?: The Exploitation of Occupied Industrial Societies. Princeton: Princeton University Press, 1996.]
Shtoji këtyre kostove të zakonshme, skemat e çmendura ekonomike që shoqërojnë luftërat, si kostoja e pamasë e “purifikimit” të Kamboxhias nga prishja e parave dhe dëbimi me forcë i popullsisë urbane nga “Khemer Rouge”. [Eric D. Weitz, A Century of Genocide: Utopias of Race and Nation. Princeton: Princeton University Press, 2003, pp. 150-155].
Kur disa prej këtyre kostove të fshehura bëhen të ditura, kur ndërhyrja amerikane në Irak është më tepër se 2 trilionë dollarë, ku disa prej kostove direkte janë të konsideruara katër herë sa kostoja e llogaritur – është e qartë se nuk ka mënyrë që kjo ndërhyrje të ketë qenë për “arsye ekonomike” [Tom Regan, “Iraq War Costs Could Top $2 Trillion.” Christian Science Monitor, January 9, 2006, p. 1].
Edhe pse disa individë fitojnë shuma të turpshme parash prej luftrave, shtetet nuk fitojnë. Madje shtetet as nuk i fillojnë luftrat për arsye që lidhen me ta, “sepse ata rrëzohen prej fuqisë ushtarake”. Në fakt “në secilën luftë të madhe që nga 1600 e deri në 1945, lufta ishte filluar nga një shtet me një superioritet të dukshëm ushtarak” [Dale C. Copeland, The Origins of Major War. Ithaca: Cornell University Press, 2000, p. 236].
Në të vërtetë, shtetet që i fillojnë luftërat nuk i fitojnë ato: “Asnjë vend që filloi një luftë të madhe në shekullin e 19-të, nuk doli i fituar” [John G. Stoessinger, Why Nations Go To War: Second Ed., New York: St. Martin’s Press, 1978, p. 223]. Kështu, të fillosh luftërat është veprimtari vetëshkatërruese, kur kostot e vërteta të luftës janë të përfshira. Kështu që shpenzimi i SHBA-së, që aktualisht është më tepër se një gjysëm trilioni dollarë për ushtrinë e saj – më shumë se pjesa tjetër e botës bashkë – nuk është matës i fuqisë së saj. Ka qëllimin e fshehtë që të bëjë armiq në botë dhe duke kushtuar kaq shumë, ky shpenzim e bën SHBA-në një borxhli ndaj pjesës tjetër të botës.
Dështimi qendror i të gjithë analistëve realistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, është se ata përdorin një teori të çuditshme, totalisht të prapambetur për marrëdhëniet ndërpersonale. Realisti kryesor, Makiaveli, e shpallte këtë qartë në vitin 1513: “Nëse të duhet të zgjedhësh nëse është më mirë të të duan apo të të kenë frikë, më mirë të të kenë frikë” [Niccolo Machiavelli, The Prince. New York: Norton, 1964, p. 145].
Si një teori e marrëdhënieve ndërpersonale, ajo pohon se çdokush mund të bënte mirë të armatoste veten me armë e thika, përderisa ecin rrugëve, vizitojnë njerëz apo jetojnë në një familje – ata duhet të jenë të frikshëm. Kjo, nuk vë re një gjë: mosmarrëveshja e hollë ndërmjet individëve, në një botë totalisht të frikshme do të provokojë dhunë. Këtë gjendje dhune të pafund Makiaveli e quan “më të mirë se një gjendje dashurie të heshtur”. Realistët bien dakord me të, për mënyrën sesi duhet të jenë të suksesshëm në marrëdhënie ndërkombëtare: “Paradoksi realist është se duhet të përgatitesh për luftë për të mbrojtur paqen; duhet kryer kërcënim me luftë për ta shmangur atë dhe të krijosh në krizë për ta përfunduar atë” [Russell J. Leng, Interstate Crisis Behavior, 1816-1980: Realism Versus Reciprocity. Cambridge: Cambridge University Press, 1993, p. 4].
Realizmi është një teori që shpall urtësinë e vazhdimësisë, duke përshkallëzuar provokimet paranoike. Është një teori që është vetëshkatërruese në thelbin e saj, kështu që nuk është surprizë që dhjetëra e mijëra politikanë, të cilët e ndjekin atë verbërisht, ta gjejnë veten duke i çuar vendet e tyre shpesh në caqet e vetëshkatërrimit, të shmangur nga negociatat apo bisedimet me shtetet e tjera, duke u përgatitur vazhdimisht për të filluar luftëra “parandaluese” në mënyrë që t’ua kenë frikën vazhdimisht, duke bërë vazhdimisht aleanca, të cilat kanë treguar më tepër se shpien drejt luftës në vend që të bëjnë parandalime të saj [John A. Vasquez, The War Puzzle. Cambridge: Cambridge University Press, 1993, p. 159-163, 167]. Realizmi është një teori që nuk e pranon respektin dhe e shmang bashkëpunimin, një teori që garanton politika ndërkombëtare vetëshkatërruese. Ashtu si Vasquez e katogerizon atë, “praktikat realiste sjellin më tepër luftë se sa jo, sepse ato shtojnë kërcënimin dhe pasigurinë në vend që t’i korigjojnë ato” [lbid, pp. 114-115]. Kjo është një teori e mbështetur prej njerëzve, të cilët kanë pësuar abuzime në fëmijëri dhe që janë të dënuar të përsërisin të njëjtat abuzime mbi të tjerët dhe mbi vete pasi janë rritur.

Luftërat si rituale sakrifikimi purifikues
Ashtu si De Maistre thotë: “Sakrifica njerëzore është një institucion universial njerëzor. Të gjitha kulturat njerëzore besonin në një faj universal dhe në nevojën për ceremoni sakrificash për të riparuar lidhjen e thyer ndërmjet njerëzimit dhe hyjnores, një sakrificë vullnetare e të pafajshmit që sakrifikon veten ndaj hyjnores si një viktimë pajtimi”. [Ivan Strenski, Contesting Sacrifice. Chicago: University of Chicago Press, 2002, p. 39].
“I pafajshmi” që sakrifikohet është fëmija i pafajshëm, i cili është i sakrifikuar si një Vetvete e Keqe ndaj Nënës Vrasës së ofenduar, “hyjnores”. Viktima e pafajshme e sakrificës është dashi i kurbanit në çdo fis, çdo religjion, çdo shtet të hershëm, i cili (kurbani) shërben për të pastruar mëkatet e grupit, për të bërë purifikimin e frikës të mbjellë në mendje gjatë abuzimit fëmijëror, me qëllim përsëritjen e traumës së shkaktuar në familje në vitet e hershme.
Edhe nëse sakrifica është e vënë në skenë nga shtrigat, nga shamanët femra apo priftërinj meshkuj që veshin rrobën e mëmësisë, përfaqësuesit e Nënës Vrasëse kanë riparuar plotësinë e mangët të grupit që kur Paleolitiku si grupim, mori kthesë dhe drejt ndryshimeve të dhunshme dhe shpënies së vetes në një valë religjioze vetëdëmtuese, me vrasje viktimash sakrifice dhe shkuarjen në luftë. Lufta sakrifikuese është tërësisht një ritual i brendshëm [George Victor, “Scapegoating – A Rite of Purification.” The Journal of Psychohistory. 30(2003): 273-288].
“Armiqtë” mund të gjenden gjithmonë kur duhen për të kryer ritualin. Kur Astekët ndienin nevojën e Perëndeshës Vrastare gjakatare të tyre për viktima, ata thonin se “digjeshin nga dëshira për të vdekur” dhe e sakrifikonin veten e tyre, duke u bërë luftëtarë që luftonin njëri-tjetrin, edhe kur e ndanin veten në dy grupe për të vrarë njëri-tjetrin ose edhe thjesht duke kryer vetëvrasje, me qëllim që të “përtërinin” Perëndëshën Nënë Vrastare dhe që të “rilindte” shoqëria e tyre [Burr Cartwright Brundage, The Fifth Sun: Aztec Gods, Aztec World. Austin: University of Texas Press, 1979].
Rituali ripërsëriste traumat e tmerrshme që ata kishin kaluar në fëmijëri, pasi fëmijët astekë sakrifikoheshin në mënyrë të rregullt duke u therrur, djegur, shqyer apo torturuar për Perëndëshën Vrastare dhe atyre u thuhej se do të vdisnin së shpejti, ashtu si kishin vdekur edhe fëmijët e tjerë që ata kishin parë të sakrifikoheshin e të haheshin prej prindërve të tyre [Lloyd deMause, The Emotional Life of Nations, p. 312].
Pafajësia e këtyre viktimave të luftës ishte thelbësore, dhe si fëmijë që ishin ata ishin të pafajshëm, edhe pse nënat e tyre i vinin vazhdimisht vathë në organet gjenitale dhe fytyrë që të “pastronin botën”. Të gjithë armiqtë zgjidhen sepse ata janë të pafajshëm dhe nuk u vjen asnjë në ndihmë (si fëmijët) dhe kjo është arsyeja se përse në luftë vriten kaq shumë civilë. Hututë therrën gjysëm milionë Tuci, të cilët për shekuj të tërë kishin qenë fqinj të pafajshëm e miqësorë [John Keegan, A History of Warfare. New York: Alfred A. Knopf, 1997, p. 26]. Fëmijët e pafajshëm kanë qenë në qendër të sakrificave më të hershme në histori, që nga sakrifikimet e fëmijëve për të pastruar Izraelin dhe Egjiptin deri te vajzat e vogla të sakrifikuara në Woodhenge antik në Britani [Patrick Tierny, The Highest Altar: Unveiling the Mystery of Human Sacrifice. London: Viking, 1989, p. 14].
Fëmijëria e pafajshme e viktimave të sakrifikuara shpjegon pse “luftërat botërore fillojnë me një gjendje të lartë frikësimi ose sulmi ndaj shteteve të vogla. Të gjitha luftërat që janë zgjeruar më pas, kanë përfshirë shtetet e vogla në fillimet e tyre” [John A. Vasquez, The War Puzzle. Cambridge: Cambridge University Press, 1993, p. 230]. Ata ishin simbole të fëmijëve të dobët. Kështu, shtetet luftëtare në fillim provokojnë një fuqi të dorës të dytë për t’i bërë ata që të kundërvihen, duke marrë në këtë mënyrë një masë për nevojën e tyre vetvrasëse të vetëshkatërrimit. Liderët premtojnë “sakrifica”, jo përfitime, kur fillojnë një luftë, si tha edhe Xhon Adams kur filloi Revolucioni Amerikan, ku lufta ndaj Anglisë ishte mënyra e vetme “për të parandaluar luksin e të qenit i zhburrërruar…” [Michael C. C. Adams, The Great Adventure. Bloomington: Indiana University Press, 1990, p. 51].
Individët thonë se duhet të kryejnë vetëvrasje për të “gjetur paqe”, ashtu si thonë edhe kombet, që luftojnë për të “gjetur paqen” – paqe nga dëshpërimi i brendshëm. Korner deklaronte gjatë Luftërave Napoleonike: “Lumturia gjendet vetëm në vdekjen sakrifikuese” [Barbara Ehrenreich, Blood Rites: Origins and History of the Passions of War. New York: Henry Holt, 1997, p.18].
Studimet e Shneidman për “mendjen vetvrasëse”, tregojnë se vetëvrasja zgjidh problemin e ndalimit të dhimbjes të pandalshme brenda tyre, e cila vjen nga humbja e dashurisë, ose sepse dikush i afërt i ka hedhur poshtë ata ose sepse ambjenti i të afërmve të tyre i ka shtyrë ata si të padobishëm. Ata (vetëvrasësit) lënë mesazhe si: “Unë nuk mund të jetoj pa ju. Më mirë të vdes. Kur ju më latë unë vdiqa brenda meje. Kam këtë ndjenjë zbrazëtie brenda meje, që po më vret” [Edwin S. Shneidman, The Suicidal Mind. New York: Oxford University Press, 1996, p. 15]. Vetëvrasja premton “një qetësi të madhe” që “u kujton atyre se sa të vegjël” janë një fëmijë përsëri dhe sa të braktisur, por “u jep atyre një dorë” për të përfunduar gjithçka, duke i çuar në gjendjen ku :“Unë kam kontrolli nëse vdes” [Ibid, p. 102].
Luftërat japin të njëjtën ndjenjë kontrolli dhe triumfi mbi ndjenjat e braktisjes dhe të të qenit i pambrojtur. Disa liderë ushtarakë pranojnë qëllimin vetëvrasës të luftës, si e thotë edhe gjenerali Sir Xhon Haket: “Thelbi i të qenit një ushtar nuk është të vrasësh, por është të vritesh” [Gwynne Dyer, War: The Lethal Custom. Neë York: Carroll & Graf Publishers, 2004, p. 129].
Studimet mbi politikanë të fuqishëm tregojnë se fantazitë e tyre seksuale, që ata shprehin ndaj femrave me pagesë, janë mazokiste, ku ata kërkojnë të jenë të dominuar dhe t’u bëhet keq dhe nuk janë sadistë [Sam Janus, et al, A Sexual Profile of Men in Power. Englewood Cliffs, NJ.: Prentice Hall, 1977].
Liderët e luftërave e fillojnë ritualin sakrifikues të vendeve të tyre, kur pjesa tjetër, e shkëputur prej tyre, fillon dhe thërret për vetëvrasje dhe veprime vrastare. Shumica e personave që vriten janë në të vërtetë qytetarë të tyre: Rumel tregoi se, vdekjet në betejë në shek.XX ishin 34 milionë, ndërsa më tepër se 170 milionë ishin civilët e vrarë në shekull, nga qeveritë e tyre [R. J. Rummel, Death By Government. New York: Transactio Publishers, 1997, p. 57].
Robin dhe Post e përcaktojnë këtë shtysë të brendshme si “ekzekutorin e fshehur”. Ata tregojnë sesi “dhimbja e të qenit të sulmuar nga një persekutues i brendshëm nuk mund të teprohet. Vetëvrasja është një zgjidhje – ekzekutori i brendshëm thërret për ekzekutim të vetes së keqe. Një zgjidhje për këtë barrë të patolerusheme është të mohosh ekzekutorin e brendshëm. Këtë gjë e bën paranojaku. Ai e projekton persekutorin e brendshëm në një prezencë të jashtme, ndaj të cilës ai duhet të mbrohet. Rrallë herë një paranojak kryen vetëvrasje. Zakonisht ai sulmon armikun e perceptuar”. [Robert S. Robins and Jerrold M. Post, Political Paranoia: The Psychopolitics of Hatred. New Haven: Yale University Press, 1997, p. 79].
Dhe ky “armik i perceptuar” ka të gjitha karakteristikat e Vetes së Keqe, me të cilën ishte abuzuar dhe ishte neglizhuar prej të afërmve. A janë shtetet që fillojnë luftën paranojakë? Po, çdonjëri prej tyre zbavitet hapur në fantazi në grup, të të qenit të sulmuar prej “armiqve” të cilët në fakt nuk sulmojnë. Por pyetja e paraqitur nga psikiatrit për grupet apo liderët e grupeve është e ndërlikuar. Psikiatrit kanë ndërtuar një listë çrregullimesh mendore sipas një përzgjedhje të fortë, DSM IV (Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders), që thjesht eleminon çdo gjë përveç çrregullimeve individuale, arsye se përse në çdo libër që lexohet për luftën – madje edhe Hitleri apo bin Laden- konsiderohen si “normalë”. Edhe kur qartësisht, grupe pathologjike kryejnë vetëvrasje njëzëri (si psh 900 individët religjiozë në qytetin Jonestoën që vranë veten dhe fëmijët e tyre nën drejtimin e Xhim Xhons ) psikiatrit i deklarojnë ata “jo të çmendur …. ata nuk shfaqnin shenja psikopathologjie” [Ibid., p. 115].
Tashmë, duke thënë se, ata që janë priren drejt dhunës individuale janë të futur në listën DSM IV si “sociopath”, a mund që të arrihet në përfundimin se ata që kryejnë dhunë masive janë “bellipath” (belli-luftë, në latinisht)? Apo “me varësi te lufta” (si të droguarit)? Që njerëzit që vrasin fqinjët e pafajshëm dhe sakrifikojnë miliona nga populli i tyre kanë çrregullime pathologjike, do të bëhet e qartë një ditë, edhe nëse ata nuk janë në listën DSM IV.
Është e vlefshme të mendosh të shkosh në luftë, për të pasur njëlloj motivimi tjetër vetëshkatërrues, si psh rituali i prerjes së vetes që kryejnë njerëz të ndryshëm për t’u çliruar nga dëshpërimi i brendshëm. Ata që dëmtojnë veten në këtë mënyrë, kanë humbur gjithashtu mbështetjen e të afërmve dhe dëmtimi i vetes së tyre me prerje brisku, i bën të ndihen në kontroll të dhimbjes së tyre të brendshme. Kjo gjë lëshon rryma qetësuese për trurin, i cili është prodhuesi i keqardhjes që ndiejnë [Thomas Lewis et al, A General Theory of Love. New York: Vintage Books, 2000, p. 94].
Me fillimin e luftërave, mund të shihen ngritjet e këtyre rrymave qetësuese, që i bëjnë drejtuesit që të ëndërrojnë se, vendet e tyre janë me të fuqishëm sesa ç’janë në të vërtetë dhe se lufta do të fitohet shpejt. Winston Churchill tërhiqte vëmendjen shpesh për optimizmin e pajustifikuar të drejtuesve që shkonin në luftë për arsye jetëshkurtra, me pasoja shkatërruese për dhjetëra milionë qytetarë, duke thënë: “Thuajse mund të mendosh se bota ka dëshirë të vuajë” [Gabriel Kolko, Century of War: Politics, Conflicts, and Society Since 1914. New York: The New Press, 1994, p.16].
Ky qetësim funksinon për njëfarë kohe. Kjo është se përse vetëvrasjet, vrasjet dhe çrregullimet e ankthit shtohen përgjithësisht gjatë luftërave: popullsia është “në majë të ekstazës së luftës”, [Rush W. Dozier, Jr. Fear Itself: The Origin and Nature of the Powerful Emotion That Shapes Our Lives and Our World. Neë York: St. Martin’s Press, 1998, p. 106].
Luftëtarët gjatë gjithë historisë, ëndërronin rregullisht se ata do të vuanin “jo vetëm një vdekje të domosdoshme, por edhe fisnike e të bukur” dhe ata do të kryenin një “vdekje që ishte triumf madhështor mbi vdekjen”, një akt martir, saktësisht si ata të pilotëve kamikazë japonezë apo terroristëve islamikë që imagjinojnë se vdekja do t’u japë dashurinë hyjnore, [Lloyd deMause, “‘If I Blow Myself Up and Become a Martyr, I’ll Finally Be Loved.”‘ The Journal of Psychohistory 33(2006):300-307].
Është një lloj sakrifice martire që luftëtarët e terroristët vdesin vullnetarisht për perënditë e mëmëdheut të tyre. Ata po i përgjigjen zërit të tyre të brendshëm amënor që vazhdon t’u thotë atyre: “Ti je kaq egoist. Ti kurrë nuk mendon për mua! Më mirë mos të të kisha fare!”. Motivimet vetëshkatërruese për luftën janë arsyet pse shumica e luftërave fillojnë nga “superfuqitë që i tremben rënies”, [Dale C. Copeland, The Origins of Major War. p. 177].
Realistët janë në mëdyshje, se përse shtetet e forta që i tremben rënies kaq rregullisht, fillojnë “luftëra parandaluese”, të cilat ata nuk kanë nevojë që t’i fillojnë, pasi kanë frikën e rënies ndërkohë dhe përse ata i humbin ato rregullisht [John A. Vasquez, The War Puzzle, pp. 155ff].
Copeland dhe realistë të tjerë nuk e shpjegojnë asnjëherë se përse ndodh kjo, përderisa ata “nuk merren me psikologji” dhe nuk zbulojnë se, edhe atëherë kur shtetet janë superfuqi, ky është një realitet vetëm për hemisferën më racionale të trurit të tyre, atë të majtën, por kur para luftës ata kalojnë në hemisferën e djathtë emocionale, ata nuk e shohin më veten si superfuqi, por si fëmijë të pambrojtur që po përshpejtojnë sulmin e fuqisë së Nënës Vrastare, të projektuar mbi armikun e tyre.

3 Responses to “Lufta, si ritual sakrifice…”

  1. Excellent post. I wass checking continuously this weblog and I aam inspired!
    Extremely helpful ihformation specifically the
    last section🙂 I deal with such info a lot.
    I used to be seeking this particular info for a long
    time. Thankks and goold luck.

  2. You know I don’t know if it is me or even your blog site but it’s launching
    literally slow for me personally, it took me
    just like a moment in order to load up however gmail works fine .
    Around the other hand I appreciate you for publishing amazing blog post.

    Perhaps it really has already been useful to many individuals who arrived here.
    I hope I will be able to find more incredible things and I also should really compliment by stating you’ve
    done fabulous writing. Right after checking out your content,
    I have book-marked your webblog.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: