big_1235878_10151678817701523_2104890289_n
Simbolika e hartës në tryezën e Ramës

Nga: ALBERT HITOALIAJ
Gazeta Shqiptare, 04.10.2013
Me ndryshimin e qeverisë në Shqipëri, pati edhe disa ndryshime që herë u komentuan, e herë jo. Një ndryshim që ra në sy qysh në fi llim, ishte tryeza e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Një dekoracion i ri ishte vendosur në pjesën e hapur të tryezës. Një riprodhim i një harte të vjetër antropomorfe të Europës. Nuk dihet pse, por mungoi interpretimi i mesazhit të saj. A ka një mesazh në vetvete vendosja e asaj harte?
Para disa shekujsh, hartat edhe pse me mangësi të ndryshme, thelbësore apo jo, kishin vetinë që t’i jepnin njeriut idenë e hapësirës. Ndërsa sot edhe pse shumë të sakta, hartat ngatërrohen rëndom me territorin. Një hartë e vjetër vlen sa shumë fjalë të thëna njëherësh.
Në diplomaci asgjë nuk kalon pa pasur një mesazh. Natyrisht që Kryeministria nuk është Ministri e Jashtme, por imazhi i saj është një mesazh që vlen jo vetëm për shqiptarët. Gjeopolitikani i njohur, George Friedman, teksa bënte një analizë për situatën në Siri, e fillonte kështu: “Thuhet se kur diplomati i famshëm austriak, Klemens von Metternich, dëgjoi për vdekjen e ambasadorit turk, ai tha: ‘Pyes veten se çfarë donte të thoshte me këtë’ (pra, me vdekjen e tij)? E vërtetë apo jo, serioze apo shaka, ajo vë në pah një problem të diplomacisë. Në kërkim të kuptimit që qëndron pas çdo gjesti, diplomatët filluan ta konsiderojnë çdo veprim të thjeshtë si një gjest…”
Mbështetur te ky citim mund të nisë edhe përpjekja për të kuptuar gjestin e vendosjes së asaj harte në tryezën e Këshillit të Ministrave. Harta është e titulluar “Europa Prima Pars Terrae In Forma Virginis…”, krijuar në 1548 nga Heinrich Bünting. Këto harta antropomorfe (me formë njeriu) u botuan kryesisht në tokat e Gjermanisë së asaj kohe. Të ngjashme me to janë edhe hartat zoomorfe që janë në formë kafshësh. Harta e parë e Europës në formë mbretëreshe, ka si autor gjermanin Johannes Putsch, i cili lindi në 28 mars 1516 në Innsbruck. Origjinali i kësaj harte, e botuar në vitin 1537, gjendet në muzeun e Innsbruck-ut, “Innsbruck Tiroler Landesmuseum Ferdinandeum, Innsbruck”. Kjo hartë shfaq ndër të tjera, emërtimet: Illiria, Albania Mons dhe Albania. Kjo treshe emërtimesh shfaq pamjen e gadishullit Ilirik dhe vargmalet Albane apo shqiptare (ilire), të cilat shtrihen nga Austria (aty ku fillon emërtimi Iliria) deri në Kostandinopojë. Serbia dhe Bullgaria gjithashtu, ndodhen përtej këtyre maleve. Harta ka edhe detaje të tjera të shumta, por po ndalem veç te këto që sapo përmenda, dhe arsyeja do shihet në vijim. Harta e dytë që është botuar po me këtë formë, Europa si mbretëreshë, i përket Heinrich Bünting, një prift protestant gjerman. Punimi i tij më i njohur është: “Ein Reisebuch über die gantze heilige Schrift” (botuar së pari në Helmstedt; Jacobus Lucius, 1581), një shpjegim gjeografik për Biblën. Ky libër ka pasur më shumë se 60 ribotime deri në shekullin e 18-të dhe është i ilustruar nga një grup hartash. Një prej tyre, Europa në formë mbretëreshe, është edhe harta e cila ndodhet në tryezën e punës së qeverisë “Rama”. Këto harta u publikuan së bashku në 1587, por harta që flasim është krijuar në vitin 1548, pak vite pas hartës së Putsch.
PASKEMI QENË NË EUROPË…
Shqipëria shfaqet në dy harta të botuara nga Heinrich Bünting: në hartën e Europës si grua dhe në hartën e Azisë si kali mitik Pegasus, ku në kufij të saj ndodhet Europa, prezantuar nga Albania (Shqipëria). Pra, pjesa skajore kufizuese e Europës mban emrin e Shqipërisë. Harta e Europës si mbretëreshë u transformua në një hartë kujtese, që kujtonte linjat kufizuese gjeografike të Europës. Në këtë mënyrë, në hartën tjetër zoomorfe të Azisë (“Asia Secunda Pars Terrae in Forma Pegasi”, Azia në formën e Pegasus), Albania (Shqipëria) pasqyronte gadishullin e Ballkanit apo gadishullin Alban, Ilirik, që kufizohet me Azinë. Kjo tregon qartë rrënjën evropiane të shqiptarëve. Ne nuk do shkojmë në Europë, por kemi qenë këtu në të, që në zanafillën e saj, që kur ajo nuk kishte emër. Kjo është histori disi e gjatë, por me pak fjalë, historia antike rrëfen se Zeusi pellazgjik rrëmbeu Europën, bijën e bukur të Agnorit fenikas dhe në kërkim të saj u vu vëllai i saj, Kadmi. Kjo Europë i dha emrin kontinentit tonë. Kadmi, burri i mëvonshëm i Harmonisë, mbreti i mëpasshëm i Enkelejve ilirë, babi i pastajmë i Hyllit/Ilirit, dhuruesi i shkronjave dhe shkrimit në botën antike të ashtuquajtur greke, sipas gojëdhënave besnike të traditës shqiptare, e ka varrin bashkë me Harmoninë diku andej nga jugu i Shqipërisë, nën shtratin e një lumi. Por le të kthehemi te harta jonë, harta e europianëve.
Kreu i hartës së vendosur në tryezën e qeverisë paraqet Spanjën dhe Portugalinë e në majë qëndron një kryq, i cili jep natyrën e krishterë të Europës së shek 16-të. Në dorën e djathtë të Europës, rruzulli me kryq, Sicilia, tregon kufirin e Europës së krishterë, skajin. Gjermania është zemra e mbretëreshës Europë, Franca është gjoksi, Alpet janë zinxhiri i varur në qafë, Italia është krahu i djathtë i mbretëreshës Europë, krahu i majtë është Danimarka. Skeptri mbahet nga krahu i majtë dhe Anglia është pranë majës së skeptrit në formën e një flamuri, në fundin e veshjes, në të djathtë qëndron Greqia me Peloponezin aty afër dhe në të majtë qëndron Moska. Kostandinopoja dhe Prusia paraqiten si dy këmbët e mbretëreshës. Ndërkohë ka dy linja që janë të dukshme dhe të gjata. Linja e lumit Danub dhe vargmalet Albane, si dy zinxhirë të çmuar që varen nga brezi i mbretëreshës. Paralel me malet Albane, në krye pranë Austrisë, filloni shkrimi i emrit të Ilirisë, ndërsa në fund të këtij vargmali qëndron Kostandinopoja. Heinrich Bünting nuk kishte ndonjë interes në glorifikimin e Habsburgëve, por sidoqoftë mënyra e pasqyrimit të Europës në këtë mënyrë ishte një vazhdim i asaj harte që bëri Putsch, i cili e shikonte Karlin e V-të të Spanjës si kurorë katolike, ndërsa Ferdinandi i Austrisë qëndronte si medalje e artë në gjoksin e mbretëreshës. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se Europa po jetonte kohën kur konfliktet ndërmjet protestantëve dhe katolikëve të Perandorisë së Shenjtë Romake do të jepnin atë që ne sot e quajmë shtet-komb dhe sistemin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërkombëtare. Heinrich Bünting nuk ishte i fundit që prodhoi një hartë të tillë, sepse disa vjet më pas do të ishte hartografi gjerman me origjinë hebraike, Sebastian Münster (1488-1552) që do të krijonte një tjetër hartë antropomorfe të ngjashme të pasqyruar në veprën e tij “Kozmografia” të botuar në Basel të Zvicrës. Kjo vepër është ribotuar rreth 40 herë në periudhën 1544-1628 dhe Münster ushtroi influencë për thuajse 200 vjet, ashtu si dhe Bünting. Në hartën e Münster mungojnë shpjegimet dhe natyrisht që edhe ajo ka mangësitë e veta në pasqyrimin gjeografik.
POZICIONI ALBAN NË TRUPIN E EUROPËS
Na duhet të theksojmë këtu, elementin për të cilin po bëjmë krahasimin e këtyre hartave: pozicionin e Shqipërisë (Albanisë dhe Ilirisë). Në hartën e Sebastian Münster mungon Albania dhe Iliria. Jepet Maqedonia, Sklavonia (një unifikim e njehsim i sllavëve me Ilirinë) ndërkohë që ka edhe ndryshime të tjera, pavarësisht se Gjermania konsiderohet sërish zemra e Europës. Më pas Matthias Quad (1557–1613) dhe Johann Bussemacher në vitin 1587 do të bënin një hartë tjetër të ngjashme të Europës mbretëreshë. Albania shfaqet përsëri në këtë hartë, ashtu si dhe Iliria dhe vargmalet e saj si simbol i Ballkanit Ilir. Në basenin pas këtyre maleve gjendet tashmë Serbia. Gjermania qëndron përsëri në zemër, Britania në skeptrin e pushtetit, Spanja në krye si kryqi i Europës etj. Këto janë disa përshkrime të hartës, ndërsa kjo e fundit përmban edhe shpjegime të vendosura anash.
Këta hartografë shfrytëzuan burime të vjetra e të reja për të ndërtuar perceptimin mbi Europën dhe ndikimi i punës së tyre ishte jo i pakët. Simbolika e gjeografisë europiane prekej nga gjeografia politike e asaj kohe. Nëse shikojmë hartat e sotme dhe përpiqemi të përfytyrojmë një hartë antropomorfe të Europës, do të shihnim se disa pika kyç në këtë hartë nuk kanë ndryshuar shumë. Europa ka mbetur kryesisht e krishterë, edhe pse religjioni tashmë nuk është kriter i rëndësishëm që përcakton konfliktet. Britania nuk është më mbretëresha e dikurshme e deteve, por është akoma një shtet me rendësi të madhe në diplomacinë botërore dhe padyshim atë evropiane. Gjermania është zemra e Europës, por këtë herë në versionin e fuqisë ekonomike. Pra këta janë disa elementë të qëndrueshëm në kohë, faktorë e aktorë, të cilët i kanë dhënë formë gjeopolitikës evropiane, botërore dhe rendit të marrëdhënieve ndërkombëtare që ka udhëhequr mbretëresha Europë. Ajo që është korrigjuar në Ballkan këto dekada ngjan me ato qëndrimet e hartografëve të shek. 16-të, ku dikush e hiqte Albaninë e dikush e shfaqte. Flas për elementin shqiptar, i cili është rishfaqur përsëri në skenë me pavarësinë e Kosovës. Kjo pavarësi duket se rikthen edhe një herë termin Albania ashtu si në hartën e Heinrich Bünting, ku gadishulli Ilirik, malet Albane dhe Albania (Shqipëria) zënë pozicionin kryesor në Ballkan dhe janë një nga zinxhirët e çmuar të mbretëreshës. Vlera e sotme e hapësirës shqiptare mund të jetë padyshim vlera gjeografike, gjeopolitike dhe vlera e asaj hapësire që për shekuj ka shërbyer si portë që lidhte Perëndimin me Lindjen. Në këtë mënyrë, theksimi i identitetit tonë perëndimor nuk është vetëm një çështje kulturore, por edhe strategjike, sa historike, aq edhe gjeografike e po aq sa jetike. Mund të shtjellohet gjerësisht pozicioni Alban në hartën e Europës mbretëreshë, si sot, edhe në të shkuarën dhe në të gjitha rastet do të vëmë re se ne kemi qenë gjithnjë një zinxhir i çmuar gjeografik. Duke e parë në këtë mënyrë hartën e Heinrich Bünting, të vendosur në mes të tryezës së punës së qeverisë, nuk ka se si të mos lindin pyetje në lidhje me simbolikën dhe mesazhin që synon kjo pamje, kjo hartë e vjetër, e cila shfaq një hapësirë shqiptare e cila ishte bërë e njohur ato shekuj nga legjendari Skënderbe. Rivlerësimi i kësaj hapësire, duke rishfaqur këtë hartë të Heinrich Bünting, që ndryshon nga ajo e Sebastian Münster, i cili gadishullin e Ilirisë e quan gadishull të Sklavonisë, është një paralelizëm historik që duket sikur jep në mënyrë metaforike shkatërrimin e Jugosllavisë dhe fuqizimin e hapësirës së shqiptarëve në Ballkan. Ky ndryshim gjeopolitik në Ballkan, i varur sigurisht nga ndryshimi i rendit gjeopolitik global, është edhe kyçi i zhvillimeve që ndodhin në vendin tonë. Të rikthehemi te pikëpyetja fillestare: a ka ndonjë mesazh harta e Heinrich Bünting, e vendosur në mes të tryezës së punës së qeverisë “Rama”? Edhe nëse nuk ka, askush nuk mendon kështu në diplomaci. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ka, por mbetet në fuqi pyetja bazë e Klemens von Metternich: “Pyes veten çfarë donte të thoshte me vdekjen e tij?”. Këtë dyshim e forcon edhe partneriteti strategjik i Shqipërisë, ku nuk duhet shumë për t’u kuptuar se pavarësisht vështirësive, pozicioni i shqiptarëve falë këtyre partnerëve është në ngritje, një ngritje e paraqitur shumë bukur nga ana vizuale edhe në hartën e Heinrich Bünting, që mund të përmblidhet me këto fjalë: ripozicionim shqiptar në yjësinë e Mbretëreshës Europë. Shqiptarët po dalin nga mjegulla e harresës…

21632

Ringritja jonë

January 4, 2013

Image

 

Ringritja jonë

Albert Hitoaliaj

Gazeta Shqiptare, 02.12.2012
Shqiponja është një nga llojet e shpendëve më jetëgjatë. Jeton shtatëdhjetë apo edhe njëqind vjet. Por ajo nuk është njësoj si shpendët e tjerë. Nuk bën jetë të njëjtë e të lehtë si ata, madje edhe këtë jetëgjatësi nuk e ka dhuratë, por e ka sfidë. E që të jetë mbretëresha e qiellit, kryeshpendi i ajrit, me jetë të gjatë, asaj i duhet të përballet me një zgjedhje tejet të vështirë. Aty nga mesi i jetës së saj, ajo fluturon drejt një vendi të lartë, drejt një vendi aq të lartë, sa veç një shqiponjë mund ta quajë të tillë, një shkrepi të rrahur gjithnjë nga dielli, me ujë bore të bardhë nëpër zgavra shkëmbinjsh të hirtë. Ja, aty, ajo vendos këmbët e qëndron. Majë atij shkëmbi ajo përballet me sfidën e jetës së saj. Këtë herë nuk i duhet të mposhtë një kundërshtar. I vetmi kundërshtar është vetvetja. E vetmja pengesë apo forcë në këtë moment vjen veç prej shpirtit të saj. Këtë moment do të ndodhë një ndryshim, një shndërrim, një rrugëtim. Ky rrugëtim shndërrues është sa shpirtëror, edhe fizik. Shpirtëror, për guximin që duhet. Fizik, për fuqinë që rifitohet. Prova më e sertë e durimit sapo ka filluar. Në këtë moshë, trupi i saj është i mbuluar tërësisht me pendë dhe krahët e saj, rënduar nga pendët e tejzgjatura, nuk e presin ajrin me mprehtësinë e dikurshme. I duhet të shkulë të gjithë pendët nga trupi e flatrat e saja. Pasi i ka shkulur, ajo drejtohet nga kthetrat. As ato nuk janë si dikur. Janë rritur, vjetërsuar bashkë me të, kthyer së brendshmi, thuajse të papërdorshme. Godet me sqep e shtyn me këmbë çaponjtë, duke i shqyer e shkulur. I mbetet të bëjë edhe një veprim të fundit. Të fundit, e po aq të dhimbshëm. Të fundit, e më lënduesin. Sqepi i saj është i zgjatur e i kthyer teposhtë nga vitet. I duhet t’a shkulë edhe atë. E përplas mbi shkëmb me tërë forcën e qafës. E thyen vetë mbi ata shkëmbinj, ku dikur e mprihte. E pambrojtur, rënë shtrirë mbi shkëmb, ia merr vajtimit e pret. Disa thonë se vaji i saj shkon si kushtrim për shqiponjat e tjera, të cilat fluturojnë rrotull shkëmbit për ta ruajtur e të tjerë thonë se ajo e vajton fatin e saj në vetmi. Vajton mes shkëmbinjsh spërkatur me gjakun e saj, aty ku gjenden pendët, çaponjtë, sqepi, ekzistenca e saj e deritanishme. Vajton mes jetës dhe vdekjes, pa e ditur se cila prej të dyjave do e përqafojë përfundimisht. Për dyzet ditë, a njëqind, a më shumë – askush s’e di saktë se sa, ajo pret rritjen e pendëve, sqepit dhe kthetrave. Diku, aty mbi zemër, i ka dalë e i është zhvilluar në lëkurë një qese mbushur me vaj. Kur sqepi dhe pendët i janë zgjatur aq sa duhet, ajo e shqyen këtë qese dhe e shpërndan vajin mbi pendë. Të shumta janë shqiponjat që nuk i mbijetojnë këtij procesi. Por ato shqipe që e kalojnë këtë sprovë, ringjallje, rilindje dhe mbijetojnë, arrijnë që të fluturojnë përsëri. Ato ringrihen. Ringritja e tyre është si e një shqiponje të re. Para tyre ndodhet një jetë tjetër, me kohëzgjatje sa e para. Kjo jetë e re nuk është e falur. Këtë jetë tash e tutje e sheh si vetëkrijim, si të korrat e fitores mbi vuajtjen, mbi frikën, mbi mëdyshjen. Kjo metamorfozë shpirtërore i jep edhe më shumë vlerë asaj fitoreje fizike mbi kohën. Ringritja është lufta e saj që kalon si shkreptimë përmes zemrës, “guaskës” së shpirtit. Drita e guximit i fal asaj jetën, ose vdekjen e dhimbshme, e cila në këtë mënyrë nuk gjykohet si humbje, por si luftë. Kjo ringritje përpos të tjerave, bart edhe fuqinë e simbolit. Ky është simboli i papërkulshmërisë, i mosdorëzimit, i luftës me vuajtjen për të fituar dritën e jetës. Simboli i besimit, i përqafimit të fatit edhe kur ai është i errët, i ngritjes pas rënies, i fitores së jetës mbi vdekjen sado e përkohshme qoftë kjo. Simboli i shpendit totem të shqiptarëve. Ky simbol i këtij procesi është simboli i fatit tragjik të shqiptarisë. Por është edhe simboli i habisë. Habia vjen nga fuqia që ka ky popull-Sizif, ky Sizif që po bën të pabesueshmen, që po arrin të ndalë gurin e vuajtjes mbi majën e triumfit të paqes–fitore, e cila vjen falë rezistencës së tij. Këtë 100- vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë ky simbol rrezatoi qartë. Kombi shqiptar tregoi se është i njëjti i shekujve të mëparshëm, ajo shqiponja që ka marrë përsipër përballjen me vuajtjen e përcaktimit që sjellin rrethanat, ajo shqiponja që po ringrihet. Ç’ka ndjehej në ajër e shihej në sytë dhe zemrat e gjithë shqiptarëve, ishte bashkimi i flatrave të shqipes, dashuria për fluturim të lirë, ndjenja e ringritjes. Nuk ishte festa, nuk ishin flamujt, nuk ishte organizimi, ishte gjaku, që u ndez nga dheu. Ky proces që po bashkon flatrat shqiptare në një, ky njehsim që sjell ringritjen e mbretëreshës, është procesi i ringritjes shpirtërore shqiptare. Në këtë 100-vjetor Pavarësie, të gjithë shqiptarët ishin nga Kosova e Presheva, nga Mali i Zi, Maqedonia e Çamëria, ishin një e të pandarë ashtu si në momentin i mëvetësimit që kryen krye-engjëjt e altarit kombëtar. A ishte amaneti i tyre, apo besë si ajo e Konstandinit ndezja e gjakut, thirrja e dheut a fuqia e shqiponjës, këtë nuk mund ta thuash. Por, mund të thuash se ringritja tashmë ka filluar. Festimi tregoi pikërisht këtë gjë. Tregoi se shqiptarët nuk e kanë harruar ringritjen, bashkimin që vjen përmes një fati historik, i cili na ka dhënë gjithherë vetëm dy mundësi: -ringrihu ose vdis! Fat i ashpër? Jo, është fati ynë, i cili përputhet me karakterin kombëtar. Ashtu si shqiponja kryen sprovën e besimit, ashtu edhe shqiptarët vendosen historikisht para sprovës së luftës, për t’u ngritur mbi vetveten dhe mbi pamundësinë që sjellin rrethanat historike. Ashtu siç dihet, simbolika e përdorur nga religjionet u mor kryesisht nga epokat paraardhëse pagane. Në psalmet e Davidit (Psalmi 103, The Holy Bible, New International Version, 1973) një prej bekimeve jepet për një rini të ripërtërirë si ajo e shqiponjës. E po ashtu edhe tek shënimet e shën Agustinit (Church Fathers: Exposition on Psalm 103, Augustine), gjendet bekimi “u ringjalltë rinia juaj si ajo e shqiponjës” e më pas rrëfehet legjenda e shqiponjës. Por shqiponja jonë, nuk ka lidhje me fenë. Nuk ka lidhje me fenë, pasi feja jonë-shqiptaria, është më e lashtë se vetë moti. Shqiponja e Zeusit pellazgjik, e Aleksandrit, Pirros, Konstandinit, Skënderbeut e Ismail bej Vlorës, është shpendi totem i kombit. Nuk është një ritual zyrtar, tregues apo përcaktues, formë heraldike e pajetë apo vulë, siç përdoret rëndom nga shtete të ndryshëm sot. Shqiponja është dekodifikimi i shprehjes “lirinë nuk jua solla unë, por atë e gjeta mes jush”, është qenësia jonë kombëtare, është identiteti ynë i gjithë-kohë, “Zeitgeist”-i (fryma e kohës) që qëndron në steré, e jo në oqeanin e kohës apo një lloj “Volksgeist” (fryma e kombit) si i Herderit, është përballja jonë tragjike me historinë, është ringritja jonë e pandërprerë. Kjo frymë që vjen si gjëmim shekujsh, që e çel lisin veç brenda shpirtit kombëtar shqiptar, u kujton shqiptarëve se ka diçka më të madhe se individi, se ata vetë, më të madhe se sa kjo botë e përkohshme. Kjo kujtesë historike është ringritja kombëtare, thirrja e kohërave dhe bërthama e asaj që është vetë ekzistenca kombëtare. Kjo ringritje e vuajtur shpirtërore e këtij 100-vjetori, larë me gjak e lot, ishte premtimi i shqiptarëve ndaj përpjekjes së plakut të urtë të Vlorajve, ndaj amanetit të Pavarësisë së gjithë trojeve shqiptare, ishte falënderim e zotim i përjetshëm: Mos t’u plaktë e mos t’u thinjtë fjala, Shqipëria etnike më vehte dhe e mosvarme!…

Image

Isaiah Bowman: E rëndësishme, kufijtë e Shqipërisë të bashkojnë gjithë shqiptarët me trungun kryesor 

Gjeografi i Wilson-it, formuluesi i qasjes së re gjeopolitike, në një analizë brilante për Shqipërinë

“Shqipëria, vendi i vogël, qendër cikloni e Ballkanit, prej nga mund të lindin probleme të rënda”

Shkruar nga: Pajtim Ribaj, Albert Hitoaliaj

Gazeta “Standard”, 08 Shtator 2012

Isaiah Bowman (1878–1950)

Bowman u bë i njohur gjatë LIB për rolin e tij në përgatitjet që bëri SHBA, për rindërtimin e për ri-vijëzimin e kufijve kombëtarë evropianë të pasluftës. Ai shërbeu si drejtori i “Shoqatës Amerikane të Gjeografisë” (American Geographical Society) dhe ishte përgjegjës për grumbullimin e të dhënave hartografike dhe gjeografike të përdorura nga Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Versajë.Bowman drejtoi punën e Komisionit Hetimor, u mbështet nga specialistët rajonale përgjegjës për kufirin Franko-Gjerman, Poloni – Rusi, Austro-Hungarinë, Ballkanin, dhe të tjera fusha të tilla si Lindja e Largët. Ato harta rezultuan të rëndësishme për përcaktimin e kufijve të rinj gjeopolitik të Evropës, pas humbjes së perandorisë Gjermane dhe rënies së Perandorive Austro-Hungareze dhe Otomane. Mbi 20 popuj evropianë janë identifikuar se kanë të drejtën e ekzistencës kombëtare dhe puna e Komisionit Hetimor ishte e dobishme në transferimin e territorit dhe kalimin e kufijve kombëtare si pasojë e Luftës së Parë Botërore. Bowman ka marrë edhe shumë nderime të tjera profesionale, përfshirë zgjedhjen e tij në vitin 1930 në Akademinë Kombëtare të Shkencave (National Academy of Sciences) dhe bërjen president në universitetin “Johns Hopkins University”, në vitin 1935. Ai këshillonte administratën Rosvelt, dhe ndihmoi që të skicoheshin shumë aspekte të politikës së Jashtme amerikane të pasluftës dhe të formulohej rindërtimi evropian territorial i pasluftës. Në vijim do të shohim shënimet e Isaiah Bowman në lidhje me shqiptarët dhe çështjen shqiptare, të pasqyruara në botimin e tij “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312). Këto mendime, parë rëndësinë e individit në fjalë dhe pozicionin e tij si kryekëshilltari për çështjet territoriale pranë presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës, mund të konsiderohen si mendimi zyrtar apo si këndvështrimi origjinal amerikan për Shqipërinë e kohës. Shumë nga këto zhvillime ballkanike, ashtu si dhe zhvillimet historike shekullore evropiane, ndikuan në krijimin e teorive të mëdha gjeopolitike klasike. Bowman, konsiderohet pjesë e mendimit të zanafillës gjeopolitike. Një paralelizëm që u komentua gjerësisht, është fakti se presidenti Bush e kreu vizitën e tij në një datë historike për shqiptarët, 10 qershor (dita e Lidhjes së Prizrenit); ky artikull vjen si qasje, për të hedhur dritë mbi përpjekjet strategjike të mëparshme amerikane dhe të ardhmen tonë kombëtare, duke shpresuar që të kuptohen më qartë arsyet dhe zhvillimet politike ndërkombëtar me ndikim në fatin kombëtar. Në vijim, le të shohim se ç’shkruan Bowman.

Malësorët shqiptarë

Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi. Siç shihet në hartë Shqipëria është pikërisht, në kahun e kundërt të thembrës së çizmes italiane. Nëse Adriatiku është vërtet një liqen italian, atëherë Italia do e ketë interes jetik Shqipërinë; në një rast të ngjashëm, SHBA, deklaroi në vitin 1898 – dhe iu përmbajt kësaj qysh atëherë – se çështjet e Kubës janë interes jetik për të, duke qenë se Kuba është një vend i vogël e relativisht i dobët, vetëm 100 milje larg nga Florida. Shqipëria ndodhet larg Italisë, sa gjysma e kësaj distance, ose 45 milje.

Karakteri i vendit

Shqipëria është një vend malor përshkruar nga lumenj të rrëmbyer, që derdhen në Adriatik. Ka popullsi e cila është e vendosur në lugina dhe rreth porteve. Rripat e ngushtë të fushave dhe deltave bregdetare, edhe pse pjellore, janë plot sëmundje e të populluara pak. Pjesa më e madhe e vendit banohet prej barinjsh të cilët janë në përgjithësi të pangulur në një vend, duke migruar nga një vend në tjetrin dhe duke ruajtur traditat e zakonet e shkuara. Shqipëria ka pak rrugë dhe thuajse asnjë hekurudhë. Popullsia e saj, për shkak të natyrës së saj të thyer jeton në grupe të izoluara dhe njësia e organizmit të jetës është fisi, i cili shfaq një shpirt pavarësie lokale. Ashtu si disa popullsi të tjera malore, shqiptarët kanë përjetësuar zakonet antike të grindjeve. Proceset ligjore janë shumë të ngadalta dhe të paqarta për natyrën e paduruar të mendimit dhe të shpirtit të lirë të njerëzve, të cilët gëzojnë jetën e shfrenuar e të pakufizuar të malit. Problemet me grindjet, këtu si dhe kudo tjetër, çojnë në një zinxhir të pafund vrasjesh, ndaj të cilit pjesëtarët e secilit fis kundërshtar binden nëpërmjet një sistemi që nuk le vend për punën e ngadaltë të një jurie. Çdokush, nuk mund veçse ta admirojë llojin e guximit të cilin shfaqin këta njerëz mali. Ata nuk e kanë ndërprerë kurrë monologun e tyre mbi nderin. Si kur bëhet ndonjë gjë e gabuar prej dikujt, nga ndonjë fis fqinj, ashtu edhe kur kërkohet ndonjë taksë nga taksambledhësi, ata rrezikojnë fizikisht deri në cakun më ekstrem për të mbrojtur të drejtat sipas mënyrës që ata i konsiderojnë ato të tilla. Për të nënshtruar njerëz të tillë, turku bëri një progres të pakët në thuajse pesëqind vitet e tij të kontrollit. Çështja e besnikërisë së tyre, ndaj besimit mysliman është vetëm sa për emër. Dhe shumë fise të fuqishme e drejtues aktualë ndikues, janë të krishterë dhe e kanë luftuar sundimin turk e kanë shfaqur interes për një program kombëtar shqiptar. Le të shohim se çfarë progresi është bërë në trajtimin e çështjes shqiptare prej fuqive të tjera, që prej vitit 1913.

Aspektet ndërkombëtare të çështjes shqiptare

Në fund të Luftës së Parë Ballkanike, zotërimet turke në Europë u ndanë e u morën nga shtetet ballkanike, përveç dy zonave (Traktati i Londrës, maj 1913): (1) Nga linja Enos-Midia deri te Ngushticat, Turqia vazhdonte të kishte të drejta sovrane; (2) Rajoni i keq-përcaktuar i njohur si Shqipëria, do të kishte kufijtë dhe statusin e tij të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha. I dyti prej këtyre vendimeve, u mor nga insistimi i Fuqive të Mëdha të cilat ishin të influencuara nga kërkesa e Austrisë e cila kërkonte të çlirohej nga kërcënimi i intrigës ruse për Adriatikun. Ajo i trembej kësaj, nëse Serbia (një shtet sllav i mbështetur nga Rusia) duke e bërë Shqipërinë të vetën, do të fitonte mundësi hyrje në Adriatik. Mundësia që t’i merrte Shqipërisë sikur qoftë edhe një pjesë, ishte saktësisht një prej konsideratave që e kishte shtyrë Serbinë për tu bashkuar më Bullgarinë e me Greqinë në Luftën e Parë Ballkanike, për hedhjen nga froni të fuqisë turke në Evropë. Ajo ishte e mbyllur territorialisht dhe kërkonte një dritare në Adriatik ose në Egje (Selanik). Ëndrra e një shteti jugosllav me Dalmacinë dhe Malin e Zi, që të furnizonin daljen e dëshiruar, deri atëherë nuk kishte marrë formën e vërtetësisë. Austro-Hungaria ishte më e shqetësuara për të mbajtur Serbinë të vogël e të dobët, sepse ajo kishte miliona jugosllavë brenda kufijve të saj, dhe nervozizmi i tyre që prej kohësh e sërish, i kishte shqetësuar sundimtarët austriakë. Nëse ata do të zhvillonin shpirtin luftarak të bashkë-vendësve të tyre në Serbi, ata mund të kërcënonin integritetin shumëgjuhësh të Perandorisë Austro-Hungareze. Fuqitë e tjera të Mëdha e miratuan qëndrimin e Austrisë dhe mbajtën Serbinë jashtë nga Shqipëria e nga rajoni Dalmat… Sa i përket Shqipërisë, kufijtë e saj të pasaktë, nuk u përcaktuan kurrë nga fuqitë e njëpasnjëshme që u morën me të (kufij të ndryshëm shfaqen në hartën shoqëruese). Kufiri i përcaktuar nga Konferenca e Londrës e vitit 1913 u pranua nga të gjithë – përveç se nga vetë shqiptarët – si shënjuese e kufijve të sovranitetit kombëtar. Kufijtë ishin tej mase artificialë, duke prerë jo vetëm linjat e komunikimit ekonomik, por gjithashtu edhe lidhjet fisnore, nyejt më të fort në shoqërinë fisnore shqiptare. William Wied, një princ gjerman, u vendos në fronin e sapokrijuar të Shqipërisë (1913). Në vitin 1914, kur filloi lufta, si froni edhe monarkia u tretën dhe Shqipëria u kthye në gjendjen e një qeverie lokale. Shqipëria e veriut dhe ajo qendrore, u pushtuan nga ushtria austriake, e cila për katër vjet ruajti një vijë ushtarake, pak më në veri të Vlorës. Në vitin 1918, ushtritë Aleate të Ballkanit avancuan dhe e rimorën Shqipërinë. Nëpërmjet një traktati të fshehtë të bërë ndërmjet Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, fiks para se Italia të hynte në Luftën Botërore, fuqitë e mëdha planifikuan ta ndanin Shqipërinë, duke i dhënë pjesën veriore Malit të Zi ose Jugosllavisë (Traktati i Londrës, 1915). Pjesa qendrore, do të bëhej një shtet vetëqeverisës mysliman. Pjesa jugore, me Vlorën, do të bëhej territor italian. Në qershor 1917, Italia deklaroi protektoratin mbi Shqipërinë dhe u mor si e vërtetë se aleatët ia lejonin asaj qëndrimin aty. Drejtuesit kombëtarë shqiptarë e akuzuan drejtpërsëdrejti, pas armëpushimit të vitit 1918, se Italia kërcënonte me kolonizim me forcë dhe futje të shkollave italiane për të italianizuar, Shqipërinë e jugut. Është e vështirë për Shqipërinë, që të kundërshtojë veprimet e fqinjëve, sepse ajo nuk është e bashkuar. Institucionet e saj politike janë fillestare dhe të dobëta; ajo nuk ka hekurudha që të lidhë vendin në një unitet; nuk ka një ndjenjë të mirëfilltë të fortë kombëtare, te pjesa më e madhe e njerëzve; pozita e saj tundon fqinjët më të fortë që të lakmojnë tokat e portet e saja. Për një kohë të gjatë Italia, ka insistuar me çdo kusht se ajo duhet të ketë një bazë detare në portin e Vlorës dhe një zonë mbrojtjeje mjaftueshëm të gjerë për operacionet tokësore në rast sulmi. Kjo do t’i sigurojë asaj supermaci detare, në Adriatik dhe do të ruajë tërë vijën e saj bregdetare lindore, një çështje shumë e rëndësishme kur sjellim ndër mend se ajo është e ekspozuar veçanërisht nga sulme detare dhe se ka popullsinë me dendësi më të lartë në Mesdhe. E përballur me një sulm të fuqishëm tokësor nga forcat shqiptare, Italia u tërhoq nga Vlora në verë të vitit 1920. Shqiptarët u hodhën në lëvizje, duke besuar se Italia kishte rënë dakord që t’i aprovonte Greqisë dhënien e Shqipërisë jugore dhe se ishte në prag të sigurimit të një mandati shqiptar, prej Fuqive të Mëdha.

Kufijtë, religjionet dhe etnografia shqiptare

Rajoni në veri të lumit Shkumbin është më tipik shqiptar. Ekzistojnë ndjenja greke në Gjirokastër dhe ndjenja shqiptare në Korçë e në Vlorë. Vini re se si të gjithë qytetet kryesorë, prej të cilëve Shkodra është më i madhi, shtrihen pranë kufirit të vendit dhe janë pushtuar njëri pas tjetrit nga fuqitë e huaja prej disa herësh qysh prej Luftës së Parë Ballkanike (1912), pavarësisht nga fakti se Shqipëria e fitoi pavarësinë e saj prej Turqisë në 1912. Efekti ishte ai i parandalimit të popullsisë, nga ndërmarrja e veprimeve të bashkuara në lidhje me çështjen kombëtare. Shqiptarët e veriut janë të grupuar përgjatë ultësirave të luginës që i jepet liqenit të Shkodrës dhe rreth kufijve të vetë liqenit. Jugu dhe Lindja e këtyre grupimeve janë malësorët e vërtetë, më të lashtët nga të gjithë, një popullsi baritore me zakone e jetë të ashpër. Duke vazhduar akoma më tej në jug, gjenden grupe popullsie përgjatë luginave, të ndarë nga njëri-tjetri prej vargmalesh të lartë, të thiktë e me pak shtigje. Në pjesën jugore fundore të vendit, gjenden krahina të mira agrikulture me qytete të mëdha si Korça. Përgjatë kufirit lindor të masivit kryesor malor shqiptar, gjenden lugina të gjera e të pasura, ku jeton në numër të madh popullsi shqiptare e veçuar, si për shembull Shkupi, Prizreni dhe Ohri. Popullsia e Shqipërisë jugore ka shumë ngjashmëri me grekët ( P.R dhe A.H: autori, me gjasa, i referohet religjionit të ritit ortodoks; aftësisë shqiptare për të njohur gjuhën greke; etnografisë, ku siç dihet fustanella shqiptare u bë kostum kombëtar i Greqisë, riteve të ndryshme të shqiptarëve të Epirit etj, dhe jo elementit etnik shqiptar, i cili shtrihej fuqishëm deri në thellësi të Greqisë së atëhershme). Në rrethina të Gjirokastrës ekziston një ndjeshmëri e fortë pro-greke, për arsye të shkollave greke, por në veri të kësaj zone, shpirti kombëtar shqiptar është i fuqishëm dhe me urrejtje ndaj qëllimeve greke. Qyteti i Korçës, është shqiptar dhe po ashtu edhe territori përqark tij. Në Shqipërinë veriore malësorët kishin varësi prej tregjeve të qyteteve për një sasi të madhe gjërash të nevojshme jetësore dhe këta qytete-tregje, me përjashtim të Shkodrës, gjenden në territor serb apo malazez. Rezultati është se në komunitetet malore, larg prej Shkodrës, ka një mungesë thuajse tërësore të prodhimeve të qytetit. Ngado, kufijtë janë thuajse të mbyllur e ka pothuaj një amulli tërësore të jetës ekonomike. Jeta e malësorëve shqiptarë ka qenë e turbulluar, për një kohë të gjatë prej mbizotërimit të pushtimit ushtarak… Askush nuk mund të udhëtojë në Shqipëri, pa një roje të armatosur dhe grupet malësorësh kanë kryer mizori në shumë vende. Shqetësimi i përgjithshëm vinte nga rekrutimi serb, në zona popullsie shqiptare, përfshirë këto edhe brenda kufijve sllavo-jugore.

Epiri i Veriut

Epiri i Veriut (Shqipëria jugore) ka një popullsi të llogaritur në një numër ndërmjet 250 000 dhe 300 000. Ajo është e ndarë në mënyrë të barabartë, ndërmjet pjesëtarëve të kishës greke ortodokse dhe myslimanëve, shqipfolës të mëparshëm, por që supozohet se kanë simpati për grekët. Për një moment, para luftës, popullsia shqiptare ortodokse e ritit grek, në Epir, e shpalli veten një shtet autonom dhe krijoi një qeveri të përkohshme në Gjirokastër. Në vitin 1914 “batalionet e shenjta” (andartët grekë), thënë se ishin të përbërë nga qytetarë grekë, kthyen në gërmadhe vendin e myslimanëve shqiptarë dhe masakruan apo dëbuan shumë njerëz, duke shkatërruar njëkohësisht edhe fshatrat e tyre. Njëzetmijë njerëz u zhdukën në rajonin e Vlorës… Shqiptarët i kundërshtuan ashpër pretendimet greke, për Epirin e veriut. Argumentet e tyre janë të ngjashëm me ato që sillen në shumë rajone të tjerë të diskutueshëm të Evropës. Popullsia e rajonit flet shqip dhe pothuajse gjysma e tyre janë të fesë myslimane. Korça, qyteti më i rëndësishëm në zonën e diskutuar, është një qendër e ndikimit nacionalist shqiptar. Shkollat janë pothuajse, vetëm në gjuhë greke e kultura greke dhe influenca ekonomike janë mbizotëruese. Këtu, ndjenjat e popullsisë shqiptare këtu, ashtu si kudo tjetër, vështirë të llogariten. Nuk ka pasur praktikë të votimit të lirë dhe është krijuar gjithnjë hutim prej agjentëve propagandues të fuqive fqinje. ( P.R dhe A.H: Bowman nuk zgjerohet në sqarime analitike, por në një përmbledhje voluminoze të Shtabit të Përgjithshëm të Departamentit të Luftës SHBA, në lidhje me inteligjencën ushtarake, [United States War Dept. General Staff, “United States military intelligence 1917-1927, Volume 10”, Garland Pub., 1978, faqe 2383] pretendimi grek për popullsi greke në territoret shqiptare jepet shkurt dhe qartë si falsitet: “Pretendimi grek për jugun e Shqipërisë qëndron plotësisht mbi supozimin se shumica e popullsisë është greke. Grekët, deklarohet se arrijnë numrin 120.000 dhe shqiptarët 80.000. Por, kush janë “grekët”? Së paku 5/6 prej tyre, e mos më shumë janë shqiptarë të krishterë të besimit ortodoks, shqiptarë në ndjenja dhe në gjuhë, të cilët për shkak se kanë pranuar Patriarkun e Kostandinopojës, shpallet të jenë grekë në pikën e “vetëdijes kombëtare”). Sistemimi i rajonit të Epirit verior ka pritur gjatë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Tani që Jugosllavia dhe Italia kanë arritur në një marrëveshje, që nuk e përfshin Greqinë, pretendimet greke mbi Shqipërinë e jugut kanë pak rëndësi. Kthimi i Konstandinit në fronin grek, ka zvogëluar gjithashtu edhe mbështetjen e Aleatëve ndaj Greqisë. Për më tepër, Shqipëria ka fituar njohjen si shtet i pavarur edhe nga Lidhja e Kombeve, dhe si e tillë, ndoshta tani ajo është e sigurt nga cenimet egoiste territoriale.

Ardhmëria për Shqipëri të Bashkuar

Ndërkohë, udhëheqësit shqiptarë janë duke punuar për bashkimin e popullsisë në një shtet dhe përpjekjet e tyre kanë rezultuar në pranimin ne Lidhjen e Kombeve dhe njohjen e Pavarësisë. Një qeveri e përkohshme ka bërë një marrëveshje fillestare me Italinë, e cila e lë këtë të fundit në zotërim të gadishullit, në të dy anët e Vlorës dhe të ishujve që ruajnë rrugët, por ajo lëshon qytetin e portin e Vlorës. Italia fiton gjithashtu njohjen e interesit të saj suprem politik në çështjen shqiptare, si pjesë e programit të saj të përgjithshëm për mbrojtjen e Adriatikut. Në 3 gusht 1920, Italia firmosi një marrëveshje me Shqipërinë, nëpërmjet së cilës ajo braktis Vlorën (shumë e mbivlerësuar, si kyçi detar i Adriatikut), por mban ishullin e Sazanit, i cili e komandon atë, dhe përdorimin e gjirit të Vlorës kur do jetë e nevojshme për strehim apo riparime. Italia kishte gjithashtu të drejtë që të pushtonte e të fortifikonte dy pikat tokësore që e mbyllnin Vlorën në veri e në jug e të kishte liri veprimi nëse integriteti i Vlorës dhe Shqipërisë do të kërcënohej. Ajo e njihte pavarësinë e bashkimin Shqipërisë dhe shpreson në këtë mënyrë që të neutralizojë ndikimin anti-italian si jug edhe në veri të Shqipërisë. Do të ishte e rëndësishme që kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë t’i kishim të skicuara në mënyrë të kujdesshme, që të bënim bashkimin, me aq sa është e mundur, e të gjithë shqiptarëve të lidhur drejtpërsëdrejti me trungun kryesor dhe të siguronim zhvillimin ekonomik, i cili formon një nga bazat e paqes së qëndrueshme. Prapë se prapë, procesi i bërjes së një shteti të bashkuar do të jetë dyfish i vështirë në një tokë me thuajse asnjë hekurudhë, pak gazeta dhe një shkallë të lartë analfabetizmi. Gjithashtu, në kundërshtim, me procesin e bashkimit janë shtetet rivale kufizuese, Greqia, Jugosllavia dhe Italia. Po qe se, për të çuar para, interesat e tyre tregtare, këta shtete ushtrojnë format tradicionale të propagandës politike atje mund të shkaktohet çrregullim, për të mos thënë shkatërrim

Disa përfundime të shkurtra

Një nga mësimet e çmuara që përcjell kjo trajtesë modeste e Bowman, është rëndësia që marrin hartat, përmes të cilave studiues të ndryshëm të MN shpjegojnë shkaqet kryesore të konflikteve kufitare në mbarë botën dhe propozojnë zgjidhje të ndryshme. Duke i u referuar historisë së kufijve në mes shteteve, shteteve të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, atyre që u shkëputën nga kolonializmi, si dhe atyre pas shpërbërjes së BS dhe ish- Jugosllavisë mënyra më e mirë për të gjetur ekuilibrin dhe mos pasur frikë nga ndryshimi i kufijve, është fokusimi në vijat që i kalojnë vijat e kufijve politikë, në vijat e infrastrukturës, rrugore, detare, hekurudhore, korridoret e kalimit të energjisë, të cilat harta i shpjegojnë shumë mirë. Dhe në fund të fundit “hartat tregojnë rrëfenjën e vërtetë” (F. Braudel). Sepse popujt apo shoqëritë që u prijnë nismave civilizuese, etj,fillimisht formojnë një perceptim global, që zhvillohet nga një perceptim njohës shumë kompleks, trajtën më konkrete e gjen te harta. Dhe megjithëse gjeografia është një e vërtetë objektive, hartat janë trajta subjektive e kësaj të vërtete objektive” të kaluar përmes një procesi njohje qytetërimi” (Davutoglu). Përvoja ka treguar se, në zonat dhe periudhat shfaqen kufij juridik në përputhje me paralinjat gjeopolitike dhe gjeokuturore, përgjithësisht, lindin marrëdhënie politike, të stabilizuara. përkundrazi, kufijtë pa themele gjeoplitike, gjeokulturore dhe gjeoekonomike, siç ka treguar Ballkani e gjetkë, janë dhe bëhen burime krize.Pa u ndalur gjatë, tashmë në mjedisin e ri strategjik, shqiptarët duhet të kenë perceptim real në vlerësimin e kufirit shtetëror me atë kombëtar duke u orientuar qartë ndaj këtij të fundit. Më tej,disa nga shtyllat e analizës gjeografike, apo gjeopolitike nëse duam të quajmë të tillë, që Bowman, nënvizon në kapitullin tij mbi shqiptarët janë këto: malësorët e pashtruar shqiptarë; dëshira e kahershme e Italisë për aneksimin e Shqipërisë; shpërndarja e popullsisë në Shqipëri; Shqipëria, e paorganizuar mirë për të kundërshtuar kontrollin e huaj; zakonet çifligare ndërmjet fiseve; rivaliteti serb e austriak në Shqipëri; frika austriake për një rritje të Serbisë në veri të Danubit; qendrat dhe kundërshtitë e interesit shqiptar; plani prezent për bashkimin e Shqipërisë. E përmbledhur në pak fjalë, ai trajton marrëdhëniet mes karakterit kombëtar/identitetit, kompozimit të gjeografisë (fizike e politike) dhe fuqisë kombëtare që ka e duhet të ketë një Shqipëri e bashkuar. Ky është edhe trekëndëshi, mbi të cilin duhet parë, pozicionimi gjeopolitik shqiptar. Sot, mbase kanë ndryshuar vlerat e secilit prej tre elementëve, por ato kurrsesi që nuk janë zhdukur e madje, mund të thuhet fort, se është pikërisht ky trekëndësh – gjeografia, karakteri kombëtar dhe fuqia kombëtare – ai që ndikon në mënyrë të vazhdueshme edhe proceset politike e integruese të Shqipërisë. Bowman, është një prej themeluesve të CFR (Council on Foreign Relations), një organizatë me ndikim shumë të fuqishëm në politikën e jashtme amerikane, krijuar nën mbështetjen e dinastisë Rockefeller, dhe projektuese e figurave kryesore, për ndërtimin e strategjive globale amerikane; mjafton të përmendim emra të saja si Henry Kissinger, apo Zbigniew Brzezinski dhe kuptohet se sa peshë ka në politikën e jashtme amerikane. Projektet e tyre janë përtej vendimeve momentale, pasi i nënshtrohen strategjisë së madhe, qëllimet gjeopolitike, që vënë në lëvizje atë i ka trajtuar bindshëm dhe G. Friedman, e cila shtrihet hap pas hapi në dekada e shekull. Arsyet amerikane për krijimin e një Shqipërie natyrale, etnike nuk janë “dashuri” hyjnore, por janë ftohtësi racionale e cila ushqen mendimin strategjik që synon ekuilibrin nëpërmjet fuqizimit të fuqive historike detare. Ligjet e këtij ekuilibri gjenden te gjeopolitika. Nuk është aspak rastësi, që këtë term të “damkosur” padrejtësisht nga nazizmi dhe LIIB, e rifuti në përdorim Kissinger . Teoritë e mëdha gjeopolitike, të cilat shohin si burim të ndërtimit të Rendit botëror përplasjen mes fuqive detare dhe atyre tokësore, janë shfaqur hapur në Ballkan. Si fuqia më e madhe globale, por edhe si udhëheqëse e fuqive detare, SHBA, po realizon hap pas hapi krijimin e Rendit të ri Botëror. Ky rend, edhe pse jo i thënë më zë të lartë, ka pamjen e një rendi gjeopolitik, ku gjeografia dhe burimet janë e do të jenë çelësi për paqe e zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Përballë saj, si fuqia me epërsi të padiskutueshme gjeografike, e asaj gjeografie që babai i gjeopolitikës britanike e quante “Zemër e Tokës”, qëndron Rusia. Kjo e fundit, është fuqia tokësore kryesore, një depozitë e pamasë burimesh, shtet që zotëron thelbin e Euroazisë, që kërkon ekspansion influence për arritjen e deteve të ngrohta, aleancë të ngushtë strategjike me Europën dhe shtyrje jashtë saj, të SHBA-së, bashkim të fuqive Euroaziatike dhe kësisoj një ekuilibër botëror, me qendër në masën kontinentale Euroazi. Nëse, plotësohet vetëm një pikë, atëherë arrihet dominimi kontinental mbi fuqitë detare: për këtë nevojitet një aleancë strategjike Rusi-Gjermani. Nga ana e saj Gjermania është një qendër gravitacionale që mban lidhur, në pamje të parë sigurinë ekonomike evropiane, por në rrënjë, ajo është qendra gjeografike kontinentale e Evropës. Aleanca e saj me fuqitë detare frenon ekspansionin strategjik rus mbi Evropë. Shtrati i shteteve, që ndajnë Gjermaninë me Rusinë janë ndoshta “leva” e sigurisë që frenon këtë qasje, një strategji kjo që u bë dhe baza e frenimit në Luftën e Ftohtë e që u bë edhe shtysa e zgjerimit të NATO-s e të BE-së. Por nuk mund të mos kihet parasysh thellimi vertikal global dhe gjeopolitika e pan-zonave e cila e vendos BE në një pozicion ekuilibrues ndërmjet fuqisë detare e asaj tokësore. Kaq sa u tha janë veç disa “ngacmime” të thjeshta, sa për të ngacmuar vëmendjen gjeopolitike ndaj zhvillimeve globale e jo analizë e thelluar. Ballkani është një prej pikave kryesore të strategjisë së madhe për kontroll mbi sistemin gjeopolitik global. Ky rajon ka peshë për faktin se sheh të ndërthurur faktorë historikë, fuqi të mëdha, religjione të kundërta, kombe shumë të moçëm dhe një gjeografi shumë të rëndësishme. Qasja e dukshme e Turqisë, prezenca e vazhdueshme italiane, vëmendja dhe pretendimet e pareshtura greke, arbitrazhi amerikan, dykuptimësia evropiane, armiqësia e dukshme serbe dhe kanosja e heshtur ruse, mund të përmblidhen në një emër të vetëm: gjeopolitikë. Shqipëria jonë, që na duket kaq e vogël, qëndron në “sy” të një rajoni i cili është në gjendje të ofrojë një gamë të gjerë problemesh të rënda, siç e ka provuar. Në vitin 1937, gjeografi gjerman Stadtmüller, thoshte se, roli gjeopolitik i Shqipërisë për 2000 vjet, kishte qenë ai i një porte hyrje, ndërmjet Adriatikut dhe Ballkanit. Sipas tij, cikli 2000- vjeçar i dominimit nga fuqi të Adriatikut apo të Ballkanit në Shqipëri, u thye me daljen e komunizmit, pas LIIB. Asokohe, roli gjeopolitik i kësaj porte ndryshoi… Por, sado që ndryshojnë sistemet e ideologjia, përgjigjja gjendet përsëri te gjeografia, apo thënë më saktë, gjeopolitika. Kjo është arsyeja e qasjes racionale, ndaj zhvillimeve që ndodhin në vendin tonë, pasi në bazë të lojës së madhe nuk janë emocionet (as rishkrimi i historisë, as pakicat, as religjionet etj-këta janë, veç elementë ‘shërbëtorë’), por është analiza e ftohtë e fuqisë, pesha gjeopolitike dhe të kuptuarit e saktë se në cilën pjesë të sistemit global ndodhemi saktësisht. Pyetja që vjen vetvetiu ndër mend është: a janë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, aq sa duhet shqiptarët, për përgjegjësinë e mbajtjes në dorë të çelësit të Adriatikut, një prej deteve më strategjikë të Evropës? Koha do tregojë aftësinë, apo paaftësinë tonë.

Burimi:

http://www.standard.al/index.php/s-speciale/6461-isaiah-bowman-e-rendesishme-kufijte-e-shqiperise-te-bashkojne-gjithe-shqiptaret-me-trungun-kryesor

Image

Afganistan, farat e terrorit – terrorizmi dhe heroina

 

Albert Hitoaliaj

Natyra e kërcënimeve ndaj sigurisë ka ndryshuar ashtu si ka ndryshuar edhe koncepti për luftimin e tyre. Kërcënimet e reja të botës aktuale kanë si “majë” piramide terrorizmin, por ky i fundit e ka shtrirë hapësirën e tij edhe në drejtim të botës së errët të krimit të organizuar dhe të trafiqeve të lëndëve narkotike e të armëve. Pra, natyra e kërcënimit nuk shtrihet vetëm në sferën ideologjike, fetare apo politike, por  është komplikuar më tepër duke u gërshetuar edhe me aktorë të tjerë të botës së krimit. Tashmë ka filluar të zhduket gjithmonë e më shumë vija ndarëse ndërmjet trafiqeve dhe terrorizmit. Nëse baza e aksioneve terroriste është ideologjia, manipulimi psikologjik dhe përdorimi i fesë për të shtyrë drejt sulmeve vetëvrasëse- financimi i organizatave është një degëzim tjetër, po aq i rrezikshëm e kërcënues. Nuk është më diçka e re nëse jepen raporte për përzierje të drejtuesve talebanë ekstremistë në trafikun e heroinës. Nëse deri dje, droga të sillte ndërmend familjet mafioze apo filmin “Kumbari”, sot ajo ka filluar të ketë “kumbarë” të rinj që e drejtojnë biznesin nga bazat e tyre të fshehta nëpër malet e Afganistanit apo Pakistanit. Materialet e këtij shkrimi bazohen në një punë kërkimore që ka kryer një gazetare e guximshme amerikane, Gretçen Peters, e cila ka punuar për vite të tëra për të dhënë një pamje të perandorisë së heroinës. Gretçen Peters është një amerikane, e cila ka lindur në Boston, me profesion gazetare. Ajo ka realizuar reportazhe që prej Pakistanit e Afganistanit për më tepër se një dhjetëvjeçar, për agjencitë e lajmeve AP dhe ABC News. Greçen ka shpenzuar pesë vjet kërkime dhe shkrime për të realizuar librin e saj “Farat e terrorit”. Materialet që ka grumbulluar në terren janë realizuar edhe falë ndihmës së guximshme të disa gazetarëve vendas që e shoqëruan në punën e saj kërkimore. “Kur mendoj për talebanët, më vjen ndër mend Toni Soprano (shënim: personazhi i një filmi serial amerikan për familjet mafioze) dhe banda e tij. Ata (talebanët) janë më mafiozë se muxhahidinët…”, do të thoshte ajo në një reportazh për talebanët.

 

Farat e Terrorit

E parë nga brenda, perandoria e tyre ishte ndërtuar mbi ideologji, por mbahej në këmbë nga trafiku dhe terrori. Ajo argumenton me punën e saj se, mënyra kryesore për të luftuar talibanin dhe Al-Kaidën atje është nëpërmjet ndërprerjes së parave të drogës. Sipas një raporti të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA, agjencitë e zbulimit amerikan vijojnë të besojnë se, dhurimet nga simpatizuesit e pasur të Gjirit përbëjnë pjesën më të madhe të fondeve për talibanin, Al-Kaidën dhe grupet e tjera ekstremiste që veprojnë përgjatë kufirit Af/Pak (Afganistan/Pakistan). Mirëpo, një shqyrtim i thellë i veprimtarive të tyre të përditshme të nxit të mendosh ndryshe. Pavarësisht nëse merren me mbikëqyrje të tregtisë së opiumit, me rrëmbime personash, vjedhje bankash, kontrabandë armësh, grabitje ose trafik njerëzor, grupet nga të dy krahët po veprojnë aktualisht më tepër si mafiozë se si muxhahedinë. Është e vështirë të bëhen përgjithësime rreth përhapjes së gjerë të kryengritjes në Af/Pak, sepse ka shumë grupe të ndryshme kundërshtetërore që veprojnë në të dy anët e vijës Durant dhe ata nuk veprojnë përherë në të njëjtën mënyrë. Ende vijon të ketë raporte për udhëheqës ekstremistë që kërkojnë dhe marrin dhurime në të holla nga anëtarët simpatizues të bashkësisë. Por, përherë e më tepër, grupet kundërshtetërore në Af/Pak duket se po shpenzojnë një sasi të ndjeshme të energjisë së tyre të përditshme, duke u marrë me metoda kriminale fond-mbledhëse dhe kjo përfshirje në krim po ndryshon njëherësh strategjinë e tyre të luftimit dhe natyrën themelore të zgjerimit të kryengritjes. Ndryshueshmëria e kryengritësve në Af/Pak nuk është as e re, as e veçantë. Gjatë gjithë historisë dhe kudo nëpër botë, kryengritësit dhe grupet terroriste i janë rikthyer në mënyrë të përsëritur krimit për të mbështetur veprimtaritë e tyre. Dhe me kalimin e kohës, fitim-sjelljet kriminale i kanë zvetënuar vetitë e përkushtimit ndaj ideologjisë fillestare. FARK-u, IRA dhe Hezbollahu kanë kaluar metamorfoza të ngjashme, dhe ndoshta, rasti më i njohur në histori është mafia siçiliane, e cila e ka pasur fillesën ashtu sikurse talibani për mbrojtjen e një bashkësie etnike nga veprimet e skajshme të sundimtarëve vendas.

Në Afganistanin Jugor dhe Jugperëndimor, ku talibani mbron dhe takson tregun shumë-miliardë dollarësh të opiumit, qysh prej vitit 2001, kryengritësit e kanë zgjeruar përfshirjen e tyre në tregti. Fillimisht, komandantët talebanë u kufizuan përgjithësisht në taksimin e dërgesave të drogës që lëviznin nëpër zonat e tyre të kontrollit dhe më vonë, filluan të sigurojnë mbikëqyrjen për dërgesat e opiumit dhe për rafineritë e heroinës. Tashmë është diçka e zakonshmë të dëgjosh që komandantët talibanë administrojnë rafineritë e tyre, të cilat janë përhapur gjerësisht brenda territorit të mbajtur nga kryengritësit. Gjithashtu, ka prova të shumta se, disa komandantë të talibanit afgan vijojnë të kontrollojnë dërgesat e drogës, ndërkohë që largohen nga territori afgan, ç’ka tregon që lëvizja po e zgjeron sferën e vet të ndikimit kriminal. Megjithëse komandantët talibanë i kanë bashkëlidhur veprimtaritë e tyre në të gjithë tregtinë e opiumit, ende nuk do të ishte e saktë të parakuptohet që talebanët kontrollojnë tregtinë e drogës. Kartelet e drogës, të cilat janë të bazuara kryesisht në Pakistan dhe janë të ndërvarura njëherësh nga lidhjet me aktorë kundërshtetërorë dhe shtetërorë, mbeten vendimmarrësit kryesorë dhe sigurojnë përfitimet më të mëdha. Dhe ndërkohë që është e qartë se, numri në rritje i komandantëve talibanë atje është kryesisht për shkak të parave, po ashtu, do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se, lëvizja në tërësi e ka braktisur qëllimin e saj për dëbimin e forcave perëndimore nga Afganistani. Në njëfarë mënyre, do të ishte më e saktë të thuhej se, një bërthamë e vogël besimtarësh të njëmendtë komandojnë ende talebanin afgan dhe nuk ka dëshmi të mjaftueshme që këta udhëheqës jetojnë jashtë përfitimeve të majme nga mbikëqyrja dhe taksimi i tregtisë së drogës.

Një pyetje kryesore që duhet të parashtrojnë forcat e zbulimit perëndimor është se çfarë synon të bëjë udhëheqja e talebanit me përfitimet e pakufishme që siguron nga tregtia e drogës dhe krimet e tjera,  të cilat unë i vlerësoj në shuma të përvitshme deri në gjysmë milioni dollarë.

Këto përfitime të pakufishme kriminale nuk burojnë vetëm nga drogat. Që prej vitit 2001, grupet kryengritëse, në të dy krahët e Vijës Durant, e kanë zgjeruar përfshirjen e tyre në një varg veprimtarish kriminale. Rrëmbimi i personit është shndërruar në një industri në rritje, në të cilën, bandat kriminale dhe grupet kryengritëse bashkëpunojnë për të rrëmbyer afaristët e pasur dhe mandej për t’i shitur ata tek familjet e tyre. Në të kaluarën, viktimave të rrëmbimit shpesh u pritej koka para kamerave për qëllime deklaratash politike, siç ishte rasti mjaft i njohur i lajmdhënësit të gazetës “Wall Street”, Deniëll Përl (Daniel Pearl). Rrëmbimi i kohëve të fundit i korrespondentit të gazetës “New York Times”, Dejvid Rohd (David Rohde), është tregues i faktit që përfitimi është tani motivi kryesor. Sipas burimeve fisnore në FATA (Zonat Fisnore të Administruara Federativisht në Pakistan), kryengritësit që e mbajtën z. Rohd kërkuan fillimisht 28 milionë dollarë për lirimin e tij. Në pjesë të tjera të teatrit të luftimeve, kryengritësit janë marrë me kontrabandë lëndësh drusore, me trafik njerëzor dhe me shitje smeraldesh në tregun e zi. Në disa raste, kryengritësit kanë përdorur vjedhjen e bankave: për shembull, kohët më parë, luftëtarë besnikë ndaj udhëheqësit të mëparshëm të talebanit Pakistanez, Beitullah Mehsud, vodhën një këmbyes parash në pjesën jugore të kryeqytetit-port, Karaçi dhe mandej i kaluan kontrabandisht të gjitha paratë te FATA. Mënyra si ndërveprojnë grupet e ndryshme është e ngjashme me atë të lidhjeve mes tyre të familjeve të krimit në Mafia. Herë-herë ato bashkëpunojnë dhe të tjera herë luftojnë kundër njëri-tjetrit, përfshirë përleshjen për pushtet në Vaziristanin Jugor, që u pasua me vrasjen e z. Mehsud. Në shumë raste, ku kryengritësit dhe fraksionet takfiri luftojnë ndërmjet tyre ose kur ka beteja mes tyre, në qendër të përleshjeve është paraja. Për të shmangur këtë problem, zhvillohen mbledhje të rregullta të nivelit të lartë ndërmjet grupeve të ndryshme për të vendosur të drejtat e përfitimit sipas ndarjes përkatëse të territoreve.

Kur grupet e ndryshme bashkëpunojnë, qëllimi është zakonisht përfitimi i parave. Ka raporte që shtyrja e Talebanit Pakistanez në pjesët veriperëndimore të atij vendi të jetë financuar pjesërisht nga degë të tjera të kryengritjes në një kuadër më të gjerë. Kohët e fundit, një nga hulumtuesit e mi intervistoi operativë të nivelit të ulët në Baxhaur, të cilët i thanë atij se luftëtarët afganë dhe uzbekë po vijnë me valixhe të mbushura plot me para, me sa duket për të ndihmuar në pagesat për operacionet në Svat dhe Buner. Gjatë muajve të fundit ka pasur raporte të ngjashme nga provinca Kunduz në Afganistanin Verior, ku është vërejtur një shpërthim në veprimtaritë e Talebanit. Një nga hulumtuesit e mi ishte vënë në dijeni nga autoritetet vendore se luftëtarët uzbekë po këshillonin Talebanin Afgan, ndërkohë që u rifutën në provincë. Zyrtarë të SHBA-ve që janë në ndjekje të grupit HIG (Hezb-e-Islami Gulbuddin) në Afganistanin Lindor, kanë hasur në prova se luftëtarët e huaj që veprojnë në atë rajon po u kalojnë fonde kryengritësve në Çeçeni dhe në Azinë Qendrore. Dhe ndoshta më shqetësuese është që ende ka tregues gjithnjë në rritje se disa luftëtarë në Afganistan kanë lidhje me bandat kriminale në Perëndim. Raporti i paradokohshëm për Senatin e SHBA-ve tregon gjithashtu se zyrtarët e zbulimit amerikan vijojnë të besojnë që Al-Kaida nuk luan ndonjë rol dhe nuk siguron përfitime nga tregtia e drogës afgane dhe veprimtari të tjera kriminale. Unë kam bindjen që kjo është e pasaktë. Gjatë gjithë kohës së studimit tim për “bërthamat e terrorit”, unë gjeta dëshmi që udhëheqës të Al-Kaidës dhe luftëtarë të huaj të lidhur ngushtësisht me ta, në veçanti Lëvizja Islamike e Uzbekistanit, luajtën një rol bashkërendues. Asnjëherë nuk gjeta dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Al-Kaidës në anën operative të tregtisë së drogës – të tilla si bashkëveprim për dërgesa të drogës ose administrim të laboratorëve të heroinës. Megjithatë, ishte e qartë se zyrtarë të lartë të Al-Kaidës bënë takime dhe ndihmuan në përmirësimin e lidhjeve që bënë të mundur ndër-shkëmbime të mëdha të drogës përmes linjave fisnore, kufijve krahinorë dhe shtetërorë. Më shumë sesa të diskutojë nëse grupet terroriste përfitojnë nga veprimtaria kriminale ose të përpiqet të përcaktojë përqindjen e fondeve që vijnë nga krimi, bashkësia e zbulimit do të tregohej më mendjemprehtë po të përqendronte përpjekjet e veta në përcaktimin dhe ndërprerjen e rrjedhës së parave në drejtim të grupeve terroriste, ekstremiste dhe kryengritëse (ashtu si edhe, pa dyshim, ndaj aktorëve shtetërorë të korruptuar). Shkatërrimi i burimeve të fondeve të armikut, i ndërthurur me përmirësimin e njëkohshëm të qeverisjes, janë shtylla themelore për çdo fushatë kundër-kryengritëse dhe Afganistani e Pakistani nuk do të jenë përjashtim. (kjo ishte një pjesë prej rrëfimeve unike të gazetares G. Peteres)

 

Kush është Gretchen Peters

Gretchen Peters është autorja e librit të famshëm “Seeds of Terror”, një libër i cili theu shumë i mprehtë që gjurmon rolin që ka luajtur tregtia e opiumit në konfliktin e tre dekadave në Afganistan. Me anët të ndihmës së gazetarëve lokalë, ajo shpenzoi pesë vjet duke bërë kërkime dhe mbledhje materialesh në terrenin e Afganistanit, shpesh herë në zona shumë të rrezikshme, duke kombinuar arkivat dhe duke vëzhguar dhe intervistuar luftëtarët talebanë, kontrabandistët, zyrtarët ligjvënës, diplomatët dhe oficerët e inteligjencës. Ajo është një gazetare që ka fituar çmim për punën e saj në këtë terren lufte. Peteres ka mbuluar me lajme Pakistanin dhe Afganistanin për më tepër se një dekadë, së pari për Associated Press dhe më pas për ABC Neës. Ajo ka punuar edhe për media të tjera shumë të njohura si “National Geographic Society”, “Christian Science Monitor”, “The New Republic” dhe mbetet një komentatore e rregullt në NPR, CNN, BBC etj si dhe shumë programe televizive. Peters ka bërë një raport politik mbi tregtinë e opiumit për “U.S. Institute of Peace” së bashku me “Qendrën për luftën kundër terrorizmit” të West Point  dhe e publikoi raportin duke e titulluar “Crime and Insurgency in Afghanistan and Pakistan” (Krimi dhe kryengritja në Afganistan dhe Pakistan). Peters ka bërë prezantime të punës së saj në Pentagon, Departamentin e Shtetit, DEA (Drug Enforcement Administration), DIA (Defense Intelligence Agency), Komandën e Operacioneve Speciale (Special Operations Command), Navy Seals, në më shumë se 12 universitete dhe organizata kërkimore shkencore si dhe para mijëra grave të cilat shërbëjnë për SHBA në Afganistan. Editorialet e saja janë publikuar shpesh në Neë York Times dhe Foreign Policy. Jeton në Denver dhe jep leksione si pedagoge e nivelit të lartë për studentët e Sigurisë Ndërkombëtare në “Korbel School of International Studies”.

 

 

Vlerësime

“Është e rrallë që një gazetare të shkruajë për disa aspekte të politikës së jashtme amerikane, të bëjë një kërkesë për ndryshim dhe t’i shohë këshillat e saja të pranuara”

– The Economist –

 

“Farat e terrorit (Seeds of Terror), ofron faqe pas faqeje një informacion magjeps mbi pasojat e dekadave të tëra vendimesh politike shkatërruese. Ky libër është i mirë-dokumentuar, i mirë-shkruar dhe është një punë shembullore gazetarie.”

– Leëis Perdue, Barron’s –

 

“Tronditës… Nuk duhet lënë pa lexuar nga asnjë prej politikë-bërësve perëndimorë dhe Presidenti Obama”

 – Ahmed Rashid,autoi i librit shumë të shitur, botuar nga New York Times, “Taliban and Descent into Chaos” (Talibanët dhe rënia në kaos) – 



 

“Peters ka bërë një punë superiore me ‘Seeds of Terror’”

– Jack Lawn, shefi i DEA- në periudhën e Ronald Reagan dhe George H. W. Bush – 



 

“I detajuar dhe shumë i lexueshëm… gjurmon në mënyrë mjeshtërore suksesin e pamasë të të tregtisë ilegae të heroinës në Afganistan.”

– Frederick P. Hitz, ish inspektor i përgjithshëm CIA-s dhe autor i “Why Spy”

Image

Foreign Affairs: Greqia e vitit 1861, 20% të banorëve i kishte shqiptarë

Albert Hitoaliaj

Pak muaj më parë, ndër të tjera, në 20-vjetorin e themelimit të OMONIA-s, konsulli grek në Korçë, Ikonomus, tha: “Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke”. Cila betejë? Ç’luftë synojnë të bëjnë grekët? Duke shtuar në mënyrë artificiale numrin e popullsisë “greke”, hapin tjetër, betejën tjetër, ata do bëjnë që kjo popullsi të fitojë autonominë e mandej të bashkëngjitet me popullsinë mëmë të Greqisë. Ata kërkojnë të bëjnë një lloj paralelizmi me rastin e Kosovës, duke shpresuar vonimin apo pezullimin e zgjidhjes së pronave të shqiptarëve të dëbuar nga Greqia. Kjo luftë nisi nga Venizelosi.

Në krijimin e saj si shtet, Greqia rezultonte të ishte një shtet me shumë kombe në brendësi dhe kjo gjë është fakt historik. Popullsia shqiptare ishte një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së shtetit të ri grek. A u lejua ajo popullsi të fliste gjuhën e saj? A u hapën shkolla për shqiptarët, heronjtë e revolucionit grek që nuk dinin greqisht? Jo. Ata u tretën në harresë. U asimiluan me metoda nga më të ulëtat, deri në dëbim masiv. Pa dashur të zgjatem në këtë drejtim, do të sjell në vëmendje një raport diplomatik, të Mr. Lyiton, ambasador i Britanisë në Greqinë e vitit 1865, që  i drejtohet Ministrisë së Jashtme britanike.

Ky raport është pjesë e botimit “Accounts and papers of the House of Commons, Great Britain” (Raporte e dokumente të Parlamentit, Britani e Madhe), botuar nga Parlamenti britanik. Raporti mbi gjendjen e popullsisë dhe mbretërisë greke, titullohet: “Report by Mr, Lyiton, Her Majesty’s Secretary of Legation, on the present Condition of the Greek Kingdom and People, Athens, January, 1865”. Po shkëpusim një fragment nga pjesa e nënndarjes “Popullsia dhe kombësia”. Ja se ç’thuhet:

“…Shtrirja dhe karakteri i territorit, mbi të cilin janë shpërndarë 1 096 810 banorë (sipas Censusit të vitit 1861) të Mbretërisë së Greqisë, do të japë lëndën për shënimet në pjesën pasuese të këtij Raporti. Kombësia e këtyre 1 096 810 banorëve është e përzier. Raca shqiptare tashmë zë një pjesë të konsiderueshme të territorit të Greqisë së lashtë, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të Mbretërisë së re. Me përjashtim të dy qyteteve kryesore (Athinës dhe Megaras), ajo (shënim, raca shqiptare) ka monopolizuar gjithë Atikën dhe Megares. Ajo është në posedim të pjesës më të madhe të Boeotisë dhe një pjese të vogël të Lokrisit. Jugu i Eubeas, veriu i Androsit, pjesë të Eginas dhe e gjithë Salamina janë të populluara nga shqiptarët. Në Peloponez ky element shqiptar është akoma edhe më i fortë. Ajo zë gjithë Korinthin dhe Argolisin, veriun e Arkadias, lindjen e Akaisë dhe duke u shtrirë në Lakonia, poshtë shpateve të Thaigetus drejt pllajës së Helosit, ajo kryqëzohet me Eurotas dhe mban në posedim një rajon të madh përreth Monemvasias. Në Mbretërinë e Greqisë (ku ajo numëron rreth 200 000 shpirtra) fuqia e saj numerike nuk është më pak e rëndësishme se sa epërsia në veprimtarinë shoqërore dhe në komandim. Ajo e furnizon territorin grek me numrin më të madh të kultivuesve dhe popullsinë detare të Greqisë me elementin e saj më me iniciativë.”

Burime të tjera që vërtetojnë se në Greqinë e fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XIX, banonte një komunitet i gjerë shqiptarësh, ka me shumicë.

Venizelos, krijuesi i politikës së vetëdeklarimit

Si është e mundur që kombi grek të përbëhet nga një larmi racore dhe përsëri ta konsiderojë veten homogjen? Gazetari i njohur amerikan, Herbert A. Gibbons, na jep një përgjigje në librin e tij biografik, “Venizelos” (1920). Pjesa e mëposhtme tregon filozofinë e politikës greke që ka ndjekur diplomati më i aftë grek, Venizelos, në Konferencën e Paqes:

“Në pretendimet e tij për Epirin e Veriut, Venizelos parashtroi teorinë e famshme të vetëdijes kombëtare si provë të kombësisë. “Dikush mund të joshet”, tha ai, “për të ngritur kundërshtimin që një pjesë e konsiderueshme e kësaj popullsie greke përdor gjuhën shqipe si gjuhën e vet, dhe është, rrjedhimisht, sipas të gjitha gjasave, me origjinë shqiptare; por konceptet demokratike e Fuqive Aleate dhe të Bashkuara nuk mund të pranojnë ndonjë standard tjetër përveç se atij të vetëdijes kombëtare.” Venizelos vazhdoi të nxjerrë në pah se standardi i racës apo gjuhës si provë e nënshtetësisë ishte “konceptim gjermanik.” Ai pohoi se epirotët kishin qenë grekë që kohë më parë themelimit të Mbretërisë së Greqisë, se familjet e tyre kryesore kishin nxjerrë heronjtë drejtues të Luftës së Pavarësisë, dhe se epirotët e veriut kishin qenë mes mirëbërësve kryesorë të Greqisë, duke themeluar shkollat greke dhe institucionet publike.

“Mund të jetë e vlefshme të shtoj se zëvendëskryetar i tashëm i Këshillit Ministror grek, z. Repulis; komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë greke, gjeneral Dangëllis; komandant i përgjithshëm i forcave detare greke dhe Ministri i Detarisë, admiral Konduriotis dhe pjesa më e madhe e ekuipazheve të marinës greke, flasin gjuhën shqipe si gjuhën e tyre amtare”.

Nga përvoja ime personale kam pasur konfirmim të mjaftueshëm, për ndërgjegjen e zjarrtë kombëtare greke të banorëve të Epirit dhe gjithashtu atyre të Atikës, gjuha e të cilëve në shtëpi ishte shqiptare. Kur e shpjegoi këtë teori për mua, Venizelos shpjegoi se çfarë nënkuptonte me thënien se standardi i racës apo gjuhës është një konceptim gjermanik. Ai përmendi autorë gjermanë në lidhje me kufijtë e Deutschthum, të cilët pretendonin për Gjermaninë nga gjuha apo prova racore pjesën më të madhe të Zvicrës, Belgjikës, Alzas-Loreinës e madje edhe Holandën. Mosnjohja e provimit të kombësisë sipas gjuhës është tipari më i rëndësishëm i pretendimeve greke.”

Pra, edhe pse me origjinë shqiptare, mjafton të kesh vetëdije greke (vetëdeklarim), të duash të jesh grek dhe automatikisht shndërrohesh në grek. Kjo ishte filozofia e Venizelosit që vazhdon edhe sot. Ikonomus është pjesë e “pretorianëve” që luftojnë për të shtuar numrat e Greqisë, ato numra që shtojnë fuqinë kombëtare siç janë popullsia dhe më pas, pse jo, do të kërkojnë edhe territorin. Politika e tyre është e ftohtë, këmbëngulëse dhe largpamëse. Grekët vlejnë për t’u marrë si shembull për aftësinë planifikuese, por tregojnë se janë shumë të pavlerë për sa i përket ndërtimit të një fqinjësie të mirë e të bazuar mbi ato vlera që njerëzimi i sheh të burojnë nga religjioni më antik, e vërteta.

2011-08-09
Gazeta “Shqip”

Ekonomia e Kinës: armë e fuqishme apo pikë e dobët

 

 Bota u habit kur Kina u shfaq në vitin 2004, si importuesja dhe konsumatorja më e madhe e naftës. Sot, kjo habi është zëvendësuar nga shqetësimi në rritje se Kina e të nesërmes mund të gjendet në pozitë sfiduese ndaj SHBA, jo vetëm për udhëheqjen ekonomike, por edhe për atë politike. A janë këto shqetësime të përligjura?

Një numë i ndryshëm vizionesh për të ardhmen e Kinës si fuqi drejtuese e botës, janë duke u përballur për të fituar vëmendjen dhe influencën publike. Mes tyre ka edhe ide populiste të cilat sfidojnë retorikën zyrtare të Pekinit mbi “ndërtimin e një bote në harmoni”. Ka një debat në rritje brenda Republikës Popullore të Kinës, në lidhje me qëllimet strategjike të vendit. Shumë intelektualë dhe politik-bërës ngrenë pyetjen se si Kina mund të konvertojë fuqinë e saj të re ekonomike në një influencë rezistuese politike dhe kulturore rreth botës. Pyetja kryesore të cilës ata po përpiqen t’i japin përgjigje është: Si mund të krijojë Kina rendin (post-perëndimor) botëror?

Pikëpamja zyrtare e Pekinit – fillimisht e konturuar nga presidenti i Kinës, Hu Jintao, në Kombet e Bashkuara në shtator 2005 – është se Kina udhëhiqet nga ideja e “ndërtimit të një bote në harmoni”. Por dy vizione të tjera qëllimeve të Kinës në arenën botërore, janë duke shtuar ndikimin e tyre krahasuar me këtë të fundit: njëri është është pikëshikimi jozyrtar i një shoqërie botërore utopike të stilit kinez dhe tjetri është vizioni thuajse zyrtar i përshkrimit se si Kina mund të konkurojë për t’u bërë “fuqia numër një botërore”.

Por Azia nuk është vetëm Kina. Ajo është edhe Japonia, ku destabiliteti politik aty natyrisht që ka edhe ndikimet e veta në marrëdhëniet e aleancën me SHBA, në ato rajonale si dhe në ekuilibrat aziatikë. Nëse ky destabilitet do të shtrihet në kohë, atëherë ekonomi, siguria, politia e kështu me radhë do të shihen nën një dritë tjetër.

Rivalite bërthamor në rritje në Azi, sheh Kinën dhe indinë përsëri në qendër të optikës. Si Kina edhe India kanë hyrë në një fazë të re të zhvillimit të arsenalit bërthamor, duke përfshirë në të edhe planet për një flotë nëndetësesh bërthamore. Natyrisht që dialogu strategjik, parë zhvillimet, është i nevojshëm për të zvogëluar rrezikun e tensionit politik të shkaktuar nga pasiguria e ndërsjellë.

SHBA qëndron në qendër të perceptimit kërcënues bërthamor të Kinës. Kina ndjehet e kërcënuar nga planet amerikane të mbrojtjes nga raketat balistike. Testete anti-satelitore të saja të kohëve të fundit, ishin një përpjekje e pjesshme për të sinjalizuar zgjidhjen e kësaj sfide të perceptuar.

Kina është duke ndërtuar një forcë me nëndetëse bërthamore, me një flotë që ka në projekt pesë anije të klasit Jin. Një bazë detare SSBN është duke u ndërtuar në ishullin Hainan në Detin e Kinës Jugore. Pekini, në prill, e ka etiketuar detin e Kinës Jugore si një “interes bazë”, duke kërkuar sigurimin e një zone për forcat e saja bërthamore që veprojnë në det.

Azia është edhe konflikti i Koreve dhe mbështetja amerikane që jepet për Korenë e Jugut. Sekretari i mbrojtjes Robert Gejts bëri një vizitë në Korenë e Jugut para disa ditësh – gjë kjo që në mes të një rreshtave, shihet si një mbështetjeje, kundër Koresë së Veriut e cila fundosi një luftanije koreano-veriore në mars të këtij viti. Situata e rëndë ndodhi në kufirin detar të diskutueshëm mes dy Koreve dhe u nga fundosja e anijes vdiqën 46 marinarë koreano-jugorë. Megjithatë, Pyongyang nuk pranoi versionin ndërkombëtar të ngjarjes dhe kërkoi hetime personale. Në këtë vizitë u bashkua më vonë, për diskutime të nivelit të lartë të sigurisë, edhe Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton. Aeroplan-mbajtësja amerikane George Ëashington, u  ankorua të mërkurën në portin Pusin, Kore e Jugut dhe tre destrojerë të tjerë amerikanë u ankoruan aty po atë ditë. Pra zhvillimi ekonomik i Indisë e i Kinës shoqërhet edhe me sfida të maëdha të sigurisë.

“Kur flitet për Azinë, rrallëherë mund të ketë shumë pak për të thënë. Një rajon që paraqet një shtet të prapambetur bërthamor, ekonomitë e dyta dhe të treta më të madha në botë, popullsinë më të madhe në shkallë botërore – lista vijon. Dhe kjo duket qartë tani që edhe çështjet transatlantike janë të lidhura ndërlikueshmërisht me atë çfarë ndodh në Azi. Për ata që e ndiejnë të nevojshme të binden, thjesht të pyesin njerëz duke filluar nga përkrahësit e ndryshimit të klimës e deri te bankierët e Uoll Stritit. Ironikisht, ashtu si vëmendja botërore përqendrohet gjithnjë e më shumë në Azi (dhe në veçanti në Kinë), vëmendja aziatike po brendadrejtohet gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme. Për shembull, në Japoni, vështirësitë e brendshme ndërmjet palëve të qeverisë së re po mbizotërojnë aktualisht në titujt e lajmeve. Po njëlloj në Kinë, për çështje të jashtme, të tilla si shitja e armëve të SHBA-ve në Tajvan, do të ishte gabim të mendohej se janë shqetësuese për qytetarin e zakonshëm. Nëpërmjet një anketimi në internet, pak para Kongesit Kombëtar Popullor të marsit (Parlamenti i Kinës), qytetarët kinezë u pyetën se çfarë çështjesh duhej të diskutoheshin. Në krye të listës nuk ishin çështje si Tajvani apo Dalai Lama, por korrupsioni, pabarazia e të ardhurave dhe çmimet në rritje të shtëpive. Kjo për shkak se në Kinë, të gjitha politikat janë vërtet lokale, po të parafrazojmë një citim amerikan. Në këtë çështje, ne vështrojmë se si qëndrimi i jashtëm i vendit shpesh është diktuar nga nevojat e brendshme. Dhe ne dëgjojmë nga ekspertët e Kinës që gjithë stabiliteti i vendit mbështetet në të qenit në gjendje për të plotësuar këto nevoja. Është tejet e rëndësishme ta përdorim këtë njohje në shqyrtimin e qëndrimit të Kinës në tërësi, që nga ndryshimi i klimës deri në programin e raketave të Koresë së Veriut, nëse duam t’i kuptojmë këto qëndrime. Gjithçka e lidhur me jashtë renditet e dyta në radhë – mbajtja e vendit të bashkuar, të zhvilluar e të qëndrueshëm është e para. Udhëheqësit e Kinës e dinë se audienca e tyre kryesore është në vendin e tyre. Dhe në lidhje me këtë, ata mund të jenë duke e studiuar mirë urtësinë e Konfucit – ndoshta veçanërisht thënien e tij “Kur zemërimi rritet, mendo për pasojat” – thotë Pol King, analist i çështjeve të sigurisë për NATO.

Më poshtë, në një analizë të David Snowdon, [Snowdon është Strateg i Ekonomisë Globale në Mbikëqyrjen e Biznesit Ndërkombëtar në Londër], shqyrtohet lidhja e ndërlikuar e veprimtarisë ekonomike në rritje të Kinës me të ardhmen e sigurisë së saj. Në numrat në vijim të gazetës “Ushtria” do të shohim disa prek çështjeve aziatike të cilat mund të sjellin një informacion të përgjithshëm për sfidat e sigurisë që vijnë nga kontinent, për ekuilibrin rajonal e botëror.

 

Ekonomia e Kinës: armë e fuqishme apo pikë e dobët

 

Gjatë 20 viteve të fundit, rritja e njëmendtë e PPB-së të Kinës ka qenë mesatarisht 9,9%. Kjo e ka ngritur ekonominë e saj nga të qenit vetëm pak e rëndësishme në njërën nga nxitëset më të mëdha të rritjes globale. Midis viteve 2000 dhe 2009, ekonomia kineze u rrit prej vetëm 3,7% të PPB-së globale (vlerësuar në dollarë amerikanë) deri në 8,1%.

Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, rritja ekonomike e Kinës duhet të drejtpeshohet në një mesatare 7,5%, por kjo do të jetë e mjaftueshme për të rritur pjesëpronësinë kineze të prodhimit global në 14,9%. Siç tregon grafiku 1, kjo do të çojë në një nivel të pazakontë afrimi me SHBA-të, ndihmesa e të cilëve në vetvete duhet të jetë vetëm 19,4% e PPB-së në shkallë botërore rreth vitit 2019.

Megjithatë, madje edhe me rritje të fuqishme gjatë 10 viteve të ardhshme, PPB-ja kineze për frymë do të vijojë të jetë vetëm 11.644 dollarë amerikanë ose 20% e nivelit të SHBA-ve më 2019.

Më 2009, Kina ishte investuesja më e madhe me shtrirje mbarëbotërore në shoqëritë energjitike dhe motorike, dhe e dyta ndër më të mëdhatë për materiale: burimet përfshinin dy të tretat e të gjitha marrëveshjeve kineze me tregjet jashtë shtetit. Firmat perëndimore mbeten mjaft tërheqëse për Kinën, jo vetëm për rezervat natyrore që mund të sjellin, por edhe për ekspertizën që mund të fitohet.

Por përpjekjet e Kinës për të blerë firma të mëdha australiane dhe amerikane kanë pasur vetëm sukses të kufizuar për shkak të vlerësimeve të sigurisë politike dhe kombëtare. Dështimi i përpjekjeve me 19 miliardë dollarë amerikanë nga Chinalco (Korporata Kineze e Aluminit) për të marrë nën kontroll Rio Tinto-n e Australisë i ka prirë një lëvizjeje në drejtim më pak “të kërcënuar” për blerjet më të vogla, të tilla si blerja nga Miniera e Qymyrgurit të Janzhout me 3 miliardë dollarë amerikanë e Burimeve Qymyrgurore Felix të Australisë. Me investime të përmasave të mëdha në shumë kompani perëndimore të rezervave natyrore jashtë kartëpagesave, Kina ka synuar gjithnjë e më shumë investime në tregje të reja, veçanërisht në Azinë Qendrore dhe në Afrikën Nën-Sahariane.

Azia Qendrore ka qenë prej kohësh një zonë me interes për Kinën mbi një parim bazë gjeopolitik sesa ekonomik. Kina është e frikësuar nga një depërtim islamik prej Azisë Qendrore përsa i përket myslimanëve të Uigurit në skajin më perëndimor të krahinës Xinjiang të saj, që përjetoi trazira masive më 2009. Pekini druan se bashkësitë e diasporës së Uigurit në Kirgistan dhe në Kazakistan mund të sigurojnë mbështetje logjistike për njëgjakësit e tyre me vendbazim në Kinë. Pekini nuk dëshiron të shohë një zgjerim të pranisë ushtarake amerikane në Azinë Qendrore sepse ka frikë se kjo mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të rrethuar Kinën, për të siguruar mbështetje të fshehtë ndaj veprimtarëve të Uigurit dhe për të zvogëluar ndikimin kinez në rajon.

Kina ka dhënë huara për Kazakistanin dhe Turkmenistanin, ndërkohë që ka bërë edhe investime të mëdha në industritë e naftës, të gazit dhe madje të uraniumit në rajon. Kjo jo vetëm që do të plotësojë nevojën e Kinës për rezerva natyrore, por do të lidhë më ngushtë shtetet rajonale me Pekinin. Për shembull, një huadhënie prej 4 miliardë dollarësh amerikanë ndaj Turkmenistanit për të zhvilluar fushën gazmbajtëse gjigante të Iolotanit Jugor përkoi me Gazsjellësin Kinë-Azi Qendrore, një linjë prej 2.000 km që u përurua në dhjetor 2009. Tubacioni i parë do të transportojë 13 miliard metra kub (mmk) gaz nga Turkmenistani në Kinë më 2010, ndërsa një tubacion i dytë do të mbartë një nxënësi të përgjithshme deri në 40 mmk nga 2012-2014 dhe do të përfshijë eksporte nga Uzbekistani dhe Kazakistani.

Strategji të përafërta janë përdorur në Afrikën Nën-Sahariane. Kryeministri Ven Xhiabao ka sugjeruar se për të hapur rrugën për investime mund të jepen 10 miliardë dollarë amerikanë si huadhënie gjatë tre viteve të ardhshme – e ngjashme kjo me huadhënien e 10 miliardë dollarëve amerikanë për Kazakistanin gjatë krizës së sektorit të vet bankar. Në të vërtetë, disa nga marrëveshjet e propozuara janë edhe më të mëdha se ato në Azinë Qendrore. Projekti i naftës Nigeri-Kinë është vlerësuar rreth 5 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa investimet prej 7-9 miliardë dollarë amerikanë janë propozuar për Guinenë.

Ka një numër parapëlqimesh nga të dy palët në këto marrëveshje. Për shtetet afrikane, Kina ofron një burim të dyanshëm ndihme dhe investimi, i cili nuk është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me reformën e qeverisjes apo me kritere të tjera politike. Për Kinën, para së gjithash, investimi është me gjasë të madhe një vendim biznesi, Megjithatë, një çështje e rëndësishme dytësore për Kinën është përforcimi i pikëpamjes së vet të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e Kinës lidhur me statusin politik të Tibetit dhe Tajvanit, si dhe të separatistëve të Uigurit, kjo mbetet një hulli veprimi e arsyeshme.

Ndonëse për momentin i parapëlqyeshëm për të dyja palët, është e diskutueshme nëse do t’i përgjigjet interesave afatgjata të shteteve afrikane. Tashmë ka raporte të braktisjes së projekteve të investimit nga investitorët kinezë në disa shtete të Afrikës Nën-Sahariane dhe të ngadalësimit të zbatimit të investimeve në infrastrukturë.

Sidoqoftë, investimet e Kinës në tregjet në zhvillim nuk përjashtojnë investimet në tregjet e zhvilluara. Ka dy mënyra kryesore sipas të cilave Kina mund të hyjë në tregjet perëndimore.

E para është përmes “diplomacisë së dollarit”, e cila nuk është aspak e kufizuar në tregjet në zhvillim. Spekulimi në fund të janarit 2010, që Kina do të financonte masa shpëtuese të shumta për Greqinë, hap perspektivën e rritjes së ndikimit kinez në shtetet e zhvilluara por financiarisht të brishta, e cila mund të jetë e lidhur realisht jo vetëm me huadhëniet kineze, por me marrëveshje për të shitur infrastrukturë, teknologji ose mjete financiare.

Rruga e dytë është thjesht nëpërmjet blerjes së pasurive perëndimore që nuk janë drejtpërdrejt mjaft të ndjeshme politikisht, duke përfshirë teknologjinë informative, logjistikën dhe zinxhirët e furnizimit.

 

Tensione në rritje përpara?

Investimet kineze jashtë vendit – sidomos në prodhimin e mallrave strategjike, por edhe në industritë e konsumatorit – do të vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e qeverive të huaja. Përkundër sfondit të qëndresës së vijueshme të Kinës në revlerësimin e juanit dhe të bilancit të madh të favorshëm tregtar kinez, ekziston ende një rrezik i madh i masave proteksioniste që mund të vihen në zbatim në politikat tregtare të Perëndimit, përveç politikave kufizuese të investimeve. Po të bëhet kjo, sigurisht që do të dëmtohej Kina, e cila është e varur nga tregjet e eksportit të saj për të përthithur prodhimin e vendit, i cili nuk ka ende një treg përbrenda.

Nuk janë vetëm politikanët perëndimore, të cilët ka të ngjarë të drejtojnë vëmendjen tek prania në rritje e Kinës në shkallë ndërkombëtare, por edhe planëzuesit ushtarakë kinezë. Ndonëse Kina nuk zotëron ende aftësi projektimi forcash të mëdha, ajo i ka rritur dukshëm synimet e saj në këtë drejtim. Në vitet e fundit, planëzuesit e mbrojtjes së SHBA-ve kanë shfaqur shqetësimin e tyre se ndihma ekonomike kineze ndaj Mianmarit, Bangladeshit, Sri Lankës dhe Pakistanit është pjesë e një strategjie më të gjerë të një “kordoni objektesh” për vendosjen e pajisjeve detare që të mbizotërojnë pjesën veriore të Oqeanit Indian dhe rrugët tregtare kryesore të tij lindje-perëndim.

Në terma financiarë, ka gjasa të pakta për të penguar Kinën në realizimin e këtyre synimeve, duke pasur parasysh shpenzimet e kufizuara të mbrojtjes së vendit për momentin. Më 2009, buxheti ushtarak u shpall zyrtarisht në 70.3 miliardë dollarë amerikanë ose 1,7% e PPB-së dhe madje edhe sikur ky numër të jetë i zvogëluar për shkak të shpenzimeve të fshehta dhe të ndryshueshmërisë së fuqisë blerëse, ngritja ekonomike në vetvete do të mundësojë një rritje masive në shpenzimet. Rreth vitit 2019, me 1,7% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, një shtesë prej 208 miliardë dollarësh amerikanë në vit do të sigurohet për ushtrinë.

Kjo do të ishte më se e mjaftueshme për të kthyer fuqinë programore dhe diplomacinë e dollarit të Kinës në gjendjen e një fuqie materiale më të besueshme.

 

Përgatiti: Albert Hitoaliaj

(artikull i vitit 2009)

 

 

 

Japonia, mes dilemave aziatike dhe strategjive perëndimore

 

Japonia dhe Koreja e Jugut janë shtyllat e arkitekturës së sigurisë së SHBA-së në Azinë Juglindore. Kjo vjen edhe për faktin se Kina qëndron gjithë kohës pezull me forcë, në perceptimet e tyre, si kërcënimi se ata kanë qenë aleatët e vazhdueshëm ushtarakë të SHBA-së për pesëdhjetë vitet e fundit apo më shumë. Në pesëdhjetë vitet e fundit, të dy këta vende nuk janë luhatur në angazhimet e tyre, sidomos në Paktet e tyre respektive reciproke të Sigurimit me Shtetet e Bashkuara, dhe kanë nënshkruar financiarisht dislokimin ushtarak të SHBA-së në territoret e tyre.

Të dyja, si Japonia edhe Koreja e Jugut, kanë planet e tyre strategjike të përshtatura për mbështetjen e çdo ndodhie të paparashikuar që mund të dalë në rajon nga një përplasje ushtarake e SHBA-së me Kinën. Nuk ka patur kurrë paqartësi strategjike të këtyre dy vendeve, në angazhimet e tyre ndaj kërkesave të sigurisë të SHBA.

Fatkeqësisht [për disa pikëshikime të këtyre vendeve] dhe në mënyrë të dallueshme, është SHBA, që në kohë të ndryshme në pesëdhjetë vitet e fundit, ka shfaqur dilema strategjike, të cilat rrjedhin nga qasje të politikës së saj ndaj Kinës. Në politikën globale të nivelit të fuqive, Shtetet e Bashkuara kanë tendencën për ta parë Kinën si një aleate të mundshme kundër Rusisë së rilindur dhe t’i shkojnë pas qejfit zbutjes së politikave ndaj Kinës. Në nivelin e Azisë Lindore, Shtetet e Bashkuara, ndoshta do të donin që Japonia dhe Koreja e Jugut të besonin se Kina është kërcënimi kryesor ushtarak strategjik në rajon dhe pozicionimet ushtarake kësisoj, të hartoheshin në përputhje me rrethanat.

Strategjia SHBA-së, së kufirit mbrojtës ndaj Kinës, e cila është edhe shpërthimi i gjenerimit të ambiguitetit strategjik si në Japoni edhe në Korenë e Jugut, ngre dyshime të garancive të sigurisë së ofrimit të ‘ombrellës’ amerikane bërthamore për të dy këta aleatë ushtarakë të SHBA-së, siguri që kjo e fundit duhet të ofrojë për ta.

Në analizën e mëposhtme, të Birgit Hytën (HÜTTEN), e cila punon në selinë e NATO-s, sillet një panoramë e situatës më të fundit politike në Japoni. Birgit ka përfunduar studimet pasunivetritare mbi Kulturën Japoneze në Universitetin e Bonit dhe ka marrë një bursë nga Universiteti KEIO. A do të ndikonte situta politike në panoramën e sigurisë aziatike? Duke lexuar këtë përshkrim në lidhje me situatën politke japoneze dhe forcat që formojnë zhvillimet e saj, duhet pasur parasysh një përkufizim perëndimor për këtë vend jashtëzoaknisht të veçantë: Japonia është vendi aziatik më i afërt më Perëndimin, por është vendi aziatik më pakuptueshëm për Perëëndimin.

Barra e një fitoreje të thellë zgjedhjesh: një Japoni e re?

Pas më shumë se 50 vjet pothuajse pandërprerje të Partisë Liberale Demokratike (LDP) në qeverisje, Japonia ka lëvizur në një drejtim të ri pas zgjedhjeve të saj të përgjithshme të muajit gusht 2009. Partia Demokratike e Japonisë (DPJ) fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vendit me një epërsi të beftë mjaft të lartë – duke tejkaluar madje edhe parashikimet e veta. Dhe sado që disa anëtarë të DPJ-së e filluan karrierën e tyre në LDP, qeveria e re duket se do të jetë serioze për krijimin e një Japonie të re.

Kryeministri Hatoiama e bëri të qartë shtatorin e kaluar, kur foli për një “Japoni të re” gjatë fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: një Japoni që do të përfshihet në shqyrtimin e sfidave botërore, të tilla si ndryshimi i klimës, mospërhapja apo çarmatimi bërthamor botëror dhe ngritja e Bashkësisë së Azisë Lindore.

Ndryshimi i klimës

Përsa i përket ndryshimit të klimës, shumë njerëz ende e lidhin Japoninë me Konferencën e mirënjohur të Kiotos, e cila synon të caktojë caqe për çlirimin e karbonit. Por Japonia nuk ka qenë shumë e suksesshme në trajtimin e çështjeve mjedisore. Sot, ajo prodhon 9,2% më shumë gazra serrë sesa më 1999. Prej dhjetëvjeçarësh, në Japoni kanë munguar rregullat dhe objektivat e qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit, duke e lënë veprimtarinë tregtare në kushtet e vetërregullimit.

Tani, Kryeministri i ri Hatoyama, ka premtuar që, aty rreth viteve 2020, do të rritet deri në 25% objektivi për zvogëlimin e çlirimit të gazeve, krahasuar me nivelet e viteve 1990. Dhe në fillim të dhjetorit, qeveria njoftoi një paketë nxitëse ekonomike prej 80 miliardë dollarësh, që përfshinte oferta të shumta tërheqëse për blerje automjetesh dhe pajisjesh shtëpiake të përshtatshme mjedisore.

Por kryeministri Hatoiama pohoi në Konferencën e Kopenhagenit të dhjetorit lidhur me ndryshimet klimatike se procesi i ndryshimit do të jetë i vështirë, duke patur parasysh interesat vetjakë të industrisë (dhe vlen të përmendet se këto interesa shtrihen madje deri në sektorin publik – jo më pak se në Ministritë e fuqishme të Ekonomisë, të Tregtisë dhe të Industrisë).

Qeveria e re jo vetëm që duhet të përmirësojë cilësinë e jetës në Japoni, por edhe të shërbejë si një shembull i rëndësishëm për vendet në zhvillim. Japonia duhet të ndihmojë në ecurinë e rritjes ekonomike të këtyre vendeve me anë të shkëmbimit të përvojave dhe të teknologjive të veta: diçka që Kryeministri Hatoiama e pohoi në Kopenhagë, kur ai njoftoi ndihmën financiare për vendet në zhvillim.

Mirëpo, ky zotim financiar, ashtu si dhe premtimi i Japonisë në Marrëveshjen e Kopenhagenit për zvogëlimin deri në 25% të çlirimit të karbonit, është “i kushtëzuar me krijimin e një kuadri ligjor të drejtë dhe veprues ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë të gjitha ekonomitë e mëdha dhe mbi bazën e marrrëveshjeve të tyre për të arritur objektiva ambiciozë”. Ndonëse në dukje mjaft i ngurtë, ky parakusht lë hapësirë të mjaftueshme veprimi për qasje praktike nëse lind e nevojshme.

Mospërhapja/çarmatimi bërthamor

Historia e Japonisë shpjegohet në një masë të mjaftueshme me mbështetjen e saj të hershme disa dhjetëvjeçarëshe për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe çarmatimin e përgjithshëm bërthamor. Ajo ndjek një politikë të moszotërimit, të mosprodhimit dhe të mospranimit të armëve bërthamore. Në Takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe Çarmatimin Bërthamor, në shtator 2009, kryeministri Hatoiama kumtoi qëllimin e Japonisë për të marrë rolin udhëheqës në asgjësimi n e armëve bërthamore. Siç pritej, një nga “çështjet për veprim” i referohej Koresë së Veriut.

Ndërsa Japonia dhe pjesa tjetër e botës janë të shqetësuar rreth zhvillimit bërthamor të Koresë së Veriut, Japonia ka një çështje tjetër që lidhet me këtë vend. Më 2002, Koreja e Veriut pranoi që kishte rrëmbyer qytetarë japonezë në vitet 1970 dhe 1980. Japonia deklaroi se nuk do të kishte normalizim të marrëdhënieve midis Japonisë dhe Koresë së Veriut përderisa të zgjidhej kjo çështje dhe e parashtroi atë në Bisedimet e Gjashtë Palëve. Ndonëse e vështirë, qeveria e re do të duhet të bëjë çlidhjen e këtyre dy çështjeve, nëse dëshiron të udhëheqë me sukses përpjekjet ndihmuese për mënjanimin e armëve bërthamore.

Deri më tani, pëpjekjet e punës së qeverisë kanë çuar në një rezolutë mbi çarmatimin bërthamor, paraqitur nga Japonia së toku me një numër të lartë prej 87 bashkëmbështetës financimi dhe të miratuar nga Kombet e Bashkuara në fillim të dhjetorit me një shumicë dërrmuese prej 171 votash, me vetëm dy kundra dhe tetë abstenime.

Hapi tjetër i qeverisë së re do të jetë që të përfitojë nga njëqindvjetori i aneksimit të Gadishullit Korean prej Japonisë për të forcuar marrëdhëniet e saj me Korenë e Jugut. Këto diskutime me Korenë e Jugut nuk do të jenë të lehta: por sidoqoftë, përpjekjet e përbashkëta janë të nevojshme për të gjetur një rrugëzgjidhje në të ardhmen lidhur me zhvillimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe ndikimi i Koresë së Jugut do të jetë me rëndësi vendimtare.

Gjithashtu, pozitiv është synimi i qeverisë së re për të hedhur dritë mbi të ashtuquajturat marrëveshje të fshehta që lejonin ndalesa të shkurtra fshehtas në Japoni të anijeve dhe aeroplanëve me armatim bërthamor të SHBA-ve. Për një shtet të prirur ndaj një politike moslejimi të çështjeve të tilla, ky hetim është një hap i arsyeshëm.

Ngritja e një Bashkësie të Azisë Lindore

Një aspekt që nuk ka ndryshuar me qeverinë e re është koncepti i një Bashkësie të Azisë Lindore, që përbën tiparin themelor të diplomacisë aziatike të Japonisë. Kryeministri Hatoiama e sheh Bashkësinë e Azisë Lindore si një zgjerim të bashkëpunimit ekzistues të arritur dhe, me sa duket, synon t’i kushtojë vëmendje edhe më të madhe Azisë. Japonia do të kërkojë të tërheqë vendet aziatike drejt integrimit në një treg të përbashkët. Tejpamësia ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në fusha të tilla, si energjia, mjedisi e shkëmbimi kulturor dhe, veçanërisht, financa, tregtia dhe ekonomia.

Një numër organizatash dhe mekanizmash rajonalë janë shfaqur tashmë, janë pleksur me mbipalosje rendesh dite dhe parimesh si “tregtia e para, mandej politika”. Por për t’i dhënë trajtë në mënyrë të suksesshme një Bashkësie të Azisë Lindore është e nevojshme t’u jepet përgjigje disa pyetjeve. Çfarë do të sigurojë Bashkësia e Azisë Lindore që organizatat dhe mekanizmat ekzistues nuk mund ta arrijnë? Nga cilat organizata apo mekanizma do të krijohet kjo bashkësi, duke pasur parasysh që Kina ka një pikëpamje të ndryshme të përbërjes së tregut? Aktualisht, Kina përkrah ASEAN-in Plus Tre (ASEAN-i plus Kina, Korea e Jugut, Japonia), ndërsa Japonia mbështet një mekanizëm të kohëve të fundit, Takimin e Azisë Lindore, (të përbërë nga ASEAN-i Plus Tre, plus India, Zelanda e Re dhe Australia). Së fundi, por mjaft e rëndësishme, a do të vlerësohen Shtetet e Bashkuara si një anëtar i ardhshëm?

Ngazëllimi i Kryeministrit Hatoiama për Bashkësinë e Azisë Lindore duket se buron nga qëllimi i tij për të nxjerrë në dukje udhëheqësinë japoneze në Azi dhe si një lëvizje shmangëse nga politika e jashtme e qendrorizuar amerikane. Referimet e përsëritura të qeverisë së re për Azinë dhe Bashkësinë e Azisë Lindore tregojnë se ajo dëshiron të zgjerojë mundësitë e politikës së saj të jashtme nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve përtej lidhjeve të saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Por Hatoiama e di se Bashkësia e Azisë Lindore është një pikësynim afatgjatë dhe se ngazëllimi për të jashtë Japonisë është disi i kufizuar, veçanërisht nëse vështrohet si mjet për një arkitekturë të ardhme të sigurisë rajonale.

Ndërsa tani nuk është ende koha e përshtatshme për vendim, diskutimi i natyrës së ardhme të aleancës SHBA-Japoni është në pikën kulmore. Traktati i Sigurisë së Ndërsjellë SHBA-Japoni është i njohur në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit për ndikimin e tij stabilizues. Megjithatë, 50-vjetori i Traktatit, i festuar në mes të janarit, përkon me të njëjtën kohë të mospajtimeve midis qeverisë së re të Japonisë dhe të Shteteve të Bashkuara, të shkaktuara nga premtimi i DPJ-së ndaj popullit të Okinavës për të rishikuar çështjen e riorganizimit të forcave të SHBA-ve në Japoni.

Ndërkohë që këto mospajtime mund të mos jenë sheshuar, duket e parakohshme të hamendësohet një mungesë angazhimi ndaj aleancës. Sidoqoftë, vendosmëria e qeverisë së re me prirje kahlëvizëse drejt një politike të jashtme më të përqendruar rreth Azisë, nuk duhet të nënvlerësohet. Për qeverinë e re, kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjen mes Azisë dhe Shteteve të Bashkuara, por me shtrirjen e hapësirës së vet për manovrim.

Perspektiva

Shqetësimeve të brendshme të shteteve u kushtohet pak vëmendje jashtë kufijve të veta, por siç thotë edhe fjala e urtë, gjithë politikat janë lokale. Programi politik i DPJ-së për zgjedhjet e kishte parasysh këtë dhe, tani që janë fituar zgjedhjet, vendin kryesor në rendin e ditës e zënë sfidat e brendshme të Japonisë.

Ndërmjet tyre është shqyrtimi i një sistemi që lejoi burokratët të kenë përparësi në politikë. DPJ tashmë ka ndërmarrë disa veprime korrigjuese duke treguar vendosmërinë e saj për ta shfuqizuar atë. Sfida të tjera përfshijnë një popullsi drejt një mplakjeje të shpejtë, rënie të numrit të lindjeve, rritje të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, një sistem i rrezikuar pensioni dhe varësi të bashkësive lokale nga trilionat e jenëve qeveritarë për projekte të infrastrukturës.

Tradita e shpenzimeve publike tejet të mëdha ka krijuar një borxh kombëtar japonez, që është nga më të mëdhenjtë e vendeve të zhvilluara. Mbetet për të parë nëse qeveria e re mund të përshtasë në mënyrë të barasvlershme mungesat e mëdha të pritshme në të ardhurat tatimore me anën e një pakete nxitëse ekonomike tepër të madhe. Brenda vendit lind pyetja se sa kohë do t’i japë elektorati qeverisë së re për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Zgjedhjet e ardhshme për Senatin pritet të mbahen në korrik 2010. Deri atëherë do të jetë e vështirë të mos ngarkohet me përgjegjësi për gjendjen, madje edhe pse në një masë të madhe ajo ka evoluar për mbi 50 vjet. Përveç kësaj, ka edhe shenja se skandalet e DPJ-së me fondet po e pakësojnë mbështetjen e zgjedhësve të tyre.

Me gjithë këto çështje të brendshme, sa kohë, forca dhe burime mund të përdoren për sfidat ndërkombëtare, prej të cilave ato të lartpërmendurat përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël?

Kjo do të varet nga shkalla e mundësisë së rigjallërimit të ekonomisë së amullt japoneze. Kjo është baza e saj kryesore për ushtrimin e ndikimit. Në Azi, ajo përcakton vendosjen e marrëdhënieve me Kinën – dhe fuqinë e saj në rritje – në rendin e ditës të Japonisë. Qëllimi nuk është për të fituar një garë kundër Kinës, por për të përfituar nga ndërvarësia e anasjellë përplotësuese.

Ekonomia e Japonisë ka një varësi të madhe nga kërkesa e tregut të jashtëm. Për këtë arsye, kohët e fundit, DPJ-ja ka paraqitur një strategji ekonomike që, jo vetëm nxjerr në pah nevojën për të nxitur rritjen e brendshme, por përcakton edhe mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm rajonal. Fqinjët aziatikë të Japonisë kanë tregje të mëdha dhe, meqë ekonomitë e tyre të shumëllojshme ndryshojnë së tepërmi, kjo mund t’i tërheqë ata për të përfituar ndërsjelltas nga fuqitë individuale dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Ndikimet e projektdetyrave të Kryeministrit Hatoiama do të shfaqen në çështje të sigurisë, si në ato afatgjata dhe në të kohës së sotme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një shtet që e përcakton kryesisht rolin e tij në sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet vënies në përdorim nga ana e vet të një mase të madhe të buxhetit të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) në qeverisje, rindërtim, ngritje aftësish dhe në aspektin humanitar.

Kjo ODA tashmë ka arritur rezultate të spikatura në Afganistan. Që prej rrëzimit të Talibanit, Japonia ka luajtur një rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit të rrënuar nga lufta. Paketa më e fundit e ndihmës së saj, e shpallur në nëntor, llogaritet në 5 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, duke u përqendruar në rindërtimin, në sigurinë dhe në jetesën.

Theksi do të vihet në Policinë Kombëtare dhe në riintegrimin e ish-luftëtarëve nëpërmjet sigurimit të përgatitjes profesionale. Gjithashtu do të mbështetet bujqësia, zhvillimi i zonave fshatare, arsimi, shëndetësia dhe nevojat e tjera themelore. Meqenëse në këtë paketë ndihme është përfshirë edhe Pakistani, kjo tregon objektivin e Japonisë për të rritur stabilitetin e Afganistanit nëpërmjet një qasjeje rajonale.

Kështu që një ringjallje ekonomike japoneze është e domosdoshme jo vetëm për arsye të brendshme. Bota dhe, në veçanti fqinjët e Japonisë, kanë vënë re një ndryshim qëndrimi dhe një mënyrë tjetër nxitëse nga qeveria e re e Japonisë. Ata do ta vëzhgojnë nga afër përparimin e “Japonisë së Re”.

Siç ka theksuar Kryeministri Hatoiama, fitorja e thellë e DPJ-ë sjell përgjegjësi të mëdha. Vendosmëria e qeverisë së re për transformim është e gjithëpranishme; por sidoqoftë, populli japonez dhe bashkësia ndërkombëtare do të kërkojnë prova bindëse që transformim do të thotë përmirësim.

Kjo do të varet nga shkalla e mundësisë së rigjallërimit të ekonomisë së amullt japoneze. Çështje parash. Kjo është baza për ushtrimin e ndikimit dhe prandaj Japonia duhet të veprojë me ngutësi dhe të gjejë mjetet që të ushtrojë financim me huamarrje për të shmangur veçimin. Me synimin nga Azia, që i ka mbështetur marrëdhënit te Kina dhe te besimi në çështjet e zotuara nga Japonia. Qëllimi nuk është për të fituar një garë kundër Kinës, por për të përfituar nga ndërvarësia e anasjellë përplotësuese.

Të vetëdijshëm për varësinë e madhe të Japonisë ndaj tregut të jashtëm, DPJ-ja ka paraqitur kohët e fundit një strategji ekonomike, që jo vetëm nxjerr në pah nevojën për të nxitur rritjen e brendshme, por përcakton edhe mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm rajonal. Fqinjët aziatikë të Japonisë kanë tregje të mëdha për të ofruar dhe, meqë ekonomitë e tyre vetjake ndryshojnë së tepërmi, kjo mund t’i tërheqë ata për të përfituar ndërsjelltas nga fuqitë individuale dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Ndikimet e projektdetyrave të Kryeministrit Hatoiama do të shfaqen në çështje të sigurisë, si në ato afatgjata dhe në të kohës së sotme. Kjo është me rëndësi të veçantë për një shtet që e përcakton rolin e tij në sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet vënies në përdorim nga ana e vet të një mase të madhe të buxhetit të Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) në qeverisje, rindërtim, ngritje aftësish dhe në aspektin humanitar. Kështu që zgjidhja e çështjeve ekonomike të Japonisë është e domosdoshme jo vetëm për arsye të brendshme.

Bota dhe, në veçanti fqinjët e Japonisë, kanë përqendruar më shumë vëmendjen në ndryshimin e qëndrimit dhe të mënyrave nxitëse të qeverisë së re të Japonisë. Ata do ta vëzhgojnë nga afër përparimin e “Japonisë së Re”. Siç ka theksuar Kryeministri Hatoiama, fitorja e thellë e DPJ-ë sjell përgjegjësi të mëdha. Vendosmëria e qeverisë së re për transformim është e gjithëpranishme; por sidoqoftë, ajo ka ende detyrim para popullit japonez dhe bashkësisë ndërkombëtare për të shfaqur prova të qëndrueshme se gjendja ka filluar të përmirësohet krahasuar me më parë.

++++++

Azia, koronlogji e ngjarjeve kryesore

-Më 29 janar 2010, një propozim për 6 miliardë dollarë shitje armësh Tajvanit, shkaktoi një grindje diplomatike midis SHBA-ve dhe Kinës. Kina kërcënon të pezullojë shkëmbimet ushtarake me SHBA-të.

-Në korrik 2009 shpërtheu dhuna ndërmjet grupeve etnike të Uigurit dhe kineze të Hanit në rajonin perëndimor të Kinës, Xinjiang, duke lënë rreth 156 të vdekur dhe 828 të plagosur.

-Më 2009, shpenzimet ushtarake të Kinës shënuan një rritje prej 14,9% duke arritur në 480.7 miliardë juanë (50 miliardë paund), mbi 62.5 miliardë juanë nga viti 2008 pas ngritjes prej 17,8% më 2007 dhe 17,6% më 2008

-Në tetor 2009, Kina organizoi festime masive për të shënuar 60-vjetorin e ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste

-Në janar të vitit 2009, kriza ekonomike e Japonisë u thellua pasi rënia e eksporteve shënoi një pikë kulmore prej 46%, duke rritur defiçitin e tregtisë së Japonisë në 952.6 miliardë jenë (6.75 miliardë paund), defiçiti i katërt në po aq muaj dhe më i madhi qyshse kanë filluar të regjistrohen më 1979

-Më 25 maj 2009, Koreja e Veriut kreu një provë bërthamore nëntokësore dhe më pas prova qitjeje me një numër raketash me rreze veprimi të shkurtër

-Pavarësisht nga një krizë financiare, Korea e Jugut e ngriti buxhetin e saj ushtarak me 9% më 2009, krahasuar me një rritje prej 7% më 2008. Shumëkush në rajon është i paqartë në lidhje me synimet e Kinës

-Në korrik 2009, veteranët e Luftës së Koresë, në një tubim në Seul, hodhën parrulla kundra Koresë së Veriut. Koreja e Veriut thotë se do të fillojë një program për pasurimin e uraniumit dhe do të përdorë për qëllime ushtarake të gjithë plutoniumin e saj në përgjigje të sanksioneve të fundit të OKB-së, për të cilat Shtetet e Bashkuara janë shprehur se do të punojnë fuqimisht për t’i vënë në

 Përgatiti: Albert Hitoaliaj

(artikull i vitit 2009)

Azia dhe NATO

May 12, 2012

Image

 

Azia dhe NATO

 

Partneritet i domosdoshëm apo i tepërt?

 

Më pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut e ka shikuar Azinë në rastin më të mirë, si një mendim të cilin do e trajtonte dikur më vonë në politikat ose veprimet e saj. E formuar në vitin 1949 si një aleancë që do t’i lejonte Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut që të formonin një front të përbashkët mbrojtës, NATO i’u përkushtua kryesisht mbrojtjes kundër Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij. Gjatë kësaj periudhe, NATO kishte një marrëdhënie të një profili shumë të ulët me Azinë. Në të vërtetë, do të kishte qenë shumë e vështirë që të gjendej dikush në NATO që të kishte sugjeruar se marrëdhëniet do të përmirësoheshin dukshëm apo do të formalizoheshin.

Megjithatë, në vitet e fundit, NATO ka qenë duke zgjeruar gradualisht rolin e saj ndërkombëtar jashtë Evropës. Në këtë aspekt, Azia është bërë një dimension i rëndësishëm i një rrjeti zhvillimi global. Në të vërtetë, pa ndonjë zhurmë të dukshme, NATO dhe pjesë të rajonit të Azisë kanë zhvilluar një marrëdhënie sistematike dhe në rritje. Këto marrëdhënie të reja kanë qenë të nxitura nga disa faktorë: së pari, rezultatet operative të ngutshme NATO-s prej përfshirjes së saj intensive dhe të qëndrueshme në Afganistan; së dyti, objektivi i NATO-s për krijimin e aftësive që mund të jenë të dobishme për të papriturat e ardhshme ushtarake; dhe së treti, interesi për zhvillimin e një NATO-je të zgjeruar në një rrjet global politik-ushtarak. Duke pasur parasysh natyrën e kërcënimeve të sigurisë të shekullit 21, një rrjet i zgjeruar i marrëdhënieve midis NATO-s dhe vendeve të ndryshme aziatike duket bindës.

Pas një shqyrtimi të gjerë, vendet anëtare të NATO-s zgjodhën për të mbajtur një aleancë të fuqishme të përbërë prej vendeve me vlera të përbashkëta të cilat synojnë mbrojtjen e sigurisë së tyre, por në të njëjtën kohë të përshtaten me një mjedis të ri ndërkombëtar. Si një aspekt me rëndësi, NATO vendosi që të angazhohet jashtë kufijve të saj tradicionalë me vendet e ish-Paktit të Varshavës dhe me ish republikat e Bashkimit Sovjetik. NATO kërkoi, minimalisht, të zhvillojë marrëdhënie formale për të nxitur stabilitetin e brendshëm dhe rajonal dhe maksimalisht, kërkoi konsolidimin e përhershëm të praktikave dhe institucioneve demokratike.

Për këto qëllime, NATO themeloi Partneritetin për Paqe (PfP), i cilat vazhdon të funksionojë edhe tani, duke kryer një sërë aktivitetesh ushtarake dhe politike midis NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse. Një evolucion tjetër i rëndësishëm, i zhvilluar më vete, ishte edhe evoluimi gjeografik i NATO-s që doli gradualisht pas fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve 1990. NATO ndërhyri dy herë ushtarakisht në Ballkan, kryesisht për arsye humanitare, por edhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit. Përveç kësaj, NATO themeloi Dialogun Mesdhetar (i cili përfshin shtatë vende të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme) dhe Nismën e Bashkëpunimit të Stambollit (e cila përfshin katër vendet e Gjirit Persik si anëtarë), si dhe forume për diskutime politike-ushtarake dhe për zhvillimin e projekteve që janë të lidhura me ushtrinë.

Kjo ishte një panoramë e shkurtër për të parë se si është zgjeruar interesi dhe veprimi i Aleancës me qëllim mbrojtjen e sigurisë dhe të vlerave demokratike. Pikërisht, parë në aspektin e zgjerimit të ndikimit të saj në rajone të ndryshme, jashtë kufijve tradicionalë, dhe në parashikimin dhe përpjekjen për parandalim të krizave të mundshme në glob, mund të shihet edhe forcimi i marrëdhënieve NATO-Azi.

Shumë nga partnerët e rinj të NATO-s vijnë nga brenda ose rreth Azisë. Si e vështron secila nga palët njëra-tjetrën dhe në çfarë mënyre mund të sigurohet që të përfitojnë të dyja nga puna e përbashkët? Në analizën e mëposhtme, Mishito Curuoka e shqyrton këtë nga një këndvështrim aziatik. Mishito Curuoka është Punonjës Shkencor në Institutin Kombëtar për Studimet e Mbrojtjes (NIDS), Ministria e Mbrojtjes, Japoni. Në kohën e këtij shkrimi, ai ishte Bashkëpunëtor Shkencor në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara (GMF). Gjatë viteve 2005-2008, Curuoka ka shërbyer gjithashtu si Këshilltar i Posaçëm për NATO-n në Ambasadën e Japonisë në Belgjikë (pikëpamjet e shprehura në artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të qeverisë japoneze ose të GMF-së)

 

NATO-s si një partner politik

Bashkëpunimi në Afganistan ka nxitur zhvillimin. Vende si Australia, Zelanda e Re dhe Singapori janë tani ndihmë-dhënëse me trupa për Forcën Ndihmëse të Sigurisë Ndërkombëtare (ISAF) në Afganistan. Vende të tjera, si Japonia dhe Korea e Jugut, po japin ndihmesë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës atje. Këto vende quhen tani “partnerë të tjerë përreth rruzullit”.

Ndërsa vende si Australia dhe Japonia janë parë shpesh si objekt i politikës së partneritetit të Aleancës, sipas këndvështrimit të këtyre vendeve shihet NATO si partnere. Ky artikull do të shqyrtojë se si perceptohet NATO si partnere nga “partnerët përreth rruzullit” e rinj të Aleancës. Pse i kanë forcuar këto vende marrëdhëniet me NATO-n? Çfarë lloj partneri është NATO në sytë e këtyre vendeve? Dhe çfarë presin ato nga NATO?

Pikësëpari, çdo vend ka një një grup shtysash të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet e veta me Aleancën. Më 2006 dhe 2007, kur Japonia bëri një pëçapje të afrohej me NATO-n, ajo ishte kryesisht një lëvizje diplomatike. Është e vërtetë se që të dy, Ministri i Jashtëm Taro Aso dhe Kryeministri Shinzo Abe, gjatë fjalimeve të tyre përkatëse në NAC (Këshilli i Atlantikut të Veriut), përmendën mundësinë e bashkëpunimit operativ mes NATO-s dhe Japonisë. Duhet mbajtur parasysh, sidoqoftë, se të dy ata shpenzuan shumë kohë për të shpjeguar gjendjen e sigurisë aziatike, duke përfshirë Kinën dhe Korenë e Veriut. Madje Abe “u kërkoi” drejtpërdrejt aleatëve “për të nxitur Korenë e Veriut që të ndërmerrte hapa të vërtetë drejt zgjidhjes” së çështjes së rrëmbimit të qytetarëve japonezë nga autoritetet e Koresë së Veriut.

Është pikësynimi i Japonisë për ta përdorur NATO-n si një vendndodhje plotësuese për rritjen e vetëdijësimit ndërkombëtar, veçanërisht europian, për gjendjen e sigurisë aziatike. Kjo është arsyeja pse Tokio vlerësoi deklaratat e NAC-ut që dënonin lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut në korrik 2006 dhe provën bërthamore në tetor të të njëjtit vit. Pavarësisht nga gjuha tepër armiqësore e Phenianit, mënyra e bashkëpunimit me këtë vend mbetet një lojë diplomatike, ku solidarësia ndërkombëtare ka shumë rëndësi.

NATO mund të mos jetë një aktor politik në vetvete. Por si aleanca politiko-ushtarake më e madhe dhe më e aftë e botës, ajo mbart një peshë të veçantë – të paparamenduar dhe të paqëllimshme njëherësh – në çështjet e sigurisë ndërkombëtare. Kjo shpjegon gjithashtu pse ata që janë dyshimtarë rreth NATO-s, jo vetëm ata që nuk kanë vlera të përbashkëta me NATO-n, frikësohen nga zgjerimi i zonës së veprimtarive dhe të ndikimit të Aleancës. Imazhi i NATO-s në botën e jashtme si një aktore me ndikim në sigurinë, siç mund të argumentohet, është më i fuqishëm nga sa mund ta mendojë vetë NATO. Pra pikërisht për këtë shkak, Japonia e vështron NATO-n si një partnere të re të rëndësishme politike. Partnerë të tjerë mund të ndjekin këtë shembull.

 

NATO në bashkëpunim operativ

 

Marrëdhëniet e Australisë dhe të Zelandës së Re me NATO-n janë zhvilluar duke u bazuar kryesisht në ndihmën e dhënë me trupa për ISAF-in. Për rrjedhojë, bashkëpunimi operativ është shtylla kryesore në marrëdhëniet Australi-NATO dhe Zelandë e Re-NATO, ndryshe nga Japoni-NATO. Këto vende e përdorin NATO-n si një organizëm ndërkombëtar. Pa NATO-n, Australia dhe Zelanda e Re nuk do të kishin qenë në gjendje të merrnin pjesë në përpjekjet ushtarake ndërkombëtare në Afganistan. NATO ka mundësuar ndihmesën e këtyre vendeve në përpjekjet ndërkombëtare atje. Qëkurse ndodhen në ISAF, është e përligjur që Australia dhe vende të tjera ndimëdhënësë të kërkojnë më shumë shkëmbim informacioni dhe më shumë përfshirje në formulimin e politikave dhe vijimisht në vendimmarrje. Australia, një vend që ka më shumë se 1000 trupa në jug të Afganistanit, të përfshirë në misione luftarake, ka qenë partnerja më e përmendur për raste të tilla, që NATO e ka pasur të vështirë për t’u dhënë rrugëzgjidhje.

Si në rrafshin politik e strategjik dhe në atë të teatrit të veprimeve luftarake, niveli i shkëmbimit të informacionit dhe i përfshirjes duket se është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Mbledhjet ministrore (kryesisht të Ministrave të Mbrojtjes) në formatin e ISAF-it, janë bërë një veprimtari e rregullt dhe mbledhjet e punës në nivelin e vendeve ndihmë-dhënëse me trupa, të tilla si në kuadrin e PCG (Grupi i Bashkërendimit të Politikës), shërbejnë si një vendtakim për më shumë këshillime thelbësore.

Megjithatë, çështja se deri në çfarë mase është e përgatitur NATO të përfshijë vendet ndihmë-dhënëse jashtë saj në proceset e brendshme të Aleancës, nuk do të zgjidhet në një mënyrë të qartë për një të ardhme të afërt. Për NATO-n, që t’i japë rrugëzgjidhje dhe të plotësojë kërkesat e partnerëve, është e nevojshme të sigurojë vijimësinë e ndihmesës së tyre. Parimi “jo taksim pa përfaqësim” qëndron vërtet këtu.

 

NATO-s si një mjet bashkëpunimi me SHBA-të

 

Kur vende të tilla si Australia dhe Zelanda e Re vendosën të dërgojnë trupa në Afganistan, partneri që zgjodhën nuk duhej të ishte detyrimisht NATO. Në fakt, kur Zelanda e Re (ZR) përqendroi për herë të parë trupat në Afganistan, ajo e bëri atë në kuadrin e Operacionit Liria e Qëndrueshme (OEF), në bashkëpunim të ngushtë dypalësh me SHBA-të. Nuk kishte asgjë të fshehtë që ai ishte një vendim për të mbështetur posaçërisht SHBA-të dhe për të treguar përkrahje ndaj vendit menjëherë pas 11 shtatorit, çka nuk kishte të bënte fare me bashkëpunimin ZR-NATO atëkohë. Si rrjedhojë e shtrirjes gjeografike të ISAF-it nga fundi i vitit 2006, trupat e ZR-së të grupuara në krahinën e Bamianit duhej të kalonin nga komanda OEF-it në atë të ISAF-it. Sipas pikëpamjes së ZR-së, bashkëpunimi pasues me NATO-n ishte kryesisht një rrjedhojë e paparamenduar e veprimtarisë së vet pavarësisht nga ISAF-i.

Kjo tregon qartë një vlerë tjetër tepër të rëndësishme që i shërben NATO-s si një platformë për të bashkëpunuar në operacione paqe-mbështetëse ndërkombëtare dhe në fusha të tjera. Ka të bëjë me faktin që NATO shpërfaq një rrugë plotësuese për të bashkëpunuar me SHBA-të. Bashkëpunimi me NATO-n, përfshirë ndihmën e dhënë me trupa në misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, mund të kryhet në kuadrin e bashkëpunimit me SHBA-të. Ky nuk duhet të jetë një element befasues, po të merret parasysh se edhe në mesin e aleatëve, ndihmesa ndaj ISAF-it dhe veprimtarive të tjera të drejtuara nga NATO, shpesh kundrohet si një mënyrë për të siguruar marrëdhënie pozitive me SHBA-të. “Partnerë përreth rruzullit” nuk janë një përjashtim këtu.

Kjo sigurisht nuk është rastësi që deri më tani, shumica e partnerëve të rinj të Aleancës jashtë zonës Euro-Atlantike janë në fakt aleatë të SHBA-ve, të tillë si Australia dhe Japonia. Bashkëpunimi Australi-NATO dhe Japoni-NATO përbën tipare të reja të marrëdhënieve të sigurisë dypalëshe të këtyre vendeve me SHBA-të. Një deklaratë e përbashkët SHBA-Japoni në nivel ministrash 2+2 (Komiteti Këshillimor i Sigurisë: SCC) e majit 2007, e vendosi bashkëpunimin Japoni-NATO në kuadrin e “objektivave të përbashkëta strategjike” të të dy aleatëve.

 

 

NATO-s si një mjet bashkëpunimi me SHBA-të

Kur vende të tilla si Australia dhe Zelanda e Re vendosën të dërgojnë trupa në Afganistan, partneri që zgjodhën nuk duhej të ishte detyrimisht NATO. Në fakt, kur Zelanda e Re (ZR) përqendroi për herë të parë trupat në Afganistan, ajo e bëri atë në kuadrin e Operacionit Liria e Qëndrueshme (OEF), në bashkëpunim të ngushtë dypalësh me SHBA-të. Nuk kishte asgjë të fshehtë që ai ishte një vendim për të mbështetur posaçërisht SHBA-të dhe për të treguar përkrahje ndaj vendit menjëherë pas 11 shtatorit, çka nuk kishte të bënte fare me bashkëpunimin ZR-NATO atëkohë. Si rrjedhojë e shtrirjes gjeografike të ISAF-it nga fundi i vitit 2006, trupat e ZR-së të grupuara në krahinën e Bamianit duhej të kalonin nga komanda OEF-it në atë të ISAF-it. Sipas pikëpamjes së ZR-së, bashkëpunimi pasues me NATO-n ishte kryesisht një rrjedhojë e paparamenduar e veprimtarisë së vet pavarësisht nga ISAF-i.

Kjo tregon qartë një vlerë tjetër tepër të rëndësishme që i shërben NATO-s si një platformë për të bashkëpunuar në operacione paqe-mbështetëse ndërkombëtare dhe në fusha të tjera. Ka të bëjë me faktin që NATO shpërfaq një rrugë plotësuese për të bashkëpunuar me SHBA-të. Bashkëpunimi me NATO-n, përfshirë ndihmën e dhënë me trupa në misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO, mund të kryhet në kuadrin e bashkëpunimit me SHBA-të. Ky nuk duhet të jetë një element befasues, po të merret parasysh se edhe në mesin e aleatëve, ndihmesa ndaj ISAF-it dhe veprimtarive të tjera të drejtuara nga NATO, shpesh kundrohet si një mënyrë për të siguruar marrëdhënie pozitive me SHBA-të. “Partnerë përreth rruzullit” nuk janë një përjashtim këtu.

Kjo sigurisht nuk është rastësi që deri më tani, shumica e partnerëve të rinj të Aleancës jashtë zonës Euro-Atlantike janë në fakt aleatë të SHBA-ve, të tillë si Australia dhe Japonia. Bashkëpunimi Australi-NATO dhe Japoni-NATO përbën tipare të reja të marrëdhënieve të sigurisë dypalëshe të këtyre vendeve me SHBA-të. Një deklaratë e përbashkët SHBA-Japoni në nivel ministrash 2+2 (Komiteti Këshillimor i Sigurisë: SCC) e majit 2007, e vendosi bashkëpunimin Japoni-NATO në kuadrin e “objektivave të përbashkëta strategjike” të të dy aleatëve.

 

NATO-s si një shkollë shumëpalëshe

 

Bashkëpunimi në Afganistan është një gjë, por është e nevojshme të mbahet parasysh se kjo nuk është e gjitha në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet NATO-s dhe partnerëve përreth rruzullit. Në radhë të parë, kryerja e operacioneve të ISAF-it është ende një detyrë e re për NATO-n dhe Aleanca ka shumë gjëra të tjera për të bërë. Në fusha të tilla, si ndërveprimi, standardizimi, blerja nën përkujdesje të përbashkët, kërkimi shkencor e zhvillimi, planifikimi shumëpalësh dhe planëzimi i mbrojtjes, NATO zotëron një përvojë dhe ekspertizë të pakrahasueshme. Në fakt, këto janë fushat ku partnerët të mund të përfitojnë më së shumti nga bashkëpunimi me NATO-n.

Thelbi është natyra shumëpalëshe e NATO-s. Vendeve jashtë zonës Euro-Atlantike, në përgjithësi, u mungon përvoja shumëpalëshe për sigurinë dhe mbrojtjen. Për shembull, në rajonin e Azi-Paqësorit, ku ndodhet pjesa më e madhe e partnerëve të rinj të NATO-s, bashkëpunimi shumëpalësh për sigurinë është ende i dobët, për të mos thënë se mungon plotësisht. Forumi Rajonal i ASEAN-it (ARF), vetëm në maj 2009, zhvilloi stërvitjen e parë të përbashkët për gjendje të jashtëzakonshme civile (ndihmë në raste fatkeqësish). Planëzimi dhe operacioni shumëpalësh është ende një ide e re në rajon dhe ushtritë në vendet e rajonit kanë përvoja të kufizuara shumëpalëshe.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi praktik me NATO-n – pjesëmarrja në stërvitje dhe seminare të NATO-s – krijon mundësi të mira për partnerët që të njihen me mënyrat shumëpalëshe të planëzimit dhe të operacioneve. Gjithashtu, në këtë botë të globalizuar dhe në një periudhë burimesh të kufizuara për ushtritë, është e nevojshme një qasje shumëpalëshe në bashkëpunimin me vende të tjera për kërkimin shkencor e zhvillimin dhe për blerjet e pajisjeve të mbrojtjes. Historia e NATO-s në këtë aspekt qëndron tejet larg përsosmërisë. Por ende, ajo siguron një platformë të dobishme për t’i dhënë shtysë qasjes shumëpalëshe ndaj sigurisë, në të cilën partnerët mund të marrin pjesë.

Sfidat përpara për NATO-n

Partnerët e rinj të NATO-s jashtë zonës Euro-Atlantike e vështrojnë NATO-n shumë ndryshe nga partnerët tradicionalë të Aleancës në PpP (Partneritetit për Paqe). Partnerët e rinj nuk kërkojnë anëtarësim. Ata as nuk janë vende në periudhën kalimtare nga komunizmi. Ata nuk kanë nevojë për këshillë të NATO-s mbi sigurimin e kontrollit demokratik të forcave të armatosura, etj. NATO ka qenë e suksesshme në dhënien e ndihmës ndaj partnerëve që synonin të bëheshin anëtarë të Aleancës. Megjithatë, bashkëpunimi me demokracitë e përparuara jo-europiane është ende një sipërmarrje e re për NATO-n.

Nga ana e NATO-s, nuk ka ende konsensus për rrugën që duhet të ndjekë ajo për sa i përket marrëdhënieve me partnerët e saj të rinj jashtë zonës Euro-Atlantike. Përfitimi i një ndihme më të madhe, si ushtarake dhe civile, prej këtyre vendeve për ISAF-in dhe misione e operacione të tjera të drejtuara nga NATO, është njëra nga këto rrugë. Duke pasur parasysh natyrën e ndryshme të forcave shtytëse të atyre vendeve për sa i përket përafrimit me Aleancën, sidoqoftë, tani është e dukshme se NATO ka nevojë për një ide më të qartë të asaj që dëshiron të arrijë nëpërmjet zhvillimit të partneriteteve të reja. Zhvillimi i Konceptit të ri Strategjik më 2010 paraqet një mundësi.

Deri në njëfarë mase, NATO duhet të shqyrtojë me kujdes se si mund t’i përgjigjet parashikimeve të partnerëve ndaj Aleancës. Tashmë për NATO-n është krijuar një mundësi e re për të marrë pjesë në formimin e një rrjeti të ri të sigurisë ndërkombëtare. Varet nga NATO nëse do ta shfrytëzojë atë.

Përgatiti Albert Hitoaliaj,

(artikull i vitit 2009)

 

 

 

Image

 

Rrjetet sociale, “Robespjeri” i ditëve tona 

Albert Hitoaliaj

Rrjete sociale nuk janë një dukuri e re, por e re është mënyra e organizimit të tyre. Një ndryshim masiv siç thuhet se e sjellin ato, nuk vjen prej tyre më shumë, se sa ç’vjen prej njerëzve. Por mund të thuhet se ato janë mjete që të organizuara më fort e më shpejt nëpërmjet teknologjisë së informimit sjellin transformimi të shpejta, të paparashikuara e të pakontrolluara. Edhe pse u ngritën shumë lart së fundi, me “Pranverën arabe”, fillesat e tyre janë më të hershme dhe roli drejtues i informacionit mediatik ka rezultuar edhe rrënues për politikën në shumë raste, ashtu si ka rezultuar edhe çelës suksesi për ndonjë politikan. Mund të përmendim vitin 2008 dhe Barak Obamën në këtë kontekst, ku një prej çelësave të fitores ishte mirë-organizimi i informimit dhe të këtyre rrjeteve. Rrjetet sociale luajtën rol themelor në fitoren e tij. Organizimi i gjerë i Obamës u krye nëpërmjet rrjeteve sociale dhe në fushatën e tij ishte i ngritur një rrjet i organizuar mbështetësish të cilët qëndronin gjithë kohës në lidhje me internetin. Ata kryen mobilizimin shoqëror për votimin dhe arritën të mbledhin shumën rekord të kontributit prej gjashtëqind milionë dollarë amerikan. Një punë e palodhur e tyre ishte krijim  një sërë videosh të cilat ngarkoheshin në internet dhe shikoheshin nga miliona njerëz.

Një vit më vonë një ngjarje e dhunshme do të tentohej të shpjegohej nëpërmjet ndikimit të një rrjeti social. Blogu “Twitter” arriti kulmin e tij në vitin 2009 dhe kryengritja e këtij viti që u bë në Iran, prej disa komentuesve u deklarua si e shtyrë nga ky rrjet. Natyrisht që ankesat e protestuesve kishin të bënin me zgjedhjet e manipuluara dhe jo me pjesëmarrjen ne Twitter por ky i fundit përshpejtoi e përforcoi idetë e protestuesve (sipas analizave). Duke qenë se vete deklarimi zyrtar nga Twitter pohoi se në periudhën kohore të kryengritjeve ata nuk bënë asnjë veprim për mirëmbajtjen e faqes, gjë që do të çonte në pezullim të përkohshëm të tij, me qëllim që të mos bllokonin komunikimin e protestuesve iranianë, u dha më shumë krahas analizave që kërkonin rolin e tij në këtë çështje. Sido që të komentohet, është e vërtetë se rrjetet sociale luajtën një rol të fortë në Iran. Mund të përmendet në këtë rast se si bëri xhiron e botës pamja e protestueses Neda, vajzës simpatike që gjendej e shtrirë në tokë e mbytur në gjakun e saj. Kanale TV me audiencë të lartë si p.sh CNN, do të hapnin transmetimin më këto pamje të rënda, nën siglën: kamera amatore. Këto filmime të bëra shpesh me aparat celular hidheshin në rrjetet sociale dhe si pasojë vinin reagimet. Protestuesit shpërthyen më shumë prej kësaj videoje. Në rrjetin social YouTube, ku mund të shpërndahen video personale prej gjithkujt, kjo video në një kohë shumë të shkurtër kapi shifrën e disa milionë shikimeve. Por nëse pyet ekspertë të ndryshëm që kanë lidhje me fushën e informacionit, sigurisë, studimeve shoqërore, psikologjisë, teknologjisë, marketingut, biznesit etj nuk und të arrish marrjen e një përgjigje të vetme për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën e përditshme dhe mënyrën se si ato veprojnë. Ka padyshim ndryshime por edhe debate me vendin e rolin e këtyre rrjeteve ne organizimin shoqëror. Prej disave thuhet se teprohet roli i tyre e prej te tjerëve thuhet se po vonojmë në analizat që duhen bërë mbi këtë fenomen shumë të rëndësishëm. A janë rrjetet sociale përgjegjëse apo jemi vetë ne?

Shumë analistë të medias e jo vetëm kanë ngritur pyetjen, a pati revolucion Facebook-u në botën arabe? Duket se është qartësisht e dallueshme se teknologjia e informimit dhe e komunikimit i ka dhënë një “boom” zhvillimeve globale. Ajo është një përshpejtues i proceseve shoqërore dhe ndërkohë mendohet prej shumë analistësh të çështjeve të sigurisë që ky përshpejtues do të ishte e udhës që të mbahej nën kontroll apo të frenohej kur kemi të bëjmë me raste në të cilat ndikimi i rrjeteve sociale do të ishte dëmtues. Por përsëri, nëse i referohemi historisë do të shohim se kryengritjet janë bërë edhe në atë kohë kur nuk kishte fare telefon e jo më Facebook, Twitter e YouTube, kështu që edhe fajësimi i këtyre rrjeteve nuk duket se mund të sjellë një “paqe” me ndërgjegjen pasi në fund të fundit revolucioni apo kryengritja bëhet prej shoqërisë e jo prej teknologjisë.

 

Qeverisja dhe njerëzit, më pranë se kurrë

Rrjetet sociale gjithnjë e më shpesh po i ofrojnë qeverisë një instrument të fuqishëm për të qenë të përfshirë me njerëzit në një komunikim të afërt e të drejtpërdrejtë. Kjo gjë ndodh si nivel kombëtar edhe në nivel ndërkombëtar. Nëse ndërmjet dy vendeve përdoret diplomacia për të ruajtur e vendosur marrëdhëniet shtetërore, sot vihet re se nuk janë më të nevojshëm zyrtarët dhe udhëtimet. Në shekullin e kaluar, politika e qeveritë arrinin të realizonin komunikimin me njerëzit nëpër botë, vetëm nëpërmjet transmetimeve ndërkombëtare të posaçme të radios a të TV. Në shekullin tonë, politika, qeveritë, deklaratat kombëtare apo ndërkombëtare të liderëve si dhe komentet e ndryshme në lidhje me to, shkojnë te të gjithë njerëzit anembanë globit, mjafton që ata të dëshirojnë të trokasin (klikojnë) mbi një adresë të caktuar. Sot komunikimi është global dhe diplomacia e politika është bërë e tillë: të gjithë njerëzit për të gjithë.

Në kohën që jetojmë, nëpërmjet teknologjisë dhe rrjeteve sociale njerëzit marrin pjesë në çështjet e ndryshme nga njëri vend në tjetrin duke dhënë opinione e mendime e deri te organizime konkrete fizike për të zgjidhur problematika të ndryshme që janë shqetësuese për popullatat e vendeve të ndryshme.

Tiparet e këtij komunikimi global mund të thuheshin shkurtimisht: njerëzit mund të ndërrojnë mendime për zgjidhje të problemeve të njëjta; të japin dhe të transformojnë ide të reja; të investojnë në ndërmarrje të përbashkëta biznesi apo sociale ndërkombëtare; të zbaviten me mënyra të ndryshme me njëri-tjetrin.

Ky komunikim e ky ndërveprim po i jep rezultatet e veta prej disa vitesh tashmë. Në bazë të atyre pikave që sapo përmendëm ne shohim p.sh se si ndërtohen organizata jo qeveritare ndërkombëtare të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre për të luftuar përhapjen e sëmundjeve të ndryshme të rënda e kërcënuese e vdekjeprurëse për njerëzimin. Në këtë plan mund të shihen lëvizjet e qindra organizatave të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e rrezikut duke shpërndarë informacion falas e me bollëk.

Kanë filluar të funksionojnë programe të cilat shfrytëzojnë pjesëmarrjen në vendimet e tyre prej njerëzish nga vende të ndryshme të botës. Në këtë mënyrë funksionojnë edhe shumë korporata të cilat kanë bërë edhe punësime nëpërmjet internetit në shumë vende në botë.

Ndër të tjera, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe internetit lëviz edhe diçka thuajse e padukshme, thuajse e parëndësishme por që ka një peshë e cila vështirë të llogaritet me saktësi: frymëzimi. Ky frymëzim është jo vetëm ai klasiku i artit, por në këtë rast është edhe ai i shkëmbimit të ideve, të botëve shpirtërore e të organizimit në nivele më të larta, ideologjike, fetare, teknike, artistike, etj, etj duke i transformuar rrjetet sociale në këtë mënyrë në rolin e një profeti modern i cili është udhërrëfyes për shumë të rinj. Shoqëritë e të ardhmes po frymëzohen drejt hapjes pikërisht nga ky “profet”.

Këto zhvillime janë edhe arseja që shumë politikanë i kanë gërshetuar rrjetet sociale brenda veprimtarive të tyre duke e shtuar në këtë mënyrë aftësinë e tyre. Në këtë mënyrë po përcillet çdo ide në rrjetet globale e kësisoj edhe politika është bërë e krahasueshme ashtu si dhe shoqëria e cilësia e jetës apo e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Teknologjia nuk jep zgjidhje për problemet por ndihmon që të kemi pyetjen e duhur dhe kjo vjen nga sasia e informacionit t pëmasë dhe shpejtësia e komunikimit global.

 

E panjohur apo e pathënë?

A mund të ndikojnë rrjetet sociale mënyrën e bërjes politikë dhe fatet e qeverisjeve? Rrjetet sociale ashtu si përdorin një tematikë të zgjeruar dhe shfrytëzojnë hapësirën elektronike për bashkëbisedime, mund të pasqyrojnë edhe mendimet e konturet kryesore të forcave politike e të votuesve të tyre. Se si do të jetë ndikimi i këtyre rrjeteve sociale mbi njerëzit më së shumti varet nga politikanët, por ama vetë rrjetet e shumëfishojnë fuqinë dhe e përshpejtojnë qarkullimin e ideve. Në një botë ku kemi më shumë se pesë miliardë telefona celularë dhe kemi thuajse gjysmën e kësaj shifre për lidhjet me internetin – duke vënë në dukje se rritja maksimale e këtyre lidhjeve e përdorimeve të aparateve vërehet në botën që është në zhvillim – vihet re një kërkesë në rritje, shumë e lartë dhe përshpejtuese e futjes së teknologjisë së re. Vihet re lehtësisht se ekonomia, shoqëria dhe siguria po ndikohen shumë nga kjo teknologji. Përdorimi i internetit si mjet komunikimi mbi kombëtar, në hapësirat përtej kufijve të shtetit e të kombit, nuk përbën thjesht një sfidë për tekonologjinë por përbën në radhë të parë një sfidë për organizimin shoqëror e për shtetin si aktor kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare e në organizimin e një hapësire të caktuar.

Interneti ka ardhur si nevojë e kohës, si nevojë e shoqërive për të kapërcyer caqet që ofronte teknologjia e informacionit. Një mjet informues si një gazetë, revistë, libër apo çdo lloj tjetër formë tipografike, ka një limit, ka një tirazh dhe një zonë në të cilën shpërndahet, por në internet nuk ka kufizime në tirazh apo zonë shpërndarje. Një informacion është më tirazh pa kufi, me shpërndarje globale dhe më shpejtësi digjitale e cila e lëviz informacionin në mënyrën më të shpejtë të mundshme nga një kontinent në tjetrin.

Nëse do të shihej historiku i komunikimit, atëherë pa dyshim që interneti përbën një risi në fushën e ndërlidhjes –dikur ekzistonte vetëm “mail” [posta] e sot jemi te “email”[posta elektronike]. Këto transformime pasohen edhe nga ato ekonomike te cilat ndikohen nga kjo teknologji. Nëse do të mundoheshim që të gjenim një tjetër transformim dhe një tjetër fenomen në rrjedhën e kohës, i cili të ketë pasur këto ndikime që ka interneti mbi shoqërinë, do të ishte e pamundur që të gjenim të dytë. Ai është i paparë ndonjëherë dhe i pakrahasueshëm. Ndikimi i tij ka shndërruar të gjithë sferat e shoqërisë. Ndikimi i tij te sfera me moshën më të re është krejtësisht i qartë. Por nëse mendojmë se në pjesën më të varfër të botës dhe në atë në zhvillim, popullsia dërrmuese është me moshë të re, atëherë kuptohet se shndërrimet në këtë pjesë të globit janë më shpejta e ndikojnë më tepër te ekonomia e te politika. Kushtet ekonomike dhe pozita sociale e këtyre të rinjve e bashkëlidhur me teknologjinë e komunikimit kanë ndërtuar një mënyrë të re rebelimi, pjesëmarrje në aktivitetin e përditshëm shoqëror e madje edhe në çështjet me rëndësi kombëtare.

Ky ndikim mund të vihet re lehtësisht, në të gjitha ato vende që po përballen me krizën ekonomike. Reagimet e popullatës janë bërë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme elektronike nëpër rrjetet sociale. Turma të tëra “user”-ash debatojnë, kundërshtojnë, komentojnë etj në lidhje me problematikën e vendeve të tyre. Me pas këto diskutime përbëjnë motivimin për protesta – nga virtualja në botën fizike.

Fuqia e lëvizjeve protestuese u pa më mirë se kudo tjetër e më fuqishëm se më pare, në Lindjen e Mesme. Por rrafshi i pjesëmarrjes në diskutime hera herës i kalon edhe caqet kombëtare dhe tërheq njerëz në diskutime globale si p.sh në ato që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike. Në këtë mënyrë shohim se si fuqia dhe influenca ka filluar të kalojë nga shteti te individi. Tashmë kjo fuqi e shpërndarë te individët mund të përkufizohet vërtet si fuqia shoqërore. Tashmë jemi në fazat e para të shfaqjes dhe perceptimit të këtyre ndryshimeve të pakthyeshme. Këto transformime teknologjike kërkojnë zgjidhje teknologjike dhe mbi të gjitha kërkojnë një orientim të politikës ndërkombëtare drejt këtyre çështjeve. Tashmë këto çështje nuk janë më të panjohura, por thjesht ekziston debati nëse duhen thënë dhe si duhet të trajtohen.

 

Protestat dhe rrjetet sociale

Duhet vënë në dukje një herë e mirë që rrjetet social e më saktë Facebook, nuk krijoi asnjë revolucion në Lindjen e Mesme. Faktorë të tillë si papunësia, pakënaqësia, shtypja, papërgjegjshmëria politike, varfëria, mungesa e ushqimit etj sollën protestat masive. Këto protestat u ndihmuan nga rrjetet sociale. Teknologjia luajti një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e të gjithë lëvizjeve shoqërore. Ndikimi i teknologjisë është i pamohueshëm por ajo nuk ishte fajtorja për atë që ndodhi. Sidoqoftë, teknologjia përshpejtoi procesin e ndryshimit të rrjedhës së ngjarjeve. Ajo mundësoi njerëzit që të lidhen e të organizohen duke u bërë në këtë mënyrë një organizatore e protestës. Këto protesta në kohë tjetër e në vende të tjera do të kryheshin në një hark kohor shumë herë më të gjatë se kohët tona.

Rrjetet sociale mundësuan që të afroheshin e të bashkoheshin njerëz të shtresave nga më të ndryshmet të cilët në jetën e përditshme nuk kishte gjasa që të lidheshin bashkë, për shkak të fushave të largëta të veprimit e punësimit. Nëse dikur ndjehej nevoja e një drejtuesi për të organizuar masat në një ‘tubim’ apo revolucion, sot ky drejtues është anonim por edhe i kudondodhur. Ai është anonim sepse nuk ka emrin enjë person, por ka emrin e rrjeteve sociale të cilët janë edhe udhëheqësit e rinj të revolucioneve, frymëzuesit e rinj dhe organizatorë perfekt. Këto rrjete kanë ndikuar edhe median globale. Pamjet e komentet e këtyre rrjeteve kanë depërtuar nëpër edicionet e lajmeve.

Këta rrjete kanë një fuqi e cila po t’i shtosh edhe mënyrën e lehtë të shpërndarjes së informimit si dhe koston zero të informacionit, kuptohet se sa e lehtë është që të shkojnë te çdokush. Ata janë një urë nëpërmjet të cilës secili hyn në botën që na rrethon dhe merr informacion pa kufi. Kjo teknologji shfrytëzohet si për qëllime pozitive edhe për ato negative por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se vëzhgimi dhe kontrolli mbi këtë po rritet si një domosdoshmëri për të pasur sukses në marrëdhënien individ-teknologji.

Teknologjia në vetvete është një e mirë, një njohje më e thellë, një dituri më e gjerë. Ajo përdoren ato lëvizje të cilat i ndërmerr shoqëria. Nëse kemi një grup shoqëror që dëshiron një organizim demokratik, atëherë teknologjia nuk përbën asnjë problem sepse e përshpejton dhe ndihmon këtë. Por në të kundërt, nëse një grup shoqëror kërkon kontroll apo ka synime për një organizim diktatorial etj atëherë kjo teknologji në mënyrë të pavetëdijshme e ndihmon përsëri këtë grup. Teknologjia është e pastër dhe nuk ka synime. Synimet vijnë nga dora që e përdor atë. Në këtë mënyrë kuptohet fare qartë se në të gjitha ato raste që njerëzit kanë nevojë që të bashkohen kundër një padrejtësie apo që të protestojnë, teknologjia e komunikimit, rrjetet sociale, do të përshpejtojnë procesin. Në këtë mënyrë këto rrjete shndërrohen në një organizues idealist revolucionesh, pasi ata vetë, teknologjia, nuk ka qëllime përfitimi. Nëse ndodhin protesta e revolucione atëherë mbase ka ardhur koha që ato të ndodhin, por sido që të ngjasë, rrjetet sociale nuk kanë bërë asnjëherë atë që nuk pëlqejnë individët. “Like” apo “unlike” në FB është thjesht një klikim, por që asnjëherë nuk kryhet pa një komandë që vjen prej kompjuterit më të vjetër në Tokë, trurit njerëzor.

 

Dardanët e Turqisë dhe turqit e Dardanisë

Nga ALBERT HITOALIAJ

Traktati i Kadeshit është nënshkruar gjatë shekullit të 13-të para Krishtit, mes faraonit madhështor Rameses i II-të i Egjiptit dhe mbretit Hatusili i II-të i Hititëve, për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie paqësore. Ky konsiderohet Traktati më i vjetër i shkruar, që mbijeton ende sot. Ai u regjistrua në Egjipt, i gdhendur në muret e tempujve me hieroglife, si dhe në ish-Perandorinë Hitite, (territori i Turqisë së sotme) në pllaka dheu të pjekura. Lista e aleatëve të Hititëve, e regjistruar në shkrimet egjiptiane, përfshinte një sërë fisesh. Dardanët ishin mes tyre. “Këto fakte, marrë në formulimin e Kronikës Paskhal, se Dardanët ishin Hititë, po aq sa dhe fakti se Dardanë e Trojanë ishin në ushtrinë Kheta-sira në betejën e Kadeshit, na tregojnë shtrirjen e gjerë dhe madhështinë e perandorisë Hitite” (Sir Charles W. Wilson, ‘The empire of the Hittites’, Nisbet, 1884, f.59). Tekstet egjiptiane mbajnë të shkruar emrin e dardanëve (Drdny) si një evidencë të asaj beteje të rëndësishme: “…ne kemi dëshmitë e teksteve egjiptiane, se Drdni (Dardanët – asnjë emër tjetër i ngjashëm nuk njihet) luftuan si aleatë të Hititëve në betejën e Kadeshit” (Gurney, Oliver Robert; “The Hittites”; Penguin boks Edition 2, 1990, f.47). Po për cilët Dardanë bëhet fjalë në tekstet e lashta të Egjiptit të faraonëve? “Në ‘Listën e aleatëve të Hititëve’, të regjistruar nga shkruesit egjiptianë, përfshihen një numër fisesh nga Anadolli dhe Siria: Drdni, të marrë zakonisht si Dardanët, një emër grek Homerik për trojanët” (I. E. S. Edwards, “The Cambridge Ancient History: History of the Middle East and the Aegean region c. 1380-1000 B.C., Vol 2, Part 2, Cambridge University Press, 1975, faqe 359-360). Kemi të bëjmë me dardanët ose trojanët e Homerit. Sipas studiuesve, dardanët janë një prej fiseve të shumta pellazgjike, ashtu si dhe epirotët apo maqedonasit. “Dardano-Ilirët, të cilët, duke iu referuar traditave të lashta, ishin paraardhësit e fiseve të shpërndara në Trojë, Epir dhe Itali, duhet të kenë qenë me origjinë shqiptare. Ilion (shënim A.H: emri i Trojës) është një fjalë shqipe” (Malte-Brun, Conrad; “Universal geography”, Vol. 6″, 1828, f. 113). Të njëjtët dardano-ilirë, shekuj më vonë, ndërtuan një tjetër qytet historik: Kostandinopojën (nga Kostandini i Madh). Shkëlqimi i këtij qyteti, ishte produkt i fuqisë krijuese ilire. “Nga mesi i shek. 3-të deri në mesin e shek. të 4-t, pas Krishtit, frerët e Perandorisë ishin vazhdimisht në duart e perandorëve me origjinë ilire: Gaius Decius, Klaudius Gotikus, Aurelian, Probus, Dioklecian dhe Konstandin i Madh” (The Neë Encyclopaedia Britanica, Volume 14; 2003, f. 615). Në 1453 qyteti i ndërtuar nga perandori ilir Kostandini i Madh, u ngrys Kostandinopojë dhe u gdhi Stamboll. Kjo rënie e ndryshoi përgjithmonë botën. Kjo copëz historie, ku fiset dardane ekzistojnë të regjistruar në shkrimet antike të Egjiptit, në Traktatin e Kadeshit, marrëveshjen e parë diplomatike të njohur në histori, nuk ekziston në librat shkollore të historisë në Turqi. Nuk ekziston në ata shqiptarë e s’ka pikë dyshimi që nuk ekziston as në ata grekë, të cilët në këtë mënyrë do të pranonin lashtësinë e popullsisë autoktone shqiptare, popullsia dardane e Iliadës. Mënyra që ne shqiptarët shkruajmë historinë paska shqetësuar deri edhe vetë kreun e diplomacisë turke i cili në deklaratën e tij të fundit në Kosovë kërkon rishikim të shtrembërimit të historisë që bëjmë ne shqiptarët. Me fjalë të rëndomta, ata, otomanët, nuk kanë qenë pushtues si ç’jepet në tekstet shkollore shqiptare. Mund të duam ta ndryshojmë historinë, por nuk mundet ajo vetë të ndryshojë fytyrën e saj (ku t’i çojmë 220 kryengritje anti-osmane?!). Davutogllu, është diplomat e jo historian e për këtë arsye, vëzhgimi ‘shkencor’ që na ofron, sikur ne po transformojmë historinë, është i tepërt për ne dhe domosdoshmëri për të. Ajo që ai kërkon është shtimi i influencës në rajon, dominimi vendeve ku ka besim mysliman (e jo vetëm), kryerja e lidhjeve e urave strategjike me shtetet e Ballkanit duke realizuar një perandori të re otomane, por këtë herë jo me shpatë, por me penë (soft power). Ai flet për versione titiste e enveriste, ku po qe se i referohemi “titistëve” e “enveristëve”, me pak fjalë historia nën perandori do të ishte kështu: Shqipërin’ e mori turku, i vu zjarr! Shqipëtar, mos rri, po duku, shqipëtar! Mjaft punove për te tjerë, o fatkeq! Kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq (Çajupi). Pra shkrimi i historisë është një përthyerje e të vërtetës me qëllim që ajo të marrë formën e qëllimit strategjik që ka diplomacia turke apo greke (edhe grekët kanë pretendimet e tyre për rishikim historie) ndaj shqiptarëve. A ka rëndësi historia në vetvete? Në këtë rast jo. Për ta, rëndësi ka arritja e qëllimeve strategjike që kanë ndaj Shqipërisë. Dardanët (shqiptarët) e zhvendosur në Turqi nuk kanë shkollat e tyre e nuk njihen si minoritet shqiptar në Turqi, por pavarësisht kësaj platforma e Turqisë synon që të mbështesë të drejtat e turqve të Dardanisë (lexo: shqiptarët që flasin turqisht e që banojnë në Kosovë). Shpjegimi duket se gjendet përsëri te historia e diplomacisë. Atë na e sjell gjeografi amerikan Isaiah Bowman, drejtori i “Shoqërisë Amerikane të Gjeografisë” dhe kryekëshilltari për territoret pranë Presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës. Për shkrimtarët e konspiracionit nuk është aspak i panjohur pasi në vitin 1921 u bë drejtori i CFR (Council of Foreign Relations). Ja se ç’thotë ai për Shqipërinë: “Është e vështirë për Shqipërinë që të kundërshtojë veprimet e fqinjëve të saj sepse ajo nuk është e bashkuar…Për një kohë të gjatë Italia ka insistuar që në çdo rast të ketë një bazë detare në portin e Vlorës dhe një zonë mbrojtjeje, mjaftueshëm të gjerë, për operacione tokësore në rast sulmi. Kjo do t’i siguronte asaj një supermaci navale në Adriatik dhe në ruajtjen e gjithë bregut të saj lindor… Do të ishte e rëndësishme që kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë t’i kishim të skicuara në mënyrë të kujdesshme, që të bënim bashkimin, me aq sa është e mundur, e të gjithë shqiptarëve të lidhur drejtpërsëdrejti me pjesën kryesore, dhe të siguronim zhvillimin ekonomik, i cili formon një nga bazat e paqes së qëndrueshme. Gjithashtu, në kundërshtim me procesin e bashkimit janë shtetet rivale kufizuese, Greqia, Jugosllavia dhe Italia. Po qe se për të çuar para, interesat e tyre tregtare, këta shtete ushtrojnë format tradicionale të propagandës politike atje mund të shkaktohet çrregullim, për të mos thënë shkatërrim.” (Isaiah Bowman,The new World, problems in political geography, 1921, f. 312). Ballkani ynë, mund të jetë gjeografikisht i vendosur disi në periferi të Europës, por nga ana strategjike është në zemër të saj, si nyje e rëndësishme gjeopolitike. Kjo arsye ka motivuar zhvillimet e dekadave të fundit. Kjo është edhe arsyeja që shtete të ndryshme ushtrojnë presion mbi vendin tonë, për të arritur dobësimin kombëtar shqiptar, për të pasur kontroll apo influencë. Turqia synon detin Adriatik ashtu si e synojnë edhe fqinjët e tjerë. Strategjia turke synon dominimin mbi rajonin Deti i Zi-Egje-Adriatik; synon projektimin nga fuqi rajonale në globale. Arsye kjo, që shtyn edhe Davutogllunë në misionin e tij historik, jo si rishkrues i saj por si krijues i momentit historik. Ky mision mund të shkojë për shtat edhe me synimin shqiptar për fuqizim e krijimin e aleancave strategjike rajonale. Por, po na kërkojnë shumë! Po na kërkojnë të jemi mohues të qenies sonë. Një miqësi e tillë ‘vëllazërore’ e komb-mohuese, do të na shndërronte në një komb lëvozhgë veze ‘të mbrojtur’ por bosh brenda.

Gazeta Shqiptare
5 shtator 2011
Follow

Get every new post delivered to your Inbox.