Gjeopolitika e emocioneve

September 18, 2009

hastaadam
Përplasje emocionesh apo lufta e së ardhmes ?!

Albert Hitoaliaj

Çfarë është në ditët tona gjeopolitika? A mos vallë, përditë e më shumë po shndërrohet në një formë emocionale, në thjeshtësinë e një emocioni? Kjo gjë mund të tingëllojë edhe e papjekur, e pavend apo e lehtë, por nuk është kështu. Kjo teori nuk është aspak jashtë kohe, por është e prekshme, tani. Ndoshta në pamje të parë mund të krijohet përshtypja se flitet për ndonjë teori psikologjike moderne, por edhe pse psikologjia është bazë e ndërtimit të shoqërive dhe teorive që kanë si rrënjë transformimin kulturor e shoqëror, por është më tepër se kaq. Pavarësisht teorive të ndryshme të gjeopolitikës, ku trajtohen aftësitë fizike, gjeografike, teknologjike etj, me hipotezat që tentojnë të profetizojnë të ardhmen, nëpërmjet derteminizmit të shkollës gjermane e teorive të sundimit detar, kontinental e ajror, ka edhe një dritë tjetër nën të cilën shikohen zhvillimet e identikitet e gjeopolitikës.
Një prej hapsirave të cilat rreket të sundojë, sot më tepër se kurrë, gjeopolitika, është ajo emocionale. Janë pikërisht idetë e njerëzve dhe emocionet e tyre hapësira në të cilën gjeopolitika po e përqëndron vëmendjen e saj, pa e ulur aspak ritmin, por duke u ndërgjegjësuar më shumë se mendimet e shoqërive të ndryshme mund të shkaktojnë përplasje idesh, emocionesh e deri qytetërimesh.
Në librin “Gjeopolitika e emocioneve” të autorit Dominik Moisi, bëhet pikërisht një skicim i këtij mozaiku gjoepolitik global, ku elementët thelbësorë të përbërjes janë vetëm tre: frika, shpresa dhe poshtërimi. Dominik është një profesionist i cili ka vite të tëra eksperience në fushën e Mardhënieve Ndërkombëtare. Ai është gjithashtu një këshilltar special i IFRI (Instituti Francez i Mardhënieve Ndërkombëtare), themelues i këtij të fundit, docent në Harvard dhe në Kolegjin Europian. Pikshikimi që Moisi sjell është fryt i punës në një drejtim të veçantë, siç është ai i gjeopolitikës, të cilën shpesh herë liderët e “harrojnë” dhe refuzojnë të kuptojnë ekuilibrat mbi të cilat zhvillohet zhvillimi global. Akoma më i veçantë është pikshikimi i Moisit, pasi në këtë drejtim (gjeopolitik) ai tenton të prekë një terren i cili është me shumë pak dritë dije. Dominik, jep zhvillimet emocionale dhe identifikimet e tyre me gjeopolitikën. Nuk është përplasja e qytetërimeve nga Samuel Hantington, por është një tjetër pikëshikimi që ka ngjashmëri, por edhe diferencë nga mënyrat e tjera.
Dominik pikturon hartat globale jo sipas kontinenteve por sipas ndjenjave. Në kët mënyrë, Perëndimi është frika, kontinenti i frikës. Një Perëndim, i cili më tepër se i konturuar gjeografikisht është i konturuar thelbësisht, mbi bazë të koncepteve, i cili përfshin Europën perëndimore, SHBA e Japoninë. Apo më mirë të thuash shoqërinë e avancuar tekonologjikisht. Po ku qëndron kjo frikë? Kjo është një frikë e cila bazohet kryesisht te shndërrimi, te tjetri, te i ndryshmi. Frikërat vijnë kryesisht nga jugu, i cili mund të jetë Maroku, Amerika Latine, vendet arabe etj. Frika ekziston se mos dikush i uritur e prepotent vjen për të marrë ato të mira që Perëndimi ka arritur të sigurojë e të ndërtojë. Këto të mira janë lehtësisht të cënueshme dhe ekulibri është i brishtë. Frika qëndron edhe në humbjen e tregjeve të punës, në rritjen e konkurencës, ku mund të ketë prurje të reja më të freskëta, më të fuqishme, më të lira.
Ndërsa Azia, edhe pse akoma me probleme të pazgjidhura dhe varfëri, për Moisin është kontinenti i shpresës, i atyre që nuk ia kanë dalë akoma në krye, por që janë duke ia dalë. Ai flet për lodhje e kontinentit, por edhe për gëzimin e atij që e di që do ia dalë dhe të atij që po pushton. Kjo është një ndjenjë që mund të shikohet sot edhe në vendet e Europës Lindore, të cilat po përjetojnë një bum ekonomik që shikohet me sy disi ziliqarë nga tregtarët e perëndimi, të cilët kanë vështirësi e ngërç nga shumë pika shikimi, si ekonomike edhe nga ato ideatore.
Ajo që Dominik vë në pah më tepër nga të gjitha dhe që duket se është mungesa kryesore e Perëndimit, është “oreksi i suksesit”, dëshira për sundim. Kina është një emblemë në këtë drejtim, por edhe india po rritet po ahst me shpejtësi.
Nga ana tjetër Rusia duket sikur është e dominuar, e futur në një qëndrim prej studiozi, e tërhequr dhe ndoshta disi e poshëtruar, nga fakti që perandoria e madhe është shembur, ku rastet e Çeçenisë e Gjeorgjisë nuk ia dalin që të sjellin shkëlqimin e humbur, dominimin e pushtetin. Ajo është e mbërthyer mes një keqardhje për të shkuarën e madhërishme dhe mospajtimit më të tashmen.
Vendet arabë nuk ngelen jashtë këtij trajtimi. Ata, sipas Moisit, dominohen nga poshtërmi e përulja. Një poshtërim që shndërrohet në akte të dhunshme kur ajo që dëshrohet ndodhet shumë larg për t’u arritur nëpërmjet mjeteve që janë në përdorim. Në këtë moment lind fondamentalizmi religjioz, kamikaët, luftërat e religjionit. Ka një shpresë të vogël si në Rusi edhe në Vendet Arabe, por kjo shpresë nuk është e fuqishme për të kundërshtuar efektet shkatërruese të të ndjerit i poshtëruar apo për të përballuar traumën e të qenit një fuqi e perënduar.
Perëndim nuk përjashtohej nga kjo hartë emocionesh. Për të nuk ëhstë aspak e lavdërueshme që të katalogohet si kontinenti i frikës. Këtë gjë perëndimorët e dinë mirë, sepse e provojnë frikën personalisht ditë për ditë, ndërsa ecin në rrugët e qyteteve të pafundme ku kanë frikë se mos grabiten, vidhen apo edhe përdhunohen në ndonjë lagje periferike. Kjo frikë shndërrohet në një obsesion dominant në vendet perëndimore dhe si përfundim ka vetëm një fjalë që kryeson lëvizjen kundër saj-Siguria. Është pikërisht kjo e fundit ajo që shërben si “armë” për të fituar betejat elektorale dhe debatet e hapura. Një vlerë e përdorur nga të gjithë si mjet për të fituar. Ndërkaq, ndodh edhe një fenomen tjetër. Të humbur në këtë obsesion dhe përpjekje për sigurinë, perëndimorët humbasin energjitë që të bëjnë të shpresosh. Duke mbrojtur “muzeun” e tyre të vlerave e të të mirave, krijojnë një ambjent asfiksues, që nuk lë hapsirë për qarkullimin e ideve. Humbasin krijueshmërinë e tyre.
Gjatë fushatës elektorale në SHBA, Moisi ka komentuar shpesh figurën e Barak Obamës. Sipas këtij studiuesi, fitorja e Obamës, që mishëron fizikisht kontinentet e ndryshme dhe përzierjen e tyre emocionale, mbyll rrethin e emocioneve sepse i sjell botës perëndimore të mirën kryesore, që në dukje është e thjeshtë, për të cilën kishte nevojë që të lehtësohej: shpresën e “po, ne mundemi”.

Nga përplasja e qytetërimeve të përplasja e emocioneve
Samuel Huntington (1927-2008) ka qenë një politolog amerikan, i cili u njoh në të gjithë botën për analizën që i bënte lidhjeve mes qeverisë civilie dhe pushtetit ushtarak, për studimet e tij mbi grushtet e shtetit, për tezat e tij mbi autorët kryesorë politikë të shek. 21 dhe për tezën e tij: civilizimet priren të zëvendësojnë shtet-kombet.
Në vitin 1993 Huntington i dha “zjarr” një debati mes teoricienëve të mardhënieve ndërkombëtare nëpërmjet një artikulli që titullohej “Përplasje e qytetërimeve”. Kjo tezë i kundërvihej një teze tjetër politike që kishe lidhje me dinamikat kryesore të gjeopolitikës të pas-Luftës së Ftohtë, të teorizuar nga Frensis Fukujama si “Fundi i historisë”. Më pas, artikullin e tij Huntington e shtjellon gjerësisht në një libër që e publikoi në vitin 1996 “Përplasja e qytetërimeve dhe rivendosja e Rregullit Botëror”. Sipas tij, konfliktet e ardhëshme do të jenë kryesisht të shpërndara aty ku janë edhe linjat e ndarjeve kulturore, ose të qytetërimeve të ndryshme si psh islamik, perëndimor etj. Bota sipas Huntington nuk do të ketë më përplasje politiko-ideologjike si ato të mëparshmet. Ai beson se ndarja e botës në qytetërime, e përshkruan botën më qartë sesa ndarja sipas shteteve sovrane. Huntington mbështet idenë se për të kuptuar konfliktet e të ardhmes duhet të kuptohen mbi të gjitha diferencat kulturore dhe se kultura (në vend të shtetit) duhet të shihet si vendi i përplasjes. Për këtë arsye ai thotë se vendet perëndimore mund të humbasin dominimin nëse nuk e kuptojnë këtë gjë. Me pak fjalë kjo ishte një prej tezave më të njohura në fushën e mardhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës. Ajo është kundërshtuar dhe mbështetur nga shumë teoricienë. Dominik Moisi duket se bën një analizë më të hollësishme, pasi bazohet te shpriti njerëzor në ndërtimin e “hartës” globale. Megjithatë ai mund të ketë teorinë më të afërt me Huntington, nëse e krahasojme me politologë të tjerë.
A mund të ketë krahasim ky fenomen me vendin tonë dhe si? A mund të ketë ndikim në jetën e institucioneve? Nëse shikon lëvizjet e popullsisë në dy dekadat e fundit, vë re se shpesh herë një minimi “përplasje kulturore” ka ndodhur edhe në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë në përmasa shqetësuese apo problematike, por gjithsesi ka ekzistuar si e tillë. Favorizimet bazuar  në ndarjet krahinore ose paragjykimet bazuar te ato, janë pikërisht një reflektim i asaj që përmenda më sipër. Kjo është edhe arsyeja që në raste të caktuara, krijohet “klani i të besuarve” apo krijohet përzgjedhja e gabuar. Ai problem që shihet në shkallë globale mund të fragmentizohet edhe deri në shtresëzimet brenda një shoqërie, kombi, shteti, krahine apo edhe qyteti të vetëm. Nëse i bën një lidhje me FA, çështja që vlen për t’u parë është ajo e studimit të hollësishëm të burimeve njerëzore që e përbëjnë strukturëat njerëzore të Mbrojtjes. Parë në një këndvështrim të tillë mund të shmangen ato “mini-ndarje” kultorore, krahinore apo edhe botkuptimore të cilat mund të sillnin jo përplasje qytetërimesh por përplasje idesh dhe pengim për të ecur para. Normalisht që nuk kemi të bëjmë me një fenomen të rënduar, por ndoshta do të ishte shumë mirë që të kishte studime të mirëfillta sociologjike e psikologjike në lidhje me njerëzit që punojnë në institucione, me qëllimin e vetëm forcimin e meritokracisë. Ndër të tjera, studime të kësaj natyre mund të shërbejnë madje duke u organizuar edhe në bashkëpunime institucionale kombëtare me qëllim ndërtimin e strategjive të duhura për përballimin e një sfide aktuale në ambientet e sigurisë, e cila ka të bëjë me të ashtuquajturën “fuqi e butë”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: